
Debati rreth çmimit prestigjioz të “Topit të Artë” ka marrë një tjetër dimension, pasi Observatori i Futbollit CIES ka publikuar renditjen statistikore të lojtarëve me paraqitjet më të mira gjatë vitit të fundit, ku kryesues absolut rezulton talenti i Barcelonës, Lamine Yamal.
Publikimi i këtij raporti vjen vetëm pak orë para ceremonisë gala që mbahet në Londër, ku Yamal kryeson listën me 95.8 pikë, duke lënë prapa yjet më të mëdhenj të futbollit global.
Studimi i CIES-it është ndërtuar mbi tri kritere rigoroze, performancat individuale në komponentë të ndryshëm të lojës, niveli i vështirësisë së garave dhe rezultatet e arritura nga skuadrat përkatëse.
Menjëherë pas spanjollit renditet dyshja e Bayern Munichut, Michael Olise në pozitën e dytë me 93.9 pikë dhe Harry Kane në vendin e tretë me 90.5 pikë.
Befasia kryesore e raportit mban emrin e Lionel Messit edhe në moshën 39-vjeçare, tetë herë fituesi i Topit të Artë renditet i katërti në botë me 90.4 pikë.
Madje, sipas vetë CIES-it, ylli argjentinas do të ishte lider i padiskutueshëm i tabelës nëse nuk do të aplikohej koeficienti i nivelit të ligës ku aktivizohet.
Barcelona dominon “top-dhjetëshen” me tre emra; krahas Yamalit, mesfushori Pedri gjendet në vendin e tetë (90.3 pikë) dhe mbrojtësi Pau Cubarsí në të dhjetin (90.0 pikë).
Në mes tyre renditen emra të tjerë të mëdhenj si Desire Doue (i 5-ti), Kylian Mbappe (i 6-ti), Khvicha Kvaratskhelia (i 7-ti) dhe makineria e golave të Manchester Cityt, Erling Haaland, i cili pozicionohet i nënti.
Një e dhënë tjetër befasuese është pozita e Ousmane Dembeles, fituesit të fundit zyrtar të këtij trofeu, i cili në indeksin e performancave të CIES-it figuron vetëm në vendin e 27-të.
Megjithëse vlerësimi statistikor i CIES-it nuk vendos fatin e trofeut — pasi ai përcaktohet nga votat e gazetarëve ndërkombëtarë — shifrat shtojnë akoma më shumë zjarr para nisjes së ceremonisë.
Dhjetë futbollistët me vlerësimin më të lartë sipas CIES:
Lamine Yamal (Barcelona) – 95.8 pikë
Michael Olise (Bayern Munich) – 93.9 pikë
Harry Kane (Bayern Munich) – 90.5 pikë
Lionel Messi (Inter Miami) – 90.4 pikë
Desire Doue (Paris Saint-Germain) – 90.4 pikë
Kylian Mbappe (Real Madrid) – 90.4 pikë
Khvicha Kvaratskhelia (Paris Saint-Germain) – 90.3 pikë
Pedri (Barcelona) – 90.3 pikë
Erling Haaland (Manchester City) – 90.0 pikë
Pau Cubarsi (Barcelona) – 90.0 pikë