Author: Momenti

  • Dy burrat më të moshuar në botë festojnë ditëlindjet, shkëmbejnë urime

    Dy burrat më të moshuar në botë festojnë ditëlindjet, shkëmbejnë urime

    Dy burrat më të moshuar në botë, braziliani João Marinho Neto dhe australiani Ken Weeks, kanë shkëmbyer urime për ditëlindje.

    Neto mbush 114 vjeç, ndërsa Weeks 113 vjeç.

    Të lindur saktësisht një vit larg njëri-tjetrit, ata janë aktualisht burrat më të moshuar në botë, sipas LongeviQuest dhe Guinness World Records.

    Dy 100-vjeçarët kanë shkëmbyer fotografi ku secili mban një kartolinë me urime për ditëlindjen e tjetrit.

    Neto është burri më i moshuar në botë që nga nëntori i vitit 2024. Ai është gjithashtu braziliani më i moshuar i konfirmuar ndonjëherë.

    Ekspertët theksojnë se arritja e Neto-s është veçanërisht e rrallë. Vetëm nëntë burra në histori janë konfirmuar se kanë jetuar deri në moshën 114-vjeçare.

    Ndërkohë, gruaja më e moshuar në botë, britanikja Ethel Caterham, ka mbushur 117 vjeç disa muaj më parë. /Telegrafi/

  • Djali i Jakup Krasniqi: Kjo nuk është çështje politike, por e një populli

    Djali i Jakup Krasniqi: Kjo nuk është çështje politike, por e një populli

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Altin Krasniqi, i është bashkuar protestuesve që po qëndrojnë pranë objektit të Kuvendit të Kosovës.

    Krasniqi ka deklaruar se zhvillimet e sotme nuk duhet të trajtohen si përplasje mes partive politike, por si një çështje që, sipas tij, prek të gjithë qytetarët.

    “Kjo nuk është çështje politike, nuk është çështje e një partie, është çështje e një populli”, ka thënë Krasniqi.

    Ai ka kritikuar mënyrën e reagimit ndaj protestës, duke e cilësuar atë si të tepruar dhe brutale ndaj qytetarëve.

    “Prandaj, nuk duhet të kthehet kjo çështje dhe të luftohet sot kjo protestë në këtë mënyrë kaq brutale ndaj qytetarëve”, është shprehur deputeti i PDK-së.

    Krasniqi ka kërkuar që çështja të rikthehet në Kuvend dhe deputetët të marrin pjesë në seancë për të votuar ligjin.

    “Duhet me qenë në Kuvend, mos me kthy në çështje politike, duhet me qenë në Kuvend, me votu ligjin dhe me procedu me çështje të tjera”, deklaroi ai.

    Deputeti i PDK-së ka bërë gjithashtu thirrje për një reagim proporcional të Policisë ndaj protestuesve, duke theksuar se protesta po zhvillohet në mënyrë të qetë.

    “Protestuesit po bëjnë një protestë të qetë, prandaj mendoj që në mënyrë proporcionale me qenë edhe përgjigja e policëve”, ka deklaruar Krasniqi./Telegrafi.

  • Si ta dalloni një restorant të keq sapo hyni: Detajet që e tradhtojnë menjëherë

    Si ta dalloni një restorant të keq sapo hyni: Detajet që e tradhtojnë menjëherë

    Një restorant i mirë nuk ka pse të jetë i famshëm në rrjetet sociale apo të ketë enterier spektakolar. Shpesh, cilësia kuptohet që para se ta hapni menynë

    Ka disa detaje që mysafirët me përvojë dhe njerëzit e gastronomisë i vërejnë pothuajse menjëherë. Disa janë të dukshme, si higjiena, ndërsa të tjerat lidhen me sjelljen e stafit, atmosferën dhe mënyrën se si funksionon lokali.

    Prandaj, kur hyni për herë të parë në një restorant, mos u përqendroni vetëm te menyja. Shikoni përreth. Disa hollësi mund t’ju tregojnë shumë për përvojën që ju pret.

    Një restorant krejtësisht i zbrazët mund të jetë sinjal për kujdes

    Nëse gjatë drekës apo darkës restoranti është pothuajse bosh, është e natyrshme të pyesni veten pse. Një lokal pa mysafirë ndonjëherë mund të tregojë se diçka nuk shkon.

    Megjithatë, kjo nuk është dëshmi se restoranti është i keq. Mund të jetë hapur së fundmi, mund të keni ardhur në një orar jo të zakonshëm ose lokali ende nuk ka krijuar klientelën e vet.

    Por nëse restoranti është bosh dhe njëkohësisht duket i lënë pas dore, stafi është i painteresuar dhe atmosfera nuk është e këndshme, atëherë ka më shumë arsye për kujdes.

    Nga ana tjetër, popullariteti nuk garanton cilësi. Një restorant i qetë mund të jetë shumë i mirë, ashtu si një lokal plot me njerëz nuk do të thotë domosdoshmërisht ushqim apo shërbim cilësor, transmeton Telegrafi.

    Shikoni tualetin para se të porosisni

    Higjiena është një nga treguesit më të rëndësishëm. Një tualet i papastër, erërat e pakëndshme apo hapësirat e lëna pas dore nuk lënë përshtypje të mirë, veçanërisht në një vend ku përgatitet dhe shërbehet ushqimi.

    Një lëshim i vogël nuk do të thotë se i gjithë restoranti është problematik, por nëse shihni disa shenja neglizhence, ia vlen t’i merrni seriozisht.

    Pastërtia nuk tregon vetëm se sa kujdeset restoranti për pamjen përballë klientëve. Ajo mund të jetë edhe tregues i mënyrës së përgjithshme se si menaxhohen higjiena dhe organizimi i punës.

    Mënyra se si stafi e zgjidh një gabim tregon shumë

    Gabimet ndodhin edhe në restorantet më të mira. Kamerieri mund të sjellë pjatën e gabuar, porosia mund të vonohet ose fatura mund të ketë një pasaktësi.

    Më e rëndësishme është mënyra se si stafi reagon.

    Nëse gabimi pranohet dhe korrigjohet me mirësjellje, shumica e klientëve do ta kuptojnë. Problemi lind kur në vend të një kërkimfaljeje merrni justifikime, debat ose komente sarkastike.

    Kritikja gastronomike dhe kuzhinierja Kendi Hom ka theksuar se mënyra se si një restorant reagon ndaj gabimit të vet mund ta prishë të gjithë përvojën, edhe kur ushqimi është i mirë.

    Prandaj, kushtojini vëmendje komunikimit. Mirësjellja dhe gatishmëria për ta zgjidhur një problem shpesh tregojnë më shumë se një enterier i përsosur.

    Vëzhgoni edhe mënyrën se si trajtohen punonjësit

    Jo vetëm sjellja ndaj klientëve ka rëndësi. Shikoni edhe mënyrën se si stafi komunikon mes vete.

    Nëse punonjësit sillen me respekt, komunikojnë qetë dhe duken të organizuar, kjo është shenjë e mirë. Debatet, tensioni dhe atmosfera e pakëndshme mund të tregojnë se diçka nuk funksionon siç duhet.

    Edhe komentet e përsëritura në internet për kushte të këqija pune nuk duhen shpërfillur plotësisht. Natyrisht, një vlerësim negativ i vetëm nuk është i mjaftueshëm, por kur të njëjtat ankesa përsëriten nga burime të ndryshme, mund të ketë arsye për kujdes.

    Shumë influencues nuk janë domosdoshmërisht shenjë cilësie

    Rrjetet sociale kanë ndikim të madh në gastronomi dhe bashkëpunimet me influencues janë bërë të zakonshme.

    Por nëse pothuajse çdo rekomandim që gjeni për një restorant vjen nga bashkëpunime të paguara ose vizita të sponsorizuara, është e vështirë të kuptoni se sa objektive janë vlerësimet.

    Një fotografi perfekte e një pjate mund të duket joshëse, por nuk ju tregon domosdoshmërisht asgjë për shijen, madhësinë e porcionit, shërbimin apo sjelljen ndaj klientëve.

    Prandaj, është më mirë të kontrolloni disa burime, të lexoni komente të ndryshme dhe t’u kushtoni vëmendje vërejtjeve që përsëriten.

    Në fund, asnjë nga këto shenja nuk mjafton që një restorant të shpallet menjëherë i mirë ose i keq. Por kur bashkohen disa prej tyre – higjiena e dobët, stafi i painteresuar, atmosfera e pakëndshme dhe rekomandimet tepër të ngjashme në internet, ndoshta ia vlen të mendoheni edhe një herë para se të porosisni.

    Sepse një restorant i mirë nuk përcaktohet vetëm nga dekori i bukur dhe fotografitë në rrjetet sociale. Më e rëndësishmja është ajo që klienti përjeton pasi ulet në tavolinë. /Telegrafi/

  • Arrestohet nipi i Hashim Thaçit

    Arrestohet nipi i Hashim Thaçit

    Atdhe Thaçi është arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë protestës së zhvilluar në Prishtinë kundër mosvotimit të projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Pas arrestimit, Thaçi është deklaruar për media, duke e cilësuar rastin si padrejtësi.

    “Jam nip i Thaçit, padrejtësi e madhe!”, ka thënë ai.

    Thaçi ka deklaruar se zyrtari policor që e ka arrestuar është shoku i tij, ndërsa ka thënë se bëhet fjalë për një person që, sipas tij, është veteran i UÇK-së.

    “Shoku nuk vlen në këtë regjim. Është veteran, veterani po e arreston një person që i doli ballë”, është shprehur ai.

    Ai ka thënë se është ndaluar nga një ish-veteran i UÇK-së, pa ia bërë të ditur emrin.

    Atdhe Thaçi është djali i Gani Thaçit, vëllait të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili aktualisht po gjykohet në Hagë./Telegrafi/

  • Pas CNN, edhe Politico përjashtohet nga 'aeroplani i Trumpit'

    Pas CNN, edhe Politico përjashtohet nga ‘aeroplani i Trumpit’

    Shtëpia e Bardhë të hënën pas “bllokadës” së fundit të CNN ndaj mbulimit gazetaresk në Air Force One, refuzoi të lejojë Politico-n të hipë në aeroplanin presidencial.

    Një zëdhënës i Politico konfirmoi se medias iu ndalua hyrja në grupin e gazetarëve që mbulonin udhëtimet e Presidentit larg shtëpisë, gati një muaj pasi Presidenti Donald Trump njoftoi më 18 shtator se po “ndalon” Politico-n, CNN-in dhe MS NOW nga Shtëpia e Bardhë, një veprim që ekspertët ligjorë e kanë quajtur jokushtetues.

    Më pas, mediat ngritën një padi, duke pretenduar se ndalimi shkelte Amendamentin e Parë dhe të Pestë të Kushtetutës.

    Gjykatësi Timothy J. Kelly lëshoi një urdhër të përkohshëm duke i kërkuar administratës Trump të rivendoste kredencialet e gazetarëve.

    Që atëherë, Shtëpia e Bardhë e ka bllokuar vazhdimisht CNN-in nga udhëtimi me Air Force One në ditët kur ishte radha e saj për të përfaqësuar rrjetet televizive në ekipin e mbulimit.

    Tani, në ditën kur ishte radha e Politico-s për të përfaqësuar shtypin e shkruar në ekipin e mbulimit, është bllokuar edhe ajo. /Telegrafi/

  • Studimi ngre shqetësimin, paragjykimet po prekin edhe AI-në

    Studimi ngre shqetësimin, paragjykimet po prekin edhe AI-në

    Një studim i ri nga Universiteti i Limerick-ut ka zbuluar se paragjykimet gjinore të njerëzve shfaqen edhe në ndërveprimet me Al.

    Në eksperiment morën pjesë 189 persona, të cilët punuan me katër lloje asistentësh të AI-së.

    Dy prej tyre kishin pamje njerëzore: Johan, me paraqitje mashkullore, dhe Johanna, me paraqitje femërore.

    Të dy përdornin të njëjtën teknologji dhe kishin të njëjtat aftësi.

    Megjithatë, pjesëmarrësit i paguan Johanna-s rreth 10% më pak për të njëjtën punë që kryente Johan-i.

    Studimi tregon se mënyra se si projektohet një AI, përfshirë gjininë dhe pamjen e saj, mund të ndikojë në mënyrën se si njerëzit e perceptojnë dhe e shpërblejnë.

    Me rritjen e përdorimit të agjentëve të AI-së në vendin e punës, këto paragjykime mund të bëhen një çështje gjithnjë e më e rëndësishme. /Telegrafi/

  • Në Kamenicë nis fushata ndërgjegjësuese për kancerin e gjirit

    Në Kamenicë nis fushata ndërgjegjësuese për kancerin e gjirit

    Në Kamenicë ka nisur fushata ndërgjegjësuese në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, me qëllim informimin e qytetarëve për rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe zbulimit të hershëm të sëmundjes.

    Në kuadër të fushatës është organizuar edhe një marsh solidarizues me moton “Kontrollohu, për veten, për jetën!”, i cili ka nisur nga objekti i Komunës së Kamenicës dhe ka vazhduar përgjatë sheshit “Metush Krasniqi”.

    Në aktivitet kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, profesionistë shëndetësorë dhe qytetarë, përfshirë kryetarin e Kamenicës, Kadri Rahimaj, dhe zyrtarë të tjerë komunalë.

    Komuna ka bërë të ditur se përmes kësaj fushate synon të rrisë ndërgjegjësimin, veçanërisht te gratë, për rëndësinë e kontrolleve parandaluese dhe konsultimeve të rregullta mjekësore.

    Fushata është organizuar nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, në bashkëpunim me Zyrën e Kryetarit dhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Shaban Geci”. /Telegrafi/

  • Tahiri nga sheshi: Kurti dhe Vetëvendosje të kthehen në Kuvend dhe ta votojnë ligjin

    Tahiri nga sheshi: Kurti dhe Vetëvendosje të kthehen në Kuvend dhe ta votojnë ligjin

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, së bashku me Altin Krasniqin, djalin e ish-kryetarit të Kuvendit dhe njërit prej ish-krerëve të UÇK-së, Jakup Krasniqi, kanë qëndruar në sheshin ku po zhvillohet protesta lidhur me kërkesën për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Tahiri, në një deklaratë para gazetarëve, ka kritikuar përdorimin e gazit lotsjellës ndaj protestuesve, duke thënë se qytetarët po protestojnë në mënyrë dinjitoze dhe po kërkojnë miratimin e ligjit.

    “Është e papranueshme të përdoret gazi lotsjellës dhe të ushtrohet dhunë ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët me shumë dinjitet e krenari brohorasin ‘UÇK, UÇK’ dhe kërkojnë që të votohet ligji. Kjo është një kërkesë shumë e arsyeshme, e domosdoshme dhe e nevojshme në këtë kohë”, ka thënë Tahiri.

    Ai ka sqaruar se bashkë me Krasniqin ka qëndruar në shesh, ndërsa deputetët e tjerë të PDK-së ndodhen në Kuvend, në përputhje me, siç tha ai, kërkesën e qytetarëve që deputetët të qëndrojnë në institucion dhe të votojnë ligjin.

    “Jam bashkë me Altinin, kolegun tim. Kolegët e tjerë janë në Kuvendin e Kosovës, sepse kërkesa e qytetarëve të Kosovës ka qenë që deputetët të qëndrojnë në Kuvend sot dhe ta miratojnë ligjin në tërësi”, ka deklaruar Tahiri.

    Ai ka kujtuar se ligji është miratuar në lexim të parë, ndërsa ka kërkuar që i njëjti të votohet edhe në leximin e dytë.

    “Kërkesa jonë ka qenë që të votohet edhe në leximin e dytë. E propozuam mocionin, por nuk gjeti mbështetje. Kanë mbetur vetëm edhe disa orë dhe krejt ajo që po kërkojmë është që Vetëvendosja dhe Albin Kurti të kthehen në Kuvend dhe ta votojnë ligjin”, është shprehur Tahiri.

    Sipas tij, miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara duhet të trajtohet veçmas nga çështja e zgjedhjes së presidentit.

    “Ligji është obligim kombëtar i të gjithë neve, është obligim institucional dhe duhet sa më shpejt të kthehemi në Kuvend, ku do të qëndrojmë, dhe ta votojmë ligjin”, ka thënë ai.

    Tahiri ka kundërshtuar mundësinë që çështja e ligjit të lidhet me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se bëhet fjalë për dy çështje të ndryshme.

    “Çështja e presidentit nuk duhet të përdoret për ta krijuar një pazar politik dhe nuk duhet të lidhet me ligjin. Ligji është obligim kombëtar, ndërsa presidenti është përgjegjësi politike”, ka deklaruar Tahiri.

    Në fund, ai ka bërë thirrje për konsensus politik për zgjedhjen e presidentit, por ka përsëritur se prioritet, sipas tij, mbetet votimi i ligjit.

    “Është shumë e dobishme që në këto rrethana të gjendet konsensusi dhe të arrihet marrëveshja për zgjedhjen e presidentit. Mirëpo, e rëndësishme është që ligji të votohet”, ka përfunduar Tahiri./Telegrafi.

    roar-assets-auto.rbl.ms

  • Lajm i madh për Barcelonën, Raphinha drejt rinovimit me Barcelonën

    Lajm i madh për Barcelonën, Raphinha drejt rinovimit me Barcelonën

    Barcelona pritet të finalizojë këtë javë marrëveshjen e re me kapitenin Raphinha, i cili është pranë vazhdimit të kontratës me klubin deri në qershor të vitit 2030.

    Sipas “Tot Costa” të Catalunya Radio, sulmuesi brazilian ka arritur marrëveshjen për rinovimin, që do t’ia zgjasë kontratën aktuale edhe për dy vite, marrëveshja e tij aktuale me katalanasit skadon në vitin 2028.

    Rinovimi vjen pas një fillimi të shkëlqyer të sezonit për Raphinhën nën drejtimin e Hansi Flick. Braziliani ka realizuar 14 gola dhe ka dhuruar tri asistime në tetë paraqitje në të gjitha garat.

    Raphinha po ashtu kryeson aktualisht listën e golashënuesve në La Liga me 12 gola, duke konfirmuar peshën e tij në repartin ofensiv dhe rëndësinë që ka fituar në formacionin e Barcelonës.

    29-vjeçari e ka bërë të qartë edhe më herët dëshirën për të qëndruar për një kohë të gjatë në “Camp Nou”, madje duke shprehur synimin që ta mbyllë karrierën te Barcelona.

    Marrëveshja e re pritet ta mbajë Raphinhën në klub deri në moshën 33-vjeçare dhe përfaqëson një tjetër dëshmi të besimit të Barcelonës ndaj një lojtari që është shndërruar në një prej figurave kryesore të ekipit të Flick.

    Raphinha iu bashkua Barcelonës në vitin 2022 nga Leeds United dhe që prej atëherë është konsoliduar si një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës në fazën ofensive. /Telegrafi/

  • Siljanovska-Davkova: Çështja me Bullgarinë nuk mund të cilësohet as si bilaterale, as vetëm si problem me BE-në

    Siljanovska-Davkova: Çështja me Bullgarinë nuk mund të cilësohet as si bilaterale, as vetëm si problem me BE-në

    Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova vlerëson se çështja rreth integrimit evropian të Maqedonisë dhe kushtëzimet që lidhen me Bullgarinë nuk mund të kualifikohen as ekskluzivisht si çështje dypalëshe, as vetëm si problem midis vendit dhe Bashkimit Evropian.

    Në intervistë për Sitel, Siljanovska-Davkova u përqëndrua në takimin e fundit me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe mundësisë që BE-ja të ndërmjetësojë në bisedimet me Bullgarinë.

    Lidhur me mesazhet nga Brukseli për vazhdimin e bisedimeve me Sofjen, ajo përkujtoi se paraprakisht është parashtruar pyetja nëse mosmarrëveshja ishte dypalëshe apo bëhet fjalë për çështje në kuadër të marrëdhënieve me BE-në.

    “Kur thamë se çështja është e natyrës dypalëshe, pasi as në Planin e veprimit, e as më herët, nuk ka vërejtje nga vendet e tjera, askush nuk po kërcënon me veto, përkundrazi, theksohet nevoja për sistemin e meritës në evaluimin… Bullgaria thoshte se çështja nuk është dypalëshe, por se kemi të bëjmë me Bashkimin Evropian. E kam thënë shumë herë se nëse është kështu, atëherë le të negociojmë me Bashkimin Evropian”, tha Siljanovska-Davkova.

    Sipas saj, në situata të tilla ekzistojnë mekanizma në të drejtën evropiane, përfshirë nenin 7 të Marrëveshjes për Bashkimin Evropian, e cila parashikon mundësinë e kufizimit të të drejtave të caktuara të një shteti anëtar nëse vërtetohet shkelje serioze të parimeve dhe vlerave të BE-së.

    Megjithatë, presidentja theksoi se nevojitet dialog dhe shkëmbim i pikëpamjeve, por se problemi ose procesi nuk mund të cilësohet si ekskluzivisht dypalësh, ose si problem që kemi me Bashkimin Evropian.

    Lidhur me qëndrimet e përfaqësuesve evropianë për detyrimet e ndërmarra, Siljanovska-Davkova u përqëndrua në të drejtën kushtetuese evropiane dhe dokumentet themelore të BE-së.

    “Unë nuk jam vetëm presidente, por edhe profesoreshë. E njoh mirë të drejtën kushtetuese evropiane. Dhe atë që këto ditë i referohet znj. Jotova, presidentja e Bullgarisë, kur thotë se duhet të respektojmë parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian, janë pikërisht çështjet për të cilat po flas edhe unë. Është shkruar shumë qartë në Marrëvehsjen për BE-në, në Marrëveshjen e e Lisbonës, në Kartën për të drejtat fundamentale, se BE-ja do të respektojë identitetin kombëtar dhe kulturor, jo vetëm të anëtarëve të BE-së, por të të gjitha kombeve dhe shteteve”, tha Siljanovska-Davkova.

    Ajo shtoi se dokumentet evropiane parashikojnë edhe respektimin e strukturave kushtetuese dhe politike të shteteve.
    Siljanovska-Davkova vlerësoi se pikërisht këto parime duhet të merren parasysh në procesin e integrimit evropian të vendit, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje që lidhen me identitetin kombëtar dhe kulturor.

    Lidhur me kërkesën për ndryshime kushtetuese, presidentja tha se nuk mund të garantojë se ato do të miratohen.

    “Çfarë them unë kur më pyesin nëse do ta ndryshojmë Kushtetutën? Nuk mund të jap një garanci të tillë. Deputetët nuk më përfaqësojnë mua, i përfaqësojnë qytetarët dhe, si në çdo parlament evropian, ata votojnë sipas bindjeve të tyre”, tha Siljanovska-Davkova.

    Ajo pyeti se çfarë do të ndodh nëse sërish do të iniciohen ndryshimet kushtetuese, e deputetët nuk sigurojnë shumicën prej dy të tretave, si dhe shumicën e nevojshme të deputetëve nga komunitetet që nuk janë shumicë.