Policia e Kosovës ka sekuestruar disa armë dhe municion në një hambar në fshatin Kleçkë të Zubin Potokut, pas informacioneve të pranuara nga qytetarët. Deri më tani nuk ka persona të arrestuar.
Policia e Kosovës ka realizuar një operacion në komunën e Zubin Potokut, ku ka sekuestruar disa armë ilegale dhe municion, pas informacioneve të siguruara nga qytetarët.
Sipas njoftimit të Policisë, zyrtarët e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë të Veriut kanë pranuar informacione për dyshimet se në një lokacion në këtë komunë mund të kishte armë dhe mjete të tjera ilegale.
Pas këtyre informacioneve, njësitë policore kanë kryer kontroll në një hambar në fshatin Kleçkë, ku kanë gjetur dhe sekuestruar katër pushkë të llojeve të ndryshme, një armë automatike, një revole të tipit TT, 33 fishekë për armë të gjata, një këllëf me optikë dhe dy karikatorë të zbrazët.
Policia ka bërë të ditur se lidhur me këtë rast, deri në këtë fazë nuk ka persona të arrestuar.
Të gjitha veprimet policore i janë paraqitur Prokurorit të Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në fund, Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin e treguar, duke i inkurajuar që të vazhdojnë të raportojnë rastet e dyshimta në numrin emergjent 192.
Burimi: Dukagjini
