Author: Momenti

  • Maqedonia e Veriut me veturat më të vjetra në Ballkan, mosha mesatare arrin 19,4 vjet

    Maqedonia e Veriut me veturat më të vjetra në Ballkan, mosha mesatare arrin 19,4 vjet

    Maqedonia e Veriut ka flotën më të vjetër të automjeteve në mesin e vendeve të rajonit të përfshira në analizën e “Al Jazeera Balkans”, me një moshë mesatare prej 19,4 vjetësh.

    Edhe pse numri i automjeteve të regjistruara është pothuajse dyfishuar nga viti 2012 deri më 2024, mosha mesatare e tyre ka mbetur pothuajse e pandryshuar.

    Në vitin 2024, në vend ishin regjistruar rreth 700 mijë automjete, krahasuar me afërsisht 350 mijë në vitin 2012. Kjo do të thotë se për çdo 1.000 banorë ka rreth 383 automjete të regjistruara.

    Shqetësues është fakti se 87,9 për qind e automjeteve janë më të vjetra se shtatë vjet. Mosha mesatare e tyre është dukshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila është 12,7 vjet.

    Në krahasim me vendet e rajonit, Kosova ka një moshë mesatare të automjeteve prej 18 vjetësh, Greqia 17,3 vjet dhe Mali i Zi 17,06 vjet. Në Kroaci, mesatarja është 14,63 vjet, ndërsa në Slloveni 11,2 vjet.

    Një nga arsyet kryesore për këtë gjendje konsiderohet importi masiv i veturave të përdorura nga Evropa Perëndimore, veçanërisht nga Gjermania dhe Italia. Për shkak të fuqisë së kufizuar blerëse, shumë qytetarë në Ballkan e kanë të vështirë të përballojnë çmimet e automjeteve të reja.

    Ndërkohë, disa vende të rajonit kanë vendosur kufizime për importin e automjeteve të vjetra, veçanërisht atyre me naftë. Në Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi janë ndaluar disa kategori të automjeteve të vjetra me naftë, ndërsa Serbia vazhdon të lejojë importin edhe të veturave më të vjetra se 20 vjet.

  • “Digje, digje”, protestuesit e PD-së u vënë flakën “ulëseve” të dialogut para Kryeministrisë

    “Digje, digje”, protestuesit e PD-së u vënë flakën “ulëseve” të dialogut para Kryeministrisë

    Pasi ka filluar protesta para Kryeministrisë e thirrur nga mbështetës të Partisë Demokratike, simpatizantët e kësaj partie ua kanë vënë flakën ulëseve që kryeministri Edi Rama kishte vendosur këtë të shtunë, e ku ishin vendosura ftesat për dialogun me studentët.

    Ndërkohë, në sfond dëgjohen thirrjet e protestuesve: “Digje, digje!”.

    Protesta kombëtare e PD-së mbahet në shenjë solidariteti me protestën studentore.

  • Partitë shqiptare në RMV u bëjnë thirrje shqiptarëve të Luginës të votojnë

    Partitë shqiptare në RMV u bëjnë thirrje shqiptarëve të Luginës të votojnë

    Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut u kanë bërë thirrje  shqiptarëve  të Luginës së Preshevës që nesër të dalin në zgjedhje,sepse sipas tyre, në këtë mënyrë,  kanë mundësi të shkruajnë histori.

    Bashkimi tashmë është realitet. Tani është koha që ky bashkim të dëshmohet me votë, me mobilizim dhe me përfaqësim sa më të madh në Parlamentin e Serbisë.

    Apelojmë veçanërisht te shqiptarët e Luginës që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, të udhëtojnë drejt vendvotimeve të tyre dhe ta ushtrojnë të drejtën e votës.

    Urojmë që ta kthejmë bashkimin në forcë politike dhe 25 tetorin në një ditë historike për shqiptarët e Luginës! Synimi është përfaqësimi më i madh shqiptar në Kuvendin e Serbisë,thuhet në deklaratën me shkrim të lëshuar nga VLEN

    Edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim , Ali Ahmeti, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe vendbanimet e tjera që të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.

    Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka përmend rëndësinë e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, veçanërisht në mbrojtjen e të drejtave kombëtare, gjuhësore dhe qytetare.

    “Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë ka rëndësi të veçantë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, gjuhësore dhe qytetare, si dhe për ngritjen e shqetësimeve lidhur me diskriminimin, padrejtësitë dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në këto treva” ka shkruar Ahmeti.

    Burimi: RTKLive

  • Melatonina lidhet me rrezik më të lartë për dobësimin e zemrës: Çfarë zbuloi studimi me mbi 130 mijë persona

    Melatonina lidhet me rrezik më të lartë për dobësimin e zemrës: Çfarë zbuloi studimi me mbi 130 mijë persona

    Përdorimi afatgjatë i melatoninës është shoqëruar me rritje të rrezikut për insuficiencë kardiake, hospitalizim dhe vdekshmëri. Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se ende nuk është provuar nëse suplementi i shkakton drejtpërdrejt këto probleme

    Një nga suplementet më të përdorura për përmirësimin e gjumit është lidhur me një rrezik më të lartë për insuficiencë kardiake dhe vdekshmëri, sipas një analize paraprake të prezantuar në nëntor të vitit 2025, gjatë sesioneve shkencore të Shoqatës Amerikane të Zemrës (AHA).

    Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet nuk dëshmojnë se melatonina shkakton drejtpërdrejt këto probleme shëndetësore.

    Analiza e të dhënave mjekësore të 130.828 personave të rritur me pagjumësi tregoi se ata që kishin përdorim të dokumentuar të melatoninës për të paktën një vit kishin rreth 89 për qind rrezik relativ më të lartë për zhvillimin e insuficiencës kardiake gjatë një periudhe pesëvjeçare, krahasuar me personat pa përdorim të regjistruar të saj.

    Në terma konkretë, insuficienca kardiake u regjistrua te 4.6 për qind e përdoruesve afatgjatë të melatoninës, krahasuar me 2.7 për qind në grupin tjetër.

    Te përdoruesit afatgjatë u vu re gjithashtu një rrezik afërsisht dyfish më i lartë i vdekjes nga çdo shkak. Ndërkohë, hospitalizimet e lidhura me insuficiencën kardiake ishin dukshëm më të shpeshta, me një diferencë prej afro 3.5 herësh ndërmjet grupeve.

    Këto rezultate ngrenë pyetje për sigurinë e përdorimit të zgjatur të melatoninës, veçanërisht te personat që e marrin rregullisht për muaj ose vite.

    Pse po shqyrtohet siguria e përdorimit afatgjatë të melatoninës?

    Melatonina është hormon që prodhohet natyrshëm nga gjëndra pineale në tru dhe ndihmon në rregullimin e ciklit të gjumit dhe zgjimit. Niveli i saj zakonisht rritet gjatë errësirës dhe zvogëlohet në praninë e dritës.

    Suplementet e melatoninës përdoren për lehtësimin e disa problemeve me gjumin dhe në shumë vende mund të blihen pa recetë.

    Edhe pse melatonina përgjithësisht konsiderohet e tolerueshme gjatë përdorimit afatshkurtër, të dhënat për sigurinë e saj gjatë përdorimit shumëmujor ose shumëvjeçar mbeten të kufizuara.

    Pikërisht për këtë arsye, shkencëtarët kërkojnë studime më të hollësishme për të kuptuar nëse përdorimi i zgjatur mund të ndikojë në shëndetin kardiovaskular.

    Foto: TTereza

    Çfarë tregojnë rezultatet dhe ku qëndrojnë kufizimet?

    Studimi është vëzhgues dhe rezultatet e prezantuara në konferencën shkencore nuk kishin kaluar ende procesin e plotë të vlerësimit nga ekspertë të pavarur, siç sqarohet në njoftimin zyrtar të Shoqatës Amerikane të Zemrës.

    Një kufizim i rëndësishëm është se studiuesit u mbështetën në të dhënat elektronike mjekësore dhe dokumentimin e përdorimit të melatoninës, pa verifikuar drejtpërdrejt marrjen e saj nga secili pjesëmarrës.

    Për më tepër, duke qenë se melatonina mund të blihet pa recetë, është e mundur që edhe disa persona të grupit krahasues ta kenë përdorur suplementin pa u regjistruar në dokumentacionin mjekësor.

    Dallimet e vërejtura mund të ndikohen edhe nga faktorë të tjerë, përfshirë ashpërsinë e pagjumësisë, gjendjen psikologjike dhe problemet e tjera shëndetësore.

    Prandaj, rritja e rrezikut të vërejtur nuk duhet interpretuar si provë se melatonina është shkaktare e drejtpërdrejtë e insuficiencës kardiake.

    Paralajmërimi i autoriteteve shëndetësore

    Më 19 prill 2026, Autoriteti i Ushqimit dhe Barnave i Arabisë Saudite (SFDA) publikoi një sinjal sigurie lidhur me mundësinë e një lidhjeje ndërmjet përdorimit të melatoninës dhe insuficiencës kardiake.

    Vlerësimi u mbështet në raportimet ndërkombëtare të efekteve të padëshiruara dhe në të dhënat shkencore të disponueshme.

    Megjithatë, një sinjal i tillë nuk përbën provë përfundimtare se melatonina shkakton dëmtim të zemrës, por tregon se kjo mundësi kërkon hetim të mëtejshëm.

    Çfarë duhet të dinë personat që përdorin melatoninë?

    Rezultatet nuk nënkuptojnë se çdo person që merr melatoninë është i rrezikuar nga insuficienca kardiake dhe as se suplementi duhet ndërprerë menjëherë.

    Megjithatë, personat që e përdorin për periudha të gjata duhet të konsultohen me mjekun për të vlerësuar nevojën, dozën dhe kohëzgjatjen e përdorimit.

    Trajtimi i pagjumësisë nuk duhet të mbështetet vetëm te suplementet. Identifikimi i shkaktarëve të çrregullimeve të gjumit, përmirësimi i zakoneve të gjumit dhe, kur është e nevojshme, trajtimi me terapi njohëse-sjellore për pagjumësinë janë pjesë të rëndësishme të kujdesit shëndetësor.

    Mesazhi kryesor i analizës është se melatonina nuk është provuar të shkaktojë insuficiencë kardiake, por përdorimi i saj afatgjatë nuk duhet konsideruar automatikisht pa rrezik vetëm sepse bëhet fjalë për një hormon që prodhohet natyrshëm nga organizmi. /Telegrafi/

  • Vilanci dhe Ropica në Vushtrri mbesin pa ujë pas pëlcitjes së gypit kryesor furnizues

    Vilanci dhe Ropica në Vushtrri mbesin pa ujë pas pëlcitjes së gypit kryesor furnizues

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se fshatrat Vilanc dhe Ropicë në komunën e Vushtrrisë do të mbesin pa furnizim me ujë të pijshëm për shkak të pëlcitjes së gypit kryesor furnizues.

    Sipas njoftimit të kompanisë, ndërprerja e furnizimit me ujë do të vazhdojë deri në sanimin e rrjedhjes dhe përfundimin e ndërhyrjeve të nevojshme në rrjetin e ujësjellësit.

    Për këtë arsye, kompania u ka bërë thirrje banorëve të këtyre dy fshatrave që të sigurojnë zgjidhje alternative për furnizim me ujë deri në sanimin e problemit.

    KRU “Mitrovica” ka falënderuar konsumatorët për mirëkuptimin gjatë kësaj ndërprerjeje. /Telegrafi/

  • Gjini: Kosova s’ka përfituar nga kthimi i Ligjit për Specialen në Kuvend

    Gjini: Kosova s’ka përfituar nga kthimi i Ligjit për Specialen në Kuvend

    Gjini: Kosova s’ka përfituar nga kthimi i Ligjit për Specialen në Kuvend

    Kreu i Alenacës, Ardian Gjini, ka deklaruar se Kosova nuk ka përfituar as në aspektin taktik, as strategjik e as ligjor nga kthimi në Kuvend i Ligjit për Dhomat e Specializuara, me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

    Në një konferencë për media, Gjini ka bërë të ditur se Aleanca ka qenë kundër kthimit të ligjit për rishqyrtim. Ai ka kërkuar që, përveç kësaj çështjeje, vëmendja publike të përqendrohet edhe te problemet e tjera që, sipas tij, po rëndojnë jetën e qytetarëve dhe po e dëmtojnë shtetin e Kosovës.

    “E di që është interes i publikut ligji, Aleanca ka qenë kundër kthimit të ligjit në Kuvend. Nuk mendojmë që Kosova ka fituar diçka as taktikisht, as strategjikisht, as legalisht. Vendime të tjera do t’i bëjmë me dije. Mirëpo, po ju lutem, nuk guxojmë me i harru gjitha temat që e rëndojnë për çdo ditë jetën e qytetarit dhe që janë duke e degraduar komplet shtetin e Kosovës. Duke e dëmtuar deri në palcë shtetin tonë, veç me një ndjenjë që dikush e ka marrë një temë tjetër dhe po e harron temat esenciale. Është temë tepër me rëndësi ligji, për Kosovën, për të ardhmen e Kosovës, por unë po besoj që vendi jonë nuk guxon me e heq fokusin edhe prej temave të tjera”, tha ai, raportoi Ekonomia Online.

    Gjini ka kritikuar Qeverinë, duke pretenduar se debati për Ligjin për Dhomat e Specializuara po i lë në hije problemet e tjera dhe po e largon vëmendjen nga çështjet që, sipas tij, kërkojnë trajtim urgjent.

    “Duhet me u marrë me të gjitha për shkak se është një farë forme po ndihet komod qeveria. Përderisa të gjithë ne merremi veç me një temë, e për të cilën ata një farë forme ka 7-8 vjet që i kanë çuar duart, as nuk janë marrë me to. Po ndihen shumë komod përderisa e kanë mbuluar komplet sistemin korruptiv, kleptokratik në Kosovë, me një temë tjetër. Duhen me u marrë edhe me tema të tjera. Nuk guxojmë me harru çka do të ndodhë në Kosovë, për shkak se edhe këto janë të lidhura me veten. Nuk mundemi ne me pas as diplomaci qysh duhet, nëse shpenzojmë 260 milionë euro ne vjet për me ble energji elektrike. E një ambasadë e jona në Uashington nuk ka mjetet mjaftueshme, as me ia pagu një kafe dikujt. Literalisht po flas”, tha Gjini.

    Ai ka lidhur gjendjen ekonomike dhe energjetike me funksionimin e diplomacisë së Kosovës, duke pretenduar se shpenzimet vjetore për importin e energjisë elektrike po e kufizojnë mundësinë e shtetit për të mbështetur institucionet e tjera, përfshirë ambasadën në Uashington.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Aksident në magjistralen Vushtrri-Prishtinë, s’dihet për të lënduar

    Aksident në magjistralen Vushtrri-Prishtinë, s’dihet për të lënduar

    Aksident në magjistralen Vushtrri-Prishtinë, s’dihet për të lënduar

    Një aksident trafiku ka ndodhur në magjistralen Vushtrri-Prishtinë, ku një veturë shihet me dëme të konsiderueshme materiale.

    Deri më tani nuk dihet nëse ka persona të lënduar si pasojë e aksidentit.

    Gazeta Sinjali ka kontaktuar Policinë e Kosovës për të marrë informacione lidhur me rrethanat e aksidentit dhe nëse ka persona të lënduar, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi është në pritje të përgjigjes zyrtare.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Gjini: Kosova është në kolaps energjetik, importi ka kushtuar 27 milionë euro vetëm në shtator

    Gjini: Kosova është në kolaps energjetik, importi ka kushtuar 27 milionë euro vetëm në shtator

    Kryetari i Aleancës , Ardian Gjini, ka deklaruar se Kosova po përballet me krizë të rëndë energjetike, duke pretenduar se vetëm gjatë muajit shtator importi i energjisë elektrike ka kushtuar rreth 27 milionë euro.

    Ai ka paralajmëruar se vendi mund të detyrohet të importojë energji në vlerë prej së paku dy milionë eurosh në ditë, ndërsa ka akuzuar Qeverinë për dështim në riparimin e bojlerit të njërit prej blloqeve të prodhimit.

    Në një konferencë për media, Gjini ka paralajmëruar se Aleanca javë e ardhshme do të kërkojë interpelancë në Kuvendin e Kosovës lidhur me këtë çështje.

    Ai ka thënë se kostot e importit të energjisë elektrike rëndojnë drejtpërdrejt mbi qytetarët, qoftë përmes faturave, qoftë përmes shpenzimeve nga buxheti i shtetit.

    “Sot e kemi thirrur në konferencë për shtyp për me e kthy vëmendjen e opinionit të Kosovës te gjendja në të cilën sot është Kosova. Që ndërlidhet me ekonominë, që ndërlidhet pothuajse me gjithçka tjetër, e që ka të bëjë me energjinë elektrike, me energjinë në Kosovë. Më duhet me ju thënë që Kosova, thashë, është në kolaps. Edhe një herë: pas shumë viteve, me një import brutal të energjisë elektrike, me çmime brutale, çmime të cilat në fund të fundit të gjitha paguhen prej xhepave të qytetarëve të Kosovës. E dimë që ka shumë kamuflime, e dimë që shumë çka sikur në raste të tjera, unë e përdor një fjalë “pështjellët” në Kosovë, ama duhet me e potencu pastër. Që do të thotë që paguhet për energji elektrike, del prej xhepave të qytetarëve të Kosovës. Qoftë përmes faturave, qoftë përmes pagesave skandaloze prej buxhetit të Kosovës, për shkak se edhe buxheti i Kosovës, vjen prej xhepave të qytetarëve të Kosovës përmes taksave, të cilat ju merr shteti”, tha Gjini.

    Ai ka dhënë edhe shifra për importin dhe prodhimin e energjisë, duke thënë se në momentin kur po fliste, prodhimi ishte rreth 372 megavat, ndërsa kërkesa e kalonte 800 megavatët.

    “Duhet me ju thënë që importi i energjisë elektrike deri tash është diku 27 milion euro. Këtë veç shtatorit jemi duke folur, vetëm shtatorin. Duhet me ju thënë që e kemi prodhimin e energjisë elektrike diku në 372 megavat tash e kërkesën në këto momente e kemi mbi 800 megavat. Do të thotë momentet kur nuk pritet me pas shumë kërkesë. Është kërkesë e ulët. Mundet me shku shumë më lart. Që do të thotë po mbërrijmë minimum me importu energji elektrike 2 milion euro në ditë”, tha ai.

    Gjini ka akuzuar Qeverinë se ka dështuar, sipas tij, me qëllim në tenderin për riparimin e bojlerit, duke pretenduar se procedura është mbyllur pa fitues dhe se kjo ka bërë që riparimi të mos përfundojë.

    “ Të njëjtat kompani për që licencohen për transport të energjisë elektrike, edhe për mashtrime të tjera janë të njëjtat të njëjtat, prapë janë të njëjtat. Për të cilat edhe mediat edhe ne e kemi folur për një kohë të gjatë. E dini që kurti ka dalë në Kuvend të Kosovës para nja 3 viteve, edhe ju ka mbajtur ligjëratë deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës për bojlerat edhe për filterat. E tash po ju tregoj diçka. Këta e kanë dështu me qëllim tenderin e riparimit të bojlerave, bojlerit. I cili ka pas me u riparu deri në fund të këtij viti, e kanë hapur tenderin, e kanë mbyllur tenderin pa fitues, për me i zbulu çmimet e ofertave që është aferë korruptive brutale, kanë marrë ankesa edhe ai bojleri i kurtit është i pariparuar. Që ai i njëjti bojler për të cilin ka folur para nja 2 vjet e gjysmë. Tash çfarë ndodh? Prapë duhet ose në dhjetor ose në janar ose në shkurt prapë duhet me e nxjerrë prej sistemit bllokun më të madh që e kemi, në prodhim, për me e riparu atë bojlerin për të cilin ka folur personi i cili e udhëheq mashtrimin më të madh në histori të Kosovës. Aleanca do të kërkoj interpelnacë nga qeveria e Kosovës për këtë ceshtej”, tha ai./EO

    Burimi: Dukagjini

  • Në krye të protestës së PD-së Noka, Balliu dhe Gjekmarkaj

    Në krye të protestës së PD-së Noka, Balliu dhe Gjekmarkaj

    Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk i është bashkuar sot protestës në Tiranë, që është thirrur në ora 12:00 nga PD-ja.

    Në krye të protestuesve janë drejtues të tjerë të Partisë Demokratike, mes tyre Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Agron Gjekmarkaj.

    Ndërkaq, nga ora 14:00 studentët kanë paralajmëruar protestën e radhës.

  • Kuvendi i Gjilanit nderon me titullin "Qytetar Nderi" veprimtarin e çështjes kombëtare Muharrem Aliu

    Kuvendi i Gjilanit nderon me titullin “Qytetar Nderi” veprimtarin e çështjes kombëtare Muharrem Aliu

    Kuvendi i Komunës së Gjilanit e ka nderuar veprimtarin e çështjes kombëtare, Muharrem Aliu, me titullin “Qytetar Nderi” pas vdekjes.

    Vendimi është marrë në një seancë solemne të mbajtur të shtunën, të udhëhequr nga kryesuesja e Kuvendit, Krenare Latifi-Kqiku. Ndarja e këtij titulli është iniciuar nga kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, me rekomandimin e Komisionit për dhënien e titujve të nderit dhe mbështetjen e partive politike në Kuvend.

    Sipas motivacionit, çmimi i është ndarë Aliut për kontributin në çështjen kombëtare, qëndresën patriotike dhe sakrificën për lirinë e shqiptarëve, si dhe për angazhimin në zhvillimin e Pogragjës dhe të trevës së Gjilanit.

    Kryesuesja Krenare Latifi-Kqiku ka vlerësuar se Muharrem Aliu e kishte vënë çështjen kombëtare mbi interesin personal, duke zgjedhur rrugën e qëndresës dhe sakrificës në periudha të vështira për shqiptarët.

    Ndërkaq, nënkryetari i Komunës, Arianit Sadiku, në emër të kryetarit Alban Hyseni, ka theksuar se Aliu ia kushtoi jetën idealit për liri dhe bashkim kombëtar.

    Në emër të Grupit të Këshilltarëve të LDK-së ka folur asambleisti Fitim Guda, ndërsa në emër të familjes Aliu, Agron Aliu ka falënderuar institucionet për nderimin, duke theksuar se ky çmim përbën edhe përgjegjësi për familjen dhe brezat e ardhshëm.

    Në seancën solemne morën pjesë përfaqësues institucionalë, ish-zyrtarë komunalë, përfaqësues të Policisë dhe FSK-së, familjarë të dëshmorëve dhe familjarë të Muharrem Aliut. /Telegrafi/