Në një intervistë me gazetaret Medina Pasoma dhe Laura Krasniqi në emisionin special “Red Carpet”, Bogujevci ka falënderuar ekipin e Radiotelevizionit të Kosovës për organizimin dhe punën e bërë në rikthimin e kësaj ngjarjeje muzikore.
“Jam shumë e lumtur që janë kthyer ‘Akordet’. Falënderuese për gjithë ekipin e RTK-së për punën e mrekullueshme që e kanë bërë, për talentin dhe punën e tyre”, tha Bogujevci.
Ajo theksoi se rikthimi i emrit “Akordet e Kosovës” ka rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh traditën e gjatë kulturore dhe muzikore të vendit.
Ministrja e Kulturës vlerësoi edhe rikthimin e natës së dedikuar për fëmijët, duke thënë se Kosova ka shumë fëmijë të talentuar, të cilëve duhet t’u jepet mundësia të prezantojnë aftësitë e tyre në skena të mëdha.
“Ne kemi shumë fëmijë të talentuar, kështu që është kënaqësi me pa që ju jepet mundësia në një skenë të madhe”, u shpreh ajo.
Bogujevci tha se rikthimi i festivalit dhe përfshirja e artistëve të rinj janë të rëndësishme për vazhdimësinë e traditës muzikore dhe zhvillimin e kulturës në Kosovë.
Festivali “Akordet e Kosovës” po mbahet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Burimi: RTKLive
