Burri me një valixhe plot me gjarpërinj ndalohet në një aeroport gjerman

Burri me një valixhe plot me gjarpërinj ndalohet në një aeroport gjerman

Written by

in

Burri me një valixhe plot me gjarpërinj ndalohet në një aeroport gjerman

Një burrë është ndaluar në Aeroportin Këln-Bon në Gjermani, pasi u përpoq të kontrabandonte më shumë se 90 hardhuca dhe gjarpërinj helmues.

Zyrtarët doganorë thanë se 45-vjeçari, një zjarrfikës nga Meksika, dukej i shqetësuar derisa përpiqej të kalonte përmes daljes së gjelbër – ku nuk deklarohen mallra – në aeroport.

Ata e nënshtruan burrin ndaj një testi për lëndë narkotike – i cili rezultoi pozitiv për kokainë – përpara se të kontrollonin valixhen e tij.

Nuk gjetën drogë, por gjetën nepërka, gjarpërinj me zile dhe lloje të tjera gjarpërinjsh e hardhucash, përfshirë iguana, të fshehura në shishe shamposh e kremrash, enë plastike dhe çorape të mbledhura.

“Kolegët e mi në aeroport janë mësuar me gjithfarë gjërash që njerëzit fusin në valixhe si suvenire, por nuk na ka ndodhur kurrë më parë të gjejmë 37 gjarpërinj helmues të gjallë dhe 55 hardhuca nga Meksika”, tha Jens Ahland, zëdhënës i zyrës doganore të Këlnit.

Disa prej tyre mbaheshin “në kushte çnjerëzore”, tha Ahland. Të tjerë kishin ngordhur gjatë udhëtimit nga Meksiko, përmes Stambollit.

Burri, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, u tha zyrtarëve se i kishte sjellë kafshët si një nder për një të njohur brazilian.

Atij iu ndalua hyrja në Gjermani dhe u dërgua sërish në Stamboll.

Sipas BBC, sa u përket kafshëve që kanë mbijetuar, ato po mbahen në një qendër për gjarpërinjtë në Gjermani.

Gjashtë vite më parë, zyrtarët doganorë në Aeroportin Këln-Bon gjetën 26 zvarranikë të rrallë – 10 prej të cilëve të ngordhur – të cilët ishin kontrabanduar brenda pakove me lodra dhe ëmbëlsira nga Meksika.

Ato ishin të destinuara për blerës privatë në Gjermani. /Klankosova.tv