Bill Clinton merr pjesë në të pamen e veprimtarit shqiptaro-amerikan Osman Osmani në Nju-Jork

Bill Clinton merr pjesë në të pamen e veprimtarit shqiptaro-amerikan Osman Osmani në Nju-Jork

Written by

in

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ka marrë pjesë në pritjen për ngushëllime të organizuar nga familja e veprimtarit shqiptaro-amerikan Osman Osmani, në Yonkers të Nju-Jorkut.

Pritja u organizua në Royal Regency Hotel, me rastin e ndarjes nga jeta të Osman Osmanit, i cili ndërroi jetë më 18 tetor në Prishtinë, shkruan Telegrafi.

Që nga orët e para të mëngjesit, pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, miq dhe bashkëpunëtorë të të ndjerit, në grupe të shumta, pritën në radhë për t’i shprehur ngushëllimet familjes Osmani. Pjesëmarrja ishte masive, duke dëshmuar respektin që Osmani gëzonte në mesin e bashkatdhetarëve.

Foto: Epoka e Re

Ndër personalitetet që morën pjesë për t’i shprehur ngushëllime familjes ishte edhe Bill Clinton, me të cilin Osman Osmani kishte ndërtuar një miqësi të ngushtë dhe një marrëdhënie të veçantë respekti të ndërsjellë.

Osman Osmani do të kujtohet si veprimtar i përkushtuar, atdhetar i shquar, njëri ndër themeluesit e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, si dhe lobist, mik i shumë personaliteteve, filantrop dhe ndërmarrës i shquar.

Ai la gjurmë të çmuara në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe në përpjekjet për çështjen e Kosovës./Telegrafi/