Author: Momenti

  • Hapi i parë u kalua, Komisioni për Legjislacion miraton Ligjin për Specialen

    Hapi i parë u kalua, Komisioni për Legjislacion miraton Ligjin për Specialen

    Komisioni për Legjislacion ka miratuar në parim, në mënyrë unanime me 9 vota për, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Në votim kanë marrë pjesë edhe anëtarët e Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të cilët kanë votuar pro projektligjit.

    Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, tha se kundërshtimet dhe reagimet ndaj kësaj strukture normative, sipas tij, është dashur të bëheshin në vitin 2015 dhe jo tani.

    “Reagimet dhe kundërshtimet që janë bërë kundër kësaj strukture normative që e ka bërë Kuvendi i Kosovës, është dashur të bëheshin në verën e vitit 2015, e jo në vjeshtën e vitit 2026”, deklaroi Qorrolli.

    Ai theksoi se Komisioni është i unifikuar sa i përket qëndrimit për ndryshimet ligjore.

    “Jemi në një situatë ku ne si komision, të gjithë njëzëri do ta miratojmë. Ne jemi këtu për të dhënë votën tonë pro këtyre ndryshimeve në ligj”, tha Qorrolli.

    Pas votimit, Qorrolli konstatoi se Projektligji u miratua në parim me 9 vota për, pa vota kundër apo abstenime. /Telegrafi/

  • Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje në Maqedonia

    Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje në Maqedonia

    Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë njofton se trafiku në vend po zhvillohet pa pengesa dhe në rrugë të thata.

    Nga atje thonë se trafiku jashtë mjediseve urbane po zhvillohet me intensitet të moderuar.

    “Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje në Maqedonia”, thonë nga LAMM.

    Nga atje u bëjnë thirrje shoferëve që të kenë kujdes me shpejtësinë e automjeteve, veçanërisht nëpër luginat e vendit ku mund të ketë rrëshqitje të dheut./Telegrafi/

  • Rezultatet paraprake në BeH: Beqiroviq, Filipoviq dhe Cvijanoviq kryesojnë garën për Presidencën

    Rezultatet paraprake në BeH: Beqiroviq, Filipoviq dhe Cvijanoviq kryesojnë garën për Presidencën

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjë e Hercegovinës (CIK) publikoi rezultatet preliminare nga 80 për qind e qendrave të votimit.

    Për Presidencën e BeH-së kryesojnë Denis Beqiroviq (164.369), Darijana Filipoviq (92.854) dhe Zheljka Cvijanoviq (213.812), ndërsa për president të entitetit të Republikës Sërpska kryeson Savo Miniq (202.245).

    Për herë të parë në historinë e pasluftës së Bosnjë e Hercegovinës, rezultatet e para preliminare të votimit u publikuan një orë pas mbylljes së qendrave të votimit, ndërsa skanerët e fletëvotimeve e kryen punën pa kaluar në numërimin manual.

    Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bosnjë e Hercegovinës, Jovan Kalaba, në një konferencë për media bëri të ditura rezultatet e para preliminare të zgjedhjeve, të marra përmes transmetimit nga skanerët elektronikë të fletëvotimeve, bazuar në rreth 80 për qind të qendrave të votimit të përpunuara.

    Kalaba theksoi se procesi i votimit me përdorimin e skanerëve elektronikë u zhvillua me sukses dhe se në asnjë qendër votimi nuk është regjistruar kalim në mënyrën manuale, tradicionale të numërimit të votave.

    “Ne morëm konfirmim nga të gjitha komisionet komunale dhe të qyteteve të zgjedhjeve se nuk pati kalim në votimin tradicional. Kjo do të thotë se skanerët e kryen pjesën e tyre të punës për të cilën i kishim caktuar”, deklaroi Kalaba.

    Për shkak të vonesave në hapjen e disa qendrave të votimit në mëngjes ose ndërprerjeve gjatë ditës, disa qendra e zgjatën punën deri në orën 22:00, ndërsa CIK-u udhëzoi që t’u mundësohet votimi të gjithë votuesve që në momentin e mbylljes së qendrave ndodheshin në radhë.

    Presidenca e BeH-së: Kryesojnë Beqiroviq, Filipoviq dhe Cvijanoviq

    Pas përpunimit të rreth 80 për qind të qendrave të votimit, për anëtarin boshnjak të Presidencës së BeH-së kryeson Denis Beqiroviq (Të bashkuar për shtetin e BeH-së) me 164.369 vota, përpara kandidatit të Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviq, i cili ka 148.036 vota. Semir Efendiq nga Partia për Bosnjë dhe Hercegovinën (SBiH) ka marrë 110.530 vota, ndërsa Fahrudin Radonçiq (Unioni për të Ardhme më të Mirë – SBB) ka marrë 9.320 vota.

    Për anëtarin e Presidencës së BeH-së nga radhët e popullit kroat kryeson Darijana Filipoviq (Unioni Demokratik Kroat i BeH-së – HDZBeH) me 92.854 vota, e ndjekur nga Slaven Kovaçeviq (Fronti Demokratik – DF) me 55.475 vota dhe kandidati i pavarur Zdenko Luçiq me 44.345 vota.

    Në garën për anëtarin e Presidencës së BeH-së nga radhët e popullit serb kryeson Zheljka Cvijanoviq (Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur – SNSD) me 213.812 vota. Marinko Bozhoviq (Partia Demokratike Serbe – SDS) ka marrë 102.877 vota, ndërsa Nebojsha Vukanoviq (Për drejtësi dhe rend) 67.707 vota.

    Presidenti i Republikës Srpska

    Në garën për president dhe zëvendëspresidentë të entitetit të Republikës Srpska kryeson kandidati i SNSD-së, Savo Miniq, me 202.245 vota, përpara Branko Blanushës (SDS), i cili ka 160.936 vota. Ramiz Salkiq (SDA) ka marrë 6.740 vota, ndërsa Qamil Durakoviq 4.413 vota.

    Për Parlamentin e BeH-së nga Federata e BeH-së numrin më të madh të votave e ka marrë SDA-ja (186.675), e ndjekur nga SDP BeH-ja (91.886) dhe koalicioni HDZ BeH – HS (83.834), Partia për Bosnjë e Hercegovinën (51.356), “Popull dhe Drejtësi” (39.535) dhe Zheljko Komshiq – Për një shtet qytetar (36.976).

    Nga Republika Srpska për parlamentin shtetëror kryeson SNSD-ja (151.032), përpara Lëvizjes “Srpska e Sigurt” të Drashko Stanivukoviqit (53.448) dhe SDS-së (50.328).

    Në Parlamentin e Federatës së BeH-së kryeson SDA-ja me 180.970 vota, e dyta është SDP BeH-ja me 90.327, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga HDZ BeH-ja ka 86.922 vota. Partia për Bosnjë e Hercegovinën ka marrë 52.671 vota.

    CIK-u njoftoi se rezultatet e përditësuara do të publikohen vazhdimisht në faqen zyrtare të internetit “izbori.ba”. /AA/

  • Brazili shkon në balotazh, Flávio Bolsonaro dhe Lula përballen më 25 tetor

    Brazili shkon në balotazh, Flávio Bolsonaro dhe Lula përballen më 25 tetor

    Brazili do të shkojë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, pasi as presidenti aktual Luiz Inácio Lula da Silva dhe as senatori Flávio Bolsonaro nuk arritën të sigurojnë shumicën e nevojshme për fitore në raundin e parë.

    Sipas të dhënave të Gjykatës Zgjedhore në Brasília, me 99.8 për qind të votave të numëruara, Flávio Bolsonaro kryesonte me pak më shumë se 56 milionë vota, ndërsa Lula kishte rreth 53.7 milionë. Përballja e dytë do të zhvillohet më 25 tetor, ndërsa presidenti i ri pritet ta nisë mandatin më 5 janar.

    Flávio Bolsonaro, 45 vjeç, djali i ish-presidentit Jair Bolsonaro dhe aleat i presidentit amerikan Donald Trump, e cilësoi rezultatin e raundit të parë si një sinjal të qartë se brazilianët kërkojnë ndryshim, transmeton Telegrafi.

    “Brazili dëshiron ndryshim. Ky është interpretimi i asaj që ndodhi sot”, u tha ai gazetarëve dhe mbështetësve jashtë shtëpisë së tij në Brasília. Bolsonaro deklaroi gjithashtu se rezultati shënon, sipas tij, “fundin e epokës së Partisë së Punëtorëve”, të drejtuar nga Lula.

    Nga ana tjetër, Lula e pranoi se rezultati ishte i papritur, pasi kishte shpresuar ta siguronte fitoren që në raundin e parë. Megjithatë, presidenti 80-vjeçar u shfaq i vendosur për garën e dytë.

    “Rezultati ishte i papritur. Nesër fillojmë një fushatë të re”, tha Lula, duke shtuar: “Unë jam shumë i mirë në raundin final. Do të shohim se kush ka planin më të mirë.”

    Të dy kandidatët kanë rreth tri javë kohë për të bindur votuesit që mbështetën kandidatët e tjerë në raundin e parë. Augusto Cury, i cili përfundoi i treti me rreth 3.4 milionë vota, ka deklaruar se nuk do të mbështesë asnjërin kandidat. Edhe Ronaldo Caiado dhe Renan Santos, të cilët së bashku morën rreth 5.3 milionë vota, kanë thënë më herët se nuk do të mbështesin asnjërin prej tyre.

    Balotazhi pritet të jetë veçanërisht i rëndësishëm për drejtimin e ekonomisë më të madhe të Amerikës së Jugut dhe për politikën e jashtme të Brazilit. Një fitore e Flávio Bolsonaro do të mund të forconte lidhjet me Shtetet e Bashkuara, ndërsa një mandat i ri i Lulës pritet të vazhdojë politikën e afrimit të Brasília-s me Kinën dhe distancimit relativ nga Uashingtoni.

    Lula do të përpiqet të mobilizojë mbështetësit e tij përmes politikave sociale, ndërsa përballë tij qëndrojnë shqetësimet për koston e jetesës dhe një skandal korrupsioni që ka prekur figura të rëndësishme të politikës dhe drejtësisë braziliane.

    Në qendër të këtij skandali është edhe gjyqtari i Gjykatës Supreme, Alexandre de Moraes, i cili më herët udhëhoqi hetimet ndaj ish-presidentit Jair Bolsonaro dhe procesin që çoi në dënimin e tij për përpjekje për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të mëparshme. Moraes është përmendur në hetimet që lidhen me bankierin e arrestuar Daniel Vorcaro dhe Banco Master, megjithëse çështja mbetet objekt hetimi.

    Të dy kandidatët përballen gjithashtu me një elektorat të polarizuar. Sipas sondazheve të cituara në raport, një pjesë e konsiderueshme e brazilianëve ka qëndrim negativ ndaj familjes Bolsonaro, ndërsa një pjesë tjetër kundërshton Partinë e Punëtorëve të Lulës.

    Raundi i parë i ka dhënë avantazh numerik Flávio Bolsonaro-s, por asgjë nuk është vendosur ende. Për të fituar më 25 tetor, të dy kandidatët do të duhet të tërheqin votuesit që mbështetën kandidatët e tjerë, çka mund t’i detyrojë ata të bëjnë kompromise politike ose të kërkojnë mbështetje nga rivalët e eliminuar.

    Në zgjedhjet e vitit 2022, Lula mposhti Jair Bolsonaron me rreth 2.1 milionë vota. Tashmë, katër vjet më vonë, djali i ish-presidentit do të kërkojë të përmbysë rezultatin e asaj gare dhe të rikthejë familjen Bolsonaro në krye të vendit. /Telegrafi/

  • “Vendimi i tij”, Jorge Jesus ia lë të hapur “derën” e rikthimit të CR7 te Portugalia

    “Vendimi i tij”, Jorge Jesus ia lë të hapur “derën” e rikthimit të CR7 te Portugalia

    Jorge Jesus ka konfirmuar se Cristiano Ronaldo mund të rikthehet te Kombëtarja e Portugalisë për grumbullimin e ardhshëm, duke lënë të kuptohet se përplasja mes tyre tashmë është tejkaluar.

    Pas fitores 2-1 ndaj Norvegjisë në Ligën e Kombeve, trajneri portugez u pyet për situatën me yllin e Al Nassr.

    Ronaldo kishte tërhequr vëmendjen ditët e fundit pasi u largua nga grumbullimi i Portugalisë, pas një mosmarrëveshjeje me Jesusin për shkak të mosaktivizimit në ndeshjen e parë ndaj Norvegjisë.

    Megjithatë, Jesus tani ka bërë të qartë se dera e Kombëtares është e hapur për 41-vjeçarin.

    “Cristiano Ronaldo do të ftohet për grumbullimin e ardhshëm, nëse ai dëshiron të rikthehet”.

    “Është vendimi i tij. Unë jam gati ta ftoj nëse ai do të luajë me Al Nassr”, shtoi trajneri portugez.

    Kështu, rikthimi i Ronaldos te Portugalia tashmë varet nga vetë lojtari, ndërsa Jesus ka sinjalizuar se konflikti mes tyre është lënë pas./Telegrafi/

  • Zelensky thotë se SHBA-ja dëshiron të zhvillojë bisedime trepalëshe me Rusinë deri në fund të tetorit

    Zelensky thotë se SHBA-ja dëshiron të zhvillojë bisedime trepalëshe me Rusinë deri në fund të tetorit

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të dielën se Shtetet e Bashkuara duan të ndërmjetësojnë një raund të ri bisedimesh me Ukrainën dhe Rusinë për t’i dhënë fund luftës katër-e-gjysmë-vjeçare dhe për t’i zhvilluar ato deri në fund të tetorit.

    Përpjekjet për paqe të udhëhequra nga SHBA-ja kanë ngecur kryesisht, pasi vëmendja e Uashingtonit është zhvendosur te konflikti me Iranin dhe ndërsa Ukraina thotë se Rusia ka shtuar sulmet ajrore në të gjithë vendin e shkatërruar nga lufta.

    “Pala amerikane është aktualisht në kontakt me Ukrainën dhe Rusinë dhe po propozon që të mbahet një takim në nivel teknik në format trepalësh deri në fund të tetorit”, u tha Zelensky gazetarëve të dielën, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    Ai theksoi se kishte biseduar me negociatorët amerikanë të shtunën.

    “U konfirmova atyre se pala jonë është e gatshme ta mbështesë këtë afat kohor”, shtoi ai.

    Zelensky nuk tregoi se ku do të zhvilloheshin bisedimet, por tha se Ukraina ishte “e hapur për Emiratet ose një vend tjetër të propozuar nga pala amerikane”.

    Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pritur në të kaluarën bisedime të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, që synonin t’i jepnin fund pushtimit rus.

    Kremlini tha muajin e kaluar se bisedimet trepalëshe për t’i dhënë fund luftës mund të zhvilloheshin në tetor.

    “Ne nuk e përjashtojmë një mundësi të tillë; po flasim për të ardhmen e afërt”, citohej të ketë thënë në atë kohë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nga agjencitë ruse të lajmeve Ria dhe Tass.

    Raundet e mëparshme të bisedimeve nuk kanë sjellë përparim të prekshëm drejt paqes, pasi Moska nuk ka treguar gatishmëri për të hequr dorë nga kushtet e saj maksimale për t’i dhënë fund luftimeve. /Telegrafi/

  • "Avengers: Endgame" tejkalon "Avatar" si filmi me fitimet më të larta të të gjitha kohërave me 2.925 miliardë dollarë

    “Avengers: Endgame” tejkalon “Avatar” si filmi me fitimet më të larta të të gjitha kohërave me 2.925 miliardë dollarë

    “Avengers: Endgame” u bë edhe një herë filmi me fitimet më të larta në historinë e biletave, duke tejkaluar “Avatar” pas rishfaqjes së tij në kinema.

    “Avengers: Endgame” ka rimarrë titullin e filmit me fitimet më të larta pasi Disney e ripublikoi spektaklin e superheronjve nga viti 2019.

    Filmi fitoi gjithsej 2.925 miliardë dollarë në të gjithë botën, duke tejkaluar filmin “Avatar” të vitit 2009 me pak më shumë se 2 milionë dollarë, i cili fitoi 2.923 miliardë dollarë pas pesë ripublikimeve.

    “Avatar” mbajti rekordin për filmin me fitimet më të larta të të gjitha kohërave për gati 10 vjet, derisa “Avengers: Endgame” e kaloi atë në vitin 2019 gjatë publikimit të tij fillestar. “Endgame” më pas ra në vendin e dytë në vitin 2021 kur “Avatar” u rikthye në kinema përpara “Avatar: The Way of Water”.

    Pesë vjet më vonë, “Avengers: Endgame” zuri përsëri vendin e parë.

    Pavarësisht se cili film mban rekordin, Disney është ndër fituesit më të mëdhenj në të dyja rastet. “Avatar” u botua nga 20th Century Fox, i cili u mor përsipër nga Disney pas bashkimit të kompanive në vitin 2019.

    Disney, falë aseteve filmike të Fox, është përgjegjës për shtatë nga 10 filmat me fitimet më të larta. Këto përfshijnë “Avatar: The Way of Water” me 2.33 miliardë dollarë, “Titanic” me 2.26 miliardë dollarë dhe “Avengers: Infinity War” me 2.05 miliardë dollarë.

    Disney dhe Marvel e kanë shfaqur përsëri filmin “Avengers: Endgame” për të rritur interesin për “Avengers: Doomsday”, premiera e të cilit është planifikuar të dalë në dhjetor.

    “Avengers: Endgame” përfaqësoi kulmin e 21 filmave të xhiruar gjatë 10 viteve, me mbledhjen e shumë yjeve të mëdhenj të universit Marvel.

    Në film luajtën, ndër të tjerë, Robert Downey Jr. si Iron Man, Chris Evans si Captain America, Scarlett Johansson si Black Widow, Tom Holland si Spider-Man, Chadwick Boseman si Black Panther dhe Anthony Mackie si Falcon.

    Riprodhimi i “Endgame” solli më shumë se 126 milionë dollarë në të gjithë botën, ndërsa interesi i publikut rriti më tej pritjet për “Avengers: Doomsday”, i cili duhet të jetë një nga filmat më të mëdhenj të vitit.

    Anthony dhe Joe Russo janë rikthyer në rolet e regjisorit për “Avengers: Doomsday”, episodi i 39-të në Universin Kinematografik të Marvel.

    Universi Kinematografik i Marvel ka qenë prej kohësh françiza filmike më e suksesshme komercialisht në histori. Pasi filmi “Spider-Man: Brand New Day” i kësaj vere arriti në 2.5 miliardë dollarë të ardhura, me këtë numër që vazhdon të rritet, të ardhurat totale të të gjithë filmave të MCU kanë arritur në 35.07 miliardë dollarë.

  • Kolegët e Matthew Perry-t në “Friends” nuk janë në dokumentarin e ri të Netflix-it

    Kolegët e Matthew Perry-t në “Friends” nuk janë në dokumentarin e ri të Netflix-it

    Seriali dokumentar i Netflix për aktorin e ndjerë Matthew Perry do të transmetohet pa bashkë-yjet e tij në “Friends”, të cilët kanë vendosur të mos marrin pjesë në projekt, sipas burimeve.

    Sipas Page Six, Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer u kontaktuan për të marrë pjesë në dokumentarin “The One About Matthew Perry”, por vendosën ta refuzonin ftesën.

    “Ata u kontaktuan dhe vendosën të mos merrnin pjesë”, tha burimi, duke shtuar se dokumentari do t’u japë hapësirë miqve dhe kolegëve të tjerë nga jeta e Perry-t që ndajnë kujtime me të.

    Një burim tjetër shpjegoi konkretisht pse Jennifer Aniston nuk do të jetë pjesë e projektit. Ai deklaroi se do të ishte shumë e vështirë për aktoren ta përjetonte përsëri humbjen para kamerave.

    “Nuk ka asnjë mënyrë që Jennifer të bëjë ndonjëherë diçka të tillë. Ajo nuk dëshiron ta kalojë përsëri dhe ta bëjë kaq publike”, tha burimi.

    Seriali me tre pjesë u drejtua nga Mary Robertson, dhe projekti do të ofrojë një pamje të jetës së Matthew Perry-t para vdekjes së tij në moshën 54-vjeçare. Dokumentari do të paraqesë gjithashtu për herë të parë motrën e tij Mia Perry Bowick, e cila do të reflektojë mbi kompleksitetin e jetës së tij dhe trashëgiminë që la pas.

    Perry mbeti i afërt me të gjithë ish-bashkë-yjet e tij pas përfundimit të “Friends” në vitin 2004. Në kujtimet e tij, ai veçoi konkretisht Jennifer Aniston, të cilës ia atribuoi meritën për kujdesin që i bëri më shumë dhe për ta kontrolluar më shumë.

    Si kujtesë, aktori u gjet pa ndjenja në një vaskë me ujë të nxehtë në shtëpinë e tij në Pacific Palisades në tetor 2023. Më vonë u përcaktua se ai vdiq nga efektet akute të ketaminës, një ilaç që përdoret për të trajtuar depresionin.

    Pesë persona u arrestuan në lidhje me vdekjen e tij, përfshirë asistentin e Perry-t dhe dy mjekë. Të gjithë arritën marrëveshje për pranimin e fajësisë, ndërsa katër nga të pesë vuajtën dënime me burg.

    Perry foli publikisht për varësinë e tij nga droga dhe alkooli, si dhe për problemet e tij me alkoolin para vdekjes. Në kujtimet e tij, “Miqtë, të dashuruarit dhe gjëja e madhe e tmerrshme”, të botuara në vitin 2022, ai zbuloi se kishte shpenzuar më shumë se 9 milionë dollarë për rehabilitim.

    “Kam kaluar nëpër ferrin dhe jam kthyer, dhe jam ende këtu. Dua të ndaj historinë time sepse dua që njerëzit të dinë se nuk janë vetëm. Ka shpresë. Mund të shërohesh”, shkroi Perry.

    Premiera e serisë dokumentare “The One About Matthew Perry” është planifikuar për 27 tetor, në përvjetorin e tretë të vdekjes së aktorit.

  • Që nga mbrëmë para Kuvendit, protestuesve u bashkohen nxënës e studentë në mbështetje të UÇK-së

    Që nga mbrëmë para Kuvendit, protestuesve u bashkohen nxënës e studentë në mbështetje të UÇK-së

    Në protestën para Kuvendit të Kosovës, krahas protestuesve që prej mbrëmjes së së dielës kanë qëndruar në protestë, tashmë janë mbledhur edhe një numër nxënësish dhe studentësh, në mbështetje të thirrjes së iniciativës “Jo në emrin tim”.

    Protestuesit kërkojnë nga deputetët miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Iniciativa kishte bërë thirrje për tubim sot në ora 08:00, në kohën kur zhvillohen aktivitetet para seancës së Kuvendit.

    Në ndërkohë, në ora 08:00 pritet të shqyrtohet projektligji në Komisionin për Legjislacion, ndërsa në ora 09:00 pritet të nisë seanca plenare e Kuvendit, ku shqyrtimi i parë i projektligjit është pika e parë e rendit të ditës.

    Po në ora 09:00, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar protestë para Kuvendit, me kërkesën që deputetët të votojnë ndryshimet ligjore.

    Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë qëndruar gjatë natës pranë Kuvendit, ndërsa në mëngjes u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen në Sheshin “Skënderbeu”. /Telegrafi/

  • Xheladini: Po vazhdojnë punimet në disa projekte infrastrukturore në Dragash

    Xheladini: Po vazhdojnë punimet në disa projekte infrastrukturore në Dragash

    Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka bërë të ditur se po vazhdojnë punimet në disa projekte infrastrukturore në këtë komunë.

    Përmes një postimi, Xheladini ka njoftuar se në rrugën Xërxë–Pllajnik po ndërtohet një mur mbrojtës, pas rrëshqitjes së dheut të shkaktuar nga vërshimet e janarit të këtij viti.

    Punimet, sipas tij, po zhvillohen me intensitet edhe në zgjerimin e rrugës në fshatin Rrenc.

    Ndërkohë, në fshatin Mlik ka përfunduar projekti për rregullimin e infrastrukturës rrugore, ndërsa së shpejti pritet të nisë edhe projekti për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e janarit.

    Xheladini ka njoftuar gjithashtu se në fshatin Kuk, pas përfundimit të mureve mbrojtëse përgjatë brigjeve të lumit, ka nisur puna për ndërtimin e një ure të re.

    Ai ka theksuar se punimet në këto projekte po zhvillohen me intensitet, duke synuar përmirësimin e infrastrukturës dhe sanimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet. /Telegrafi/