Bashkimi Evropian ka shtuar më shumë se njëqind organizata dhe individë të tjerë në listën e sanksioneve ndaj Rusisë.Mes tyre janë drejtues të njohur të ekonomisë ruse, propagandistë dhe një grup i madh hakerësh prorusë.
Masat ndëshkuese të miratuara në Bruksel nga ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare (16.11.2026) prekin, ndër të tjera, rreth 30 veprues, të cilët akuzohen për projekte në shkallë të gjerë për manipulimin e informacionit dhe ushtrimin e ndikimit në vende si Gjermania dhe Franca. Mes tyre është Social Design Agency (SDA), e financuar dhe e drejtuar nga administrata presidenciale ruse, si dhe 24 persona që punojnë për të.
Sipas BE-së, SDA me seli në Moskë manipulon sistematikisht mediat. Ajo përhap propagandë proruse dhe zhvillon fushata me përmbajtje të sajuara, imitime të markave mediatike dhe platforma të ngjashme me Wikipedia-n.
Përveç kësaj, BE-ja ka futur në listën e sanksioneve edhe propagandues, mes tyre figurat e televizionit rus Vitali Jelisejev dhe Pjotr Marschenko, blogerin dhe komentatorin ushtarak me origjinë nga Ukraina, Juri Podoljaka, si dhe Chay Bowes nga RT International. Ata akuzohen se marrin pjesë në manipulimin e informacionit dhe përhapjen e narrativave që legjitimojnë dhe mbështesin luftën e vazhdueshme agresore të Rusisë kundër Ukrainës.
Sulme kibernetike ndaj sektorëve të energjisë, financave dhe transportit
Për shkak të sulmeve kibernetike, sanksionet prekin edhe grupin e hakerëve proruse NoName057(16). Sipas BE-së, ky grup ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulme kibernetike kundër institucioneve shtetërore, infrastrukturës kritike dhe kompanive private në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dhe vendet anëtare të BE-së.
Në BE, NoName057(16) ka sulmuar faqe interneti dhe portale të sektorëve të ndryshëm me të ashtuquajturat sulme DDoS, që synojnë mbingarkimin e sistemeve dhe, si pasojë, nxjerrjen e shërbimeve jashtë funksionit. Veçanërisht të prekura kanë qenë sektorët e energjisë, financave dhe transportit, sistemet e furnizimit me ujë, si dhe partitë politike dhe kandidatët gjatë proceseve zgjedhore.
Në Gjermani, Prokuroria e Përgjithshme e Frankfurtit mbi Main dhe Zyra Federale e Policisë Kriminale kanë zhvilluar së fundmi hetime ndaj anëtarëve dhe mbështetësve të NoName057(16).
Sanksionohet sipërmarrësja më e pasur e Rusisë
Sanksionet prekin tani edhe sipërmarrësen më të pasur të Rusisë, Tatjana Kim. Platforma e saj e tregtisë online Wildberries shërben si një “rrjet furnizimi për ushtrinë ruse, duke lehtësuar shitjen e mallrave ushtarake dhe atyre me përdorim të dyfishtë”, deklaroi Këshilli i BE-së në arsyetimin e tij.
Në këtë mënyrë, Kim mbështet “materialisht ose financiarisht” kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë, nga i cili njëkohësisht përfiton edhe vetë.
Pasuria e Kim vlerësohet në rreth 7,4 miliardë euro. Platforma tregtare Wildberries, e cilësuar ndonjëherë si “Amazoni rus”, është bërë disa herë gjatë këtij viti objektiv i sulmeve ukrainase.
Preken edhe kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kina
Janë sanksionuar gjithashtu afro 50 banka dhe institucione financiare ruse. Deri tani, BE-ja ka vendosur sanksione ndaj më shumë se 100 prej 213 bankave ruse, që janë të lidhura me sistemin financiar ndërkombëtar.
BE-ja ka futur në listën e sanksioneve edhe kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina, Sejshellet dhe Omani, të lidhura me tregtinë e naftës së të ashtuquajturës flotë hije të Rusisë, e përbërë nga cisterna të vjetra nafte. Sanksione janë vendosur edhe ndaj një porti të rëndësishëm nafte në Shën Petersburg.
Reagim ndaj incidentit në aeroportin Leipzig/Halle
Paketa e sanksioneve konsiderohet gjithashtu si reagim ndajnjë tentative të dyshuar për sulm me një dron të pajisur me eksploziv në aeroportin Leipzig/Halle. Sipas diplomatëve të BE-së, Gjermania mori pjesë aktive në përgatitjen e paketës dhe propozoi një numër dyshifror aktorësh për masa ndëshkuese.
Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e vënies në dispozicion të personave dhe subjekteve të prekura të fondeve apo burimeve të tjera ekonomike. Ndaj individëve vendoset gjithashtu ndalim hyrjeje në BE.
BE-ja synon të ruajë presionin ndaj Moskës edhe në kushtet e negociatave të reja për paqe. Brukseli po punon aktualisht për paketën e 22-të të sanksioneve, e cila pritet të miratohet para përfundimit të vitit.
Burimi: RTKLive
