
Një shtetas kosovar, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Luksemburgut për veprën penale “Vjedhje”, është arrestuar sot në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një njoftimi zyrtar, ku thuhet se arrestimi është realizuar më 30 tetor 2026, rreth orës 16:30, nga njësitet e Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet e tjera policore dhe institucionet përkatëse.
Sipas Policisë, shtetasi kosovar me inicialet D.A. kërkohej përmes INTERPOL-it, pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet e Luksemburgut për veprën penale “Vjedhje”, e sanksionuar sipas Kodit Penal të këtij shteti.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, i arrestuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, për të vazhduar me procedurat e tjera ligjore.
Në njoftim, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimit dhe arrestimit të personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali