Në fillim të intervistës, e publikuar, sot, gazetari Jack Power shpërfaq një kontrast interesant, sa elegant, aq edhe domethënës. Ai duket se gjendet në një siklet të këndshëm intelektual përballë Kryeministrit Albin Kurti.
Teksa pranon se vetë nuk e ka lexuar asnjëherë James Joyce-in, gazetari irlandez, zbulon se kryeministri i Kosovës i ka përvetësuar veprat e shkrimtarit të madh irlandez pikërisht në burgjet e regjimit të Millosheviqit.
Nga “Uliksi” dhe “Portreti i artistit në rini”, te “Dublinasit”, Kurti shfaq një njohje të kulturës irlandeze që shkon përtej letërsisë, deri te muzika e The Pogues dhe Fontaines D.C, vë në dukje gazetari irlandez Jack Power.
Kosova ende jashtë procesit të kandidimit
Mes tjerash në intervistë, kryeministri Albin Kurti, thekson se Kosova nuk kërkon rrugë të shkurtër drejt anëtarësimit në BE, por një proces të drejtë, ku përparimi të matet përmes meritave dhe rezultateve konkrete.
Gjatë intervistës, gazeta irlandeze vë në pah pozitën e Kosovës në raport me vendet e tjera të rajonit, duke theksuar se Mali i Zi ka marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2010, Serbia në vitin 2012, ndërsa Shqipëria në vitin 2014. Kosova, ndërkaq, ende nuk është përfshirë në këtë fazë të procesit të integrimit evropian.
Një nga pengesat kryesore mbetet mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian: Spanja, Sllovakia, Qiproja, Greqia dhe Rumania.
Sidoqoftë, kryeministri Kurti në këtë intervistë, ia përcjellë edhe një herë BE-së kërkesën e qartë të Kosovës:
“Ne kërkojmë një proces të bazuar në merita. Pa proces të përshpejtuar, pa dyer të pasme dhe pa rrugë të shkurtra. Na vini në provë. Procesi i anëtarësimit për ne nuk është më pak i rëndësishëm sesa vetë anëtarësimi, sepse presim që përmes tij të përshpejtojmë reformat në administratën publike, sistemin e drejtësisë dhe arsimin. Ne vërtet e meritojmë statusin e vendit kandidat”, ka theksuar Kurti.
Normalizimi me Serbinë dhe njohja reciproke
Duke folur për raportet me Beogradin, Kurti përsërit se Kosova synon normalizim të plotë të marrëdhënieve, të përqendruar në njohjen reciproke.
Ai shpreh gjithashtu pritjen që zhvillimet e reja politike në Serbi të mundësojnë një qasje më evropiane ndaj rajonit dhe marrëdhënieve me Kosovën.
Gazeta rikujton se tensionet në veri të Kosovës kanë qenë një prej burimeve kryesore të paqëndrueshmërisë në rajon, duke përmendur edhe përplasjen e armatosur të vitit 2023, ku mbeti i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur serb.
Kurti nuk e fsheh kënaqësinë për largimin e Vuçiqit, duke e akuzuar ish-udhëheqësin serb se kishte mbikëqyrur një fushatë për destabilizimin e institucioneve të Kosovës.
“Gjatë mandatit të presidentit Vuçiq në vitet e fundit, ata vazhdimisht kanë dërguar paramilitarë për t’u zënë pritë policëve tanë. Para tre vjetësh e vranë rreshterin tonë të policisë… Presidenti Vuçiq i kishte dikur ‘njerëzit e tij të vegjël të gjelbër’, imitues të Wagnerit”, thotë ai, duke iu referuar kompanisë private ushtarake ruse. “Mendoj se tani kjo ka marrë fund”, ka theksuar Kurti.
Kosova në krah të politikës evropiane dhe Ukrainës
Një tjetër çështje e trajtuar në intervistë është orientimi ndërkombëtar i Kosovës. Kurti thekson se vendi përafron vullnetarisht politikën e tij të jashtme me pothuajse të gjitha vendimet, sanksionet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian. Ai shpreh mbështetjen e Kosovës për Ukrainën, duke e cilësuar luftën e saj si pjesë të përpjekjes për mbrojtjen e demokracisë në Evropë.
Në këtë kontekst, Kurti e paraqet Kosovën si një partnere të orientuar drejt BE-së dhe Perëndimit, duke kërkuar që ky orientim të reflektohet edhe në trajtimin institucional të vendit nga Brukseli.
Intervista për ‘The Irish Times’ vjen në një periudhë kur zgjerimi i Bashkimit Evropian po rikthehet në agjendën politike evropiane. Mali i Zi dhe Shqipëria përmenden si vende që synojnë përparim të mëtejshëm drejt anëtarësimit. Për Kosovën, sfida mbetet kapërcimi i pengesave politike dhe institucionale që e mbajnë jashtë procesit formal të kandidimit.
Burimi: RTKLive