Birra pa alkool po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet në Zvicër, duke u shndërruar në faktorin kryesor të rritjes së tregut të birrës, në një kohë kur konsumi i birrës tradicionale po shënon rënie.
Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Zvicerane e Birrarive, në vitin prodhues 2025/2026, i cili përfundoi në fund të shtatorit, shitjet e përgjithshme të birrës në Zvicër u rritën për 0.8%, duke arritur në rreth 476 milionë litra.
Rritja më e madhe u regjistrua te birra pa alkool, shitjet e së cilës u shtuan për 15 për qind, duke arritur në afro 41 milionë litra.
Si rezultat, pjesëmarrja e saj në treg u rrit nga 7.5 në 8.5%. Në të kundërtën, shitjet e birrës me alkool shënuan rënie prej 0.4%, shkruan Watson.
Një ndikim në rritjen e përgjithshme të shitjeve pati edhe vera jashtëzakonisht e nxehtë, veçanërisht periudha nga qershori deri në gusht, kur shitjet u rritën për 5.4%.
Megjithatë, nga rritja e tregut përfituan kryesisht prodhuesit e huaj, transmeton Telegrafi.
Importet e birrës u shtuan për 4.4%, ndërsa shitjet e birrarive vendore zvicerane shënuan rënie prej 0.3%.
Drejtori i Shoqatës Zvicerane të Birrarive, Marcel Kreber, vlerëson se birra pa alkool mund ta tejkalojë birrën speciale dhe të bëhet lloji i dytë më i konsumuar në Zvicër, pas birrës Lager, brenda dy deri në tre vjetësh.
Ndryshimi i zakoneve të konsumatorëve, veçanërisht te të rinjtë, lidhet me rritjen e vetëdijes për shëndetin dhe aktivitetin fizik.
Sipas kryetarit të shoqatës, Nicolò Paganini, pijet alkoolike po përshtaten gjithnjë e më pak me stilin e jetesës së një pjese të gjeneratës së re.
Ndërkohë, sektori i gastronomisë po humb gradualisht pjesëmarrjen në shitjen e birrës. Për herë të parë që nga periudha e pandemisë, përmes restoranteve dhe lokaleve është shitur më pak se 30 për qind e birrës në tregun zviceran.
Pavarësisht rritjes së disa segmenteve, birraritë po përballen me presion të shtuar ekonomik për shkak të kostove të energjisë, shisheve të qelqit, kanaçeve të aluminit dhe lëndëve të para.
Sipas përfaqësuesve të industrisë, çmimet e energjisë elektrike dhe gazit për ndërmarrjet industriale në Evropë janë më shumë se dyfishuar brenda pesë vjetësh.
Presioni financiar është reflektuar edhe në numrin e prodhuesve, pasi numri i birrarive në Zvicër ka rënë nga mbi 1.200 në pak më shumë se 1.000, me bizneset më të vogla që po preken më së shumti./Telegrafi/