Author: Momenti

  • Kina mund ta ketë zbuluar Haalandin e ri, 17-vjeçari 1.93 metra i gjatë po mahnit botën me paraqitjet e tij

    Kina mund ta ketë zbuluar Haalandin e ri, 17-vjeçari 1.93 metra i gjatë po mahnit botën me paraqitjet e tij

    Një përmbledhje e paraqitjes së Zhao Songyuanit për Kinën në barazimin 2-2 ndaj Marokut në Kampionatin Botëror U17 po bëhet virale në rrjetet sociale, ndërsa tifozët janë të bindur se futbolli ka zbuluar një yll të ardhshëm.

    17-vjeçari, të cilin një pjesë e mediave kineze e kanë krahasuar me Erling Haalandin, tërhoqi vëmendjen në shtator, kur u bë lojtari i parë pa kontratë profesionale që ftohej në kombëtaren A të Kinës.

    Songyuani ishte ende nxënës i shkollës së mesme në Universitetin Tsinghua kur mori ftesën e parë nga kombëtarja e madhe. Ai nuk vonoi shumë për të debutuar, duke luajtur për herë të parë në moshën 17-vjeçare dhe 170-ditëshe kundër Maldiveve. Më pas, ai u paraqit edhe në ndeshjet ndaj Palestinës dhe Taxhikistanit.

    “Ftesa e Zhaos, një nxënës i shkollës së mesme, është një vendim jashtëzakonisht i veçantë në historinë e futbollit kinez. Paraqitjet e tij me ekipet e reja kombëtare dhe shkollën e mesme Tsinghua kanë bërë që vëmendja ndaj tij të rritet gjithnjë e më shumë”, deklaroi komentatori i futbollit me bazë në Pekin, Sun Yuxuan.

    Që prej momentit kur u bë futbollisti më i ri që ka përfaqësuar kombëtaren A të Kinës, sulmuesi me gjatësi 1.93 metra ka vazhduar të shkëlqejë. Paraqitja e tij e fundit ndaj Marokut në Kampionatin Botëror U17 ka marrë vëmendjen e mediave dhe tifozëve.

    Songyuani iu deshën vetëm dy minuta për të shënuar golin e parë, pas një aksioni individual të shkëlqyer, të cilin e përfundoi me një goditje të saktë në këndin e poshtëm të portës. Ishte një dëshmi e aftësive të tij të jashtëzakonshme teknike, veçanërisht duke pasur parasysh fizikun e tij.

    Siç shihet edhe në pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale, ai nuk është thjesht një sulmues tradicional që shërben si pikë referimi në zonë. Songyuani di ta mbajë topin dhe, ndoshta edhe më mbresëlënëse, ka aftësinë ta marrë atë nga zona e mesit të fushës dhe të depërtojë drejt portës kundërshtare.

    Mungesën e shpejtësisë e kompenson me kontrollin e parë të topit dhe lëvizjet inteligjente brenda zonës. Në minutën e 57-të, ai realizoi edhe golin e dytë, pasi përfitoi nga një krosim i saktë i bashkëlojtarit.

    Maroku arriti të rikthehej nga disavantazhi prej dy golash dhe të siguronte një pikë, por ishte paraqitja e Songyuanit ajo që mori gjithë vëmendjen./Telegrafi/

  • Trazon ujërat në Big Brother - Anjeza vë në dyshim ekzistencën e të dashurit jashtë?

    Trazon ujërat në Big Brother – Anjeza vë në dyshim ekzistencën e të dashurit jashtë?

    Anjeza Gubetini vazhdon të lërë pikëpyetje për statusin e saj të dashurisë brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova 5.

    Prezantuesja është parë shpesh e afërt me Sharr Brainën, ndërsa raporti i tyre ka nxitur diskutime mes banorëve, sidomos për faktin nëse Anjeza ka apo jo një partner jashtë shtëpisë.

    Në një bisedë me Edita Abazin, teksa flisnin për Sharrin, Anjeza bëri një koment që la vend për interpretime.

    “Me i tregu që nuk ekziston polici”, u shpreh prezantuesja, duke e shtuar edhe më shumë paqartësinë rreth lidhjes së saj jashtë.

    Kështu, mbetet ende e paqartë nëse Anjeza ka një të dashur jashtë apo nëse bëhet fjalë për një raport që banorët po e interpretojnë në mënyra të ndryshme.

    Në një tjetër bisedë me Nichin, ajo e bërtet se ‘e do’, duke nxitur edhe më shumë diskutime.

    Anjeza që në fillim ka folur për partnerin, e më pas mori edhe një letër e iu bë një befasi në BBVK. /Telegrafi/

  • SHTËPIA PËRKUJTIMORE FLEÇER

    SHTËPIA PËRKUJTIMORE FLEÇER

    Nga: Roger Waters (Pink Floyd, 1983)
    Përktheu: Agron Shala

    Çojini të gjitha foshnjat tuaja të stërmëdha diku larg
    Dhe ndërtojuni një shtëpi
    Një vend të vogël të tyrin
    Shtëpinë Përkujtimore Fleçer[1] për Tiranët dhe Mbretërit e Pashërueshëm

    Mund ta shohin veten çdo ditë
    Në televizorin me qark të mbyllur
    Për t’u siguruar se janë ende të vërtetë
    Kjo është e vetmja lidhje që ndiejnë

    Zonja dhe zotërinj, urdhëroni
    Regani dhe Hejgu
    Z. Begin dhe miku
    Znj. Theçër dhe Pejsli (përshëndetje Megi!)
    Z. Brezhnev dhe shoqëria
    (Më falni, ku është bari?)
    Fantazma e Mekartit,
    Dhe kujtimet e Niksonit
    Dhe tani, duke shtuar ngjyrë (nga kjo anë)
    Një grup figurash të shquara anonime latino-amerikane të paketimit të mishit

    A prisnin që t’i trajtonim me ndonjë respekt?

    Mund t’i lustrojnë medaljet dhe t’i mprehin buzëqeshjet,
    Dhe të abuzojnë me veten duke luajtur lojëra për pak kohë
    Bum-bum, beng-beng, shtrihu, je i vdekur

    Të sigurt nën vështrimin e përhershëm të një syri të ftohtë prej qelqi
    Lodra e tyre e parapëlqyer
    Do të jenë vajza dhe djem të mirë
    Në Shtëpinë Përkujtimore Fleçer për Shpërdoruesit Kolonialë të Jetës dhe Gjymtyrëve

    A janë të gjithë brenda?
    A po kaloni mirë?
    (Lamtumirë!)
    Tani mund të zbatohet zgjidhja përfundimtare

    /Telegrafi/


    _________________

    [1] Eric Fletcher Waters (1913-1944), babai i Roger Watersit, i vrarë në Itali në Luftën e Dytë Botërore.

  • Sindikata amerikane e punëtorëve të sektorit të shërbimeve kremton Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë

    Sindikata amerikane e punëtorëve të sektorit të shërbimeve kremton Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë

    Sindikata Ndërkombëtare e Punonjësve të Shërbimeve (32BJ SEIU), një nga sindikatat më të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka organizuar një aktivitet për nder të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

    Përmes një postimi në Facebook, sindikata ka bërë të ditur se aktiviteti është mbajtur të shtunën, duke vlerësuar historinë, kulturën dhe kontributin e komunitetit shqiptar në SHBA.

    “Të shtunën u mblodhëm për të kujtuar historinë shqiptare, për të nderuar kulturën dhe traditat shqiptare, si dhe për të kremtuar kontributin e anëtarëve tanë shqiptarë në sindikatën tonë dhe në këtë vend”, thuhet në postim, shkruan Telegrafi.

    Në këtë aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues diplomatikë të Shqipërisë dhe Kosovës.

    Në mesin e tyre ishin ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Suela Janina, si dhe sekretarja e dytë e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, Adea Koçmezi.

    Sindikata në fjalë përfaqëson mbi 185 mijë punëtorë në SHBA dhe angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe përmirësimin e kushteve të punës./Telegrafi/

    Postimi i plotë:

  • Trençevska: Në vitin 2025 janë regjistruar 1754 raste të reja të dhunës në familje, këtë vit numri është rritur për 70%

    Trençevska: Në vitin 2025 janë regjistruar 1754 raste të reja të dhunës në familje, këtë vit numri është rritur për 70%

    “Në Maqedoni, gratë nuk vuajnë më vetëm nga duart e abuzuesve – ato vuajnë gjithashtu nga heshtja dhe pandëshkueshmëria institucionale”, këtë e tha sot në një konferencë për shtyp nënkryetarja e LSDM-së Jovanka Trençevska.

    Ajo tha se rastet e fundit të dhunës ndaj grave, si ai i vajzës 17-vjeçare Biljana nga Bogdanci – e vrarë pavarësisht një urdhri mbrojtës aktiv, Rosica nga Velesi, Ramajana nga Shuto Orizari, Ivana dhe vajza e saj nga Shkupi – nuk morën ndihmë, nuk morën mbrojtje pavarësisht raportimeve të shumta, janë dëshmi se sistemi nuk i mbron viktimat.

    “Edhe rastet që pretendohet se po trajton Ministria e Brendshme nuk çojnë në llogaridhënie të pozicioneve të larta drejtuese. Faji u hidhet vetëm oficerëve të zakonshëm të policisë. Në dy vitet e fundit, janë regjistruar 13 vrasje të grave – 6 në vitin 2025 dhe 7 në vitin 2026”.

    “Në vitin 2025, Ministria e Brendshme regjistroi një rekord prej 4,745 raportimesh nga gratë dhe ngriti mbi 1,000 kallëzime penale, ndërsa qendrat e punës sociale regjistruan 1,754 viktima të reja të dhunës në familje. Në dhjetë muajt e parë të vitit 2026, numri i raportimeve u rrit me mbi 70% dhe u ngritën 1,450 kallëzime penale – një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa Ministria e Politikës Sociale ende nuk i ka publikuar publikisht të dhënat gjysmëvjetore për vitin 2026. Pothuajse 2,500 kallëzime penale janë ngritur në prokurorinë publike kompetente në këto dy vjet. Megjithatë, pyetja kryesore për të cilën publiku ende nuk ka një përgjigje është se sa prej tyre janë ndjekur penalisht dhe kanë një vendim gjyqësor. Numri i madh i raportimeve nuk do të thotë asgjë nëse drejtësia është e bllokuar në sirtarë dhe autorët mbeten të pandëshkuar”, theksoi Trençevska.

    “Grupi parlamentar i LSDM-së dhe koalicioni, në përputhje me dispozitat e Rregullores së Punës, sot paraqesin një Iniciativë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit me praninë e Ministrave të Punëve të Brendshme, Politikës Sociale dhe Drejtësisë dhe Prokurorit Publik të Shtetit. Ne kërkojmë një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, në të cilën do të diskutojmë dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje pa vonesë dhe pa llogaritje politike, do të kërkojmë përgjegjësi nga të gjithë ata që kanë bërë gabime në veprimet e tyre dhe të marrin masa specifike për parandalim dhe mbrojtje”.

    “Qytetarët kanë nevojë për një sistem funksional që mbron jetët, një sistem që do t’u ofrojë atyre siguri, dhe si Anëtarë të Parlamentit ne duhet t’ua ofrojmë atë. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjithë Anëtarëve të Parlamentit të qëndrojnë pas kësaj iniciative tonën, ta nënshkruajnë atë dhe të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme”, tha Trençevska./Telegrafi/

  • Dita e Forcës, FSK hap dyert për qytetarët më 27 nëntor

    Dita e Forcës, FSK hap dyert për qytetarët më 27 nëntor

    Forca e Sigurisë së Kosovës do të realizojë “Ditën e Forcës” më 27 Nëntor nga ora 10:00- 13:30.

    Në njoftim thuhet se “Dita e Forcës” do të jetë ditë e hapur për vizitorët të cilët do të kenë mundësinë të shohin nga afër kapacitetet ushtarake, pajisjet dhe personelin të cilët do të jenë aty.

    “Të gjithë qytetarët janë të mirëpritur të vizitojnë kazermat e FSK-së në: Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Istog, Mitrovicë, Pomozotin, Prishtinë, Prizren. Ndërsa në kazermën ‘Adem Jashari’” prezentë do të jenë udhëheqësit e lartë shtetëror. /Telegrafi/

  • ZRRE pranon mungesën e kontrollit dhe paralajmëron auditim për vitin 2027

    ZRRE pranon mungesën e kontrollit dhe paralajmëron auditim për vitin 2027

    ZRRE pranon mungesën e kontrollit dhe paralajmëron auditim për vitin 2027

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka pranuar se investimet e KEDS-it dhe KOSTT-it deri më tani nuk i janë nënshtruar auditimit në terren, ndërsa një tender i iniciuar për këtë qëllim kishte dështuar për shkak të çështjeve që lidhen me konfliktin e interesit.

    Kjo u bë e ditur gjatë raportimit të Bordit të ZRRE-së para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, ku u shqyrtua raporti vjetor i punës për vitin 2025.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ngriti shqetësime lidhur me investimet në rrjetin energjetik, humbjet e energjisë dhe ndikimin e kostove në faturat e qytetarëve.

    Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Driton Gojani, pranoi se institucioni kishte bërë shqyrtimin e investimeve, por jo auditimin e tyre në terren.

    Sipas tij, tenderi për auditimin e investimeve në KEDS dhe KOSTT ishte ndërprerë për shkak të çështjeve që lidheshin me konfliktin e interesit.

    Gojani bëri të ditur se auditimi është përfshirë sërish në planifikimet buxhetore për vitin 2027.

    Çmimi i importit të energjisë arriti në rreth 240 euro për megavat-orë

    Gjatë raportimit, Gojani foli edhe për tejkalimin e kostove të importit të energjisë elektrike.

    Ai tha se çmimi i lejuar i importit për vitin 2025 ishte 146 euro për megavat-orë, ndërsa gjatë tetorit të këtij viti çmimi mesatar kishte arritur në rreth 240 euro për megavat-orë.

    Sipas tij, këto tejkalime trajtohen gjatë procesit të shqyrtimit tarifor dhe përcillen për vitin pasues.

    Gojani paralajmëroi gjithashtu mundësinë e krijimit të një departamenti të posaçëm për monitorimin e operatorëve energjetikë, investimeve dhe respektimit të standardeve të cilësisë.

    Ai bëri të ditur se ZRRE aktualisht ka rreth 25 punonjës, nga 41 sa janë paraparë.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • OKB: Rreth 47 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët ose familjarët

    OKB: Rreth 47 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët ose familjarët

    OKB: Rreth 47 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët ose familjarët

    Rreth 47 mijë gra dhe vajza në mbarë botën u vranë nga partnerët e tyre ose anëtarët e familjes gjatë vitit 2025, sipas një raporti të publikuar sot më 24 nëntor nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) dhe UN Women.

    Raporti, i publikuar në prag të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, më 25 nëntor, tregon se, ashtu si në vitet paraprake, shtëpia mbetet vendi më i rrezikshëm për gratë dhe vajzat.

    Nga rreth 78 mijë gra dhe vajza të vrara në botë gjatë vitit 2025, 60 për qind u vranë nga partnerët ose familjarët e tyre, transmeton klankosova.tv.

    Kjo do të thotë se, mesatarisht, çdo ditë 129 gra dhe vajza u vranë nga njerëzit e rrethit të tyre më të afërt.

    Sipas raportit, numri i viktimave ishte veçanërisht i lartë në Afrikë, ndërsa gratë dhe vajzat ishin relativisht më të sigurta në Evropë.

    Drejtoresha e UNODC-së, Monica Juma, tha se normat shoqërore dhe dështimi i mekanizmave institucionalë të mbrojtjes krijojnë një mjedis në të cilin vrasja e një bashkëshorteje, vajze, nëne apo motre “bëhet e tolerueshme”.

    Ndryshimi i këtij realiteti, sipas saj, kërkon veprime të vazhdueshme në të gjitha nivelet e shoqërisë.

    Drejtoresha ekzekutive e UN Women, Sima Bahous, bëri thirrje për veprime urgjente, në mënyrë që asnjë shenjë paralajmëruese e dhunës të mos shpërfillet, asnjë e mbijetuar të mos mbetet pa mbrojtje dhe asnjë autor i krimit të mos i shpëtojë përgjegjësisë.

    Të dhënat e OKB-së tregojnë se, ndonëse shkalla e vrasjeve në nivel global është në rënie, ajo e femicidit – vrasjes së grave dhe vajzave për shkak të gjinisë së tyre – bie me ritme shumë më të ngadalta.

    Në Evropë, për shembull, shkalla e përgjithshme e vrasjeve ra për 43 për qind nga viti 2010 deri më 2025, ndërsa ajo e femicidit për vetëm 28 për qind.

  • Opozita kërkon sqarime për lëndimin e ushtarit të FSK-së, kërkesa nxit debat mes deputetëve

    Opozita kërkon sqarime për lëndimin e ushtarit të FSK-së, kërkesa nxit debat mes deputetëve

    Opozita kërkon sqarime për lëndimin e ushtarit të FSK-së, kërkesa nxit debat mes deputetëve

    Deputetët e opozitës në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes kanë kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës sqarime për rastin e lëndimit të një ushtari gjatë një aktiviteti stërvitor në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës në Gjakovë.

    Kjo kërkesë ka nxitur diskutime mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, të cilët kanë pasur qëndrime të ndryshme lidhur me mënyrën se si Komisioni duhet ta trajtojë rastin dhe çfarë informacioni duhet të kërkojë nga institucionet përgjegjëse.

    Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka propozuar që Komisioni t’i drejtohet me shkrim ministrit të Mbrojtjes, duke kërkuar auditim dhe hetim të plotë për incidentet e publikuara, përfshirë edhe çështjen e municionit, nëse lëndimi ka ndodhur për shkak të tij.

    “Mendoj që është me rëndësi me pa komisioni, mendoj që na duhet me i ba një kërkesë Ministrit të Mbrojtjes, në lidhje me incidentet e publikuara tashmë, të ushtarëve të FSK-së, mendoj që kërkesa jonë duhet të jetë tepër e qartë, duhet të ketë auditim dhe hetim të plotë, për atë se kush i ka blerë, nëse është problemi te municioni, kush e ka blerë municionin, kush e ka ba kontrollin e cilësisë, dhe kush e lejon për përdorim. Pra, kjo mund të jetë kërkesë me shkrim, mund të jetë jo patjetër thirrje për raportim, sepse besoj që komisionit i duhet një qartësi për veprimet e marra, thjesht dhe qartë. Ne nuk duhet të presim që dikush ta humbë jetën në FSK për shkaqe të tilla që pastaj të veprojmë. Pra, besoj që ne si komision duhet të jemi të tillë që pastaj të veprojmë”, tha ai.

    Kryetari i Komisionit, Mefail Bajqinovci, tha se lëndimet gjatë trajnimeve mund të ndodhin, duke iu referuar edhe takimit që Komisioni kishte zhvilluar me komandantin e FSK-së dhe ministrin e Mbrojtjes.

    Ai u shpreh i gatshëm që për rastin të kërkohen sqarime nga institucionet përkatëse.

    “Ndodhin këto probleme, ama të thuhet që të bëhet hetim për çështjen e trajnimeve, sepse gjithmonë do të ketë lëndime. Këtë na e ka thënë edhe komandanti i FSK-së, edhe ministri i Mbrojtjes gjatë takimit të cilin e kishim. Por ne këtu si komision mund të interesohemi dhe të pyesim ministrin e Mbrojtjes për këtë çështje, por edhe komandantin e FSK-së”, tha Bajqinovci.

    Ramadani më pas tha se ishte keqkuptuar nga deputetët e pozitës, duke sqaruar se qëllimi i tij ishte të kërkonte informata nëse kontrollet ndaj municionit dhe pajisjeve bëhen rregullisht.

    Deputeti i VV-së, Sali Zyba, kundërshtoi atë që e konsideroi si përcaktim të veprimeve që duhet të ndërmarrë Ministria e Mbrojtjes, duke thënë se Komisioni mund të kërkojë informacione, por jo të udhëzojë institucionet për mënyrën se si duhet të veprojnë.

    “Ne mundemi me ba pyetje Ministrisë, por jo me tendenca se çfarë me ba ministria”, tha ai.

    Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Rrahman Rama, tha se është e rëndësishme që institucionet të japin sqarime për rastet e përsëritura, por vlerësoi se çështjet e kontrollit dhe mirëmbajtjes së municionit duhet të trajtohen përmes procedurave standarde operative dhe mekanizmave të brendshëm të FSK-së.

    “Është shumë me rëndësi, domethënë, që jo të hetohet, se fjala e hetimit është, po janë procedura standarde operative. Dhe tash duhet të rishikohet që ky municion, domethënë, që po ndodhin si shpesh, ekspertët ta vlerësojnë se në çfarë gjendje, në çfarë kushte janë duke u mirëmbajtur ato, a janë me standarde tamam çfarë duhet të jenë, dhe këto i kanë organet brenda përbrenda që mundet. Që duhet një sqarim si komision me ardhë prej ministrisë. Edhe prej FSK-së është shumë me rëndësi. Me rëndësi edhe për neve, por edhe për opinionin. Po ato standarde të procedurave, standarde që i kanë brenda përbrenda institucionit, neve nuk është e jona që ne realisht të përfshihemi në atë proces. Por që të lypim sqarim rreth këtyre çështjeve, se nuk është hera e parë, tash, domethënë, po ndodhin shpesh, edhe është shumë me rëndësi që ta kemi qysh me dhënë informacionin prej dorës së parë”, tha ai.

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se kërkesa për sqarime është e arsyeshme, duke theksuar se përsëritja e incidenteve përbën shqetësim për anëtarët e Komisionit.

    “Mos e merrni çdo kërkesë tonën si tendencioze në këtë komision. E shoh shumë të arsyeshme, janë çështje që ndodhin, por kur çështjet përsëriten, është shqetësim për ne”, tha Musliu.

    Zyba, në një ndërhyrje tjetër, tha se Komisioni duhet të kërkojë informata për rastet, por jo të ndërhyjë në procedurat e brendshme të institucioneve të sigurisë.

    “Pra, nuk mjafton me thënë ‘nuk po e thirrni ministrin pe kursejmë’. E po e mësojmë çka me bo atje. Nuk është qashtu. Kjo është tendenca që fshihet mas qëllimit që e pat Burimi. Prandaj po them, ne për shkak të incidenteve dhe, edhe të ngjarjeve dhe të obligimeve, kemi shku në vizitë. Kemi bo edhe vizitë, edhe pyetja jote ka qenë e mirëpritur edhe prej neve. Si ka ardhë radha, se të njëjtën çështje kishim me bo edhe ne. Unë jam me kërku informatë, veç kaq është puna jonë. Unë jam me kërku informatë, veç kaq është puna jonë. Përvojat jo të mira mos na sill këtu”, tha ai.

    Pas diskutimeve, kryetari i Komisionit, Mefail Bajqinovci, tentoi të lexojë njoftimin që FSK-ja kishte publikuar lidhur me rastin.

    Megjithatë, deputetët e opozitës kërkuan që njoftimi të mos lexohej, me arsyetimin se ai tashmë ishte publik dhe se komisioni duhet të marrë sqarime të drejtpërdrejta nga Ministria e Mbrojtjes.

    Sipas njoftimit të FSK-së, një pjesëtar i kësaj force është lënduar më 23 nëntor 2026 gjatë një aktiviteti stërvitor në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës në Gjakovë, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është stabile.

  • Qeni hero shpëton një vajzë dyvjeçare në Brazil nga mbytja në pishinë

    Qeni hero shpëton një vajzë dyvjeçare në Brazil nga mbytja në pishinë

    Një qen i racës golden retriever ka shpëtuar një vajzë dyvjeçare nga mbytja në pishinën e oborrit, në një moment dramatik që është regjistruar nga kamerat e sigurisë.

    Pamjet tregojnë vogëlushen Maite duke zbritur shkallët drejt pishinës. Ajo humb ekuilibrin dhe përfundon në ujë, duke u përpjekur dëshpërimisht të qëndrojë mbi sipërfaqe.

    Në afërsi ndodhej qeni Tereza, i cili sapo vëren se vajza është në rrezik, hidhet menjëherë në pishinë. Maite arrin të kapet fort pas tij dhe mbështetet te qeni për ta mbajtur kokën mbi ujë deri në mbërritjen e ndihmës.

    Në pamje shihet nëna e vogëlushes dhe motra e saj e madhe duke vrapuar drejt pishinës. Ato hidhen në ujë, e largojnë vajzën nga qeni dhe e nxjerrin në siguri.

    Ngjarja ndodhi të premten në Chapada dos Guimaraes, pranë qytetit Cuiaba, në shtetin Mato Grosso të Brazilit, transmeton Telegrafi.

    Nëna e Maite-s, trajnerja personale Gladissa Filbido, tregoi se familja po kalonte pushimet në pronën e kunatës së saj, ku jeton edhe qeni Tereza.

    Ajo pranoi se ishte larguar për vetëm pak sekonda për të marrë një copë tortë, ndërsa vajza e madhe, Nicolly, kishte shkuar të merrte vaskën e qenit.

    Gjatë atyre çasteve, Maite kishte vendosur të hynte e vetme në pishinë.

    “Vajza ime ka qasje në pishina dhe kurrë, absolutisht kurrë, nuk hyn në ujë e vetme. Ajo gjithmonë pret që dikush të hyjë bashkë me të”, tha Gladissa.

    Sipas nënës, vogëlushja kishte shpjeguar se thjesht kishte dashur të futej në ujë dhe të zhytej, pa e kuptuar rrezikun.

    Gladissa publikoi pamjet e kamerave në internet për të paralajmëruar prindërit se sa shpejt një situatë e zakonshme mund të shndërrohet në tragjedi.

    “Brenda dy sekondash mund të ndodhë një tragjedi”, paralajmëroi ajo.

    Ajo falënderoi qenin Tereza, duke i atribuuar meritat për mbajtjen e vajzës mbi ujë deri në ardhjen e familjarëve.

    “Sot, edhe një herë, falënderoj Zotin për mirësinë dhe mëshirën e Tij ndaj vajzave dhe familjes sime. Nuk mund të jesh kurrë tepër i kujdesshëm”, u shpreh ajo.

    Për fat të mirë, Maite nuk pësoi asnjë lëndim. Pamjet e publikuara më pas tregojnë vogëlushen duke luajtur e lumtur pranë qenit që i shpëtoi jetën. /Telegrafi/