Author: Momenti

  • Shërbimet gjermane të spiunazhit ishin shënjestër e lehtë për një shtet armiqësor

    Shërbimet gjermane të spiunazhit ishin shënjestër e lehtë për një shtet armiqësor

    Arrestimi i ish-shefit të BND-së mund të tingëllojë alarmues, por krahu i inteligjencës së Berlinit prej kohësh është parë si shumë më pak i fuqishëm nga sa do të pritej.

    Burimi: The Telegraph
    Përkthimi: Telegrafi.com

    Modernizues, i aftë dhe i ashpër ndaj Rusisë. August Hanning konsiderohej të kishte të gjitha këto gjatë shtatë vjetëve të tij si kreu i inteligjencës gjermane.

    Tani, reputacioni profesional i këtij ish-shefi të spiunazhit, i cili e drejtoi homologun gjerman të MI6-it – të njohur si BND – nga viti 1998 deri më 2005, është rrënuar pasi u arrestua nën akuzën se dyshohet se i kishte kaluar informacion të klasifikuar një fuqie të huaj të paidentifikuar.

    Një ish-spiun i cili është habitur nga lajmi është Sir Richard Dearlove, kreu i MI6-it gjatë pothuajse gjithë kohës kur Hanningu ishte në detyrë. “E njihja shumë mirë”, thotë Dearlove. “Ishte i jashtëzakonshëm, një koleg i shkëlqyer. Ai e modernizoi BND-në dhe e zhvendosi nga Pulahu [në Bavari] në Berlin. Gëzonte respekt të madh”.

    Dearlove, i cili e pa Hanningun për herë të fundit në vitin 2004, shton se ish-kolegu i tij ishte “vërtet i ashpër ndaj Rusisë”, pavarësisht se ishte emëruar nga Gerhard Schröder – nga kancelari gjerman i njohur për qëndrimin e tij të butë dhe më vonë pro-Putin.

    Prokurorët pretendojnë se pasi u largua nga BND-ja, Hanningu arriti të siguronte nga një punonjës me emrin Manfred D – i cili më parë kishte drejtuar zyrën e tij – “afërsisht dy mijë dokumente, shumë prej të cilave përmbanin informacion të klasifikuar”.

    Manfred D më pas shërbeu si shef kabineti i pasardhësve të Hanningut në postin e presidentit të BND-së – nga viti 2012 e deri në këtë vit. Gjatë pjesës më të madhe të asaj kohe, Manfred D dyshohet se përdorte qasjen që ia mundësonte pozita e tij për ta furnizuar Hanningun me dokumente kundrejt parave.

    Sa i përket asaj që Hanning supozohet se ka bërë me këtë informacion, prokurorët thonë se ai “përdori informacione të klasifikuara të inteligjencës” për të “hartuar një analizë për një oficer të një shërbimi të huaj të inteligjencës”. Ata pretendojnë gjithashtu se Hanningu ishte në “kontakt të ngushtë me një përfaqësues të një tjetër shërbimi të huaj të inteligjencës”.

    E gjithë kjo ngre pyetjen: nëse ndonjëra prej këtyre akuzave vërtetohet në gjykatë, sa i madh do të ishte dëmi? Përgjigjja mund të jetë se rrjedhjet e informacionit nga BND-ja mund të jenë më pak të dëmshme nga sa mund të mendonit. Pse? Për arsyen e thjeshtë se Gjermania ka një peshë shumë më të vogël nga ajo që i takon në botën e inteligjencës.

    Për shkak të trashëgimive të kobshme të Gestapos dhe Stasit të Gjermanisë Lindore, BND-ja duhet të veprojë brenda një rrjeti të dendur kufizimesh ligjore. Një ish-zyrtar i tha The Economist-it se shërbimit i ndalohet të hyjë me forcë në ambiente ose të vërë në shënjestër komunikimet e “priftërinjve, avokatëve, mjekëve apo gazetarëve”.

    Kjo e bën BND-në më pak një agjenci klasike të inteligjencës jashtë vendit dhe më shumë një institut studimor. Ajo përqendrohet tek analiza dhe jo tek ajo që spiunët e quajnë “grumbullim” – detyra themelore e rekrutimit dhe drejtimit të agjentëve për të vjedhur sekrete në vende të tjera.

    Çfarëdo informacioni që Hanningu mund të ketë marrë nga ish-kolegu i tij, ai ndoshta do të kishte njohuri të brendshme mbi mënyrën e të menduarit të vetë qeverisë gjermane dhe mbi opsionet politike që po shqyrtonin udhëheqësit e vendit.

    Por, në çdo demokraci me media të lira, qeveria e zhvillon të paktën pjesërisht në publik procesin e saj të të menduarit, që do të thotë se informacioni në fjalë mund të mos ketë qenë veçanërisht befasues apo i ndjeshëm.

    Prokurorët lënë të kuptohet po aq kur pretendojnë se Hanningu i kishte “kaluar informacion politik” një shërbimi të huaj të inteligjencës. Çdo gazetë gjermane boton çdo ditë informacion politik për qeverinë e vendit.

    A ndajnë shërbimet e tjera perëndimore sekrete me BND-në e cila mund të jenë komprometuar? Është e arsyeshme të supozohet se ato do të kenë qenë shumë të kujdesshme me atë që u tregonin homologëve të tyre gjermanë, pasi BND-ja ka një histori të gjatë dhe të turpshme infiltrimi prej agjencive armiqësore.

    Mes shumë rasteve gjatë Luftës së Ftohtë, kreu i kundërspiunazhit të BND-së, Heinz Felfe, doli se punonte për Bashkimin Sovjetik, ndërsa një analiste e lartë me emrin Gabriele Gast – e cila e informonte personalisht Helmut Kohlin, asokohe kancelar – spiunonte për Gjermaninë Lindore.

    Madje, në vitin 2023, The Telegraph zbuloi një trajner futbolli me emrin Carsten Linke si agjent të dyshuar rus brenda BND-së. Ai tani po gjykohet.

    Duke pasur parasysh këtë histori, duket e pamundur që ndonjë informacion veçanërisht i ndjeshëm nga agjencitë e NATO-s të ketë rënë në duart e Hanningut.

    Nuk ka as ndonjë tregues se në shërbim të cilave vende Hanningu supozohet të ketë qenë. Kandidatët e qartë do të ishin Rusia, Kina dhe Irani, ndërsa dy të fundit do të ishin më të mundshëm nëse Hanningu ishte vërtet i ashpër ndaj Rusisë.

    Kina ka një oreks të pangopur për informacion pothuajse të çdo lloji, qoftë i klasifikuar apo jo. Por, për këdo që Hanningu mund të ketë punuar ose mund të mos ketë punuar, Gjermania është një vend ku arrestimi i një ish-shefi të spiunazhit është më pak alarmues nga sa mund të mendoni. /Telegrafi/

  • Vidhen televizorë dhe pajisje elektrike në një objekt në Prizren

    Vidhen televizorë dhe pajisje elektrike në një objekt në Prizren

    Vidhen televizorë dhe pajisje elektrike në një objekt në Prizren

    Policia ka raportuar për një rast vjedhjeje në Prizren, ku persona të panjohur dyshohet se kanë hyrë në një objekt dhe kanë marrë disa televizorë, kabllo elektrike si dhe materiale të tjera.

    Sipas raportimit, rasti është denoncuar më 6 tetor, ndërsa autorët e dyshuar ende nuk janë identifikuar, transmeton Klankosova.tv.

    Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar, ndërsa janë duke vazhduar veprimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e personave të përfshirë.

  • Haxhiu i uron mbarësi Shiroka-Pulës në detyrën e re si presidente e Kosovës

    Haxhiu i uron mbarësi Shiroka-Pulës në detyrën e re si presidente e Kosovës

    Haxhiu i uron mbarësi Shiroka-Pulës në detyrën e re si presidente e Kosovës

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka uruar akademiken Justina Shiroka-Pula me rastin e marrjes së detyrës së Presidentes së re të Republikës së Kosovës.

    Përmes një postimi, Haxhiu i ka dëshiruar presidentes së re mbarësi në ushtrimin e detyrës, në shërbim të vendit dhe qytetarëve, transmeton Klankosova.tv.

    “Uroj Presidenten e re të Republikës së Kosovës, akademiken Justina Shiroka Pula, dhe i dëshiroj shumë mbarësi në ushtrimin e detyrës së saj, në shërbim të vendit dhe të të gjithë qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu.

    Ajo ka vlerësuar se Kuvendi ka përmbyllur një proces të gjatë dhe të vështirë politik, duke arritur marrëveshje dhe duke gjetur zgjidhje institucionale.

    Haxhiu është shprehur gjithashtu për periudhën gjatë së cilës ka ushtruar detyrën e Presidentes, duke e cilësuar atë si një përgjegjësi të veçantë institucionale.

    “Për mua ka qenë një nder i veçantë të ushtroj detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës në një periudhë me përgjegjësi të mëdha institucionale. Këtë detyrë e kam ushtruar me respekt të plotë për institucionin dhe me përkushtim, duke u angazhuar që të ruhet vazhdimësia e funksionimit të shtetit deri në zgjedhjen e Presidentes së re”, ka deklaruar Haxhiu.

  • Messi rrëfen pse Argjentina nuk mundi ta mposhtë Spanjën në finalen e Botërorit

    Messi rrëfen pse Argjentina nuk mundi ta mposhtë Spanjën në finalen e Botërorit

    Lionel Messi ka vlerësuar paraqitjen e Argjentinës në Kupën e Botës 2026, ku “Albiceleste” arriti deri në finale, por u mposht nga Spanja, e cila në fund u shpall kampione e botës.

    Pas paraqitjes së tij të fundit me fanellën e Argjentinës, Messi ka folur për rrugëtimin e kombëtares në Botërorin 2026, duke u ndalur veçanërisht te humbja në finalen ndaj Spanjës.

    Kapiteni argjentinas ka mbrojtur paraqitjen e skuadrës së tij dhe ka hedhur poshtë çdo dyshim rreth rrugëtimit të Argjentinës drejt finales.

    “Në Botërorin e fundit arritëm në finale me aq sa na kishte mbetur, por luftuam deri në fund, ashtu siç kemi bërë gjithmonë”, u shpreh Messi.

    “U afruam shumë për ta fituar sërish dhe, pavarësisht gjithçkaje që u tha për ne, nuk ndodhi asgjë e çuditshme”.

    “Arsyeja për finalen ndaj Spanjës? Ndeshja kundër Anglisë na mori shumë energji, sepse dhamë absolutisht gjithçka”, shtoi ai.

    Sipas Messit, përballja e vështirë me Anglinë pati ndikim të madh në gjendjen fizike të Argjentinës para finales, pasi skuadra kishte shpenzuar shumë energji për të arritur deri në ndeshjen për titull.

    Megjithatë, pavarësisht zhgënjimit në finalen e vitit 2026, Messi e mbyll karrierën ndërkombëtare me një bilanc të jashtëzakonshëm.

    Ylli argjentinas udhëhoqi vendin e tij drejt triumfit në Kupën e Botës 2022, ndërsa gjatë viteve fitoi edhe disa trofe të Copa America, duke lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme me fanellën e Argjentinës./Telegrafi/

  • Kurti: Kosova ka presidente të re dhe institucione, do të punojmë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel

    Kurti: Kosova ka presidente të re dhe institucione, do të punojmë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas zgjedhjes së Justina Shiroka Pulës në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap drejt stabilitetit institucional të vendit.

    Kuvendi i Kosovës e zgjodhi Justina Shiroka Pulën presidente me 81 vota, në seancën e jashtëzakonshme të zhvilluar në orët e para të 7 tetorit.

    Po në të njëjtën seancë, deputetët miratuan me 88 vota ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Kurti theksoi se me zgjedhjen e presidentes së re, institucionet e Kosovës tashmë kanë siguruar vazhdimësinë e tyre.

    “Republika ka presidente të re, profesoreshën Justina Shiroka-Pula, Kosova ka institucione stabile”.

    Kurti u ndal edhe te ndryshimet ligjore që lidhen me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

    Ai tha se institucionet do të angazhohen për të mbështetur procesin e apelit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Kemi edhe ligjin me ndryshime për Dhomat dhe Prokurorinë e Specializuar në Hagë dhe do të punojmë bashkë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel”.

    Miratimi i ndryshimeve dhe zgjedhja e presidentes erdhën pas një marrëveshjeje të arritur në momentet e fundit mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.

    Ky kompromis mundësoi shmangien e një tjetër bllokade institucionale dhe të zgjedhjeve të parakohshme.

    Kryeministri falënderoi deputetët që morën pjesë në procesin e votimit, si dhe kreun e PDK-së, Bedri Hamza, për pranimin e propozimit për kandidaten presidenciale.

    “Falënderoj deputetët pjesëmarrës në votim, sikurse edhe kryetarin Hamza që pranoi propozimin. Shumë mund e përpjekje, për kompromisin në fund. Për Republikën e Kosovës!”

    Në përfundim, Kurti uroi presidenten e re dhe qytetarët e Kosovës për zgjedhjen e saj.

    “Urime presidentes së re dhe të gjithë qytetarëve”. /Telegrafi/

  • Shakira dhe Pique sërish në gjykatë - këngëtarja kërkon ndryshimin e marrëveshjes për kujdestarinë e djemve

    Shakira dhe Pique sërish në gjykatë – këngëtarja kërkon ndryshimin e marrëveshjes për kujdestarinë e djemve

    Shakira dhe Gerard Pique janë paraqitur sërish në gjykatë në Barcelonë për çështjen e marrëveshjes së kujdestarisë së dy djemve të tyre, Milan dhe Sasha.

    Këngëtarja kolumbiane ka kërkuar ndryshimin e mënyrës se si organizohen udhëtimet e fëmijëve mes Miamit dhe Barcelonës, ku ata kalojnë kohë me babanë e tyre.

    Shakira dhe Pique kishin arritur një marrëveshje për kujdestarinë pas ndarjes në vitin 2022, por tashmë këngëtarja kërkon që rregullat për udhëtimet ndërkombëtare të rishikohen.

    Foto: EPA-EFE

    Sipas përfaqësuesve të Shakirës, ajo nuk po kërkon që të zvogëlohet koha që Milan dhe Sasha kalojnë me Piquen.

    Synimi i saj është që barra e udhëtimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Spanjës të ndahet në mënyrë më të barabartë dhe të mos rëndojë vetëm mbi fëmijët.

    Në qendër të kërkesës është distanca e madhe mes Miamit, ku djemtë jetojnë me nënën e tyre, dhe Barcelonës, ku jeton Pique si dhe diferenca e orarit mes dy vendeve.

    Foto: EPA-EFE

    Për pushimet e shkurtra shkollore, Shakira kërkon që Pique të udhëtojë drejt Miamit për të takuar djemtë, në vend që ata të udhëtojnë drejt Barcelonës.

    Sipas ekipit të saj ligjor, kjo do t’u mundësonte fëmijëve të ruanin më mirë rutinën shkollore, shoqërore dhe familjare.

    Foto: EPA-EFE

    Avokatët e këngëtares theksojnë se kërkesa nuk ka për qëllim të kufizojë marrëdhënien e djemve me babanë, por vetëm të ndryshojë mënyrën se si organizohen vizitat.

    Ky zhvillim vjen gati katër vite pasi Shakira dhe Pique formalizuan marrëveshjen për kujdestarinë e Milanit dhe Sashas. /Telegrafi/

  • Goditet për vdekje një këmbësor në Viti

    Goditet për vdekje një këmbësor në Viti

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një këmbësor është goditur për vdekje në Viti.

    Rasti ka ndodhur të martën, në ora 14:45.

    “Viti, 06.10.2026 – 14:45. Është raportuar për një aksident trafiku në mes të një automjeti me ngasës mashkull kosovar dhe një këmbësor mashkull kosovar, ku si pasojë e aksidentit këmbësori ka ndërruar jetë”, thuhet në raport.

    I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. /Telegrafi/

  • Përplasen dy makina në zonën e Nartës, plagosen 5 persona të huaj

    Përplasen dy makina në zonën e Nartës, plagosen 5 persona të huaj

    Një aksident automobilistik është regjistruar në orën 6:45 të kësaj të mërkure në zonën e quajtur Jalë e Nartës, në lagjen “24 Maji” në Vlorë.

    Sipas raportimeve, në aksident janë përfshirë një mjet tip Fiat dhe një Volkswagen, i cili transportonte gjashtë persona. Mësohet se përplasja ka qenë e fortë, ndërsa pas përplasjes njëri prej automjeteve ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.

    Sipas informacioneve paraprake të policisë, pesë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e aksidentit. Dyshohet se të plagosurit janë shtetas të huaj, me origjinë indiane dhe afgane, të cilët në momentin e aksidentit po udhëtonin drejt vendit të tyre të punës. /Euronews.al/

  • Ndërpritet përkohësisht furnizimi me ujë në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” dhe në Varosh

    Ndërpritet përkohësisht furnizimi me ujë në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” dhe në Varosh

    Konsumatorët e rrugës “Vëllezërit Gërvalla” do të përballen sot me ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijshëm.

    Kështu ka njoftuar KRU “Bifurkacioni”, duke bërë të ditur se ndërprerja vjen si pasojë e vazhdimit të punimeve për zëvendësimin e ujëmatësve të vjetër me ujëmatës të rinj.

    Sipas njoftimit, furnizimi me ujë për konsumatorët e kësaj rruge pritet të rikthehet nga ora 16:00.

    Ndërkohë, punime për ndërrimin e ujëmatësve do të zhvillohen gjatë ditës së nesërme edhe në fshatin Varosh.

    KRU “Bifurkacioni” ka kërkuar mirëkuptimin e konsumatorëve gjatë zhvillimit të punimeve. /Telegrafi/

  • Rama: Fitoi zëri i popullit për drejtësi

    Rama: Fitoi zëri i popullit për drejtësi

    Rama: Fitoi zëri i popullit për drejtësi

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke përcjellë një mesazh për unitet dhe drejtësi.

    Rama ka publikuar një fotografi të shoqëruar me mbishkrimin: “NJË POPULL. NJË SHTET. NJË FLAMUR”.

    Në vijim të postimit, ai ka shkruar se “fitoi zëri i popullit për drejtësi”, ndërsa ka uruar që Kosovës t’i priftë e mbara.

    Rama e ka shoqëruar mesazhin me simbolin e flamurit kuqezi.