BQK prezanton reformat financiare para përfaqësuesve diplomatikë

BQK prezanton reformat financiare para përfaqësuesve diplomatikë

Written by

in

Në takimin ku morën pjesë edhe zëvendësguvernatorët, përfaqësues të institucioneve evropiane dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare, Ismaili prezantoi zhvillimet makroekonomike dhe treguesit e qëndrueshmërisë së sistemit bankar.

Ai theksoi se treguesit e kapitalizimit, likuiditetit dhe cilësisë së kredive dëshmojnë qëndrueshmërinë e sektorit bankar, ndërsa BQK-ja po avancon reformat në mbikëqyrjen e bazuar në rrezik, mbrojtjen e konsumatorëve dhe përafrimin e rregullativës me standardet e Bashkimit Evropian.

Një ndër prioritetet e diskutuara ishte edhe integrimi financiar evropian, me theks në finalizimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe zhvillimin e sistemit TIPS-K për pagesa të shpejta, në bashkëpunim me Bankën e Italisë.

Sipas BQK-së, këto iniciativa synojnë modernizimin e infrastrukturës së pagesave, uljen e kostove të transaksioneve dhe forcimin e ndërlidhjes financiare të Kosovës me Evropën.

“Stabiliteti financiar, reformat institucionale dhe integrimi evropian janë prioritete që përforcojnë njëra-tjetrën. Objektivi ynë është që përafrimi me standardet evropiane të përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët, bizneset dhe ekonominë”, ka thënë Ismaili.

Në fund të takimit, guvernatori falënderoi përfaqësuesit diplomatikë dhe partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin dhe asistencën teknike në mbështetje të reformave të Bankës Qendrore.

Burimi: RTKLive