Barna pa autorizim për tregun e Kosovës, depo të fshehta e kushte të papërshtatshme ruajtjeje – çfarë zbuluan hetimet në dy barnatore të Prizrenit?

Barna pa autorizim për tregun e Kosovës, depo të fshehta e kushte të papërshtatshme ruajtjeje – çfarë zbuluan hetimet në dy barnatore të Prizrenit?

Written by

in

Barna pa autorizim për tregun e Kosovës, depo të fshehta e kushte të papërshtatshme ruajtjeje – çfarë zbuluan hetimet në dy barnatore të Prizrenit?

Dy barnatore në Prizren dyshohet se shisnin produkte farmaceutike pa autorizimin e nevojshëm për qarkullim në tregun e Kosovës, ndërsa një pjesë e barnave mbahej në depo të fshehta që nuk plotësonin kushtet e ruajtjes. Këto janë gjetjet e reja nga aksioni i Krimeve Ekonomike, për të cilin Gazeta Sinjali raportoi më herët. Hetimet kishin zgjatur rreth tre muaj, ndërsa kontrollet zbuluan barna pa banderola në vlerë rreth 10 mijë euro, të cilat u konfiskuan nga Dogana e Kosovës.

Siç raportoi më herët Sinjali, aksioni u zhvillua më 5 nëntor 2026, në dy barnatore në rrugët “Sheh Emini” dhe “Ali Dida” në Prizren, ndërsa dy persona u ndaluan për 48 orë.

Por informacionet e reja që ka siguruar Gazeta Sinjali tregojnë se operacioni nuk ishte rezultat i një kontrolli të rastësishëm. Për rreth dy deri në tre muaj, hetuesit e Krimeve Ekonomike kishin zhvilluar veprime hetimore, me autorizim të Prokurorisë së Shtetit, nën dyshimet se në këto biznese po tregtoheshin produkte medicinale në kundërshtim me ligjin.

Ajo që u zbulua gjatë bastisjeve ishte edhe më shqetësuese: në të dy barnatoret u gjetën depo të fshehta ku mbaheshin barna pa banderola, në hapësira që, sipas konstatimeve të hetuesve, nuk plotësonin kushtet e nevojshme për ruajtjen e produkteve farmaceutike.

Kontrollet u realizuan me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor dhe Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në njërën barnatore dhe depon përkatëse u gjetën produkte medicinale pa banderola në vlerë të përafërt prej 8 mijë eurosh, ndërsa në barnatoren tjetër produkte të ngjashme në vlerë rreth 2 mijë euro.

Në total, Dogana e Kosovës konfiskoi produkte farmaceutike me vlerë të përllogaritur prej rreth 10 mijë eurosh.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se gjatë operacionit në vendngjarje doli edhe përfaqësuesi i Prokurorisë së Shtetit, ndërsa pas evidentimit të gjetjeve u vendos ndalimi për 48 orë i dy të dyshuarve, Ozan Pinduk, 30 vjeçar dhe Shaban Hashani, 47 vjeçar.

Rasti po hetohet për veprën penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.

Hetimet pritet të sqarojnë prejardhjen e produkteve, mënyrën e furnizimit të barnatoreve dhe nëse produktet e dyshimta janë shpërndarë te konsumatorët.

Mungesa e autorizimeve dhe kushtet e papërshtatshme të ruajtjes ngrenë shqetësime serioze për ligjshmërinë e qarkullimit të këtyre barnave, por rrezikshmëria e tyre konkrete për shëndetin mbetet për t’u përcaktuar nga organet kompetente.

Të dyshuarit gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali