Author: Momenti

  • Gashi: Kemi mbështetje të fortë nga Kroacia për anëtarësimin tonë në BE

    Gashi: Kemi mbështetje të fortë nga Kroacia për anëtarësimin tonë në BE

    Me ftesën e kryetarit të Parlamentit Kroat, Gordan Jandrokoviq, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, qëndron për vizitë zyrtare kthimi në Republikën e Kroacisë. Në përbërjen e Delegacionit janë edhe kryetarja e Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Kroacisë, Bllagica Llasovska, dhe anëtarët e Grupit: Dimitar Kovaçevski, Kaltrina Beqiri dhe Sali Murati.

    Siç njoftojnë nga Kabineti i tij, në fillim të vizitës zyrtare, Gashi dhe Delegacioni realizuan takim me nikoqirin e tyre, Jandrokoviq. Në takim morën pjesë edhe Armin Hoxhiq, nënkryetar i Parlamentit Kroat dhe Andro Krutulloviq Opara, kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme.

    “Bashkëbiseduesit theksuan se të dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera, të karakterizuara nga miqësia e sinqertë, besimi dhe respekti i ndërsjellë. Nga ana jonë, u shpreh mirënjohja për mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme të Republikës së Kroacisë për qëllimin tonë strategjik për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”.

    “Në takim u konfirmua rëndësia e bashkëpunimit parlamentar dhe gatishmëria për të intensifikuar bashkëpunimin si midis Grupeve të Bashkëpunimit, ashtu edhe për vendosjen e partneritetit më të ngushtë midis shërbimeve të dy dhomave ligjvënëse për çështjet që lidhen me procesin e aderimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Njëkohësisht, u theksua se thellimi i lidhjeve institucionale dhe shkëmbimi i rregullt i përvojave dhe mendimeve përbëjnë bazën për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të përgjithshme dhe dypalëshe”.

    “U theksua rëndësia e mbështetjes së vazhdueshme nga Kroacia në drejtim të zbatimit të vazhdueshëm të reformave që lidhen me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, dhe në këtë drejtim u theksuan 17 tvining-projekte të zbatuara tashmë dhe 4 që janë në vazhdim në fusha të ndryshme, me theks se mbështetja e rrugës sonë evropiane me intensitet të fortë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Kryetari Gashi informoi gjithashtu se Marrëveshja e Bashkëpunimit Strategjik midis Qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë, e nënshkruar më 26 maj 2026 në Ohër, si bazë për thellimin e partneritetit afatgjatë dhe avancimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes forcimit të bashkëpunimit ekonomik, institucional dhe sektorial, me përfitime konkrete për të dy vendet, kaloi në Komisionin për Politikë të Jashtme më 10 nëntor dhe se është vënë në rendin e ditës të seancën plenare më 1 dhjetor, kur pritet edhe të miratohet”, thuhet në njoftim.

  • Musliu kërkon llogari nga Maqedonci ose komandanti i FSK-së për incidentet me ushtarët gjatë ushtrimeve

    Musliu kërkon llogari nga Maqedonci ose komandanti i FSK-së për incidentet me ushtarët gjatë ushtrimeve

    Musliu kërkon llogari nga Maqedonci ose komandanti i FSK-së për incidentet me ushtarët gjatë ushtrimeve

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kërkuar raportim nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ose nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari, lidhur me incidentet e fundit që përfshijnë ushtarët e FSK-së.

    Kërkesa u bë gjatë mbledhjes së Komisionit për Siguri, ku Musliu tha se është e nevojshme që institucionet përgjegjëse të japin sqarime për këto raste, qoftë përmes raportimit me shkrim apo në prezencë.

    “E shoh domosdoshmëri me ardhë edhe me na njoftu, qoftë me shkrim, qoftë me prezencë, ose edhe komandanti me ardhë me i sqaru këto çështje për opinionin e gjerë. Sepse nuk kemi nevojë me kriju mjegull për diçka që ka ndodhë dhe është e dukshme”, ka deklaruar Musliu.

    Një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dyshohet se është lënduar të hënën si pasojë e shpërthimit të municionit brenda armës, në Babaj të Bokës.

    Ky është rasti i dytë brenda një periudhe të shkurtër, kur një pjesëtar i FSK-së raportohet se lëndohet gjatë ushtrimeve si pasojë e shpërthimit të municionit.

    Burimi: Insajderi

  • Tri epoka që e shndërruan Dua Lipën në një yll botëror të pop-it, vëmendja tashmë te albumi i katërt që pritet në fillim të vitit 2027

    Tri epoka që e shndërruan Dua Lipën në një yll botëror të pop-it, vëmendja tashmë te albumi i katërt që pritet në fillim të vitit 2027

    Gjatë karrierës së saj muzikore, Dua Lipa ka sjellë tri albume në studio, përmes të cilave ka shënuar periudha të ndryshme të zhvillimit të saj artistik.

    Secili projekt ka pasur identitetin, atmosferën dhe sukseset e veta, duke e shndërruar këngëtaren me origjinë nga Kosova në një prej emrave më të njohur të muzikës pop në botë.

    Gjithçka nisi me albumin debutues “Dua Lipa”, të publikuar në vitin 2017. Ky projekt shënoi prezantimin e saj në skenën ndërkombëtare dhe solli disa prej këngëve që do të bëheshin ndër më të njohurat e karrierës së saj, si “New Rules”, “Be the One”, “IDGAF”, “Hotter Than Hell” dhe “Blow Your Mind (Mwah)”.

    Kjo periudhë përfaqësonte fillimet e një artisteje që po ndërtonte identitetin e saj dhe po fitonte gjithnjë e më shumë vëmendje në industrinë muzikore.

    Në vitin 2020, Dua Lipa nisi një epokë të re me albumin e saj të dytë, “Future Nostalgia”, një prej projekteve më të suksesshme të karrierës së saj.

    Me këtë album, ajo solli një imazh dhe drejtim të ri artistik, duke u rikthyer te tingujt nostalgjikë të së kaluarës përmes një qasjeje moderne. “Don’t Start Now”, “Physical”, “Break My Heart”, “Levitating” dhe “Love Again” ishin disa prej këngëve që e shndërruan këtë album në një sukses ndërkombëtar dhe e konsoliduan edhe më shumë pozitën e saj në muzikën pop.

    Pas katër vitesh, në maj të vitit 2024, këngëtarja publikoi albumin e saj të tretë, “Radical Optimism”, duke hapur një tjetër kapitull në karrierën e saj.

    Ky projekt solli një atmosferë dhe estetikë të ndryshme nga dy albumet paraprake, me një qasje më eksperimentale dhe frymëzime të reja muzikore. Albumi përfshinte këngë si “Houdini”, “Training Season”, “Illusion”, “These Walls” dhe “Falling Forever”, ndërsa u prit me interes të madh nga publiku dhe debutoi në vendin e parë të toplistës britanike të albumeve.

    Tashmë, pas tri epokave të ndryshme muzikore, vëmendja është përqendruar te projekti i radhës i artistes.

    Sipas raportimeve të publikuara së fundmi, Dua Lipa po përgatitet për albumin e saj të katërt, i cili pritet të vijë në fillim të vitit 2027.

    Sipas raportimeve të mediave, këngëtarja ka udhëtuar drejt Los Angeles për realizimin e fotografive dhe materialeve vizuale që do të shoqërojnë projektin e ri.

    Gjithashtu, thuhet se albumi është pothuajse i përfunduar dhe se përgatitjet për fushatën promovuese kanë nisur.

    Në mesin e emrave të përmendur në raportime është edhe producenti Mark Ronson, i cili ka bashkëpunuar më herët me Duan në projekte si “Dance the Night” dhe “Electricity”.

    Megjithatë, duhet theksuar se Dua Lipa ende nuk e ka zyrtarizuar albumin e saj të katërt dhe as nuk ka bërë ndonjë njoftim zyrtar për datën e publikimit të tij.

    Ndërkohë, artistja shqiptare me famë botërore së fundmi ka publikuar edhe këngën e saj të re “Go Easy”, e cila është pjesë e albumit zyrtar “Grand Theft Auto VI: The Album”, projektit muzikor të realizuar në bashkëpunim me Rockstar Games dhe Atlantic Records.

    Kënga shënon një tjetër publikim të artistes, ndërsa fansat janë gjithnjë e më të interesuar për atë që ajo mund të sjellë në epokën e saj të ardhshme muzikore.

  • Real Madridi përgatit superkontratën për Bellinghamin

    Real Madridi përgatit superkontratën për Bellinghamin

    Sipas mediave ndërkombëtare, negociatat ndërmjet klubit madrilen dhe përfaqësuesve të mesfushorit anglez kanë avancuar ndjeshëm dhe zyrtarizimi i marrëveshjes së re mund të ndodhë së shpejti.

    Kontrata aktuale e Bellinghamit me “Los Blancos” është e vlefshme deri në qershor të vitit 2029, por drejtuesit e klubit dëshirojnë ta shpërblejnë atë për paraqitjet e shkëlqyera që ka treguar që nga transferimi nga Borussia Dortmundi në verën e vitit 2023.

    Anglezi ka vazhduar me formë të mirë edhe në sezonin 2026/27. Në 13 ndeshje të zhvilluara në La Liga, ai ka realizuar pesë gola dhe ka dhuruar tri asistime, ndërsa ka shënuar edhe një herë në Ligën e Kampionëve, në fitoren ndaj AEK Athinës.

    Goli i shënuar në fitoren 2:1 ndaj Celta Vigos në fundjavë ishte i veçantë për të, pasi përfaqësoi golin e tij të 100-të në paraqitjen e 100-të në kampionat me fanellën e Real Madridit.

    Sipas “The Athletic”, kontrata e re shihet edhe si një shpërblim për kontributin e tij, por njëkohësisht si një mënyrë për të siguruar të ardhmen e një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës.

    Bellingham është bërë një nga figurat kryesore të Real Madridit dhe ka marrë përgjegjësi të reja në rolin e numrit 10, në sistemin e trajnerit Jose Mourinho.

    Përmes kësaj marrëveshjeje, madrilenët synojnë të shmangin situata të ngjashme me atë të Vinicius Juniorit, i cili gjatë verës së kaluar ishte afruar në vitin e fundit të kontratës, përpara se të nënshkruante një marrëveshje të re me kushte shumë më të favorshme financiare.

    Megjithatë, ende nuk janë bërë të ditura shifrat e sakta të pagës së re të Bellinghamit dhe se si ajo do të krahasohet me përfitimet e Vinicius Juniorit dhe Kylian Mbappes.

    Burimi: RTKLive

  • Përurohet rruga me emrin e Frank G. Wisnerit, ish-të dërguarit amerikan që kontribuoi në pavarësinë e Kosovës

    Përurohet rruga me emrin e Frank G. Wisnerit, ish-të dërguarit amerikan që kontribuoi në pavarësinë e Kosovës

    Sot, një rrugë e Prishtinës mori emrin e të ndjerit Frank G Wisner, ish i dërguari i posaçëm i SHBA-së për statusin e Kosovës.

    Burimi: Dukagjini

  • Trump pritet të takohet me shefin e NATO-s

    Trump pritet të takohet me shefin e NATO-s

    Trump pritet të takohet me shefin e NATO-s

    Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet të takohet të mërkurën me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Florida.

    Sipas Shtëpisë së Bardhë, takimi do të mbahet në orët e vona të pasdites dhe vjen në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes ShBA-së dhe aleatëve evropianë.

    Takimi zhvillohet gjithashtu në kohën kur vendet evropiane po kërkojnë të përfshihen në bisedimet e mbështetura nga SHBA-ja për përfundimin e luftës në Ukrainë.

    Rutte, i cili në vazhdimësi ka tentuar të ruajë marrëdhëniet e mira me Trumpin, ka deklaruar më herët se takimet mes fuqive të mëdha bërthamore janë normale.

    Trump, ndërkaq, ka kritikuar vazhdimisht aleatët perëndimorë për shpenzimet e mbrojtjes dhe kontributin e tyre në NATO./Klankosova.tv

  • "Heronj të Kosovës", Osmani kujton Sebahate Tolajn dhe Isuf Haklajn

    “Heronj të Kosovës”, Osmani kujton Sebahate Tolajn dhe Isuf Haklajn

    "Heronj të Kosovës", Osmani kujton Sebahate Tolajn dhe Isuf Haklajn

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar Sebahate Tolajn dhe Isuf Haklajn në përvjetorin e vrasjes së tyre.

    Osmani ka theksuar se të dy ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të Policisë së Kosovës, ndërsa sipas saj, u vranë pasi guxuan të hetonin vrasjen e Tahir Zemajt, Smajl Hajdarajt dhe raste të tjera të pasluftës.

    “Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj! Ushtarë të UÇK-së. Pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Heronj të Kosovës! U vranë sepse guxuan të kërkonin të vërtetën”, ka shkruar Osmani.

    Ajo ka shtuar se Kosova nuk mund të pajtohet me vrasjen e atyre që luftuan për të vërtetën dhe drejtësinë.

  • Maqedonci pret Shiroka Pulën, diskutohen objektivat e mbrojtjes

    Maqedonci pret Shiroka Pulën, diskutohen objektivat e mbrojtjes

    Maqedonci pret Shiroka Pulën, diskutohen objektivat e mbrojtjes

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka pritur në një takim, presidenten e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula.

    Kjo ka qenë vizita e parë e Shiroka Pulës në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në cilësinë edhe të Komandantes Supreme të FSK-së.

    Maqedonci ka shkruar në Facebook, për temat e diskutuara me kryetaren e shtetit.

    “Gjatë takimit, e informova Presidenten për punën dhe angazhimet e Ministrisë së Mbrojtjes, procesin e zhvillimit dhe modernizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe objektivat dhe prioritetet tona në fushën e mbrojtjes. Presidentes Shiroka-Pula i urova suksese në ushtrimin e detyrës së saj, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm në përmbushjen e objektivave tona të përbashkëta në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.”, ka shkruar Maqedonci.

    Paraprakisht, presidentja Shiroka Pula është pritur edhe nga komandanti i përgjithshëm i FSK-së, Bashkim Jashari, me ç’rast asaj i është bërë një pritje me ceremoni ushtarake. /Klankosova.tv

  • “Lavdi jetës dhe veprës", Abdixhiku kujton Sebahate Tolajn dhe Isuf Haklajn

    “Lavdi jetës dhe veprës”, Abdixhiku kujton Sebahate Tolajn dhe Isuf Haklajn

    “Lavdi jetës dhe veprës", Abdixhiku kujton Sebahate Tolajn dhe Isuf Haklajn

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar zyrtarët e Shërbimit Policor të Kosovës, Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, në 23-vjetorin e vrasjes së tyre.

    Përmes një postimi, Abdixhiku ka rikujtuar se Tolaj dhe Haklaj u vranë më 24 nëntor 2003, në një pritë në Raushiq të Pejës, derisa ishin në krye të detyrës.

    Ai ka theksuar se dy zyrtarët po hetonin vrasjet e pasluftës në rajonin e Dukagjinit, përfshirë edhe vrasjen e kolonel Tahir Zemajt dhe Smajl Hajdarajt.

    Abdixhiku ka thënë se, edhe pas 23 vjetësh, zbardhja e plotë e vrasjes së tyre dhe vënia e përgjegjësve para drejtësisë mbetet obligim institucional dhe shoqëror.

    “Familjet e tyre, shoqëria dhe Republika e Kosovës meritojnë të vërtetën dhe drejtësinë”, ka shkruar Abdixhiku.

    Në fund, ai ka bërë homazhe për jetën dhe veprën e dy zyrtarëve.

    “Lavdi jetës dhe veprës së Sebahate Tolajt dhe Isuf Haklajt!”, ka përfunduar Abdixhiku.

  • Oda Ekonomike e Kosovës mirëpret sistemin e pagesave të shpejta TIPS-K

    Oda Ekonomike e Kosovës mirëpret sistemin e pagesave të shpejta TIPS-K

    Oda Ekonomike e Kosovës mirëpret sistemin e pagesave të shpejta TIPS-K

    Oda Ekonomike e Kosovës ka mirëpritur fillimin e zbatimit gradual të Sistemit të Pagesave të Shpejta të Kosovës (TIPS-K).

    Këtë sistem, OEK-u e ka cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës financiare dhe lehtësimit të transaksioneve për bizneset dhe qytetarët.

    Në një komunikatë për media, Oda ka bërë të ditur se përmes këtij sistemi do të mundësohen transfere të menjëhershme financiare, në kohë reale, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë.

    Sipas Odës, funksionalizimi i TIPS-K pritet të ndikojë pozitivisht në aktivitetin e bizneseve, veçanërisht në përmirësimin e likuiditetit dhe përshpejtimin e qarkullimit të mjeteve financiare.

    “Mundësia e kryerjes së pagesave në kohë reale është veçanërisht e rëndësishme për marrëdhëniet ndërmjet bizneseve, furnitorëve dhe partnerëve afaristë, duke kontribuar në rritjen e besueshmërisë dhe sigurisë në transaksionet tregtare”, thuhet në komunikatë.

    Oda Ekonomike e Kosovës ka theksuar se digjitalizimi dhe modernizimi i shërbimeve financiare janë të rëndësishme për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes.

    Në këtë drejtim, Oda ka vlerësuar angazhimin e Bankës Qendrore të Kosovës, bankave komerciale dhe institucioneve partnere që kanë kontribuar në funksionalizimin e këtij sistemi.

    Po ashtu, ka bërë thirrje për vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në mënyrë që përfitimet nga sistemi i ri të jenë të qasshme për të gjitha bizneset dhe qytetarët e Kosovës.