Author: Momenti

  • Haxhiu: Emergjenca e QKUK-së u mbush me protestues të lënduar

    Haxhiu: Emergjenca e QKUK-së u mbush me protestues të lënduar

    Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kritikuar Policinë e Kosovës për mënyrën e menaxhimit të protestës së zhvilluar të hënën në Prishtinë, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë.

    Haxhiu ka thënë se dhjetëra protestues, përfshirë të rinj dhe veteranë të UÇK-së, janë lënduar gjatë protestës.

    “Dhjetëra protestues të rinj e veteranë të UÇK-së, që morën plagë në luftën çlirimtare, sot u plagosën përsëri, kësaj here gjatë protestës”, ka shkruar Haxhiu.

    Ai ka pretenduar se Emergjenca e QKUK-së është mbushur me dhjetëra protestues të lënduar, ndërsa ka theksuar se, sipas tij, nuk janë parë pjesëtarë të Policisë së Kosovës duke kërkuar ndihmë mjekësore.

    Haxhiu ka kritikuar përdorimin e forcës nga policia, duke e cilësuar atë si joproporcional.

    “Përdorimi i forcës në mënyrë joproporcionale është i pajustifikuar dhe i papranueshëm”, ka deklaruar ai.

    Ish-deputeti i PDK-së ka thënë se protestuesit që, sipas tij, mbrojnë vlerat e UÇK-së respektojnë uniformën e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

    Në fund, Haxhiu ka akuzuar drejtuesit politikë për ndikim në veprimet e policisë.

    “Policia e Kosovës nuk duhet të veprojë me urdhra politikë të Xhelalit dhe Kurtit”, ka shkruar ai.

    Haxhiu ka theksuar se UÇK-ja është pjesë e historisë së Kosovës dhe se, sipas tij, sakrifica e saj nuk duhet të përdoret për të justifikuar dhunën ndaj qytetarëve./Telegrafi/

  • Haradinaj kërkon kthimin e deputetëve në Kuvend: Ikja e Kurtit dhe LVV-së është “dezertim”

    Haradinaj kërkon kthimin e deputetëve në Kuvend: Ikja e Kurtit dhe LVV-së është “dezertim”

    Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të rikthehen në Kuvendin e Kosovës dhe të votojnë në lexim të dytë Ligjin për Dhomat e Specializuara.

    Haradinaj e ka kritikuar largimin e deputetëve nga seanca, duke e cilësuar atë si “dezertim”, në një kohë kur vendi po përballet me protesta dhe tensione.

    “Kurti, deputetë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të gjithë deputetët të kthehen në Kuvend. Të votojmë ligjin për Dhomat e Specializuara në lexim të dytë dhe t’i kthehemi agjendës shtetërore, ashtu si na takon si deputetë”, ka deklaruar Haradinaj.

    Sipas tij, largimi nga Kuvendi në një situatë të tillë nuk është i arsyeshëm.

    “Ikja e Kurtit, ikja e Vetëvendosjes, fshehja është baras me dezertim sot. Dezertorët gjithmonë gjejnë arsye e motive, mbështeten apo fshihen pas shumë kauzave, por nuk është dita me ikë sot nga Kuvendi i Kosovës, kur i kemi edhe qytetarët në protesta”, është shprehur ai.

    Haradinaj ka kritikuar edhe përdorimin e gazit lotsjellës nga Policia e Kosovës gjatë protestave. Ai e ka cilësuar si të dënueshme situatën në të cilën, sipas tij, policia po përballet me qytetarët e vendit.

    “Fshehja e Kurtit edhe e Lëvizjes Vetëvendosje, përdorimi i policisë për t’i shpërndarë protestuesit me gaz lotsjellës dhe krijimi i një situate çfarë po e shohim në këtë qytet, kur Policia e Kosovës po përballet me vëllezër e motra të veta, me qytetarët e këtij vendi, është vërtet e dënueshme”, ka thënë Haradinaj.

    Ai u ka bërë thirrje deputetëve që të rikthehen në Kuvend dhe të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese.

    “Pra, në një situatë të tillë, ata që kanë ende ndërgjegje t’i bëjnë thirrje të kthehen në Kuvend. Ta votojmë Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe t’i kthehemi agjendës shtetërore”, ka deklaruar ai.

    Haradinaj ka vlerësuar se ndërprerja e seancës dhe largimi i deputetëve po ndodh në një moment kritik për vendin, duke pasur parasysh edhe afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

    “Nuk ka logjikë të ndërpritet seanca e të ikin deputetët kur kanë mbetur vetëm edhe pak më shumë se 24 orë nga afati kushtetues edhe për zgjidhjen e presidentit”, ka thënë Haradinaj.

    Në fund, ai ka përsëritur qëndrimin e tij se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve, duke thënë se këtë skenar e kishte paralajmëruar edhe më herët.

    “Është e vërtetë dhe e kam paralajmëruar gjithnjë se Kurti dhe Vetëvendosje po e çojnë vendin në zgjedhje”, ka deklaruar Haradinaj./Telegrafi.

  • Abrashi: Ligji për Specialen asnjëherë në rrezik- i ka 90 vota, presidenti nuk i ka 80 vota

    Abrashi: Ligji për Specialen asnjëherë në rrezik- i ka 90 vota, presidenti nuk i ka 80 vota

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, i ka cilësuar të pakuptueshme kushtëzimet e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.

    Abrashi ka thënë se LVV-ja asnjëherë nuk e ka lidhur çështjen e presidentit me votimin e ligjit.

    “Kurrë ne nuk e kemi lidhur çështjen e presidentit me votimin e ligjit”, ka deklaruar Abrashi.

    Sipas tij, çështja e presidentit është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga PDK-ja dhe afati për zgjedhjen e tij ka ardhur si rezultat i këtij procesi.

    “Vetë PDK e dërgoi në Kushtetuese çështjen e presidentit dhe data na erdhi si na erdhi”, ka thënë ai.

    Abrashi ka deklaruar se Ligji për Dhomat e Specializuara nuk ka qenë në rrezik dhe si dëshmi për këtë ka përmendur votimin e sotëm, ku projektligji mori 90 vota.

    “Ligji asnjëherë nuk ka qenë në rrezik, e pamë sot se ligji i mori 90 vota, presidenti nuk i ka 80 vota”, është shprehur Abrashi.

    Deputeti i LVV-së ka akuzuar PDK-në se po i manipulon ndjenjat e qytetarëve lidhur me këtë çështje.

    “Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në apel kërkon angazhim institucional”, ka deklaruar Abrashi./Telegrafi/

  • “Kisha frikë se mos ma vriste vajzën” – shqiptari përballet me grabitësin në një piceri në Zvicër

    “Kisha frikë se mos ma vriste vajzën” – shqiptari përballet me grabitësin në një piceri në Zvicër

    Një shqiptar është bërë hero në Villmergen të kantonit Aargau në Zvicër, pasi ndërhyri gjatë një grabitjeje në picerinë ku punon vajza e tij dhe arriti t’ia merrte thikën grabitësit.

    Ngjarja ka ndodhur të dielën në mbrëmje, kur një burrë i maskuar hyri në piceri dhe tentoi të grabiste paratë nën kërcënimin e thikës. Zelal Selimi ndodhej jashtë lokalit kur vërejti se çfarë po ndodhte brenda, raporton 20minuten.

    “Ia mora thikën që të mos ma vriste vajzën”

    “Hyra ngadalë brenda dhe ndërhyra për të kapur thikën që ai të mos e vriste vajzën time”, ka treguar Selimi për një televizion lokal.

    Ai rrëfeu se thika ndodhej vetëm rreth 40 deri në 50 centimetra larg kokës së vajzës së tij, ndërsa ajo kishte nisur të bërtiste: “Një thikë, një thikë!”.

    Selimi tregon se e kapi grabitësin për kyçi dhe ia përdrodhi krahun pas shpine, duke arritur më pas t’ia merrte thikën, transmeton Telegrafi.

    Grabitësi, i cili ishte i maskuar, kishte shkuar deri në pjesën e prapme të picerisë, pothuajse deri te furra e picave. Pas ndërhyrjes së Selimit, ai u largua nga lokali, ndërsa shqiptari e ndoqi jashtë.

    Autori më pas u largua me një skuter elektrik, por nuk arriti të largohej për shumë gjatë. Sipas Policisë Kantonale të Aargaut, një polic që nuk ishte në detyrë e ndaloi pak më vonë dhe e arrestoi.

    I dyshuari është një 36-vjeçar serb nga rajoni, i cili është marrë në paraburgim.

    Gjatë përleshjes me grabitësin, Selimi pësoi lëndime të lehta në të dyja duart.

    “Jemi të tronditur, ishte shumë e frikshme”, ka thënë ai.

    Vajza e tij, ndërkohë, ka deklaruar se ndërhyrja e babait të saj ishte vendimtare.

    “Për fat të mirë, babai im arriti ta zgjidhte situatën, sepse kur mbërriti policia, mund të kishte ndodhur tashmë një masakër”, ka thënë ai.

    Policia po heton nëse grabitësi e ka grabitur edhe Beckun

    Rasti ka ndodhur vetëm pak ditë pas një grabitjeje tjetër të armatosur në një furrë buke, ku gjithashtu ishte përdorur një thikë. Në atë rast, autori kishte ikur me para dhe nuk ishte kapur.

    Policia Kantonale e Aargaut po heton nëse dy grabitjet kanë lidhje me njëra-tjetrën. Autoritetet kanë bërë të ditur se kjo është ende pjesë e hetimeve./Telegrafi/

  • Përgatitni një tortë me çokollatë pa miell në gjysmë ore - një ëmbëlsirë që është e vështirë t'i rezistosh

    Përgatitni një tortë me çokollatë pa miell në gjysmë ore – një ëmbëlsirë që është e vështirë t’i rezistosh

    Nëse po kërkoni një ëmbëlsirë të thjeshtë që nuk kërkon shumë përbërës, torta me çokollatë pa miell mund të jetë një zgjedhje e shkëlqyer.

    Përgatitet nga disa përbërës bazë, dhe falë shijes së pasur të çokollatës, është i shkëlqyer për raste të ndryshme.

    Foto ilustruese

    Përbërësit:

    – 150 gram gjalpë

    – gjashtë vezë

    – 300 gram çokollatë e zezë

    – 200 gram sheqer

    -30 gram kakao

    – një lugë çaji kripë

    – ekstrakt vaniljeje

    Përgatitja:

    Së pari, ngrohni furrën në 180 gradë.

    Lyejeni një tavë për kek me diametër 24 centimetra me gjalpë ose shtrojeni me letër pjekjeje.

    Vendosni çokollatën dhe gjalpin në një tas dhe shkrijini në zjarr të ulët, duke i përzier herë pas here.

    Kur të kombinohen plotësisht, hiqeni përzierjen nga zjarri dhe lëreni të ftohet për pak kohë.

    Ndërkohë, ndani të verdhat nga të bardhat. Shtoni kakao, kripë, 100 gram sheqer dhe, nëse dëshironi, pak ekstrakt vaniljeje tek të verdhat.

    Rrihni gjithçka me një mikser, pastaj shtoni çokollatën e shkrirë dhe gjalpin dhe përzieni përsëri shkurt.

    Rrihni të bardhat e vezëve në një tas tjetër. Shtoni gradualisht 100 gramët e mbetur të sheqerit dhe rrihni derisa të formohen maja të forta.

    Pastaj shtoni me kujdes të bardhat e vezëve të rrahura në përzierjen e çokollatës.

    Përziejeni butësisht me një shpatull në mënyrë që përzierja të mbetet e ajrosur dhe uniforme.

    Transferojeni përzierjen në tavën e përgatitur dhe piqeni për rreth 30 minuta në 180 gradë.

    Kur të formohet një kore në sipërfaqe, përdorni një kruajtëse dhëmbësh për të kontrolluar nëse keku është pjekur.

    Nëse kruajtësja e dhëmbëve del pothuajse e thatë, hiqeni tortën nga furra dhe lëreni të ftohet para se ta servirni.

    Nëse dëshironi, mund ta servirni me manaferra të freskëta ose të gatuara, si dhe një top akullore vanilje. /Telegrafi/

  • Kur i zhvillon Kosova ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve dhe çfarë i nevojitet për pozitën e dytë?

    Kur i zhvillon Kosova ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve dhe çfarë i nevojitet për pozitën e dytë?

    Kosova i ka zhvilluar katër nga gjashtë ndeshjet e fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, ndërsa “Dardanët” tani kanë përpara edhe dy përballje që do të jenë vendimtare për pozitën e tyre përfundimtare në Grupin B3.

    Pas katër ndeshjeve të para, Kosova renditet në pozitën e dytë me pesë pikë, aq sa ka edhe Republika e Irlandës.Austria është lidere e grupit me tetë pikë, ndërsa Izraeli gjendet në vendin e fundit me dy pikë.

    Kosova e nisi këtë edicion me fitore në shtëpi ndaj Irlandës, duke triumfuar 1-0 në “Fadil Vokrri”.

    Mërgim VojvodaFoto/ Ridvan Slivova

    Më pas, skuadra e Franco Fodës u mposht 3-1 në udhëtim nga Austria, ndërsa në ndeshjen e tretë, të zhvilluar në Debrecen, barazoi pa gola me Izraelin.

    Ndeshjen e katërt “Dardanët” e zhvilluan sërish në shtëpi, ku përballë Austrisë morën një pikë pas barazimit 1-1.

    Kështu, në katër ndeshjet e para, Kosova ka marrë një fitore, dy barazime dhe një humbje, duke grumbulluar pesë pikë, dy nga këto ndeshje janë zhvilluar në shtëpi, ndërsa dy të tjera në udhëtim.

    Kosova-AustriaFoto/ Ridvan Slivova

    Dy ndeshjet e fundit

    Kosovës i kanë mbetur edhe dy ndeshje për ta përmbyllur fazën e grupeve. Fillimisht, më 14 nëntor, “Dardanët” do ta presin Izraelin në shtëpi, ndërsa tri ditë më vonë, më 17 nëntor, do të udhëtojnë për t’u përballur me Republikën e Irlandës.

    Këto dy ndeshje mund të përcaktojnë se cila skuadër do ta marrë pozitën e dytë në grup dhe rrjedhimisht do të vazhdojë rrugëtimin në fazën pasuese të Ligës së Kombeve.

    Për Kosovën, objektivi është i qartë: të marrë sa më shumë pikë në dy përballjet e fundit.Një fitore ndaj Izraelit do ta çonte skuadrën në tetë pikë dhe do t’i jepte një pozitë shumë më të mirë para ndeshjes së fundit në Dublin.

    Nëse “Dardanët” arrijnë t’i fitojnë të dyja ndeshjet, do ta mbyllnin fazën e grupeve me 11 pikë dhe do ta siguronin pozitën e dytë.

    Edhe një fitore dhe një barazim do ta çonin Kosovën në nëntë pikë, ndërsa në rast të një barazimi me Izraelin, ndeshja e fundit ndaj Irlandës do të merrte edhe më shumë peshë.

    Kombëtarja e KosovësFoto/ Ridvan Slivova

    Foda: Duhet t’i fitojmë të dyja ndeshjet

    Pikërisht rëndësinë e dy ndeshjeve të fundit e ka theksuar edhe përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, i cili ka bërë të qartë se objektivi i skuadrës është marrja e pikëve të plota.

    “Dy ndeshjet e radhës duhet t’i fitojmë për ta siguruar pozitën e dytë. Lojtarët tanë nuk kanë pasur shumë minuta në ekipet e tyre. Na duhet ritëm më i mirë i lojës dhe për këtë duhet që lojtarët të luajnë më shumë në ekipet e tyre”, ka thënë Foda.

    Përzgjedhësi gjerman ka vënë theks të veçantë edhe te ritmi i lojtarëve, pasi një pjesë e futbollistëve të Kosovës nuk po marrin minuta të mjaftueshme me klubet e tyre.

    Për Fodën, kjo është një çështje që mund të ndikojë edhe në paraqitjet e përfaqësueses.

    Në këtë situatë, dy ndeshjet e nëntorit do të jenë vendimtare. Kosova do të ketë avantazhin e fushës në përballjen me Izraelin, ndërsa ndaj Irlandës do të luajë në udhëtim.

    Kombëtarja e KosovësFoto/ Ridvan Slivova

    Renditja para dy ndeshjeve të fundit

    Në krye të Grupit B3 është Austria me 8 pikë, e ndjekur nga Kosova me 5, ndërsa Irlanda ka po ashtu 5 pikë, Izraeli është i fundit me 2 pikë.

    Kosova aktualisht e mban pozitën e dytë, por diferenca me Irlandën është minimale. Për këtë arsye, dy ndeshjet e fundit do të jenë vendimtare për “Dardanët”.

    Me Izraelin në shtëpi dhe Irlandën në udhëtim, Kosova i ka të qarta sfidat që e presin në dy ndeshjet e fundit.

    Fisnik Asllani dhe Edon Zhegrova Foto/ Ridvan Slivova

    Dy fitore do t’i siguronin një pozicion të favorshëm në garën për vendin e dytë, ndërsa çdo rezultat tjetër do ta mbante të hapur luftën për këtë pozitë deri në përfundim të fazës së grupeve. /Telegrafi/

    Standings provided by Sofascore
  • PDK: Qeveria të ndalë dhunën ndaj protestuesve dhe ta miratojë ligjin për mbrojtjen e UÇK-së

    PDK: Qeveria të ndalë dhunën ndaj protestuesve dhe ta miratojë ligjin për mbrojtjen e UÇK-së

    Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas tensioneve dhe përdorimit të forcës ndaj qytetarëve që po protestojnë për miratimin e ligjit për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në një reagim, PDK-ja ka dënuar atë që e ka cilësuar si përdorim të dhunës ndaj protestuesve dhe ka kërkuar nga institucionet shtetërore ndaljen e menjëhershme të çdo veprimi që, sipas saj, cenon të drejtën kushtetuese për protestë.

    PDK ka deklaruar se lufta e UÇK-së është pjesë e pandashme e historisë dhe identitetit të Kosovës, duke kërkuar që institucionet ta përmbyllin procesin e miratimit të ligjit që synon mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare.

    Sipas PDK-së, nuk ekziston ndonjë pengesë ligjore për miratimin e këtij ligji dhe këtë, sipas saj, e ka konfirmuar edhe Qeveria përmes opinionit të saj.

    “Zvarritja e mëtejshme është e pajustifikueshme dhe përbën shpërfillje të drejtpërdrejtë të kërkesës së qytetarëve”, thuhet në reagimin e partisë.

    PDK ka theksuar se protestuesit, përfshirë familjarë të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë, kanë një kërkesë të qartë dhe se institucionet duhet t’u përgjigjen përmes vendimmarrjes konkrete.

    Partia opozitare ka kritikuar veçanërisht masat e ndërmarra ndaj protestuesve, duke i cilësuar ato si “tërësisht joproporcionale dhe të papranueshme”.

    Sipas PDK-së, fakti që protesta ka qenë e qetë për 20 ditë e bën edhe më të pajustifikueshëm, sipas saj, përdorimin e forcës.

    “Qëndresa e qytetarëve nuk mund të trajtohet si kërcënim dhe as të përdoret si pretekst për ushtrim dhune”, thuhet në reagim.

    PDK ka ngritur shqetësimin edhe për mënyrën e përdorimit të institucioneve të sigurisë, duke akuzuar se ato po përdoren për qëllime politike dhe për të shtypur protestën e qytetarëve.

    “Është e papranueshme që institucionet e sigurisë po përdoren skajshmërisht për qëllime politike apo për ta shtypur me dhunë revoltën e arsyeshme të qytetarëve”, ka deklaruar PDK-ja.

    Në fund, PDK u ka bërë thirrje të gjitha grupeve parlamentare dhe deputetëve që, pa vonesë, ta përmbyllin procesin e miratimit të ligjit për mbrojtjen e UÇK-së.

    Sipas kësaj partie, përgjegjësia institucionale në situatën aktuale kërkon vendimmarrje, respekt ndaj qytetarëve dhe mbrojtje të dinjitetit të veteranëve dhe pjesëtarëve të luftës së UÇK-së./Telegrafi.

  • Takimi i SHBA-së me 5 vende evropiane 'ngre shqetësime' brenda NATO-s

    Takimi i SHBA-së me 5 vende evropiane ‘ngre shqetësime’ brenda NATO-s

    Takimet mes zyrtarit të lartë të Mbrojtjes amerikane, Elbridge Colby, dhe pesë vendeve evropiane kanë ngritur shqetësime se një format i tillë mund të krijojë ndarje brenda NATO-s.

    Grupi, i njohur si “Bergen Group”, përfshin Suedinë, Finlandën, Poloninë, Gjermaninë dhe Holandën.

    Britania, Franca dhe shtetet baltike nuk janë pjesë e tij.

    Ekspertë të NATO-s paralajmërojnë se krijimi i grupeve të veçanta mund të krijojë përshtypjen se SHBA-ja po favorizon disa aleatë ndaj të tjerëve.

    Sipas tyre, kjo bëhet veçanërisht e ndjeshme ndërsa Uashingtoni po kërkon që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit.

    NATO, ndërkohë, e ka minimizuar rëndësinë e takimeve, duke thënë se është normale që aleatët të zhvillojnë takime në formate më të vogla.

    Mungesa e vendeve baltike është veçanërisht e dukshme, pasi ato janë ndër anëtarët që shpenzojnë më shumë për mbrojtjen dhe ndodhen në vijën e parë përballë Rusisë.

    Ndërkohë, Lituania ka ftuar Colby-n të vizitojë rajonin për të parë nga afër shkeljet e hapësirës ajrore dhe incidentet e fundit që autoritetet i lidhin me kërcënimet hibride nga Rusia dhe Bjellorusia. /Telegrafi/

  • Rowan Atkinson rikthehet në skenë pas 40 vitesh

    Rowan Atkinson rikthehet në skenë pas 40 vitesh

    Aktori dhe komediani britanik, Rowan Atkinson, i njohur në mbarë botën për personazhet Mr. Bean dhe Blackadder, do të rikthehet në West End me një spektakël të ri humoristik.

    “Rowan Live” do të zhvillohet në Gillian Lynne Theatre në Londër, me 30 shfaqje nga 8 shkurti deri më 13 mars 2027.

    Programi do të përfshijë disa nga skeçet dhe personazhet më të njohura të karrierës së tij, por edhe materiale të reja të përgatitura posaçërisht për këtë rikthim.

    Rowan

    Për Atkinson, ky është rikthim te formati me të cilin nisi karrierën.

    Shfaqja e fundit me skeçe në West End ishte “The New Revue” në vitin 1986, teksa në skenën e West End-it ai u rikthye për herë të fundit në vitin 2013.

    Në këtë projekt do të ribashkohet me bashkëpunëtorët e tij të hershëm Richard Curtis, Ben Elton dhe Howard Goodall.

    Shfaqja do të drejtohet nga Raz Shaw, ndonëse muzika është kompozuar nga Goodall.

    Publiku do të ketë mundësi të shohë sërish personazhe si Mr. Bean dhe Edmund Blackadder si dhe skeçe nga “Not the Nine O’Clock News”, krahas materialeve të reja.

    Vetë Atkinson ka thënë se pas 40 vitesh mendoi se do të ishte kënaqësi të rikthehej te skeçet me të cilat nisi gjithçka për të dhe Richard Curtis.

    Biletat dalin në shitje më 7 tetor në orën 09:00, gjersa shitja e përgjithshme nis po atë ditë në mesditë. /Telegrafi/

  • Alvarez rikthehet te goli me Argjentinën, ndërsa vlera e tij bie për 10 milionë euro

    Alvarez rikthehet te goli me Argjentinën, ndërsa vlera e tij bie për 10 milionë euro

    Julian Alvarez ka gjetur golin e parë të sezonit me fanellën e Argjentinës, duke shënuar në fitoren 7-0 ndaj Burkina Fasos më 3 tetor.

    Ky gol i jep sulmuesit të Atletico Madridit një shtysë të rëndësishme pas një fillimi të vështirë të sezonit në nivel klubesh.

    Sulmuesi 26-vjeçar ka pasur pak hapësirë në formacionin e Diego Simeones në javët e para të sezonit.

    Në tri ndeshjet e para të La Ligës, Alvarez grumbulloi vetëm 83 minuta, duke u aktivizuar gjithmonë nga stoli, përpara se një mbingarkesë muskulore ta linte jashtë sfidave ndaj Real Sociedadit dhe Osasunës.

    Ai u rikthye në derbin ndaj Real Madridit, por sërish e nisi ndeshjen nga pankina dhe u aktivizua për rreth 30 minutat e fundit. Atletico triumfoi 2-1, por argjentinasi nuk arriti të regjistronte gol apo asistim.

    Situata e tij në Madrid vjen pas një vere të trazuar, gjatë së cilës Barcelona tentoi ta transferonte.

    Klubi katalanas paraqiti një ofertë prej 100 milionë eurosh dhe synoi ta mbyllte marrëveshjen gjatë muajit korrik, por Atletico Madrid refuzoi të negocionte largimin e sulmuesit.

    Madje, presidenti i klubit, Miguel Angel Gil Marin, kishte deklaruar se Atletico nuk do të pranonte oferta prej 100, 150 apo as 200 milionë eurosh për Alvarez.

    Argjentinasi ka kontratë me klubin madrilen deri në qershor të vitit 2030, ndërsa klauzola e lirimit të tij është 500 milionë euro.

    Gjatë verës, Alvarez kishte shprehur dëshirën për të kaluar te Barcelona, por transferimi nuk u realizua dhe ai u rikthye në projektin e Simeones. Ndërkohë, edhe vlera e tij në treg ka pësuar rënie, nga 120 në 110 milionë euro, sipas përditësimit të fundit të Transfermarkt.

    Kjo është një tjetër shenjë e një fillimi sezoni nën pritshmëri për sulmuesin, i cili në shtatë javët e para të sezonit të kaluar kishte shënuar gjashtë gola në La Liga.

    Goli ndaj Burkina Fasos mund të shërbejë si pikënisje për një rikthim të Alvarez në formën e tij më të mirë.

    Tashmë, objektivi i tij është ta bartë këtë moment pozitiv edhe te Atletico Madrid dhe të fitojë më shumë minuta në formacionin e Simeones. /Telegrafi/