Author: Momenti

  • Trençevska: Në vitin 2025 janë regjistruar 1754 raste të reja të dhunës në familje, këtë vit numri është rritur për 70%

    Trençevska: Në vitin 2025 janë regjistruar 1754 raste të reja të dhunës në familje, këtë vit numri është rritur për 70%

    “Në Maqedoni, gratë nuk vuajnë më vetëm nga duart e abuzuesve – ato vuajnë gjithashtu nga heshtja dhe pandëshkueshmëria institucionale”, këtë e tha sot në një konferencë për shtyp nënkryetarja e LSDM-së Jovanka Trençevska.

    Ajo tha se rastet e fundit të dhunës ndaj grave, si ai i vajzës 17-vjeçare Biljana nga Bogdanci – e vrarë pavarësisht një urdhri mbrojtës aktiv, Rosica nga Velesi, Ramajana nga Shuto Orizari, Ivana dhe vajza e saj nga Shkupi – nuk morën ndihmë, nuk morën mbrojtje pavarësisht raportimeve të shumta, janë dëshmi se sistemi nuk i mbron viktimat.

    “Edhe rastet që pretendohet se po trajton Ministria e Brendshme nuk çojnë në llogaridhënie të pozicioneve të larta drejtuese. Faji u hidhet vetëm oficerëve të zakonshëm të policisë. Në dy vitet e fundit, janë regjistruar 13 vrasje të grave – 6 në vitin 2025 dhe 7 në vitin 2026”.

    “Në vitin 2025, Ministria e Brendshme regjistroi një rekord prej 4,745 raportimesh nga gratë dhe ngriti mbi 1,000 kallëzime penale, ndërsa qendrat e punës sociale regjistruan 1,754 viktima të reja të dhunës në familje. Në dhjetë muajt e parë të vitit 2026, numri i raportimeve u rrit me mbi 70% dhe u ngritën 1,450 kallëzime penale – një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa Ministria e Politikës Sociale ende nuk i ka publikuar publikisht të dhënat gjysmëvjetore për vitin 2026. Pothuajse 2,500 kallëzime penale janë ngritur në prokurorinë publike kompetente në këto dy vjet. Megjithatë, pyetja kryesore për të cilën publiku ende nuk ka një përgjigje është se sa prej tyre janë ndjekur penalisht dhe kanë një vendim gjyqësor. Numri i madh i raportimeve nuk do të thotë asgjë nëse drejtësia është e bllokuar në sirtarë dhe autorët mbeten të pandëshkuar”, theksoi Trençevska.

    “Grupi parlamentar i LSDM-së dhe koalicioni, në përputhje me dispozitat e Rregullores së Punës, sot paraqesin një Iniciativë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit me praninë e Ministrave të Punëve të Brendshme, Politikës Sociale dhe Drejtësisë dhe Prokurorit Publik të Shtetit. Ne kërkojmë një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, në të cilën do të diskutojmë dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje pa vonesë dhe pa llogaritje politike, do të kërkojmë përgjegjësi nga të gjithë ata që kanë bërë gabime në veprimet e tyre dhe të marrin masa specifike për parandalim dhe mbrojtje”.

    “Qytetarët kanë nevojë për një sistem funksional që mbron jetët, një sistem që do t’u ofrojë atyre siguri, dhe si Anëtarë të Parlamentit ne duhet t’ua ofrojmë atë. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjithë Anëtarëve të Parlamentit të qëndrojnë pas kësaj iniciative tonën, ta nënshkruajnë atë dhe të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme”, tha Trençevska./Telegrafi/

  • ZRRE pranon mungesën e kontrollit dhe paralajmëron auditim për vitin 2027

    ZRRE pranon mungesën e kontrollit dhe paralajmëron auditim për vitin 2027

    ZRRE pranon mungesën e kontrollit dhe paralajmëron auditim për vitin 2027

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka pranuar se investimet e KEDS-it dhe KOSTT-it deri më tani nuk i janë nënshtruar auditimit në terren, ndërsa një tender i iniciuar për këtë qëllim kishte dështuar për shkak të çështjeve që lidhen me konfliktin e interesit.

    Kjo u bë e ditur gjatë raportimit të Bordit të ZRRE-së para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, ku u shqyrtua raporti vjetor i punës për vitin 2025.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ngriti shqetësime lidhur me investimet në rrjetin energjetik, humbjet e energjisë dhe ndikimin e kostove në faturat e qytetarëve.

    Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Driton Gojani, pranoi se institucioni kishte bërë shqyrtimin e investimeve, por jo auditimin e tyre në terren.

    Sipas tij, tenderi për auditimin e investimeve në KEDS dhe KOSTT ishte ndërprerë për shkak të çështjeve që lidheshin me konfliktin e interesit.

    Gojani bëri të ditur se auditimi është përfshirë sërish në planifikimet buxhetore për vitin 2027.

    Çmimi i importit të energjisë arriti në rreth 240 euro për megavat-orë

    Gjatë raportimit, Gojani foli edhe për tejkalimin e kostove të importit të energjisë elektrike.

    Ai tha se çmimi i lejuar i importit për vitin 2025 ishte 146 euro për megavat-orë, ndërsa gjatë tetorit të këtij viti çmimi mesatar kishte arritur në rreth 240 euro për megavat-orë.

    Sipas tij, këto tejkalime trajtohen gjatë procesit të shqyrtimit tarifor dhe përcillen për vitin pasues.

    Gojani paralajmëroi gjithashtu mundësinë e krijimit të një departamenti të posaçëm për monitorimin e operatorëve energjetikë, investimeve dhe respektimit të standardeve të cilësisë.

    Ai bëri të ditur se ZRRE aktualisht ka rreth 25 punonjës, nga 41 sa janë paraparë.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • OKB: Rreth 47 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët ose familjarët

    OKB: Rreth 47 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët ose familjarët

    OKB: Rreth 47 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët ose familjarët

    Rreth 47 mijë gra dhe vajza në mbarë botën u vranë nga partnerët e tyre ose anëtarët e familjes gjatë vitit 2025, sipas një raporti të publikuar sot më 24 nëntor nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) dhe UN Women.

    Raporti, i publikuar në prag të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, më 25 nëntor, tregon se, ashtu si në vitet paraprake, shtëpia mbetet vendi më i rrezikshëm për gratë dhe vajzat.

    Nga rreth 78 mijë gra dhe vajza të vrara në botë gjatë vitit 2025, 60 për qind u vranë nga partnerët ose familjarët e tyre, transmeton klankosova.tv.

    Kjo do të thotë se, mesatarisht, çdo ditë 129 gra dhe vajza u vranë nga njerëzit e rrethit të tyre më të afërt.

    Sipas raportit, numri i viktimave ishte veçanërisht i lartë në Afrikë, ndërsa gratë dhe vajzat ishin relativisht më të sigurta në Evropë.

    Drejtoresha e UNODC-së, Monica Juma, tha se normat shoqërore dhe dështimi i mekanizmave institucionalë të mbrojtjes krijojnë një mjedis në të cilin vrasja e një bashkëshorteje, vajze, nëne apo motre “bëhet e tolerueshme”.

    Ndryshimi i këtij realiteti, sipas saj, kërkon veprime të vazhdueshme në të gjitha nivelet e shoqërisë.

    Drejtoresha ekzekutive e UN Women, Sima Bahous, bëri thirrje për veprime urgjente, në mënyrë që asnjë shenjë paralajmëruese e dhunës të mos shpërfillet, asnjë e mbijetuar të mos mbetet pa mbrojtje dhe asnjë autor i krimit të mos i shpëtojë përgjegjësisë.

    Të dhënat e OKB-së tregojnë se, ndonëse shkalla e vrasjeve në nivel global është në rënie, ajo e femicidit – vrasjes së grave dhe vajzave për shkak të gjinisë së tyre – bie me ritme shumë më të ngadalta.

    Në Evropë, për shembull, shkalla e përgjithshme e vrasjeve ra për 43 për qind nga viti 2010 deri më 2025, ndërsa ajo e femicidit për vetëm 28 për qind.

  • Opozita kërkon sqarime për lëndimin e ushtarit të FSK-së, kërkesa nxit debat mes deputetëve

    Opozita kërkon sqarime për lëndimin e ushtarit të FSK-së, kërkesa nxit debat mes deputetëve

    Opozita kërkon sqarime për lëndimin e ushtarit të FSK-së, kërkesa nxit debat mes deputetëve

    Deputetët e opozitës në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes kanë kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës sqarime për rastin e lëndimit të një ushtari gjatë një aktiviteti stërvitor në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës në Gjakovë.

    Kjo kërkesë ka nxitur diskutime mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, të cilët kanë pasur qëndrime të ndryshme lidhur me mënyrën se si Komisioni duhet ta trajtojë rastin dhe çfarë informacioni duhet të kërkojë nga institucionet përgjegjëse.

    Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka propozuar që Komisioni t’i drejtohet me shkrim ministrit të Mbrojtjes, duke kërkuar auditim dhe hetim të plotë për incidentet e publikuara, përfshirë edhe çështjen e municionit, nëse lëndimi ka ndodhur për shkak të tij.

    “Mendoj që është me rëndësi me pa komisioni, mendoj që na duhet me i ba një kërkesë Ministrit të Mbrojtjes, në lidhje me incidentet e publikuara tashmë, të ushtarëve të FSK-së, mendoj që kërkesa jonë duhet të jetë tepër e qartë, duhet të ketë auditim dhe hetim të plotë, për atë se kush i ka blerë, nëse është problemi te municioni, kush e ka blerë municionin, kush e ka ba kontrollin e cilësisë, dhe kush e lejon për përdorim. Pra, kjo mund të jetë kërkesë me shkrim, mund të jetë jo patjetër thirrje për raportim, sepse besoj që komisionit i duhet një qartësi për veprimet e marra, thjesht dhe qartë. Ne nuk duhet të presim që dikush ta humbë jetën në FSK për shkaqe të tilla që pastaj të veprojmë. Pra, besoj që ne si komision duhet të jemi të tillë që pastaj të veprojmë”, tha ai.

    Kryetari i Komisionit, Mefail Bajqinovci, tha se lëndimet gjatë trajnimeve mund të ndodhin, duke iu referuar edhe takimit që Komisioni kishte zhvilluar me komandantin e FSK-së dhe ministrin e Mbrojtjes.

    Ai u shpreh i gatshëm që për rastin të kërkohen sqarime nga institucionet përkatëse.

    “Ndodhin këto probleme, ama të thuhet që të bëhet hetim për çështjen e trajnimeve, sepse gjithmonë do të ketë lëndime. Këtë na e ka thënë edhe komandanti i FSK-së, edhe ministri i Mbrojtjes gjatë takimit të cilin e kishim. Por ne këtu si komision mund të interesohemi dhe të pyesim ministrin e Mbrojtjes për këtë çështje, por edhe komandantin e FSK-së”, tha Bajqinovci.

    Ramadani më pas tha se ishte keqkuptuar nga deputetët e pozitës, duke sqaruar se qëllimi i tij ishte të kërkonte informata nëse kontrollet ndaj municionit dhe pajisjeve bëhen rregullisht.

    Deputeti i VV-së, Sali Zyba, kundërshtoi atë që e konsideroi si përcaktim të veprimeve që duhet të ndërmarrë Ministria e Mbrojtjes, duke thënë se Komisioni mund të kërkojë informacione, por jo të udhëzojë institucionet për mënyrën se si duhet të veprojnë.

    “Ne mundemi me ba pyetje Ministrisë, por jo me tendenca se çfarë me ba ministria”, tha ai.

    Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Rrahman Rama, tha se është e rëndësishme që institucionet të japin sqarime për rastet e përsëritura, por vlerësoi se çështjet e kontrollit dhe mirëmbajtjes së municionit duhet të trajtohen përmes procedurave standarde operative dhe mekanizmave të brendshëm të FSK-së.

    “Është shumë me rëndësi, domethënë, që jo të hetohet, se fjala e hetimit është, po janë procedura standarde operative. Dhe tash duhet të rishikohet që ky municion, domethënë, që po ndodhin si shpesh, ekspertët ta vlerësojnë se në çfarë gjendje, në çfarë kushte janë duke u mirëmbajtur ato, a janë me standarde tamam çfarë duhet të jenë, dhe këto i kanë organet brenda përbrenda që mundet. Që duhet një sqarim si komision me ardhë prej ministrisë. Edhe prej FSK-së është shumë me rëndësi. Me rëndësi edhe për neve, por edhe për opinionin. Po ato standarde të procedurave, standarde që i kanë brenda përbrenda institucionit, neve nuk është e jona që ne realisht të përfshihemi në atë proces. Por që të lypim sqarim rreth këtyre çështjeve, se nuk është hera e parë, tash, domethënë, po ndodhin shpesh, edhe është shumë me rëndësi që ta kemi qysh me dhënë informacionin prej dorës së parë”, tha ai.

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se kërkesa për sqarime është e arsyeshme, duke theksuar se përsëritja e incidenteve përbën shqetësim për anëtarët e Komisionit.

    “Mos e merrni çdo kërkesë tonën si tendencioze në këtë komision. E shoh shumë të arsyeshme, janë çështje që ndodhin, por kur çështjet përsëriten, është shqetësim për ne”, tha Musliu.

    Zyba, në një ndërhyrje tjetër, tha se Komisioni duhet të kërkojë informata për rastet, por jo të ndërhyjë në procedurat e brendshme të institucioneve të sigurisë.

    “Pra, nuk mjafton me thënë ‘nuk po e thirrni ministrin pe kursejmë’. E po e mësojmë çka me bo atje. Nuk është qashtu. Kjo është tendenca që fshihet mas qëllimit që e pat Burimi. Prandaj po them, ne për shkak të incidenteve dhe, edhe të ngjarjeve dhe të obligimeve, kemi shku në vizitë. Kemi bo edhe vizitë, edhe pyetja jote ka qenë e mirëpritur edhe prej neve. Si ka ardhë radha, se të njëjtën çështje kishim me bo edhe ne. Unë jam me kërku informatë, veç kaq është puna jonë. Unë jam me kërku informatë, veç kaq është puna jonë. Përvojat jo të mira mos na sill këtu”, tha ai.

    Pas diskutimeve, kryetari i Komisionit, Mefail Bajqinovci, tentoi të lexojë njoftimin që FSK-ja kishte publikuar lidhur me rastin.

    Megjithatë, deputetët e opozitës kërkuan që njoftimi të mos lexohej, me arsyetimin se ai tashmë ishte publik dhe se komisioni duhet të marrë sqarime të drejtpërdrejta nga Ministria e Mbrojtjes.

    Sipas njoftimit të FSK-së, një pjesëtar i kësaj force është lënduar më 23 nëntor 2026 gjatë një aktiviteti stërvitor në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës në Gjakovë, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është stabile.

  • Qeni hero shpëton një vajzë dyvjeçare në Brazil nga mbytja në pishinë

    Qeni hero shpëton një vajzë dyvjeçare në Brazil nga mbytja në pishinë

    Një qen i racës golden retriever ka shpëtuar një vajzë dyvjeçare nga mbytja në pishinën e oborrit, në një moment dramatik që është regjistruar nga kamerat e sigurisë.

    Pamjet tregojnë vogëlushen Maite duke zbritur shkallët drejt pishinës. Ajo humb ekuilibrin dhe përfundon në ujë, duke u përpjekur dëshpërimisht të qëndrojë mbi sipërfaqe.

    Në afërsi ndodhej qeni Tereza, i cili sapo vëren se vajza është në rrezik, hidhet menjëherë në pishinë. Maite arrin të kapet fort pas tij dhe mbështetet te qeni për ta mbajtur kokën mbi ujë deri në mbërritjen e ndihmës.

    Në pamje shihet nëna e vogëlushes dhe motra e saj e madhe duke vrapuar drejt pishinës. Ato hidhen në ujë, e largojnë vajzën nga qeni dhe e nxjerrin në siguri.

    Ngjarja ndodhi të premten në Chapada dos Guimaraes, pranë qytetit Cuiaba, në shtetin Mato Grosso të Brazilit, transmeton Telegrafi.

    Nëna e Maite-s, trajnerja personale Gladissa Filbido, tregoi se familja po kalonte pushimet në pronën e kunatës së saj, ku jeton edhe qeni Tereza.

    Ajo pranoi se ishte larguar për vetëm pak sekonda për të marrë një copë tortë, ndërsa vajza e madhe, Nicolly, kishte shkuar të merrte vaskën e qenit.

    Gjatë atyre çasteve, Maite kishte vendosur të hynte e vetme në pishinë.

    “Vajza ime ka qasje në pishina dhe kurrë, absolutisht kurrë, nuk hyn në ujë e vetme. Ajo gjithmonë pret që dikush të hyjë bashkë me të”, tha Gladissa.

    Sipas nënës, vogëlushja kishte shpjeguar se thjesht kishte dashur të futej në ujë dhe të zhytej, pa e kuptuar rrezikun.

    Gladissa publikoi pamjet e kamerave në internet për të paralajmëruar prindërit se sa shpejt një situatë e zakonshme mund të shndërrohet në tragjedi.

    “Brenda dy sekondash mund të ndodhë një tragjedi”, paralajmëroi ajo.

    Ajo falënderoi qenin Tereza, duke i atribuuar meritat për mbajtjen e vajzës mbi ujë deri në ardhjen e familjarëve.

    “Sot, edhe një herë, falënderoj Zotin për mirësinë dhe mëshirën e Tij ndaj vajzave dhe familjes sime. Nuk mund të jesh kurrë tepër i kujdesshëm”, u shpreh ajo.

    Për fat të mirë, Maite nuk pësoi asnjë lëndim. Pamjet e publikuara më pas tregojnë vogëlushen duke luajtur e lumtur pranë qenit që i shpëtoi jetën. /Telegrafi/

  • Ushtari i plagosur i FSK-së do t’i nënshtrohet nesër operimit

    Ushtari i plagosur i FSK-së do t’i nënshtrohet nesër operimit

    Ushtari i plagosur i FSK-së do t’i nënshtrohet nesër operimit

    Pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Valdrin Zyhrani, i cili u lëndua gjatë ushtrimeve ushtarake në Babaj të Bokës në Gjakovë, do t’i nënshtrohet nesër paradite një ndërhyrjeje kirurgjikale.

    Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali drejtori i Klinikës së Ortopedisë në QKUK, Xhavit Gashi, i cili bëri të ditur se ushtari ka pësuar thyerje në një unazë të shtyllës kurrizore, por aktualisht gjendja e tij shëndetësore është stabile.

    Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Valdrin Zyhrani, me prejardhje nga Skenderaj dhe i angazhuar në kazermën e FSK-së në Gjilan, pësoi lëndime të rënda gjatë ushtrimeve në terren, ndërsa dyshohet se shkak i incidentit ishte sërish shpërthimi i municionit të prodhimit turk.

    Menjëherë pas incidentit, ushtari u dërgua për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku më pas u transferua në Klinikën e Ortopedisë.

    Ky rast rikthen sërish në vëmendje shqetësimet serioze për sigurinë e pjesëtarëve të FSK-së dhe përdorimin e municionit turk gjatë ushtrimeve ushtarake. Gazeta Sinjali kishte raportuar edhe më herët për një incident të ngjashëm, kur një municion 40-milimetërsh i prodhimit turk kishte shpërthyer brenda granatahedhësit automatik amerikan MK-19, duke vënë në rrezik të drejtpërdrejtë jetën e një ushtari.

    Sipas burimeve të Sinjalit, probleme me këtë lloj municioni ishin evidentuar edhe më parë dhe lidhur me to ishin paraqitur ankesa e paralajmërime të vazhdueshme.

    Gazeta Sinjali, që nga mbrëmja e 23 nëntorit, ka tentuar të marrë një përgjigje zyrtare nga Forca e Sigurisë së Kosovës lidhur me rastin dhe rrethanat e plota të ngjarjes, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pranuar asnjë reagim.

    Shkaqet e sakta të incidentit dhe dyshimet për përfshirjen e municionit turk mbeten për t’u konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet kompetente.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • “A blen KEK-u rrymë?”, përplasje në Komision

    “A blen KEK-u rrymë?”, përplasje në Komision

    “A blen KEK-u rrymë?”, përplasje në Komision

    Debat i ashpër është zhvilluar në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, gjatë shqyrtimit të Raportit Vjetor të Punës së Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për vitin 2025, ku të ftuar ishin anëtarët e Bordit të ZRRE-së.

    Debati nisi pas pyetjes së deputetit të LDK-së, Ermal Sadiku, drejtuar Bordit të ZRRE-së, nëse Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) blen energji elektrike.

    Sadiku ngriti çështjen e deklarimeve publike të disa përfaqësuesve të pushtetit, sipas të cilëve KEK-u nuk blen energji elektrike.

    “Disa prej deputetëve këtu dalin e thonë KEK-u nuk blen rrymë, edhe ministri, ministrja del thotë KEK-u nuk blen rrymë”, tha Sadiku.

    Ndaj kësaj deklarate reagoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, i cili tha se është pranuar se vendi blen energji elektrike, por në sasi të vogla.

    “Po, ne kemi thënë që në masë të vogël blen rrymë, i kemi thënë”, u shpreh Kelmendi.

    Ndërhyrja e Kelmendit nxiti debat mes deputetëve, ndërsa në diskutim u përfshi edhe deputeti tjetër i LVV-së, Ilir Kërçeli duke kundërshtuar Sadikun.

    Ndërkaq, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Driton Gojani, ndërhyri për të sqaruar çështjen, duke thënë se KEK-u nominon në baza ditore energjinë që ka në dispozicion dhe se për pjesën e nominuar, në rast të rënies së prodhimit, obligohet të sigurojë energji elektrike.

    “Desha vetëm të sqaroj se KEK-u nominon në baza ditore energjinë në dispozicion dhe, për atë pjesë që nominon, në rast se ka rënie, obligohet, por kjo është për disa orë”, sqaroi Gojani.

    Burimi: Insajderi

  • Chelsea vazhdon t’i besojë Alonsos, nuk planifikon shkarkimin e tij

    Chelsea vazhdon t’i besojë Alonsos, nuk planifikon shkarkimin e tij

    Klubi anglez vendosi ta emërojë trajner spanjollin gjatë verës, pas largimit të tij nga Real Madridi, ku qëndroi vetëm gjashtë muaj në krye të skuadrës.

    Sezoni i kaluar në Premierligë përfundoi në mënyrë zhgënjyese për Chelsean, që u rendit në vendin e dhjetë dhe mbeti pa siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane.

    Problemet kanë vazhduar edhe në sezonin aktual, pasi skuadra e Alonsos është eliminuar nga Kupa e Ligës angleze (EFL Cup).

    Sipas “Telegraph Sport”, drejtuesit e Chelseat nuk po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të trajnerit dhe janë të gatshëm t’i japin Alonsos kohë për ta përmirësuar gjendjen e skuadrës.

    Spanjolli ka regjistruar vetëm pesë fitore në 11 ndeshje kampionale, ndërsa Chelsea vjen pas dy humbjeve radhazi ndaj Sunderlandit dhe Leeds Unitedit.

    Megjithatë, pozita e tij mund të rishqyrtohet në janar, veçanërisht duke pasur parasysh kalendarin e vështirë që e pret skuadrën, me përballjet ndaj Liverpoolit, Manchester Cityt dhe Aston Villas.

    Për momentin, drejtuesit e klubit londinez vazhdojnë të qëndrojnë prapa trajnerit spanjoll, duke mos planifikuar ndryshime në stolin e skuadrës.

    Burimi: RTKLive

  • Komisioni i Sigurisë i hap rrugë shqyrtimit të Ligjit për Këshillin e Sigurisë

    Komisioni i Sigurisë i hap rrugë shqyrtimit të Ligjit për Këshillin e Sigurisë

    Para votimit, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar sqarime për bazën procedurale të trajtimit të ligjit, duke vënë në pikëpyetje nëse kanë kaluar afatet e parapara për rikthimin e tij në procedurë parlamentare.

    Musliu ka kërkuar që të specifikohet data e kthimit të ligjit dhe vendimi i ish-presidentes Osmani, në mënyrë që rrethanat e këtij procesi të pasqyrohen qartë edhe në procesverbalin e komisionit.

    Kryetari i Komisionit, Mefail Bajqinovci, duke iu referuar opinionit të Zyrës Ligjore të Kuvendit, ka deklaruar se në këtë rast nuk ka afate procedurale që pengojnë shqyrtimin e mëtejshëm të ligjit.

    Ai ka rikujtuar se kompetenca e komisionit është të shqyrtojë ligjin dhe t’i rekomandojë Kuvendit një vendim, ndërsa miratimi përfundimtar bëhet në seancë plenare, me së paku 61 vota të deputetëve.

    Në diskutim është përfshirë edhe deputetja e LVV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi, e cila ka qenë pjesë e grupit punues për hartimin e ligjit. Ajo ka thënë se gjatë hartimit nuk kishte pasur kundërshtime nga përfaqësuesit ligjorë të Presidencës, ndërsa vërejtjet e këtij institucioni ishin paraqitur pasi ligji ishte miratuar në Kuvend.

    Burimi: RTKLive

  • Como planifikon një transferim tronditës nga Liga Premier

    Como planifikon një transferim tronditës nga Liga Premier

    Como është shfaqur si një ekip potencial për sulmuesin e Manchester United, Joshua Zirkzee, përpara afatit kalimtar të janarit. Skuadra e Cesc Fabregas po shqyrton mundësitë sulmuese pasi lojtari i nënshkruar gjatë verës, Moise Kean, pësoi një dëmtim të rëndë që do ta mbajë jashtë fushe lojtarin italian për disa muaj të tjerë.

    Klubi i Serie A i është bashkuar një liste në rritje të klubeve italiane të interesuara për të nënshkruar me Zirkzee gjatë afatit kalimtar të janarit. Sipas Gianluca Di Marzio, skuadra italiane po shqyrton përforcimet në sulm pas një dëmtimi të rëndë të Kean.

    Fabregas konfirmoi gjatë fundjavës se Kean do të mungojë për një kohë të gjatë jashtë fushave, pasi pësoi një problem në stërvitje javën e kaluar. Trajneri i Comos deklaroi se sulmuesi do të mungojë për “disa muaj të tjerë, jo javë”, duke e detyruar klubin të rivlerësojë opsionet e tij në sulm.

    Me sulmuesin jashtë fushës për të ardhmen e parashikueshme, Como po “eksploron opsionet e tyre” në treg, megjithëse nuk janë hapur negociata zyrtare me Manchester United për Zirkzee.

    Një rikthim në Itali mund t’i ofrojë një shpëtim Zirkzee, i cili ka kaluar një periudhë zhgënjyese që kur mbërriti në Old Trafford nga Bologna për një shumë fillestare prej 42.5 milionë eurosh në vitin 2024. Lojtari holandez ka rënë në renditje dhe ende nuk ka luajtur si titullar në asnjë ndeshje zyrtare për United gjatë sezonit 2026/27.

    Zirkzee ka grumbulluar vetëm 231 minuta në fushë në 11 paraqitje si zëvendësues në Ligwn Premier, Ligën e Kampionëve dhe Kupën EFL. Ndërsa ai dukej i tepërt në kërkesat e ish-trajnerit Michael Carrick, e ardhmja e tij nën trajnerin e ri Mauricio Pochettino mbetet e pasigurt.

    Rivalët e Serie A e monitorojnë sulmuesin e Unitedit

    Como nuk është i vetmi klub italian që po e ndjek disponueshmërinë e Zirkzee përpara afatit kalimtar të dimrit. Napoli gjithashtu thuhet se po e mban nën vëzhgim holandezin ndërsa përgatitet të hyjë në treg për një sulmues nëse Lorenzo Lucca largohet nga klubi.

    Rekordi i provuar i Zirkzee në Serie A siguron që ai të mbetet një objektiv i kërkuar në të gjithë kampionatin. Krahas interesit nga Como dhe Napoli, sulmuesi është lidhur më parë me një transferim te Juventus, Roma dhe Milan gjatë periudhës së tij të vështirë në Angli. /Telegrafi/