Author: Momenti

  • Kryetarët e komunave urojnë presidenten e re dhe votimin e ndryshimeve për Dhomat e Specializuara

    Kryetarët e komunave urojnë presidenten e re dhe votimin e ndryshimeve për Dhomat e Specializuara

    Kryetarë të disa komunave të Kosovës kanë reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, ku u votua presidentja e re e Republikës dhe u miratua në lexim të dytë projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka uruar Justina Shiroka Pulën për zgjedhjen në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

    “Urime znj. Justina Shiroka Pula për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës!”, ka shkruar Rama, duke e cilësuar atë si “mikë të çmuar” dhe personalitet me dije e përvojë.

    Rama ka theksuar se Kosova ka nevojë për unitet dhe institucione që japin rezultate, ndërsa ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim institucional.

    Edhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka reaguar pas votimeve në Kuvend. Ai ka deklaruar se, sipas tij, lidershipi i kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje shmangu një krizë politike.

    “U votua ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe u votua Presidentja e re e Republikës së Kosovës!”, ka shkruar Bulliqi, duke uruar qytetarët e Kosovës.

    Në lidhje me ndryshimet në legjislacionin për Dhomat e Specializuara ka reaguar edhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.

    “UÇK-ja është krenaria jonë kombëtare. Ligji për UÇK-në më në fund u miratua në Kuvend. Urime të gjithë qytetarëve!”, ka shkruar Lushtaku.

    Ndërkaq, kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka uruar qytetarët për votimin e projektligjit dhe zgjedhjen e presidentes së re.

    “Urime të gjithëve votimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Presidentja e re e Republikës së Kosovës, prof. Justina Shiroka Pula!”, ka shkruar Prebreza.

    Në një reagim tjetër, kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka komentuar zhvillimet politike duke theksuar rëndësinë e kompromisit dhe marrëveshjes për Kosovën.

    Reagimet e kryetarëve të komunave vijnë pas seancës së Kuvendit, ku u zhvilluan votime për ndryshimet në kuadrin ligjor që lidhet me Dhomat e Specializuara, si dhe për zgjedhjen e presidentes së re të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

  • Ish-oficeri i CIA-s pranon mashtrimin 200 milionë dollarësh, në shtëpi iu gjetën 298 shufra ari

    Ish-oficeri i CIA-s pranon mashtrimin 200 milionë dollarësh, në shtëpi iu gjetën 298 shufra ari

    Një ish-oficer i CIA-s, në shtëpinë e të cilit autoritetet gjetën qindra shufra ari, ka pranuar fajësinë për përfshirje në një mashtrim prej rreth 200 milionë dollarësh ndaj qeverisë amerikane.

    David Rush, 49 vjeç, ka pranuar se ka përdorur kontrata të falsifikuara dhe skema me prona të paluajtshme për të përvetësuar fonde publike. Në kuadër të marrëveshjes për pranimin e fajësisë, ai duhet t’i paguajë qeverisë amerikane dëmshpërblim dhe të heqë dorë nga prona luksoze, automjete, orë dhe pasuri të tjera të lidhura me veprën penale.

    Rush ka pranuar gjithashtu se i ka dorëzuar sekrete të klasifikuara një zyrtari të një qeverie të huaj, informacion që, sipas prokurorëve, mund të kishte shkaktuar “dëm të rëndë” për sigurinë kombëtare të SHBA-së.

    “Pandehuri do të deklarohet fajtor sepse është në fakt fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet”, thuhet në dokumentin gjyqësor ku përshkruhet marrëveshja.

    Rush ishte akuzuar fillimisht për vjedhje të fondeve publike, por tani ka pranuar fajësinë për mashtrim përmes komunikimeve elektronike (wire fraud), transmeton Telegrafi.

    Gjatë bastisjes së shtëpisë së tij, autoritetet gjetën 298 shufra ari, të cilat ai i kishte marrë duke pretenduar se ishin për “shpenzime të lidhura me punën”. Hetuesit gjetën gjithashtu rreth 2 milionë dollarë cash dhe 35 orë luksoze.

    Dokumentet e reja gjyqësore zbulojnë se skema ishte shumë më e gjerë. Sipas prokurorëve, Rush kishte krijuar një program të rremë dhe shumë të klasifikuar për të justifikuar blerjen e pronave luksoze në jug të Floridës, të cilat më pas synonte t’i shiste për përfitim personal.

    Ai kishte përdorur fondet e përfituara në mënyrë të paligjshme për të blerë prona të shtrenjta, ndërsa në një prej tyre kishte angazhuar edhe një dizajner të brendshëm dhe kishte blerë pajisje kuzhine në vlerë prej 40 mijë dollarësh.

    Prokurorët pretendojnë se Rush “praktikisht veproi si zyrtari i tij i autorizimit”, duke i mundësuar vetes të shpenzonte shuma të mëdha parash të qeverisë amerikane pa mbikëqyrje domethënëse.

    Hetuesit e FBI-së thanë se nga nëntori 2025 deri në mars 2026, Rush kishte bërë vazhdimisht kërkesa për shuma të mëdha valutash të huaja dhe dhjetëra miliona dollarë në shufra ari, të cilat i justifikonte si shpenzime pune.

    Një prej akuzave lidhet me një transfertë prej 45 milionë dollarësh, të cilën Rush e kishte iniciuar në janar 2026.

    Përveç mashtrimit financiar, rasti ka edhe një dimension të rëndë të sigurisë kombëtare. Sipas marrëveshjes, Rush i zbuloi një zyrtari të një qeverie të huaj ekzistencën dhe përshkrimin e një burimi njerëzor sekret të CIA-s.

    Prokurorët paralajmëruan se zbulimi i këtij informacioni mund të rrezikonte jetën dhe sigurinë e burimit, si dhe të zyrtarëve amerikanë që punonin me të.

    Gjithashtu, sipas tyre, një zbulim i tillë mund të dëmtonte aftësinë e SHBA-së për të rekrutuar burime të reja, të cilat mbështeten në garancitë e konfidencialitetit të qeverisë amerikane.

    Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, tha se Rush kishte “abuzuar me pozitën e tij dhe kishte tradhtuar besimin e publikut”, duke shtuar se ai duhet të mbajë përgjegjësi të plotë për veprimet e tij.

    Prokurorët thanë se Rush po i zhvendoste paratë në forma pasurie që mund të shiteshin lehtësisht, përfshirë arin dhe mallra të tjera, duke paraqitur këtë si “prova të forta” se ai po përpiqej të fshihte paratë e përvetësuara.

    Në kuadër të marrëveshjes, ai duhet t’u dorëzojë autoriteteve edhe 35 orët luksoze, dy automjete BMW, 2 milionë dollarët cash dhe rreth 39 milionë dollarë që u sekuestruan nga llogaritë e tij bankare.

    Gjykatësi federal do të caktojë dënimin në një seancë të ardhshme, e cila është planifikuar për 28 janar. Vepra për të cilën ai është deklaruar fajtor parashikon deri në 20 vjet burg, megjithëse prokurorët kanë theksuar se dënimi mund të rritet sipas ligjit federal.

    Në qershor, gjykatësi William Fitzpatrick urdhëroi që Rush të qëndronte në paraburgim deri në përfundim të procedurave, duke e konsideruar atë rrezik për arratisje.

    Sipas gjyqtarit, për shkak të karrierës së tij, Rush ishte në një pozitë më të favorshme se shumica e personave për t’u larguar dhe për t’iu shmangur autoriteteve.

    Dokumentet gjyqësore nuk japin shumë detaje për karrierën e tij në CIA, por e përshkruajnë si ish-zyrtar të lartë ekzekutiv në një agjenci qeveritare amerikane në Virxhinia, me leje të nivelit top secret dhe qasje në informacione të klasifikuara.

    Mediat amerikane kanë konfirmuar se bëhej fjalë për një ish-punonjës të CIA-s. Sipas The Washington Post, Rush kishte qenë drejtues i lartë në Drejtorinë e Shkencës dhe Teknologjisë së agjencisë, e cila zhvillon teknologji dhe pajisje të avancuara për operacionet e inteligjencës.

    Rasti ka ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën se si ai arriti të kalojë kontrollet e sigurisë. Rush ishte akuzuar më herët se kishte marrë në mënyrë të paligjshme leje ushtarake me pagesë pas largimit me nder nga Marina amerikane, si dhe se kishte gënjyer për arsimin dhe shërbimin e tij ushtarak kur aplikoi për punë në vitin 2009.

    Sipas dokumenteve, ai kishte pretenduar rrejshëm se kishte shërbyer si pilot i Marinës amerikane, ndërsa deklarimet e tjera mbi arritjet e tij ushtarake dhe akademike rezultuan të pavërteta.

    Nuk është e qartë se si Rush arriti t’i kalonte kontrollet e sigurisë. Sipas The Washington Post, disa zyrtarë të CIA-s janë vendosur në pushim administrativ ndërsa agjencia po heton se si ai arriti të kalojë procesin e verifikimit.

    Qeveria amerikane ka argumentuar më herët se një pjesë e konsiderueshme e parave të përvetësuara ende nuk është gjetur, pretendim që është kundërshtuar nga avokati i Rush. /Telegrafi/

  • Houthët sulmuan aeroportin e Adenit me raketa balistike dhe dronë – shkatërrohet një raketë e tyre në veri të Riadit

    Houthët sulmuan aeroportin e Adenit me raketa balistike dhe dronë – shkatërrohet një raketë e tyre në veri të Riadit

    Houthët e Jemenit, të lidhur me Iranin, sulmuan Aeroportin Ndërkombëtar të Adenit me raketa balistike dhe dronë të mbushur me eksploziv në orët e para të së mërkurës, njoftoi Ministria e Transportit e Jemenit.

    Një raketë ra pranë pistës së aeroportit pak minuta para se të ulej një aeroplan nga Kajro, bëri të ditur ministria.

    Autoritetet anuluan uljen dhe e drejtuan aeroplanin drejt Xhedah, ndërsa dy aeroplanë që ndodheshin në pistë u larguan nga zona për shkak të frikës nga sulme të mëtejshme, shtoi ajo.

    Aeroporti Ndërkombëtar i Adenit është pika kryesore hyrëse ndërkombëtare për zonat e Jemenit që nuk janë nën kontrollin e Houthëve.

    Sulmet ndodhën ndërsa luftimet u intensifikuan në disa fronte në Jemen, pasi forcat qeveritare nisën një kundërofensivë kundër Houthëve.

    Forcat qeveritare të Jemenit, me mbështetjen ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, nisën këtë javë një ofensivë të shpejtë për të rimarrë bregdetin e Detit të Kuq rreth ngushticës strategjike Bab el-Mandeb dhe qytetit të Mokhas, duke i dëbuar Houthët nga zonat që ata kishin pushtuar muajin e kaluar.

    Ndërkohë, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite tha të mërkurën në mëngjes se kishte rrëzuar një raketë balistike në veri të Riadit të lëshuar nga milicia Houthi e mbështetur nga Irani në Jemen.

    “Një raketë balistike e lëshuar nga milicia terroriste Houthi në veri të qytetit të Riadit u kap dhe u shkatërrua”, tha zëdhënësi i koalicionit, gjeneralmajor Turki al-Malki. /Telegrafi/

  • Ronaldo zbuloi arsyen e largimit nga Portugalia, por tani rrezikon një dënim të rëndë

    Ronaldo zbuloi arsyen e largimit nga Portugalia, por tani rrezikon një dënim të rëndë

    Cristiano Ronaldo ka publikuar një deklaratë të ashpër, në të cilën ka shpjeguar arsyet që qëndrojnë pas përplasjes së tij me trajnerin e Portugalisë, Jorge Jesus, pas largimit nga grumbullimi i kombëtares pas fitores 2-1 ndaj Norvegjisë në Oslo.

    Ronaldo u largua nga grumbullimi i Portugalisë pas ndeshjes në Norvegji, pasi Jesus vendosi të mos e aktivizonte, ndonëse e kishte përfshirë në bankën rezervë.

    Pas takimit, Jesus pranoi se i kishte thënë Ronaldos se mund të futej në lojë, por më pas kishte vlerësuar se “nuk ishte momenti i duhur që Cris të hynte në fushë”.

    Më vonë u zhvillua një takim për të sqaruar situatën mes Ronaldos, Jesusit dhe presidentit të Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proençës. Pas kësaj, 41-vjeçari konfirmoi në rrjetet sociale se do të largohej nga grumbullimi i kombëtares.

    “Do t’u tregoj të gjithë portugezëve të vërtetën për arsyet që më shtynë të largohesha”, kishte deklaruar Ronaldo.

    Të martën, më 6 tetor, Ronaldo publikoi një deklaratë të gjatë, në të cilën bëri të qartë se mendonte se Jesus kishte shkelur besimin e tij në disa raste.

    Sipas raportimeve, problemi kryesor lidhej me vendimin e Jesusit për t’i thënë Ronaldos se nuk do të udhëtonte me skuadrën drejt Norvegjisë dhe Danimarkës për ndeshjet e dyta dhe të treta të kësaj pauze ndërkombëtare.

    Tani, Ronaldo mund të përballet edhe me pasoja disiplinore.

    Sipas mediumit portugez A Bola, kapiteni i Portugalisë rrezikon një pezullim nga një deri në gjashtë muaj, si dhe një gjobë financiare.

    Rregullorja disiplinore e Federatës Portugeze të Futbollit parashikon masa të ashpra për lojtarët që largohen nga grumbullimi i kombëtares pa leje.

    Në rregullore thuhet se një lojtar i grumbulluar që largohet ose mungon pa arsye të justifikuar nga stërvitja, ndeshja apo aktiviteti i kombëtares mund të dënohet me pezullim nga një deri në gjashtë muaj, ndërsa në rastin e një futbollisti profesionist parashihet edhe gjobë prej 500 deri në 1,000 euro.

    Një tjetër pikë e rregullores përcakton se mungesa ose largimi nga grumbullimi sjell edhe pezullimin automatik parandalues të lojtarit, sipas procedurave të përcaktuara./Telegrafi/

  • Rama uron Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen Presidente të Kosovës

    Rama uron Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen Presidente të Kosovës

    Kryeministri Edi Rama ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

    Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, kryeministri i shpreh mbarësi dhe suksese, duke theksuar se zgjedhja erdhi në një kohë sfiduese për Kosovën.

    “Urime të përzemërta akademikes së mirënjohur, zonjës Justina Shiroka – Pula, për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës, në një fazë stiduese per Kosoven dhe ne nje kohe stiduese për krejt rajonin tone e për vetë Europën.

    Mbarësi e sukses për ju dhe Kosovën zonja Presidente”, shkruan Rama. /Telegrafi/

  • Ura e re në Mitrovicë drejt përfundimit

    Ura e re në Mitrovicë drejt përfundimit

    Ura e re në Mitrovicë drejt përfundimit

    Punimet për ndërtimin e urës së re në Mitrovicë kanë hyrë në fazat e fundit të realizimit.

    Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, përfundimi i urës pritet të bëhet brenda afatit të paraparë, transmeton Klankosova.tv.

    “Ky investim do të rrisë sigurinë dhe efikasitetin në qarkullim, do të përmirësojë lidhjen ndërmjet zonave të qytetit dhe do të krijojë kushte më të mira për lëvizjen e qytetarëve, zhvillimin e bizneseve dhe aktivitetin ekonomik”, thuhet në njoftim.

  • Alaudin Hamiti ndan momente nga përgatitjet për sezonin e ri të BBVK: Xhirimet...

    Alaudin Hamiti ndan momente nga përgatitjet për sezonin e ri të BBVK: Xhirimet…

    Alaudin Hamiti ndan momente nga përgatitjet për sezonin e ri të BBVK: Xhirimet...

    Pak para nisjes së sezonit të ri të Big Brother VIP Kosova, prezantuesi Alaudin Hamiti ka ndarë me ndjekësit disa momente nga prapaskenat e përgatitjeve.

    Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Hamiti shfaqet në ambientet e studios, ku shihet ekipi duke punuar për realizimin e materialeve të reja të formatit, transmeton Klankosova.tv.

    “Xhirimet e klipeve mbaruan”, ka shkruar ai ndër të tjera.

    Të gjitha këto pamje kanë shtuar kureshtjen e publikut për atë që do të sjellë sezoni i ri i BBVK-së, i cili pritet të rikthehet me të reja dhe surpriza për shikuesit.

  • Veteranët falënderojnë popullin e Kosovës: Së bashku arritëm ta mbrojmë UÇK-në

    Veteranët falënderojnë popullin e Kosovës: Së bashku arritëm ta mbrojmë UÇK-në

    Veteranët falënderojnë popullin e Kosovës: Së bashku arritëm ta mbrojmë UÇK-në

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka falënderuar kategoritë e dala nga lufta dhe qytetarët për pjesëmarrjen dhe qëndresën e tyre në protestat në mbështetje të UÇK-së.

    Në reagimin e saj, OVL-UÇK ka vlerësuar kontributin e qytetarëve dhe të kategorive të dala nga lufta, duke theksuar se përmes protestës së përbashkët është synuar mbrojtja e vlerave dhe e figurës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

    “Të nderuara kategori të dala nga lufta e UÇK-së, të nderuar qytetarë. Me qëndresën tuaj, duke protestuar, arritëm së bashku ta mbrojmë UÇK-në. FALEMINDERIT PËR SHËRBIMIN NDAJ ATDHEUT!”, thuhet në reagim.

  • Ylli i “Harry Potter” zbulon arsyen pse iu bashkua OnlyFans

    Ylli i “Harry Potter” zbulon arsyen pse iu bashkua OnlyFans

    Aktorja britanike, Jessie Cave, e njohur për rolin e Lavender Brown në serinë e filmave “Harry Potter”, ka rrëfyer më shumë për vendimin e saj për t’iu bashkuar platformës OnlyFans, pasi u refuzua për një angazhim në aktrim.

    Cave tregoi se përmbajtja që publikon në platformë nuk është e natyrës seksuale.

    Sipas saj, përdoruesit paguajnë për ta parë teksa luan me flokët e saj apo për të komunikuar me të.

    Jessie Cave

    Ajo tha se kjo mundësi i ka ndihmuar financiarisht në një periudhë të vështirë dhe e ka përshkruar si diçka që, në një farë mënyre, “i shpëtoi jetën”.

    Aktorja tregoi gjithashtu se disa nga ish-kolegët e saj të “Harry Potter” e kanë mbështetur pas vendimit për t’iu bashkuar OnlyFans.

    Ajo përmendi Devon Murray, i cili luante Seamus Finnigan dhe Evanna Lynch, e njohur për rolin e Luna Lovegood.

    Cave tha se gjatë një konvente të “Harry Potter” ata diskutuan dhe bënë shaka rreth OnlyFans, ndërsa kolegët i dhanë edhe ide për përmbajtjen.

    Pavarësisht se përmbajtja e saj nuk është krijuar si material seksual, Cave pranoi se disa prej abonentëve mund ta shohin atë në këtë mënyrë.

    Shtoi se nuk i gjykon këta persona, duke theksuar se shumë njerëz në botë ndihen të vetmuar dhe kërkojnë dikë me të cilin mund të flasin, veçanërisht gjatë natës. /Telegrafi/

  • OVL e UÇK-së: Arritëm ta mbrojmë UÇK-në

    OVL e UÇK-së: Arritëm ta mbrojmë UÇK-në

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka falënderuar qytetarët dhe kategoritë e dala nga lufta për protestën.

    OVL e UÇK-së në një postim në Facebook shkruan se arritën së bashku ta mbrojnë UÇK-në.

    “Të nderuara kategori të dala nga lufta e UÇK-së, të nderuar qytetarë,

    Me qëndresën tuaj, duke protestuar, arritëm së bashku ta mbrojmë UÇK-në.

    Faleminderit për shërbimin ndaj atdheut!”, shkruan OVL e UÇK-së. /Telegrafi/