Bankieri i rremë mashtron 85-vjeçaren në Zvicër, i merr 75 mijë franga

Bankieri i rremë mashtron 85-vjeçaren në Zvicër, i merr 75 mijë franga

Written by

in

Një 85-vjeçare nga Lucerni i Zvicrës është mashtruar nga një person që është paraqitur si punonjës banke, duke i marrë gjithsej 75 mijë franga zvicerane. Një 33-vjeçar, i dyshuar si personi që merrte paratë, është arrestuar gjatë tentativës për një dorëzim tjetër të tyre, pasi policia kishte organizuar mbikëqyrjen e takimit.

Sipas raportimit të mediumit zviceran “Swissinfo”, duke iu referuar agjencisë së lajmeve Keystone-SDA dhe njoftimit të Policisë së Lucernit, gruaja ishte kontaktuar përmes telefonit nga persona që pretendonin se përfaqësonin bankën e saj.

Ata i kishin thënë se, për shkak të një regjistrimi të gabuar në llogarinë bankare, duhej të tërhiqte para në dorë.

Si pasojë e këtij mashtrimi, nga 21 deri më 23 tetor, gruaja u dorëzoi tri herë para në dorë një personi që shkonte t’i merrte në banesën e saj. Shuma e përgjithshme e parave të dorëzuara ishte 75 mijë franga zvicerane, transmeton Telegrafi.

Dyshimet lindën kur kërkoi edhe 50 mijë franga të tjera

Rasti u zbulua kur, në fillim të nëntorit, 85-vjeçarja kërkoi nga banka edhe 50 mijë franga të tjera.

Punonjësi i bankës dyshoi për situatën dhe kontaktoi vajzën e gruas, e cila më pas njoftoi policinë.

Në vazhdim, policia mbikëqyri dorëzimin e radhës të parave. Personi që kishte ardhur për t’i marrë ato u ndalua në afërsi të banesës dhe u arrestua përkohësisht.

Sipas Policisë së Lucernit, bëhet fjalë për një shtetas 33-vjeçar të Ukrainës./Telegrafi/