Bashkimi Evropian do të aktivizojë një mekanizëm të posaçëm të ndihmës emergjente për të ndihmuar Ukrainën me furnizimet me energji elektrike, ujë dhe ngrohje.
Këtë e raporton “Ukrinform”, duke iu referuar një postimi në Facebook nga Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përcjell Telegrafi.
Ai bëri të ditur se ka biseduar me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Për momentin, shumë nga qytetet dhe komunitetet tona po përballen me një situatë shumë të vështirë sa i përket furnizimit me energji, ujë dhe ngrohje, si pasojë e sulmeve ruse. Situata është më e rëndë në Kiev, në rajonet e Dnipropetrovskut, Sumyt dhe Donetskut, si dhe në Kherson”, ka thënë ai.
“E informova Ursulën për sfidat dhe ramë dakord që Bashkimi Evropian të aktivizojë një mekanizëm të posaçëm emergjence. Kjo do të mundësojë ofrimin e shpejtë të fondeve për Ukrainën, për gjërat që janë më të nevojshme në këtë moment. Ekipet tona tashmë po punojnë për këtë”, theksoi Zelensky.
Ai shtoi se të dyja palët diskutuan gjithashtu për ndihmë shtesë në fushën e energjisë dhe atë humanitare, për të ndihmuar Ukrainën të përgatitet për dimrin, si dhe për çështje që lidhen me integrimin evropian.
Këtë javë, Komisioni Evropian publikoi Paketën vjetore të Zgjerimit të BE-së, e cila dha një vlerësim pozitiv për përparimin e Ukrainës.
Presidenti ukrainas theksoi se është e rëndësishme të hapen të gjitha grupimet e negociatave dhe të fillohet me mbylljen e kapitujve.
Siç raportoi “Ukrinform”, presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se aktualisht Ukraina prodhon më shumë energji elektrike sesa konsumon, por, fatkeqësisht, ka mungesa të theksuara të energjisë, të shkaktuara pikërisht nga sulmet ruse. /Telegrafi/