Të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Besa Famgas fitoi ndaj Kastriotit të Ferizajt me rezultat 29:28.
Skuadra pejane herët në ndeshje krijoi epërsi bindëse. Pjesa e parë përfundoi 16:12.
Por ferizajasit nuk u dorëzuan dhe u afruan në 27:25 në minutën e 55-të. Më pas u afruan edhe në 28:27 në minutën e 57-të. Besa Famgas shënoi për 29:27 përmes Oliver Rabek në minutën e 59-të, ndërsa në minutën e fundit Kastrioti shënoi për 29:28 nëpërmjet Eray Karakoç. Por Besa e kishte aksionin e fundit dhe kështu fitorja i takoi kësaj skuadre.
Deniz Terziqi i shënoi tetë gola për Besa Famgas. Shtatë i kishte Yassine Henahen e nga katër Jon Muqolli e Oliver Rabek.
Vuk Lakiçeviq ishte më efikasi te Kastrioti me shtatë gola. Nga gjashtë i realizuan Karakoç e Festim Mustafa.
Ishte kjo ndeshja e fundit e xhiros së tretë të Superligës së Kosovës.
Besa Famgas e shënoi fitoren e tretë dhe udhëheqë me gjashtë pikë. Kastrioti ka një fitore e një humbje.
Burimi: RTKLive
