
Komuna e Mitrovicës, e cila para tre muajsh kishte kërkuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) diskualifikimin e një kompanie për dyshime mbi dokumentet e dorëzuar në tender, tani ka shpërblyer me kontratë një konsorcium ku bën pjesë një kompani tjetër e të njëjtit biznesmen. Bëhet fjalë për Fehmi Krasniqin, pronar i kompanisë “Rahovica” SH.P.K., e cila pas ankesës së Komunës së Mitrovicës ishte futur në listën e zezë për tetë muaj. Ndërkaq, në një tender tjetër të kësaj komune, pjesë e konsorciumit fitues është “RAHOVICA COMPANY” SH.P.K., po ashtu në pronësi të Krasniqit.
Gazeta Insajderi
Kontrata për ndërtimin e rrugëve dhe trotuareve në qytet dhe fshatra i është dhënë konsorciumit të përbërë nga tri kompani: “CAPITAL X FET” SH.P.K., “RAHOVICA COMPANY” SH.P.K. dhe N.N.SH. “WORLD MEDIUM”.
Vlera e tenderit është mbi 572 mijë euro.
Por, kjo nuk është kontrata e vetme publike që kompania ka marrë gjatë kësaj periudhe. Më 16 tetor 2026, “Rahovica” SH.P.K. është shpërblyer edhe nga Komuna e Podujevës për projektin “Ndërtimi i rrugës magjistralja deri në rrugën Bedri Ahmeti – ritenderim”, me vlerë afro 200 mijë euro.
Komuna e Mitrovicës kishte qenë vetë ajo që e kishte dërguar kompaninë tjetër të Fehmi Krasniqit në Gjykatën e Tenderëve.
Komuna ndaj “Rahovica” SH.P.K ka kërkuar masa ndëshkuese për shkak të dyshimeve se në një procedurë të prokurimit ishte dorëzuar dokumentacion me përmbajtje të rreme.
OSHP-ja e kishte aprovuar kërkesën e Komunës dhe e kishte diskualifikuar kompaninë nga pjesëmarrja në prokurimin publik për tetë muaj, nga 6 gushti 2026 deri më 5 prill 2027.
Pse u fut kompania e Fehmi Krasniqit në listën e zezë?
Rasti për të cilin Komuna e Mitrovicës kishte kërkuar diskualifikimin e “Rahovica” SH.P.K. lidhej me tenderin për asfaltimin e rrugëve në Bajgorë, Rashan, Tërsten, Kutllovc dhe Vllahi.
Në atë procedurë, Komuna kishte ngritur dyshime për dokumentacionin e dorëzuar nga kompania, konkretisht për një rimorkio-kompresor të paraqitur si pjesë e kapaciteteve teknike.
Sipas vendimit të OSHP-së, në dokumentacionin e paraqitur kishte mospërputhje lidhur me të dhënat dhe pronësinë e pajisjes. Pas shqyrtimit të rastit, Paneli Shqyrtues e kishte aprovuar kërkesën e Komunës dhe kishte vendosur diskualifikimin e kompanisë për tetë muaj.
Çfarë thotë “Rahovica Comerce” SH.P.K.?
Në një përgjigje për Gazetën Insajderi, “Rahovica Comerce” SH.P.K. e ka cilësuar vendimin e OSHP-së për diskualifikimin e saj si tendencioz, të padrejtë dhe të pabazuar.
Kompania pretendon se rasti nuk ka të bëjë me falsifikim të dokumentacionit dhe se gjatë mandatit të anëtarit të Panelit Shqyrtues të OSHP-së, Vedat Poterqoi, është dëmtuar vazhdimisht.
Sipas kompanisë, asnjë lëndë e shqyrtuar gjatë kësaj periudhe nuk është vendosur në favor të saj.
“Rahovica Comerce” SH.P.K. pretendon gjithashtu se Poterqoi ka konflikt interesi për shkak të lidhjeve familjare me kompaninë “Eurokos Holding”.
Kompania ka bërë të ditur se për këtë çështje ka deponuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale dhe ka kërkuar ekzaminime forenzike për të vërtetuar autenticitetin e dokumentacionit.
Sa i përket “Rahovica Company” SH.P.K., e cila është pjesë e konsorciumit të shpërblyer nga Komuna e Mitrovicës, kompania thotë se bëhet fjalë për subjekt juridik të veçantë, me dokumentacion dhe përgjegjësi të veta.
“Rahovica Company” është subjekt juridik i veçantë, me dokumentacionin dhe përgjegjësitë e veta, dhe duhet të vlerësohet sipas kritereve ligjore dhe kapaciteteve të saj“, thuhet në përgjigje/insajderi.org/
Burimi: Insajderi