AUV-i nis programimin e përhershëm të survejimit dhe monitorimit të sektorit të qumështit

AUV-i nis programimin e përhershëm të survejimit dhe monitorimit të sektorit të qumështit

Written by

in

AUV-i nis programimin e përhershëm të survejimit dhe monitorimit të sektorit të qumështit

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka nisur zbatimin e një programi të përhershëm për mbikëqyrjen dhe monitorimin e sektorit të qumështit, i cili parasheh kontrolle të rregullta dhe analiza laboratorike në të gjitha hallkat e zinxhirit të prodhimit dhe tregtimit të produkteve të qumështit.

Programi po zbatohet në bashkëpunim me Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit dhe përfshin marrjen e mostrave dhe kontrollet zyrtare në fermat prodhuese, pikat e grumbullimit, fabrikat përpunuese, si dhe në produktet e importuara dhe ato që tregtohen në Kosovë.

Sipas AUV-së, qëllimi është krijimi i një sistemi të qëndrueshëm të mbikëqyrjes, i cili do të bazohet në vlerësimin e rrezikut, rezultatet laboratorike dhe historikun e përputhshmërisë së operatorëve me kërkesat ligjore.

“Programi synon vendosjen e një sistemi të qëndrueshëm të mbikëqyrjes së sektorit, të bazuar në vlerësimin e rrezikut, rezultatet laboratorike dhe historikun e përputhshmërisë së operatorëve me kërkesat ligjore”, ka njoftuar AUV-ja.

Kontrollet do të shtrihen në të gjithë zinxhirin e qumështit, duke filluar nga ushqimi për kafshët dhe prodhimi në ferma, grumbullimi e transporti, deri te përpunimi, paketimi, importi, shpërndarja dhe tregtimi i produkteve të gatshme.

AUV-ja ka bërë të ditur se programi përfshin si qumështin dhe produktet e prodhuara në vend, ashtu edhe ato të importuara, me synimin që mbikëqyrja të përfshijë të gjitha hallkat, nga ferma deri te konsumatori.

Në kuadër të këtij programi, çdo muaj do të kryhen analiza laboratorike fiziko-kimike, mikrobiologjike dhe të sigurisë ushqimore, në varësi të llojit të produktit dhe nivelit të rrezikut.

Kontrollet do të përfshijnë analizimin e ushqimit për kafshë për praninë e mikotoksinave dhe kontaminuesve të tjerë, si dhe testimin e qumështit të papërpunuar në ferma dhe pika grumbullimi.

Ndërkaq, produktet e përpunuara vendore dhe ato të importuara do të analizohen për përmbajtjen e yndyrave, proteinave, vajit të palmës dhe yndyrave të tjera bimore, si dhe për përdorimin e qumështit pluhur.

Po ashtu, laboratorët do të kontrollojnë praninë e aflatoksinave, mbetjeve të antibiotikëve dhe substancave të tjera të palejuara.

Analizat mikrobiologjike do të përfshijnë testimin për baktere dhe mikroorganizma të rrezikshëm, si Salmonella spp., Listeria monocytogenes dhe Escherichia coli, varësisht nga produkti dhe vlerësimi i rrezikut.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali