Dy rrjete të mëdha të shitjes me pakicë në Zvicër, Aldi dhe Migros, kanë tërhequr nga tregu disa produkte ushqimore pas konstatimit të rreziqeve të mundshme për shëndetin e konsumatorëve.
Në njërin rast janë zbuluar baktere të rrezikshme në produkte të mishit të pulës, ndërsa në tjetrin ekziston dyshimi për praninë e trupave të huaj në produkte të orizit me qumësht dhe mjedra.
Aldi ka nisur tërheqjen e copëzave të filetos së gjoksit të pulës, të shitura në paketime prej 150 gramësh, pasi në to janë zbuluar bakteret Listeria.
Produktet e prekura janë tri variante: Mini-Classic, Mini-Curry dhe Mini-Paprika, me datat e skadimit 14, 17, 20, 24 dhe 30 nëntor 2026. Ato ishin shitur në të gjitha filialet e Aldi në Zvicër.
Sipas Zyrës Federale për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinare (BLV), nuk mund të përjashtohet rreziku për shëndetin, prandaj konsumatorëve u është bërë thirrje të mos i konsumojnë këto produkte. Aldi i ka larguar menjëherë nga shitja dhe ka nisur procesin e tërheqjes.
Listeria është bakter që mund të shkaktojë infeksionin e njohur si listeriozë, shkruan Watson, transmeton Telegrafi.
Ndonëse te personat me sistem të shëndetshëm imunitar infeksioni mund të kalojë me simptoma të lehta ose pa simptoma, ai paraqet rrezik më të madh për gratë shtatzëna, të moshuarit, të porsalindurit dhe personat me imunitet të dobësuar.
Në rastet e rënda mund të shkaktojë komplikime serioze, përfshirë meningjitin dhe helmimin e gjakut.
Ndërkohë, një tërheqje tjetër nga tregu është bërë edhe nga Migros, e cila ka paralajmëruar konsumatorët për tri produkte të orizit me qumësht dhe mjedra, pasi ekziston mundësia që ato të përmbajnë trupa të huaj.
Bëhet fjalë për Migros Daily Milchreis mit Himbeeren, në paketim prej 250 gramësh, Truly Good Milchreis Himbeeren dhe Gooods Milchreis Himbeeren, të dyja në paketime prej 225 gramësh.
Të prekura janë produktet me datat e konsumimit 13, 14 dhe 15 nëntor 2026 shkruan Watson, transmeton Telegrafi.
Migros u ka bërë thirrje konsumatorëve që të mos i konsumojnë këto produkte dhe t’i kthejnë në filialet e kompanisë, ku do t’u rimbursohet çmimi i paguar.
Kompania nuk ka specifikuar se për çfarë lloj trupash të huaj bëhet fjalë. /Telegrafi/