Deputeti i Kuvendi të Kosovës Alban Asllani nga Grupi Multietnik, në fjalimin e tij në foltoren e Kuvendit, ka theksuar se fokusi duhet të jetë te parandalimi i tragjedive dhe jo vetëm te diskutimet pas rasteve të rënda.
“Sot nga kjo foltore, unë si deputet i këtij Kuvendi dua të flas së pari si prind, si prind i tri djemve të mi të cilët i rris në shtëpinë time”, tha Asllani, duke iu referuar edhe vrasjes tragjike të Arlindës.
Ai theksoi se drejtësia duhet ta thotë fjalën e saj, ndërsa institucionet duhet të marrin përgjegjësi dhe të sqarojnë çdo rrethanë, veprim apo mosveprim të mundshëm.
“Por unë sot dua që këtë temë ta trajtoj pak më ndryshe. Dua ta bëj një pyetje se ku fillon e vërteta e përgjegjësisë sonë si shoqëri? A fillon në stacion policor, në prokurori, në gjykatë, apo kjo fillon shumë më herët se aq? Brenda familjeve tona, aty ku lindemi, rritemi dhe formohemi si njerëz?”, u shpreh ai.
Asllani tha se, krahas reformave institucionale dhe ligjeve, rëndësi të veçantë ka edhe formimi i njerëzve që punojnë në institucione, i cili nis në familje dhe në shoqëri.
“Institucionet, objektet, ndërtesat dhe ligjet janë më shumë, por njerëzit të cilët punojnë në ato institucione e bartin përgjegjësinë që t’i implementojnë të gjitha ato mekanizma”, theksoi deputeti.
Ai nënvizoi se përgjegjësia për edukimin dhe formimin shoqëror nuk e përjashton përgjegjësinë ligjore të shtetit. “Shteti ka detyrim t’i mbrojë me jetë qytetarët dhe askush nuk mund të fshihet pas një edukimi apo pas një mentaliteti që unë e ceka më herët”, përfundoi Asllani.
Burimi: RTKLive
