AUV kthen në kufi 27 tonë misër nga Serbia, përmbante substancë toksike

AUV kthen në kufi 27 tonë misër nga Serbia, përmbante substancë toksike

Written by

in

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka refuzuar importin dhe ka kthyer në kufi 27 tonë misër nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë treguar praninë e aflatoksinës B1 mbi nivelin e lejuar.

Sipas njoftimit të AUV-së, ngarkesa prej 27 mijë kilogramësh misër merkantil në kokrra ishte importuar nga kompania IDEAL GROUP SH.P.K. nga Peja dhe ishte paraqitur për import në pikën kufitare të Merdarit.

Misri ishte eksportuar nga kompania AGRO DOM TIM DOO, nga Crvenka e Serbisë.

“Gjatë kontrollit kufitar, AUV ka marrë mostra të misrit për analiza laboratorike. Rezultatet kanë treguar praninë e aflatoksinës B1 në nivel prej 0.029 mg/kg (29 µg/kg), apo 45% mbi kufirin e lejuar prej 0.020 mg/kg (20 µg/kg)”, thuhet në njoftim.

AUV ka sqaruar se aflatoksina B1 është substancë toksike që prodhohet nga disa lloje myqesh dhe mund të gjendet në misër dhe drithëra të tjera.

Sipas Agjencisë, nëse misri i kontaminuar përdoret për ushqimin e kafshëve qumështore, aflatoksina mund të kalojë në qumësht në formën e aflatoksinës M1, duke paraqitur rrezik për shëndetin e konsumatorëve.

“Në zbatim të Ligjit Nr. 08/L-120 për Ushqim dhe Rregullores (QRK) Nr. 43/2013, inspektori fitosanitar kufitar ka refuzuar importin dhe ka kthyer të gjithë ngarkesën prej 27 tonësh në kufi, pa lejuar hyrjen e saj në tregun e Kosovës”, ka njoftuar AUV.

Agjencia ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet kufitare dhe analizat laboratorike për të parandaluar hyrjen e produkteve që nuk përmbushin standardet e sigurisë ushqimore.

Burimi: RTKLive