AUV tërheq nga tregu një seri të qumështit “VITA”: Analizat konfirmojnë tejkalimin e nivelit të aflatoksinës

AUV tërheq nga tregu një seri të qumështit "VITA": Analizat konfirmojnë tejkalimin e nivelit të aflatoksinës

Written by

in

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) më 16.11.2026 ka njoftuar se ka tërhequr nga tregu një seri të qumështit “VITA” 3.2%.

Sipas njoftimit, analizat laboratorike të kryera në Austri dhe Kosovë kanë konfirmuar praninë e aflatoksinës M1 mbi nivelin maksimal të lejuar në një seri të qumështit “VITA” UHT 3.2% yndyrë, të prodhuar nga kompania “ABRAZEN” SH.P.K. (Qumështorja VITA).

“Seria e qumështit e përfshirë në tërheqje: Produkti: VITA – Qumësht UHT 3.2% yndyrë. Prodhuesi: ABRAZEN SH.P.K. (Qumështorja VITA) Paketimi: 1 litër. Data e prodhimit: 18.07.2026. Afati i përdorimit: 18.01.2027”- thuhet në njoftim.

Përmes këtij njoftimit, AUV u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos konsumojnë këtë seri të qumështit “VITA” dhe ta kthejnë produktin në pikën e shitjes ku e kanë blerë.

“Në këtë fazë, masa e tërheqjes nga tregu zbatohet vetëm për serinë e identifikuar më sipër. Seritë dhe produktet e tjera të të njëjtit prodhues nuk janë objekt i kësaj mase, ndërsa verifikimet e mëtejshme janë në vazhdim. AUV do të informojë publikun dhe do të ndërmarrë masa shtesë nëse rezultatet e kontrolleve dhe vlerësimi i rrezikut e kërkojnë këtë”- thuhet në njoftim.

Ndërsa thuhet se konfirmimi më i fundit është bërë nga Instituti për Sigurinë e Ushqimit në Linz, në kuadër të Agjencisë Austriake për Shëndetësi dhe Siguri Ushqimore (AGES).

“Raporti ka konstatuar përqendrim të aflatoksinës M1 prej 0.065 µg/kg, kundrejt nivelit maksimal të lejuar prej 0.050 µg/kg. Ky rezultat është në përputhje me analizat e Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë (LUV) në Kosovë, i cili kishte konstatuar tejkalim të nivelit të lejuar të aflatoksinës M1 në tri mostra të qumështit VITA 3.2%”- thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se AUV ka urdhëruar bllokimin dhe tërheqjen nga tregu të serisë së identifikuar.

Ndërsa, sipas njoftimit, operatori është i detyruar të ndalojë shitjen dhe shpërndarjen, të sigurojë tërheqjen e produktit nga pikat e shitjes dhe të dokumentojë sasitë e tërhequra, në përputhje me nenet 22 dhe 23 të Ligjit për Ushqim.

Sipas AUV-it, Aflatoksina M1 është një substancë toksike që mund të kalojë në qumësht përmes ushqimit të kontaminuar të kafshëve. Ekspozimi afatgjatë ndaj saj mund të paraqesë rrezik për shëndetin e konsumatorëve.