Bajrami: Kurti po e shkel afatin ligjor për miratimin e buxhetit të vitit 2027

Bajrami: Kurti po e shkel afatin ligjor për miratimin e buxhetit të vitit 2027

Written by

in

Bajrami: Kurti po e shkel afatin ligjor për miratimin e buxhetit të vitit 2027

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, pasi Projektligji për Buxhetin e vitit 2027 ende nuk është miratuar në Qeveri, ndonëse sot është dita e fundit e afatit ligjor për dorëzimin e tij në Kuvend.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka rikujtuar se, sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, Qeveria duhet t’ia dorëzojë Kuvendit Projektligjin për Buxhetin jo më vonë se më 31 tetor.

Ajo ka thënë se Kurti, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka paralajmëruar se buxheti do të miratohet të hënën, më 2 nëntor.

Bajrami ka bërë krahasim me vitin e kaluar, kur sipas saj, Kurti ishte mburrur se buxheti ishte miratuar brenda afatit ligjor.

Deputetja e LDK-së ka pretenduar se këtë vit procesi i buxhetit ka kaluar fillimisht nëpër strukturat partiake të LVV-së, para se të shqyrtohet në institucionet shtetërore.

“Buxheti i Republikës fillimisht ‘kaloj’ filtrin e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, pastaj do të miratohet në Qeveri dhe pas çdo afati ligjor do t’i dërgohet Kuvendit”, ka shkruar ajo.

Ajo ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas saj, po trajtohen afatet ligjore, duke theksuar se buxheti është i shtetit dhe qytetarëve, e jo i partisë.

Bajrami ka përmendur gjithashtu mbi një miliard euro investime kapitale të paralajmëruara, duke thënë se rezultatet e tyre duhet të vlerësohen përmes projekteve konkrete dhe jo vetëm përmes shifrave të prezantuara.

“Askush mbi Ligjin! Përgjegjësi!”, ka përfunduar ajo.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali