Të dyja skuadrat vazhdojnë të jenë të pamposhtura dhe mbeten të barabarta në krye të tabelës së Bundesligës, pas një ndeshje me shumë raste dhe emocione deri në minutat e fundit.
Bayern Munich ka qenë më kërkues në fillim të takimit. Michael Olise e ka goditur shtyllën nga distanca, ndërsa në anën tjetër Jobe Bellingham ka rrezikuar portën vendase, por portieri Jonas Urbig ka reaguar mirë.
Dortmund ka arritur të shënojë në pjesën e parë përmes Bellingham, por goli është anuluar për shkak të një ndërhyrje të Carney Chukwuemekas ndaj portierit Urbig.
Vetëm pak minuta më vonë, Bayern Munich ka kaluar në epërsi. Konrad Laimer ka përfituar nga një pasim i Olise dhe, pas goditjes së parë të ndalur nga portieri Gregor Kobel, ka arritur ta dërgojë topin në rrjetë.
Në pjesën e dytë, Harry Kane e ka pasur mundësinë ta dyfishojë epërsinë e Bayern nga penalltia, por goditja e tij është përplasur në traversë. Kjo ka qenë penalltia e parë e humbur nga sulmuesi anglez në Bundesligë, pasi paraprakisht kishte realizuar njëzet e pesë nga njëzet e gjashtë penalltitë e ekzekutuara.
Dortmund e ka shfrytëzuar këtë mundësi dhe e ka barazuar rezultatin. Chukwuemeka ka depërtuar në zonë dhe ka pasuar te Serhou Guirassy, i cili me një goditje të saktë ka shënuar për 1:1.
Megjithatë, barazimi nuk ka zgjatur shumë. Joshua Kimmich ka harkuar në zonë, Kane e ka devijuar topin me kokë, ndërsa Dayot Upamecano e ka dërguar atë në rrjetë për 2:1.
Kur është dukur se Bayern do t’i marrë tri pikë, Fabio Silva ka shënuar për 2:2 pak më shumë se një minutë para fundit të kohës së rregullt. Sulmuesi portugez ka përfituar nga një top i mbetur në zonë dhe ka realizuar me mjeshtëri.
Bayern e ka pasur edhe një mundësi tjetër për të kaluar në epërsi, por goditja e Lennart Karl është ndalur në traversë.
Burimi: RTKLive
