Bajraktari po fiton zemrat e tifozëve të Gjilanit, mesfushori synon më shumë minuta

Bajraktari po fiton zemrat e tifozëve të Gjilanit, mesfushori synon më shumë minuta

Written by

in

Milazim Bajraktari po synon të fitojë gjithnjë e më shumë hapësirë te SC Gjilani, pas transferimit nga Trepça ’89 gjatë verës. Mesfushori, i cili kaloi 17 vjet te klubi mitrovicas, ka nisur gradualisht të marrë minuta në javët e fundit, ndërsa paraqitjet e tij kanë zgjuar interesimin e tifozëve gjilanas.

Bajraktari është aktivizuar në tri ndeshjet e fundit, duke luajtur 30 minuta ndaj Vushtrrisë, 26 minuta kundër Drenicës dhe 15 minuta në përballjen e fundit ndaj Feronikelit 74.

Edhe pse koha e tij në fushë ka qenë e kufizuar, mesfushori shpërthyes ka lënë përshtypje pozitive te tifozët, të cilët po kërkojnë që ai të ketë më shumë minuta.

Në një intervistë për Telegrafin, Bajraktari ka folur për periudhën e tij të parë te skuadra gjilanase dhe synimet për të fituar më shumë hapësirë në vazhdim të sezonit.

Largimi nga Trepça ’89 nuk ishte një vendim i lehtë për futbollistin, i cili ishte pjesë e klubit që nga mosha gjashtëvjeçare dhe për 17 vjet u rrit e u formua në radhët e tij.

Megjithatë, Bajraktari e ndjeu se kishte ardhur koha për një sfidë të re dhe për të provuar veten në një ambient tjetër.

“Pas 17 vjetësh te Trepça ’89, sigurisht që nuk ka qenë e lehtë të largohem, sepse aty jam rritur dhe formuar si futbollist. Kam shumë respekt për klubin dhe për të gjithë njerëzit që më kanë ndihmuar gjatë këtyre viteve”.

“Megjithatë, e ndjeva se kishte ardhur koha për një sfidë të re dhe për të provuar veten në një ambient tjetër. Jam i lumtur që jam te Gjilani dhe dua ta shfrytëzoj këtë mundësi sa më mirë, duke dhënë maksimumin për këtë fanellë”, ka thënë fillimisht Bajraktari.

Mesfushori është i kënaqur me fillimin e tij te skuadra gjilanase, ndërsa thekson se reagimet pozitive nga tifozët po i japin motivim shtesë për të vazhduar punën.

Ai synon të shfrytëzojë çdo mundësi që i jepet, në mënyrë që gradualisht të fitojë më shumë hapësirë në ekip.

“Jam i kënaqur me fillimin tim te Gjilani. Po punoj çdo ditë për t’u përmirësuar dhe për të dhënë maksimumin sa herë që më jepet mundësia. Reagimet pozitive të tifozëve më japin motivim dhe besim edhe më të madh”, është shprehur ai.

Me ardhjen e trajnerit Zekirija Ramadani, Bajraktari shpreson të ketë edhe më shumë minuta në vazhdim. Futbollisti vlerëson përvojën e trajnerit dhe beson se puna e përditshme do t’i ndihmojë të shfrytëzojë rastet që do t’i jepen.

“Besoj se me punë dhe përkushtim mund të fitoj më shumë minuta. Trajneri Ramadani ka përvojë të madhe dhe unë do të bëj gjithçka për ta shfrytëzuar çdo mundësi. Skuadrës mund t’i ofroj energji, disiplinë dhe përkushtim maksimal”, ka deklaruar Bajraktari.

Sa u përket objektivave, mesfushori dëshiron të vazhdojë përmirësimin individual dhe të kontribojë sa më shumë për suksesin e Gjilanit.

Ai synon që, së bashku me bashkëlojtarët, të luftojë për pozita sa më të larta në tabelë dhe t’i bëjë krenarë tifozët e klubit.

“Objektivi im personal është të përmirësohem sa më shumë, të jap maksimumin në çdo ndeshje dhe të kontriboj për suksesin e ekipit. Sa i përket klubit, synimi ynë është të kemi rezultate sa më të mira, të luftojmë për pozita sa më të larta në tabelë dhe t’i bëjmë tifozët tanë krenarë”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/