
Ish-diplomati, Blerim Canaj, i ftuar në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, tha se presidentja, si shefe e politikës së jashtme, ka një rol të rëndësishëm dhe mund të jetë personi i vetëm që hap shumë dyer.
Sipas tij, ajo duhet që së pari të bëjë një vizitë te ish-krerët e UÇK-së në Hagë, sepse kjo do t’i përcillte mesazhin kyç “Jo në emrin tim” dhe “Jo në emrin e popullit tim”.
Canaj theksoi se gjykata është një mekanizëm i ndërtuar nga vetë Kosova, por se presidentja duhet të jetë pjesë aktive e diplomacisë.
Ai tha se ajo që shteti ka nevojë tani është sensibilizimi serioz i partnerëve ndërkombëtarë.
“Gjykata është një mekanizëm i ndërtuar prej nesh, që është… që duhet të themi që në fillim. Në anën tjetër, Presidentja si shefe e politikës së jashtme, natyrisht që e ka një rol të rëndësishëm, ndoshta prej kësaj parie shtetërore mund të jetë edhe deri më tani personi i vetëm i cili mund të hapë shumë dyer. Por, unë e kam thënë edhe më herët dhe po e përsëris: Pres që Presidentja së pari ta bëjë një vizitë tek krerët e UÇK-së në Hagë, për shkak se përmes kësaj vizite ajo do të përcillte pastaj mesazhin kyç “Jo në emrin tim” dhe “Jo në emrin e popullit tim”. Dhe natyrisht që do të duhej të ishte pjesë aktive e diplomacisë, për shkak se ajo për çfarë ne si shtet momentalisht kemi nevojë është seriozisht sensibilizimi i partnerëve tanë ndërkombëtarë. Pse po e përmend disa herë sensibilizimin? Për shkak se, po e përsëris, ata e dinë që gjykata është ndërtuar dhe e dinë që është marrë një vendim, mirëpo fare pak kanë qenë të informuar”, tha ai.