Author: Momenti

  • Protesta e tensionuar në Prishtinë - Policia del me njoftim

    Protesta e tensionuar në Prishtinë – Policia del me njoftim

    Policia e Kosovës ka njoftuar se protesta e zhvilluar të hënën përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës ka vazhduar edhe gjatë orëve të mbrëmjes, duke bërë që situata të tensionohet.

    Sipas Policisë, një grup protestuesish kanë hedhur vazhdimisht gjësende të ndryshme, mjete piroteknike dhe fishekzjarre në drejtim të objekteve shtetërore. Policia thotë se protestuesit kanë tentuar gjithashtu të pengojnë daljen e deputetëve dhe personaliteteve nga ndërtesa e Kuvendit, ndërsa disa prej tyre janë detyruar të kthehen sërish brenda.

    Policia ka bërë të ditur se gjatë protestës u kanë bërë thirrje vazhdimisht pjesëmarrësve që të protestojnë në mënyrë të qetë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të mos pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve.

    “Përderisa protesta vazhdonte të mbahej pranë objekteve shtetërore, një grup i caktuar i personave në protestë, në shenjë pakënaqësie për mosvotimin e ligjit për Specialen, në vazhdimësi kanë hedhur gjësende të ndryshme, mjete piroteknike e fishekzjarre drejt objekteve shtetërore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Sipas autoriteteve policore, për shkak të hedhjes së vazhdueshme të mjeteve piroteknike, pengimit të qarkullimit dhe rrezikut për dëmtimin e objekteve shtetërore, zyrtarët policorë janë detyruar të ndërmarrin masa për vënien e situatës nën kontroll.

    Policia ka përdorur gaz lotsjellës, duke thënë se kjo është bërë për të mundësuar daljen e deputetëve dhe personave të tjerë nga Kuvendi dhe për të rikthyer rendin publik.

    Situata është përshkallëzuar edhe me djegien e disa kontejnerëve të mbeturinave dhe ndezjen e zjarreve në rrugë. Sipas Policisë, këto veprime kanë shkaktuar dëme materiale.

    Megjithatë, Policia ka bërë të ditur se deri në momentin e publikimit të njoftimit nuk është raportuar për ndonjë lëndim serioz të personave.

    Policia e Kosovës ka theksuar se njeh të drejtën e qytetarëve për protestë dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë paqësore dhe demokratike, ndërsa ka apeluar te protestuesit që të respektojnë ligjin, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të mos pengojnë lirinë e lëvizjes.

    Sipas Policisë, përderisa protesta vazhdon, njësitet policore do të mbeten në terren për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtjen e qytetarëve dhe objekteve shtetërore, si dhe për mbarëvajtjen e protestës./Telegrafi.

  • ​Haziri: Policia me urdhër të Xhelal Sveçlës po sulmon protestuesit

    ​Haziri: Policia me urdhër të Xhelal Sveçlës po sulmon protestuesit

    Organizatori i protestës para Kuvendit të Kosovës, Çlirim Haziri, ka akuzuar ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, se i ka dhënë urdhër Policisë së Kosovës për të ndërhyrë ndaj protestuesve që po kërkojnë miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Hagë.

    Deklarata e Hazirit është bërë gjatë protestës, në momentin kur Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve.

    “Përveç që kanë heshtur deri sot, sot edhe na sulmuan, na goditën. Këta policë që sot janë në numër më shumë se ne, dje ishin shumë pak e ne ishim shumë, por i ruajtëm si sytë e ballit. Sot këta morën urdhër prej Xhelal Sveçlës”, ka deklaruar Haziri.

    Haziri ka kërkuar nga deputetët që të votojnë në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke kundërshtuar lidhjen e kësaj çështjeje me zgjedhjen e presidentit.

    Sipas tij, miratimi i ligjit nuk duhet të kushtëzohet me marrëveshje apo pazare politike.

    “Politika jonë, përfaqësuesit tanë kanë zgjedhur të mos e kenë ligjin për prioritet, por me ligjin e UÇK-së të kushtëzojnë pozicionet e tyre politike”, ka thënë ai, duke u bërë thirrje deputetëve që të mos e lidhin votimin e ligjit me poste politike.

    Haziri ka deklaruar gjithashtu se protestuesit do të qëndrojnë para Kuvendit dhe do të tentojnë të pengojnë largimin e deputetëve pa u miratuar ndryshimet ligjore.

    Ndërkohë, gjatë protestës situata është tensionuar, ndërsa Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës pas hedhjes së mjeteve piroteknike dhe pengimit të lëvizjes pranë objektit të Kuvendit.

    Më herët, Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, me 91 vota për dhe asnjë kundër. Për miratimin përfundimtar të tij kërkohet votimi në lexim të dytë./Telegrafi.

  • Meningjiti mund të marrë jetë brenda 24 orësh: Këto janë simptomat alarmuese

    Meningjiti mund të marrë jetë brenda 24 orësh: Këto janë simptomat alarmuese

    Temperatura, dhimbja e kokës dhe ngurtësimi i qafës janë ndër simptomat kryesore, por jo çdo pacient i ka të gjitha. Forma bakteriale kërkon trajtim urgjent

    Temperatura e lartë, dhimbja e fortë e kokës dhe ngurtësimi i qafës janë ndër shenjat kryesore, por jo çdo pacient i ka të gjitha simptomat. Meningjiti bakterial është forma më e rrezikshme dhe kërkon trajtim urgjent

    Meningjiti mund të përparojë shumë shpejt dhe, në rastet më të rënda, të marrë jetë brenda më pak se 24 orësh. Pikërisht për këtë arsye, Dita Botërore e Meningjitit, e cila shënohet më 5 tetor, këtë vit përcillet me mesazhin “Tani është koha për veprim”, duke vënë theksin te parandalimi, njohja e hershme e sëmundjes dhe trajtimi në kohë.

    Meningjiti është inflamacion i meningjeve, përkatësisht i membranave që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore. Ai mund të shkaktohet nga bakteret, viruset, kërpudhat dhe parazitët, por edhe nga disa gjendje jo-infektive.

    Ndër format më të shpeshta, më i rrezikshmi është meningjiti bakterial. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, afërsisht një në gjashtë persona të prekur vdes, ndërsa rreth një në pesë përballet me komplikime të rënda.

    Cilat simptoma mund të tregojnë meningjit?

    Simptomat klasike te të rriturit janë temperatura e lartë, dhimbja e kokës dhe ngurtësimi i qafës, por është e rëndësishme të dihet se jo çdo person i prekur i ka domosdoshmërisht të tria këto shenja.

    Mund të shfaqen edhe:

    • ndjeshmëri ndaj dritës;
    • të përziera ose të vjella;
    • konfuzion;
    • përgjumje e theksuar ose vështirësi për t’u zgjuar;
    • humbje e oreksit.

    Dhimbja e kokës mund të jetë shumë e fortë dhe të përhapet drejt shpinës, por te disa persona mund të jetë edhe e lehtë. Për këtë arsye, nuk duhet pritur që dhimbja të bëhet e fortë nëse janë të pranishme edhe simptoma të tjera që mund të lidhen me meningjitin.

    Te foshnjat, shenjat mund të jenë të ndryshme dhe të përfshijnë fryrjen e fontanelës, ushqyerje të dobët, nervozizëm, përgjumje, vështirësi për t’u zgjuar dhe reagime jashtëzakonisht të dobëta ndaj stimujve, transmeton Telegrafi.

    Foto: FabrikaPhoto

    Si trajtohet meningjiti?

    Trajtimi varet nga shkaktari. Meningjiti bakterial kërkon dhënie urgjente të antibiotikëve, ndërsa te meningjiti i shkaktuar nga kërpudhat përdoren antimykotikët.

    Terapia antivirale përdoret në disa infeksione virale, ndërsa pjesë e trajtimit mund të jenë edhe kortikosteroidet, barnat kundër dhimbjes dhe lëngjet intravenoze.

    Meningjiti viral, në disa raste, mund të kalojë brenda rreth një jave, por pa ekzaminim mjekësor nuk mund të përcaktohet shkaktari i simptomave. Për këtë arsye, çdo dyshim për meningjit kërkon ndihmë urgjente mjekësore.

    A mund të mbeten pasoja të përhershme?

    Meningjiti mund të shkaktojë humbje të dëgjimit ose shikimit, probleme me kujtesën dhe të menduarit, çrregullime të lëvizjes dhe kriza epileptike, ndërsa ndër komplikimet më serioze është edhe sepsa.

    Vetë meningjiti nuk transmetohet si i tillë nga një person te tjetri, por disa prej baktereve dhe viruseve që e shkaktojnë atë mund të përhapen nga njeriu te njeriu.

    A mund të parandalohet meningjiti?

    Nga disa prej shkaktarëve të meningjitit bakterial është e mundur të mbrohemi përmes vaksinimit. Në Serbi, vaksinat kundër sëmundjeve të shkaktuara nga pneumokoku dhe bakteri Haemophilus influenzae tipi b (Hib) janë pjesë e kalendarit të detyrueshëm të imunizimit të fëmijëve, ndërsa vaksina kundër meningokokut aplikohet sipas indikacioneve të caktuara.

    Megjithatë, vaksina nuk ekziston kundër të gjithë shkaktarëve të meningjitit. Një prej tyre është edhe virusi i Nilit Perëndimor, i cili transmetohet përmes pickimit të mushkonjës së infektuar dhe, në raste të rënda, mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë meningjit ose encefalit.

    Rreziku nga disa infeksione mund të zvogëlohet përmes larjes së rregullt të duarve, shmangies së kontaktit të afërt me personat e sëmurë dhe përgatitjes së sigurt të ushqimit, ndërsa për parandalimin e infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor më e rëndësishmja është mbrojtja nga pickimi i mushkonjave. /Telegrafi/

  • Willian zbulon prapaskenat e transferimit te Arsenali: Arteta “më shiti një ëndërr”

    Willian zbulon prapaskenat e transferimit te Arsenali: Arteta “më shiti një ëndërr”

    Willian ka zbuluar se kishte menduar të largohej nga Arsenali vetëm tre muaj pasi iu bashkua klubit, duke pretenduar se Mikel Arteta nuk i kishte përmbushur premtimet që ia kishte bërë para transferimit.

    Ish-futbollisti brazilian ka treguar se Arteta i kishte premtuar një rol qendror në skuadër dhe se ekipi do të ndërtohej rreth tij.

    Megjithatë, Willian thotë se shumë shpejt e kuptoi se realiteti ishte ndryshe nga ajo që i ishte thënë para transferimit.

    “Unë nuk kam asgjë kundër tij. Ai është një trajner i madh brenda fushës dhe idetë e tij janë të shkëlqyera, por i mungonin disa gjëra sa i përket mënyrës së menaxhimit të ekipit”, ka thënë Willian në “The Obi One Podcast”.

    Braziliani theksoi se, sipas tij, Artetës i mungonte aspekti njerëzor në menaxhimin e lojtarëve.

    “Pjesa njerëzore i mungonte. Është diçka e rëndësishme. Brenda fushës ai është i mirë. Gjithmonë bëj shaka duke thënë se më shitën një ëndërr, por nuk ishte një ëndërr e mirë”, u shpreh ai.

    Willian iu bashkua Arsenalit në verën e vitit 2020, pas largimit nga Chelsea, por aventura e tij në “Emirates” zgjati vetëm një sezon.

    Ai zhvilloi 37 paraqitje për klubin londinez, duke shënuar vetëm një gol, përpara se të largohej me marrëveshje të dyanshme në vitin 2021.

    Duke folur për arsyen që e bindi të kalonte nga pjesa perëndimore në atë veriore të Londrës, Willian zbuloi edhe fjalët që Arteta i kishte thënë para transferimit.

    “Arteta më tha: ‘Ne do të luajmë në këtë mënyrë dhe unë dua që ti të jesh lojtari kryesor. Do ta ndërtoj ekipin rreth teje dhe dua të të jap çelësin e klubit’”, rrëfeu braziliani.

    “Kur e dëgjova këtë, sigurisht që e doja Chelsean, por isha në vitin e fundit të kontratës, isha 32 vjeç dhe po mendoja për tri vite të tjera në Londër. Familja ime e donte Londrën, kështu që vendosa të qëndroja në qytet dhe të transferohesha te Arsenali”, përfundoi Willian. /Telegrafi/

  • Gashi në takim me ish-kryetarët e Kuvendit, themelohet Këshilli joformal i ish-kryetarëve

    Gashi në takim me ish-kryetarët e Kuvendit, themelohet Këshilli joformal i ish-kryetarëve

    Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka pritur në takim ish-kryetarët e Kuvendit. Në takimin e tretë me Tito Petkovskin, Nikolla Popovskin, Trajko Veljanoskin dhe Jovan Mitreskin, Gashi e nënshkroi Vendimin për themelimin e Këshillit të ish-kryetarëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

    Për idenë, përkatësisht qëllimin e miratimit të Vendimit, kryetarët e Kuvendit u informuan në dy takimet e mëparshme, të mbajtura më 21 tetor 2025 dhe 7 prill 2026.

    “Qëllimi i themelimit të Këshillit, si trup këshillëdhënës dhe konsultativ joformal, është të sigurojë vazhdimësinë e kujtesës institucionale të Kuvendit; të avancojë praktikën parlamentare dhe demokracinë dhe të ofrojë mendime profesionale dhe këshillëdhënëse për çështjet me rëndësi për punën e Kuvendit”.

    “Përveç kësaj, në takim u shkëmbyen mendime mbi çështjet e caktuara procedurale në punën e Kuvendit, çështjet që lidhen me digjitalizimin e punës së Kuvendit në kuadër të Strategjisë Nacionale për Digjitalizim, idenë e Bibliotekës së Kuvendit, si dhe çështjet e tjera aktuale me interes për punën e Kuvendit dhe çështjet me interes për shtetin”, thonë nga Kabineti i Gashit.

  • Ambasadori i BE-së për Britaninë: Topi është në fushën e Londrës për të ardhmen e marrëdhënieve

    Ambasadori i BE-së për Britaninë: Topi është në fushën e Londrës për të ardhmen e marrëdhënieve

    Ambasadori i ri i Bashkimit Evropian në Mbretërinë e Bashkuar, Jukka Salovaara, ka deklaruar se Brukseli është i gatshëm të angazhohet për një marrëdhënie të re me Londrën, por fillimisht pret që Britania të përcaktojë se çfarë dëshiron.

    Salovaara pritet të luajë një rol të rëndësishëm në debatin politik britanik, ndërsa qeveria e Andy Burnham po shqyrton të ardhmen e marrëdhënieve me BE-në. Burnham ka qenë më i qartë se paraardhësi i tij, Keir Starmer, se marrëdhënia aktuale nuk po funksionon dhe se të gjitha opsionet, përfshirë edhe rikthimin e plotë në BE, duhet të jenë në tryezë përpara manifestit të ardhshëm elektoral të laburistëve.

    Salovaara, 58 vjeç, e përshkruan rolin e tij si “lehtësues”, duke vlerësuar se çfarë mund të funksionojë dhe çfarë jo mes dy palëve. Ai nuk do të jetë drejtpërdrejt në tryezën e negociatave, por thotë se do të jetë “shumë pranë saj”.

    “Detyra ime është të shpjegoj Londrën në Bruksel dhe Brukselin në Londër”, tha ai, duke e cilësuar Mbretërinë e Bashkuar si “partnerin e parë dhe kryesor” të BE-së.

    Ish-sekretar i përhershëm në Ministrinë e Jashtme të Finlandës dhe ish-ambasador i vendit të tij në OKB, Salovaara është rikthyer në Britani pas rreth tri dekadash. Në vitin 1996, si diplomat i ri, ai merrej me çështjet evropiane në Londër, në prag të ardhjes në pushtet të Tony Blair.

    Sipas tij, vitet ’90 ishin një periudhë optimizmi, kur tregtia globale po rritej dhe besohej se ndërvarësia do të sillte më shumë siguri. Ai kujton se qeveria laburiste e Blair ishte shumë pranë anëtarësimit në eurozonë.

    Tashmë, çështja e marrëdhënieve me BE-në pritet të rikthehet në qendër të vëmendjes. Samiti i parë i Burnham me BE-në është planifikuar për nëntor, ndërsa në tryezë pritet të jenë tema si standardet ushqimore, lidhja e skemave të tregtimit të emetimeve të karbonit, lëvizja e të rinjve dhe siguria.

    Salovaara theksoi se përmirësimi i standardeve të përbashkëta ushqimore mund të reduktojë kontrollet kufitare. Rreth 60 për qind e eksporteve ushqimore britanike shkojnë në tregun e BE-së, ndërsa rreth 70 për qind e importeve ushqimore vijnë nga vendet e bllokut.

    Ndërkohë, vazhdojnë negociatat për një skemë të mundshme të lëvizjes së të rinjve, përfshirë numrin e personave nga 18 deri në 30 vjeç që do të mund të marrin pjesë dhe të drejtat e tyre për të punuar e studiuar. Sipas zyrtarëve evropianë, Londra ka propozuar fillimisht 50 mijë vende në vit, ndërsa Brukseli kërkon 150 mijë.

    Sa i përket mundësisë së një rikthimi të Britanisë në BE, Salovaara tha se Brukseli nuk dëshiron të përcaktojë paraprakisht një qëndrim kolektiv, por pret që Londra të zhvillojë debatin e saj të brendshëm.

    “Topi është shumë në fushën e Mbretërisë së Bashkuar. Fillimisht duhet të zhvillohet debati dhe të shihen opsionet, pastaj BE-ja do të jetë e gatshme të angazhohet”, tha ai.

    Salovaara pranoi se një ndryshim kaq fundamental do të kërkonte një konsensus të gjerë politik. Ai përmendi gjithashtu alternativa të tjera përveç anëtarësimit të plotë, si tregu i vetëm evropian, bashkimi doganor apo forma të reja të “anëtarësimit të asociuar”.

    Sipas tij, edhe marrëdhëniet e vendeve jashtë BE-së, si Norvegjia, tregojnë se bashkëpunimi me bllokun mund të shkojë përtej çështjeve ekonomike dhe të përfshijë edhe fusha politike dhe të sigurisë. /Telegrafi/

  • Tre “gladiatorët” e Kosovës: Vojvoda, Dellova e Krasniqi nuk humbën asnjë minutë në katër ndeshje

    Tre “gladiatorët” e Kosovës: Vojvoda, Dellova e Krasniqi nuk humbën asnjë minutë në katër ndeshje

    Kombëtarja e Kosovës i kompletoi katër ndeshjet e para të Ligës së Kombeve, duke regjistruar një fitore (ndaj Irlandës), dy barazime (Austrisë dhe Izraelit) si dhe një humbje në Vjenë ndaj austriakëve.

    “Dardanët” zhvilluan paraqitje solide, duke marrë parasysh se zhvilluan plot katër ndeshje brenda vetëm 14 ditëve.

    Faktikisht, shkaku i orarit të ngjeshur edhe forma e lojtarëve u vërejt mjaft shumë. Fillimisht, Kosova zhvilloi një paraqitje spektakulare ndaj Irlandës, mirëpo në ndeshjen e dytë në Vjenë, u pa që lojtarët kishin pak rënie në formë shkaku i energjive të shpenzuara për ta fituar sfidën në Prishtinë.

    Kësisoj, edhe përzgjedhësi Franco Foda u detyrua të bënte plot tetë zëvendësime në barazimin pa gola ndaj Izraelit, duke pushuar lojtarët kryesorë të formacionit bazë. Vendimi faktikisht doli i duhur, me Kosovën që më pas zhvilloi tjetër paraqitje të shkëlqyer, e që fatkeqësisht s’morëm pikët e plota ndaj Austrisë në “Fadil Vokrri”.

    Megjithatë, nga tërë yjet që pushuan dhe e shikuan ndeshjen nga stoli ose tribuna, tre prej tyre nuk e bënë. Mërgim Vojvoda, Lumbardh Dellova dhe Ilir Krasniqi ishin të padiskutueshëm në formacionin e teknikut gjerman duke mos e humbur as edhe një minutë në katër ndeshje.

    Secili prej tyre zhvilloi mbi 360 minuta në përgjithësi, duke lënë të gjithë fuqinë në fushë për ta përfaqësuar sa më mirë Kosovën.

    Faktikisht, përpos pjesëmarrjes, secili luajti rol të madh në këto rezultatet të arritura, ku “SofaScore” vazhdimisht i ka vlerësuar me notën mbi 7.0, që është mbi mesataren.

    Dy ndeshje për ta mësuar se ku do të ndodhemi

    Pas këtyre katër xhirove, Kosova ndodhet në pozitën e dytë në grupin B3 të Ligës B, tri pikë më pak se Austria, që tani padiskutim është favoriti për t’u promovuar direkt në Ligën A, dhe me pikë të barabarta me Irlandën. Izraeli ndër të tjera ka dy sosh.

    Kësisoj, Kosova duhet t’i zhvillojë edhe dy përballjet e muajit nëntor (ndaj Izraelit dhe Irlandës) për të mësuar se si do të përfundojë ky grup, me objektivin që është vendi i dytë shkaku që do të na siguronte një pozitë në vazon e dytë kur të tërhiqet shorti për “Euro 2028”.

    Përpos pozitës së garantuar në vazon e dytë, Kosova do ta kishte edhe një mundësi për t’u promovuar në Ligën A, mirëpo duhet të përballet me njërën nga vendet e treta që renditen aktualisht, gjithçka varet nga shorti.

    Rikujtojmë, Kosova më 14 nëntor përballet me Izraelin kurse tre ditë më vonë udhëton për Dublin, ku do të takohet me Irlandën./Telegrafi/

  • 1,449 gjoba dhe 32 aksidente në një javë në rajonin e Ferizajt

    1,449 gjoba dhe 32 aksidente në një javë në rajonin e Ferizajt

    Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 1,449 gjoba kundërvajtëse dhe ka pezulluar 56 patentë shoferë gjatë javës së kaluar.

    Sipas komunikatës së Policisë, masat janë ndërmarrë në kuadër të aktiviteteve për parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, gjatë periudhës 28 shtator deri më 4 tetor 2026.

    Gjatë kësaj periudhe në rajonin e Ferizajt janë regjistruar gjithsej 32 aksidente trafiku.

    Prej tyre, 19 aksidente kanë qenë me lëndime, ku janë lënduar 23 persona, ndërsa 13 aksidente kanë përfunduar vetëm me dëme materiale.

    Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara me qëllim të parandalimit të aksidenteve në trafik.

    Njëkohësisht, policia ka apeluar te të gjithë shoferët që të jenë të kujdesshëm dhe t’i respektojnë rregullat e komunikacionit.

    Policia ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me autoritetet dhe të raportojnë kundërvajtjet në trafik në stacionin më të afërt policor, përmes aplikacionit digjital “Lajmëro policinë” ose në numrin kujdestar 192. /Telegrafi/

  • Ndërprerje e përkohshme e ujit në rrugën “Kadri Zeka"

    Ndërprerje e përkohshme e ujit në rrugën “Kadri Zeka”

    Konsumatorët e rrugës “Kadri Zeka” do të përballen sot me ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijshëm.

    Sipas njoftimit të KRU “Bifurkacioni”, ndërprerja vjen si pasojë e punimeve që po zhvillohen në kuadër të projektit për zëvendësimin e ujëmatësve të vjetër me ujëmatës të rinj.

    Kompania ka njoftuar se punimet për ndërrimin e ujëmatësve do të zhvillohen edhe nesër gjatë ditës në fshatin Papaz.

    Furnizimi me ujë për konsumatorët pritet të rikthehet nga ora 16:00.

    KRU “Bifurkacioni” ka falënderuar konsumatorët për mirëkuptimin gjatë zhvillimit të punimeve. /Telegrafi/

  • SHBA-të përgatiten të vendosin trupa dhe aeroplanë shtesë në Izrael?

    SHBA-të përgatiten të vendosin trupa dhe aeroplanë shtesë në Izrael?

    Shtetet e Bashkuara janë përgatitur të vendosin trupa dhe aeroplanë shtesë në Izrael gjatë javëve të ardhshme, raportuan mediat izraelite, ndërsa Uashingtoni dhe Tel Avivi përgatiten për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak në të gjithë Lindjen e Mesme sipas raportimeve të mediave.

    Sipas agjencisë izraelite të lajmeve Walla, duke cituar burime sigurie, afërsisht 3,000 personel amerikan janë aktualisht të stacionuar në të gjithë Izraelin.

    Rolet e tyre përfshijnë operimin e baterive të raketave të mbrojtjes ajrore, kryerjen e operacioneve të fluturimit, ofrimin e mbështetjes logjistike dhe shërbimin si ndërlidhës të drejtpërdrejtë në selinë ushtarake.

    Ndërsa rotacionet rutinë të njësive kanë ndodhur në javët e fundit, zyrtarët e mbrojtjes konfirmuan se personeli dhe aeroplanët luftarakë të rinj do të mbërrijnë së shpejti për të përforcuar aftësitë ekzistuese, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    Një zyrtar i lartë izraelit i sigurisë i tha Walla-s se kundërshtarët rajonalë po monitorojnë nga afër zgjedhjet në Izrael dhe SHBA, duke vlerësuar mënyrat për të destabilizuar ekuilibrin rajonal pa shkaktuar konflikt të plotë.

    “Ata e kuptojnë se përgjigja izraelite këtë herë do të jetë jashtëzakonisht agresive”, paralajmëroi zyrtari.

    Koordinimi i CENTCOM

    Siç theksohet më tej, planifikimi operacional midis Forcave të Mbrojtjes së Izraelit dhe Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) mbetet i përqendruar në sulme dhe objektiva të mundshme hakmarrëse brenda Iranit në rast të lëshimeve të përsëritura të raketave balistike.

    Përforcimi ushtarak vjen pas propozimeve diplomatike nga ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, i cili u përsëriti të dërguarve në Teheran se Irani mbetet i hapur për zgjidhje diplomatike.

    Në fund të shtatorit, Teherani paraqiti shtatë kushte nëpërmjet ndërmjetësimit të Katarit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, të cilat Presidenti i SHBA-së Donald Trump i hodhi poshtë.

    Njëkohësisht, zyrtarët izraelitë të sigurisë vlerësojnë se luftimet e vazhdueshme kundër lëvizjes Houthi të Jemenit mund të riformësojnë partneritetet e sigurisë së Gjirit, duke përmendur bashkëpunimin në rritje midis Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

    Një zyrtar i lartë paralajmëroi se aktorët rajonalë që nuk përballen menjëherë me forcat Houthi rrezikojnë të përballen me sulme të mëvonshme të vetëm.

    Armiqësitë në Jemen janë ndezur pas përparimeve të Houthi-ve nëpër provincat Al Hudaydah dhe Taiz, duke përfshirë kapjen e Mokha dhe pozicionet strategjike në ishullin Mayun që mbikëqyr Ngushticën Bab al Mandeb, duke e tensionuar më tej konfliktin. /Telegrafi/