Bosnja ia ndalon hyrjen Milan Radoiçiqit, e shpall kërcënim për sigurinë kombëtare

Bosnja ia ndalon hyrjen Milan Radoiçiqit, e shpall kërcënim për sigurinë kombëtare

Written by

in

Bosnja ia ndalon hyrjen Milan Radoiçiqit, e shpall kërcënim për sigurinë kombëtare

Milan Radoiçiqit, i dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë, i është ndaluar hyrja në Bosnje dhe Hercegovinë, pasi autoritetet e këtij shteti e kanë shpallur kërcënim për sigurinë kombëtare.

Sipas raportimit të Radio Evropa e Lirë, duke iu referuar burimeve të sigurisë, vendimi është marrë më 13 nëntor, katër ditë para se Gjykata e Lartë në Beograd të urdhëronte paraburgimin e tij dhe ta shpallte në kërkim, pasi ai nuk ishte paraqitur në polici më 15 nëntor.

Institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës nuk kanë dhënë detaje lidhur me arsyet që kanë çuar në marrjen e këtij vendimi. Ndalimi nënkupton se Radoiçiqit do t’i refuzohet hyrja në këtë shtet në rast se tenton të kalojë kufirin.

Ndërkohë, vendndodhja e tij vazhdon të jetë e panjohur. Ditëve të fundit janë publikuar raportime të pakonfirmuara se ai mund të jetë larguar nga Serbia drejt Rusisë, por këto pretendime nuk janë konfirmuar as nga autoritetet serbe dhe as nga Ambasada ruse.

Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë më 24 shtator 2023. Gjatë këtij sulmi u vra polici Afrim Bunjaku, ndërsa humbën jetën edhe tre sulmues serbë.

Në Kosovë, ndaj 45 personave është ngritur aktakuzë për sulmin në Banjskë, përfshirë edhe Radoiçiqin, i cili po gjykohet në mungesë.

Në anën tjetër, në Serbi ai po hetohet për vepra penale që lidhen me armët dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, por deri më tani ndaj tij nuk është ngritur aktakuzë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali