Koalicioni Shqiptar ka siguruar dy mandate në Kuvendin e Serbisë, sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare, ndërsa mbetet në garë për fitimin e mandatit të tretë.
Lajmin e kanë bërë të ditur prijësi i listës së Koalicionit Shqiptar, Shaip Kamberi, dhe Ardita Sinani, të cilët e kanë cilësuar rezultatin si një arritje historike për përfaqësimin politik të shqiptarëve në Serbi.
Sipas të dhënave të publikuara nga Kamberi, Koalicioni Shqiptar ka marrë gjithsej 27.230 vota, të cilat, pas aplikimit të rritjes prej 35 për qind të koeficientëve zgjedhorë për pakicat kombëtare, arrijnë vlerën llogaritëse prej 36.761 votash.
“Arritje historike! Dy mandate për shqiptarët në Kuvendin e Serbisë, në garë për të tretin!”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka theksuar se ky rezultat është fryt i bashkimit politik të subjekteve shqiptare, besimit të qytetarëve dhe angazhimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz në institucionet e Serbisë.
“Ky është rezultati i bashkimit politik, i besimit qytetar dhe i përkushtimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz”, ka deklaruar ai.
Kamberi ka falënderuar qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për mbështetjen e dhënë në zgjedhje, si dhe subjektet politike shqiptare për bashkimin në një listë të përbashkët.
Një falënderim të veçantë ai ia ka drejtuar edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për angazhimin e tij.
“Si prijës i listës, falënderoj secilin qytetar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për besimin, të gjitha subjektet politike për bashkimin dhe Kryeministrin Albin Kurti për angazhimin e tij”, ka shkruar Kamberi.
“Bashkë në zgjedhje, bashkë në përfaqësim, bashkë për të drejtat tona!”, ka përfunduar ai.
Rezultatet mbeten preliminare, ndërsa konfirmimi i numrit përfundimtar të mandateve pritet pas përfundimit të procesit të numërimit dhe certifikimit nga institucionet zgjedhore të Serbisë./Telegrafi.