Christine Lagarde do të largohet nga posti i presidentes së Bankës Qendrore Evropiane (BQE) më 7 shkurt 2027, rreth nëntë muaj para përfundimit të mandatit të saj tetëvjeçar.
Njoftimi vjen në një kohë kur BQE-ja pritet të bëjë të ditur vendimin e saj të radhës për normat e interesit.
Sipas deklaratës zyrtare, Lagarde ka informuar Këshillin Drejtues të BQE-së, i cili përcakton normat e interesit në eurozonë, si dhe presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, për vendimin e saj.
Banka nuk ka dhënë arsye për largimin e parakohshëm.
“Këshilli Drejtues e falënderoi përzemërsisht presidenten Lagarde dhe e duartrokiti”, thuhet në deklaratë.
Edhe António Costa e falënderoi Lagarde për punën e saj, duke vlerësuar përkushtimin në drejtimin e BQE-së që nga nëntori i vitit 2019.
“Për të siguruar një tranzicion të qetë drejt udhëheqjes së re të BQE-së, procesi për emërimin e pasardhësit të saj do të nisë sot dhe do të vazhdojë pa vonesa”, deklaroi Costa.
Pasardhësi i Lagarde do të emërohet nga Këshilli Evropian, i cili përbëhet nga udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Sipas rregullave të BE-së, emërimi bëhet me shumicë të cilësuar, pas një rekomandimi nga ministrat e financave të unionit dhe konsultimeve me Parlamentin Evropian dhe Këshillin Drejtues të BQE-së.
Lagarde, ish-ministre e Financave e Francës dhe ish-drejtuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), mori detyrën në nëntor të vitit 2019. Spekulimet për largimin e saj para përfundimit të mandatit ishin shtuar gjatë muajve të fundit.
Ndërkohë, BQE-ja pritet të mbajë të pandryshuar normën e interesit për depozitat në nivelin 2.5%. /Telegrafi/