BE-ja dhe komunat forcojnë bashkëpunimin

BE-ja dhe komunat forcojnë bashkëpunimin

Written by

in

Shefi i Sektorit Politik të Bashkimit Evropian në Kosovë, Bogusław Gertruda, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, dhe kryesuesja e Grupit të Punës për Kosovën në Komitetin Evropian të Rajoneve, Gillian Coughlan, kanë hapur takimin e katërt të këtij grupi, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve lokale të Kosovës dhe homologëve të tyre në Bashkimin Evropian.

Në njoftimin për këtë takim theksohet rëndësia e rolit të komunave në procesin e integrimit evropian, duke pasur parasysh se një pjesë e konsiderueshme e reformave të lidhura me BE-në kërkon zbatim në nivel lokal.

“Procesi i integrimit në BE nuk varet vetëm nga institucionet e nivelit qendror. Ai varet edhe nga ajo që ndodh në komuna: si shpenzohen paratë publike, si ofrohen shërbimet, si mbështeten bizneset dhe si mbrohet mjedisi”, citohet të ketë thënë Bogusław Gertruda.

Sipas njoftimit, meqenëse 70 për qind e reformave të lidhura me BE-në kërkojnë zbatim në nivel komunal, takimi u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve lokale të Kosovës dhe atyre të vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira.

Takimi synon të kontribuojë në avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në mbështetjen e reformave që lidhen me procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Burimi: RTKLive