Author: Momenti

  • Klubet e Ligës Premier zgjedhin dënimin ideal për Man Cityn pasi u shpallën fajtor për 114 akuza

    Klubet e Ligës Premier zgjedhin dënimin ideal për Man Cityn pasi u shpallën fajtor për 114 akuza

    Disa klube të Ligës Premier kanë bërë të qartë se çfarë dënimi duan të marrë Manchester City, nëse vendimi i komisionit të pavarur që e shpalli fajtor klubin konfirmohet pas apelit.

    Pas një procesi të gjatë para komisionit të pavarur, Manchester City u shpall fajtor për 114 nga 115 akuzat e ngritura ndaj tij nga Liga Premier. Shkeljet lidhen me periudhën 2009-2018, gjatë së cilës klubi fitoi tri tituj të Ligës Premier.

    Javën e kaluar, Liga Premier publikoi gjetjet e komisionit, duke bërë të ditur se City kishte përdorur kontrata “fiktive” për të fryrë të ardhurat dhe për të ulur kostot.

    Komisioni konstatoi gjithashtu se Manchester City kishte organizuar skema të fshehura financimi me partnerë komercialë, në vlerë prej më shumë se 830 milionë euro.

    Për më tepër, City u shpall fajtor për të gjitha, përveç njërës, prej akuzave që lidhen me mosbashkëpunimin me hetimin e Ligës Premier. Komisioni deklaroi se “një numër dëshmitarësh të rëndësishëm të klubit dhanë dëshmi të rreme në aspekte kyçe”, ndërsa disa prej tyre dyshohet se kishin dhënë me vetëdije dëshmi të pavërteta dhe të pandershme.

    Tani, sipas BBC Sport, disa klube të Ligës Premier kërkojnë që Manchester City të përballet jo vetëm me një dënim për shkeljet financiare, por edhe me masa që do të preknin rezultatet e së kaluarës.

    Sipas një burimi, të paktën katër klube të Ligës Premier besojnë se një zbritje e vetme e pikëve, e cila me shumë gjasë do ta dërgonte Cityn në Championship, nuk do të ishte dënim i përshtatshëm për shkeljet e konstatuara.

    Një drejtues i lartë i një klubi të Ligës Premier i ka thënë BBC Sport se Manchester City duhet të privohet nga tri titujt e fituar në periudhën 2009-2018.

    Megjithatë, nuk ka ndonjë kërkesë që këta tituj t’u jepen klubeve të tjera.

    Manchester City vazhdon të këmbëngulë në pafajësinë e tij dhe më 1 tetor ka paraqitur ankesë ndaj vendimit. Klubi anglez pretendon se posedon një “tërësi gjithëpërfshirëse provash të pakundërshtueshme” që, sipas tij, e mbështesin qëndrimin e klubit./Telegrafi/

  • Zgjedhja e presidentes, avokati Arianit Koci i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

    Zgjedhja e presidentes, avokati Arianit Koci i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

    Avokati Arianit Koci ka njoftuar se ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese njoftimin për moszbatimin e aktgjykimit në rastet KO256/26 dhe KO258/26, që lidhen me procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

    Koci ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhej të përfundonte deri më 6 tetor 2026.

    Sipas tij, të dhënat publike tregojnë se votimi ka vazhduar edhe pas mesnatës.

    “Sot kam depozituar në Gjykatën Kushtetuese njoftimin për moszbatimin e aktgjykimit në rastet KO256/26 dhe KO258/26. Gjykata kishte përcaktuar qartë se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhej të përfundonte deri më 6 tetor 2026. Sipas të dhënave publike, votimi ka vazhduar edhe pas mesnatës. Gjykata në nenin 226 të aktgjykimit, e ka theksuar edhe pasojën juridike në rast se afati nuk respektohet: shpërndarja e Kuvendit. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme. Pa zbatimin e tyre, nuk ka shtet e shoqëri”, ka shkruar Koci. /Telegrafi/


  • Komuna e Malishevës hap thirrjen e dytë për mbështetjen e familjeve në nevojë

    Komuna e Malishevës hap thirrjen e dytë për mbështetjen e familjeve në nevojë

    Komuna e Malishevës ka hapur thirrjen e dytë publike për aplikim për familjet në nevojë, në kuadër të projektit për renovimin dhe rindërtimin e shtëpive për familjet e cenueshme.

    Sipas njoftimit të komunës, qëllimi i projektit është përmirësimi i kushteve të jetesës për familjet me të ardhura të ulëta, përmes ofrimit të mbështetjes financiare për renovimin ose rindërtimin e shtëpive private.

    Thirrja mbështetet nga Qeveria e Kosovës dhe Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës (BZHKE) dhe është pjesë e projektit “Banimi Social Adekuat”.

    Kush mund të aplikojë?

    Të drejtë aplikimi kanë familjet që përballen me kushte të rënda dhe rrethana të cenueshme të banimit, përfshirë:

    • familjet që jetojnë në shtëpi që nuk i plotësojnë kushtet e nevojshme për banim;
    • familjet me rrezik për shëndet ose dëmtim serioz të banesës;
    • familjet që jetojnë në shtëpi të shpronësuara, të shpërngulura ose të palegalizuara;
    • familjet që përballen me vështirësi të rënda ekonomike;
    • personat me aftësi të kufizuara;
    • viktimat e fatkeqësive natyrore ose të luftës së viteve 1998/99;
    • si dhe raste të tjera të veçanta që vlerësohen nga Komuna.

    Afati për aplikim

    Aplikimet mund të dorëzohen nga 6 deri më 20 tetor 2026, çdo ditë pune, nga ora 08:00 deri në 16:00.

    Formulari i aplikimit, së bashku me dokumentet e kërkuara, dorëzohet në Zyrën e Pritjes së Palëve, në objektin e ri të komunës, përkatësisht në Drejtorinë e Shërbimeve Publike.

    Dokumentet e kërkuara

    Aplikuesit duhet të dorëzojnë formularin e aplikimit, letërnjoftimin, deklaratën për bashkësinë familjare dhe dokumentacionin që dëshmon përkatësinë në një ose më shumë kategori të cenueshme.

    Po ashtu kërkohet certifikata e pronësisë së tokës ku do të bëhet renovimi ose rindërtimi, e lëshuar jo më herët se gjashtë muaj, ose dokument i noterizuar për disponueshmërinë e pronës. Në varësi të rastit, duhet të dorëzohet edhe leja e ndërtimit ose vërtetimi për procesin e legalizimit, si dhe fatura tatimore për vitin 2025.

    Dokumentet duhet të dorëzohen në zarf të mbyllur, ku duhet të shënohen emri i aplikimit – “Rindërtim” ose “Renovim” – emri dhe mbiemri i aplikuesit, adresa e vendbanimit dhe data e aplikimit.

    Për informata shtesë, qytetarët mund t’u drejtohen Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Malishevës. /Telegrafi/

  • Pesë të lënduar pas një aksidenti në Vlorë

    Pesë të lënduar pas një aksidenti në Vlorë

    Pesë të lënduar pas një aksidenti në Vlorë

    Një aksident automobilistik është regjistruar në orës 6:45, në zonën e quajtur Jalë e Nartës, në lagjen “24 Maji”, në Vlorë.

    Në aksident janë përfshirë një mjet tip Fiat dhe një Volkswagen, cili transportonte gjashtë persona.

    Përplasja ka qenë e fortë, ndërsa pas përplasjes njëri prej automjeteve ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, shkruan A2, transmeton Klankosova.tv.

    Sipas informacioneve paraprake të policisë, pesë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e aksidentit.

    Dyshohet se të lënduarit janë shtetas të huaj, me origjinë indiane dhe afgane, të cilët në momentin e aksidentit po udhëtonin drejt vendit të tyre të punës.

  • Sadiku: Dje ishte dita më e rëndë e karrierës sime politike, por Kosova fitoi

    Sadiku: Dje ishte dita më e rëndë e karrierës sime politike, por Kosova fitoi

    Sadiku: Dje ishte dita më e rëndë e karrierës sime politike, por Kosova fitoi

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, e ka cilësuar ditën e djeshme si një nga ditët më të vështira të karrierës së tij të shkurtër politike.

    Në një reagim të gjatë, Sadiku ka thënë se ishte i ndarë mes përgjegjësisë institucionale, drejtësisë, së kaluarës së LDK-së dhe dashurisë së tij për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por që siç tha ai, kishte zgjedhur të respektonte vendimin e përbashkët të partisë, transmeton Klankosova.tv.

    “Kam zgjedh me respektu vendimin e përbashkët të partisë. Jo vetëm pse është vendim, por sepse unë besoj në bashkëpunim. Besoj në grup. Besoj në organizim. Besoj përtej individit”, ka shkruar Sadiku.

    Ai ka thënë se e kishte parashikuar se do të përballej me kritika dhe ofendime, duke shtuar se pjesa më e vështirë për të është të jetojë me vendimet që merr.

    “Unë nuk dua me qenë politikan që e ndryshon bindjen sipas duartrokitjeve të ditës. As politikan që, kur vendimi është i vështirë, fshihet pas të tjerëve”, ka deklaruar ai.

    Sadiku ka marrë përgjegjësinë për qëndrimin e tij politik, duke theksuar se kishte vendosur të qëndronte me grupin e tij parlamentar dhe të mos ia atribuonte përgjegjësinë askujt tjetër.

    Megjithatë, sipas tij, kjo tashmë është dytësore, pasi, siç është shprehur, “dje Kosova fitoi”.

    “Dy partitë e para, përkundër krejt dallimeve mes tyre, bashkëpunuan. E gjetën një zgjidhje dhe institucioni mbeti. Kjo është më e madhe se unë. Më e madhe se një deputet, një votë apo një parti”, ka shkruar Sadiku.

    Në reagimin e tij, deputeti i LDK-së i është drejtuar edhe presidentes Justina Shiroka-Pulës, duke i uruar detyrën dhe duke i bërë thirrje që të përfaqësojë të gjithë qytetarët.

    “Prej dje nuk je Presidente e asnjë partie. Je Presidente e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

    Sadiku ka theksuar rëndësinë e kujtesës historike, veçanërisht të luftës së UÇK-së, viktimave dhe familjeve që, sipas tij, ende presin drejtësi.

    Ai ka bërë thirrje që vëmendja të jetë e orientuar edhe nga e ardhmja.

    “Historinë duhet me e mbajtë mend. Por nuk mundemi me jetu vetëm në të. Historia na tregon prej nga vijmë. Vizioni përcakton ku shkojmë”, ka shkruar Sadiku.

    “Republika mbetet”.

  • Videot intime: Adi Hila pranoi se dëmtoi hard-diskun, prokuroria e përfshin në hetim

    Videot intime: Adi Hila pranoi se dëmtoi hard-diskun, prokuroria e përfshin në hetim

    Videot intime: Adi Hila pranoi se dëmtoi hard-diskun, prokuroria e përfshin në hetim

    Është hedhur shorti në Prokurorinë e Tiranës për dosjen e video skandalit të kompozitorit Adi Hila.

    Sipas Top Channel, çështja do të hetohet nga prokurori Julian Xhengo.

    Sipas Hoxhës, në kuadër të kësaj çështjeje janë depozituar dy kallëzime në polici. Hila ka bërë kallëzim me pretendimin se është hakuar, ndërsa kallëzim ka bërë edhe këngëtarja Eli Fara, me pretendimin për shkelje të privatësisë.

    Mbi bazën e këtyre dy kallëzimeve, çështja lidhet me disa vepra penale, konkretisht hyrjen e paautorizuar kompjuterike, sipas kallëzimit të Hilës, si dhe përgjimin e paligjshëm të të dhënave kompjuterike dhe keqpërdorimin e pajisjeve kompjuterike, sipas kallëzimit të Eli Farës.

    Ditën e djeshme vetë aktorja Monika Lubonja ka bërë me dije se ka ngritur kallëzim penal ndaj Adi Hilës.

    Por, sipas informacioneve, Prokuroria ka shtuar në hetim edhe një vepër tjetër penale, atë të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

    Kjo lidhet me një veprim të kryer gjatë hetimeve paraprake. Sipas informacionit, policia ka tentuar të këqyrë hard-diskun, por pasi e ka sekuestruar, ka konstatuar se prova ishte e dëmtuar.

    Për këtë rrethanë, Hila ka deklaruar se e kishte shkatërruar vetë hard-diskun. Sipas tij, arsyeja ishte se nuk ishte i sigurt se nga vinte ndërhyrja dhe kishte frikë se mund të ndërhynin sërish dhe të merrnin të dhëna në distancë.

    Tashmë, pas hedhjes së shortit, hetimi i çështjes do të ndiqet nga prokurori Julian Xhengo në Prokurorinë e Tiranës.

    Kjo e fundit pas dokumentimit të çështjes, brenda pak orësh pritet t’ia lërë dosjen sërish policisë në dorë, duke i deleguar edhe detyrat përkatëse që ndihmojnë në hetimin e plotë të ngjarjes.

  • Rama uron Shiroka-Pulën: Mbarësi e sukses për ju dhe Kosovën

    Rama uron Shiroka-Pulën: Mbarësi e sukses për ju dhe Kosovën

    Rama uron Shiroka-Pulën: Mbarësi e sukses për ju dhe Kosovën

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar akademiken Justina Shiroka-Pulën pas zgjedhjes së saj Presidente e Republikës së Kosovës.

    Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama i ka përcjellë urimet e tij të përzemërta Shiroka-Pulës, duke theksuar se ajo merr këtë detyrë në një periudhë sfiduese për Kosovën, rajonin dhe Evropën.

    “Urime të përzemërta akademikes së mirënjohur, zonjës Justina Shiroka-Pula, për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës, në një fazë sfiduese për Kosovën dhe në një kohë sfiduese për krejt rajonin tonë e për vetë Europën”, ka shkruar Rama, transmeton Klankosova.tv

    Kryeministri shqiptar i ka uruar suksese presidentes së re dhe Kosovës.

    “Mbarësi e sukses për ju dhe Kosovën zonja Presidente”, ka përfunduar shefi i qeverisë shqiptare./Klankosova.tv

    Urime të përzemërta akademikes së mirënjohur, zonjës Justina Shiroka – Pula, për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës, në një fazë sfiduese për Kosovën dhe në një kohë sfiduese për krejt rajonin tonë e për vetë Europën.

    Mbarësi e sukses për ju dhe Kosovën zonja… pic.twitter.com/3UIqbYo1S7

    — Edi Rama (@ediramaal) October 7, 2026

  • Zgjedhja e presidentes, Hamza: Beteja për drejtësi të vazhdojë, çlirimtarët tanë s’do të jenë vetëm

    Zgjedhja e presidentes, Hamza: Beteja për drejtësi të vazhdojë, çlirimtarët tanë s’do të jenë vetëm

    Zgjedhja e presidentes, Hamza: Beteja për drejtësi të vazhdojë, çlirimtarët tanë s’do të jenë vetëm

    Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në vend, duke thënë se nata e mbrëmshme ishte e gjatë për Kosovën, por se ajo mund të shënojë edhe një kthesë drejt një rruge më të mirë për shtetin.

    Hamza ka shprehur besimin se, së bashku me shtetin dhe Presidenten e re, Justina Shiroka-Pulën, do të ketë një angazhim më të madh edhe për ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe betejën për drejtësi, të vërtetën dhe pastërtinë e luftës çlirimtare, transmeton Klankosova.tv.

    “Beteja për drejtësi në Hagë nuk mund të bëhet më vetëm nga individët, familjet, dashamirët dhe mbrojtësit e tyre, të cilët tash e gati gjashtë vjet po e bartin mbi supet e tyre peshën e rëndë të këtij procesi. Shteti ynë tani duhet të jetë pranë tyre, me të gjitha kapacitetet dhe përgjegjësitë që i takojnë”, ka shkruar Hamza.

    Ai ka falënderuar qytetarët që kanë protestuar në Prishtinë, në qytete të tjera të Kosovës dhe në diasporë, duke u bërë zë i ish-krerëve të UÇK-së dhe pjesë e rëndësishme e këtij procesi.

    Hamza ka theksuar se Kosovës i duhet një shtet që nuk harron dhe nuk dorëzohet përballë përpjekjeve për ta zbehur apo shtrembëruar të vërtetën për luftën çlirimtare.

    “Tani kemi një Deklaratë të Përbashkët të zotimit dhe vullnetit politik në Kuvend, një ligj për mbrojtjen e UÇK-së dhe kemi Presidenten e zgjedhur. Prandaj, pa përjashtim, presim koordinimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen e të gjithëve për këtë kauzë kombëtare”, ka deklaruar ai.

    Po ashtu ai ka bërë thirrje për bashkim dhe angazhim të përbashkët.

    “UÇK-ja na bashkoi në një vizion. Tani është koha që atë vizion ta shndërrojmë në një mision të përbashkët, me angazhim dhe vepra konkrete. Beteja jonë për drejtësi duhet të vazhdojë. Dhe në këtë betejë, çlirimtarët tanë nuk do të jenë vetëm. Duhet të jemi të gjithë bashkë!”, ka shkruar Hamza.

  • Zendaya rikthen një nga veshjet e saj të preferuara, por këtë herë e kombinon me xhinse

    Zendaya rikthen një nga veshjet e saj të preferuara, por këtë herë e kombinon me xhinse

    Zendaya tërhoqi vëmendje me paraqitjen e saj në sfilatën e Louis Vuitton për koleksionin pranverë 2027 në Paris.

    Shfaqja e shtëpisë së njohur franceze mbylli Javën e Modës në Paris, ndërsa stilisti Nicolas Ghesquiere kishte mbledhur një sërë emrash të njohur dhe ambasadorësh të markës.

    Mes të ftuarve ishin Saoirse Ronan, Emma Stone, Lisa dhe Zendaya, e cila u shfaq me një nga kombinimet më të spikatura të mbrëmjes.

    Foto: Instagram

    Aktorja kishte veshur një bluzë të bardhë dantelle, të cilën e kishte kombinuar në një mënyrë më të thjeshtë dhe moderne.

    Për ta bërë veshjen më pak teatrale, Zendaya e kishte kombinuar bluzën me një tjetër bluzë poshtë saj dhe një palë xhinse.

    Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte fakti se Zendaya nuk e kishte veshur për herë të parë këtë pjesë.

    Të njëjtën bluzë e kishte zgjedhur edhe në muajin korrik, kur mori pjesë në premierën e filmit “The Odyssey”.

    Zendaya u shfaq në humor të mirë në Paris, ku përshëndeti e buzëqeshi para gazetarëve dhe fansave, përpara se të hynte në sfilatën e Louis Vuitton.

    Paraqitja e saj mori shumë komente pozitive edhe në rrjetet sociale, ku fansat vlerësuan kombinimin e thjeshtë, por efektiv, si dhe modelin e ri të flokëve të aktores. /Telegrafi/

  • Vance: Irani duhet të reduktojë pasurimin bërthamor për t’i dhënë fund luftës

    Vance: Irani duhet të reduktojë pasurimin bërthamor për t’i dhënë fund luftës

    Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka deklaruar se Irani duhet të bëjë një reduktim “domethënës” të kapaciteteve të tij për pasurimin e uraniumit, nëse dëshiron t’i plotësojë kërkesat e SHBA-së dhe t’i japë fund luftës shtatë-mujore mes dy vendeve.

    Në një intervistë ekskluzive për Reuters, Vance tha se Uashingtoni nuk do të mjaftohet me premtime për reduktime të ardhshme, por kërkon masa konkrete nga Teherani.

    “Nëse nuk dëshironi armë bërthamore, atëherë pse ju nevojitet karburant i pasuruar në 60 për qind? Nëse dëshironi të tregoni përkushtim për të mos ndërtuar armë bërthamore, mos prodhoni karburant shumë të pasuruar”, tha Vance.

    Sipas tij, çdo marrëveshje e mundshme duhet të përfshijë një reduktim real të kapacitetit iranian për pasurim.

    “Ne nuk do t’i këmbejmë fjalët me veprime”, tha ai, transmeton Telegrafi.

    SHBA-ja dhe Irani kanë shkëmbyer gjatë javëve të fundit propozime për përfundimin e luftës dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.

    Presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar ofertën e fundit të Teheranit dhe ka paralajmëruar se operacionet ushtarake mund të intensifikohen pas zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor.

    Vance, i cili prej kohësh ka shprehur skepticizëm ndaj përfshirjes së SHBA-së në luftëra jashtë vendit, ka marrë rol të rëndësishëm në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje. Ai kishte ndërmjetësuar një marrëveshje të përkohshme paqeje në qershor, por ajo u shemb shpejt.

    Një tjetër vështirësi për negociatat, sipas Vance, është pasiguria e Uashingtonit rreth mënyrës se si merren vendimet në Teheran.

    Ai tha se SHBA-ja po zhvillon kontakte me presidentin iranian Masoud Pezeshkian dhe ministrin e Jashtëm Abbas Araqchi, por nuk është e qartë se sa autoritet kanë ata në strukturën e pushtetit iranian.

    Kjo pasiguri vjen pas sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite në fillim të luftës, në të cilat u vra lideri suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei.

    “Një nga gjërat që kemi kuptuar është se nuk është plotësisht e qartë se si merr vendime vendi i tyre”, tha Vance.

    Trump tha gjithashtu të martën se “problemi më i madh” është se askush nuk e di se kush po e drejton Iranin.

    Megjithatë, Ministria e Jashtme iraniane e ka kundërshtuar këtë pretendim. Zëdhënësi Esmaeil Baghaei tha se zyrtarët amerikanë e dinë se cilët janë homologët e tyre iranianë dhe si funksionon sistemi i vendimmarrjes në vend.

    Sipas tij, problemi qëndron te “qëndrimet kontradiktore dhe mesazhet e përziera” nga zyrtarët amerikanë.

    Vance tha gjithashtu se ka zhvilluar biseda me komandantë në terren për të vlerësuar situatën ushtarake. Ai hodhi poshtë shqetësimet për mungesa kritike të municioneve dhe tha se, ndonëse forcat iraniane janë herë pas here në gjendje të godasin anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit, ato kryesisht nuk janë në gjendje të pengojnë eksportet e energjisë përmes saj.

    Vance nuk pranoi të thoshte nëse ai vetë po udhëheq negociatat e paqes, megjithëse shpesh përmendet si negociatori kryesor i Shtëpisë së Bardhë.

    “Ne jemi padyshim të përfshirë. Në fund të fundit, presidenti i Shteteve të Bashkuara po i drejton gjërat”, tha ai.

    Lufta, e cila sipas Reuters i kushton SHBA-së rreth 3 miliardë dollarë në muaj, është shndërruar në një çështje të rëndësishme politike përpara zgjedhjeve të nëntorit.

    Rritja e çmimeve të energjisë ka vënë Trumpin dhe republikanët nën presion në shtetet ku gara për kontrollin e Kongresit pritet të jetë e ngushtë. Reuters ka raportuar se kostoja e jetesës dhe lufta me Iranin po ndikojnë gjithnjë e më shumë në fushatën zgjedhore.

    Vance është përpjekur të zbusë kritikat ndaj mënyrës se si Trump po e menaxhon konfliktin, duke u bërë thirrje votuesve të mos lejojnë që lufta të ndikojë në mbështetjen e tyre për kandidatët republikanë.

    Ai ishte në Alaska për të mbështetur senatorin republikan Dan Sullivan, i cili përballet me një garë të ngushtë për rizgjedhje kundër demokratës Mary Peltola.

    Gjatë tubimit, Vance u përqendrua veçanërisht te kostoja e jetesës dhe çmimet e energjisë, një çështje veçanërisht e ndjeshme në Alaska, ku distancat e mëdha rrisin kostot e mallrave dhe energjia është një sektor kyç i ekonomisë.

    Vance shihet si një prej kandidatëve kryesorë të mundshëm republikanë për të pasuar Trumpin në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, ai tha se ende nuk ka vendosur nëse do të kandidojë për president në vitin 2028.

    “Jam natyrshëm një person që i shtyn gjërat për më vonë. Nuk kam menduar shumë për këtë”, tha ai. /Telegrafi/