Category: Lajme

  • Dafina Zeqiri uron Justina Shiroka - Pulën pas zgjedhjes presidente

    Dafina Zeqiri uron Justina Shiroka – Pulën pas zgjedhjes presidente

    Dafina Zeqiri ka reaguar pas zgjedhjes së Justina Shiroka – Pulës në postin e presidentes së Republikës së Kosovës.

    Këngëtarja ka ndarë në Instagram një urim për presidenten e re, duke i përcjellë asaj urimet për detyrën e re.

    Në postimin e saj, Dafina shkroi: “Shumë urime”, duke e etiketuar Shiroka – Pulën dhe shoqëruar mesazhin me ’emoji’.

    Foto: Instagram

    Dafina ka ndarë në InstaStory edhe një tjetër postim, kësaj here të ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

    Në fotografinë e publikuar nga Jahjaga, ajo shfaqet përkrah Justina Shiroka Pulës.

    Postimi shoqërohet me një urim për presidenten e re, e fotografia sjell në fokus dy prej figurave që kanë mbajtur dhe mbajnë postin e presidentes së Kosovës.

    Kështu, përmes dy postimeve të njëpasnjëshme, Zeqiri ka përcjellë urimin e saj për Justinën dhe më pas ka ndarë edhe mesazhin e ish-presidentes Atifete Jahjaga, duke treguar se ruan raporte të mira me to. /Telegrafi/

    Foto: Instagram

  • Enzo Fernandez shpërtheu në lot në mes të fjalimit lamtumirës të Messit, më vonë i kushtoi një letër emocionuese

    Enzo Fernandez shpërtheu në lot në mes të fjalimit lamtumirës të Messit, më vonë i kushtoi një letër emocionuese

    Enzo Fernandez u trondit dukshëm gjatë fjalimit lamtumirës të Lionel Messit në stadiumin Monumental. Mesfushori i Manchester City shpërtheu në lot në fushë dhe më vonë publikoi një letër emocionuese ku përshkruante udhëtimin e tij nga një djalë që admironte Messin deri te fitimi i Kupës së Botës së bashku me të.

    Ndërsa Lionel Messi mbajti fjalimin e tij të lamtumirës pas fitores 3-0 të Argjentinës ndaj Beninit, Enzo Fernandez nuk mundi t’i mbante lotët në fushë. Një video e reagimit të 25-vjeçarit u bë shpejt virale në rrjetet sociale.

    “Sinqerisht, ishte një ditë shumë emocionuese, me shumë ndjenja të përziera. Shpresoj që Leo ta ketë shijuar, do të na mungojë shumë”, u tha Enzo gazetarëve pas ndeshjes.

    Një letër për një idhull të fëmijërisë

    Fernandez më vonë publikoi një letër në të cilën kujtonte se si e kishte idolizuar Messin kur ishte djalë i ri. Ai e përshkroi shkrimin që i kishte bërë kur ishte 15 vjeç, kur sulmuesi u tërhoq për pak kohë nga skuadra kombëtare në vitin 2016.

    “Kur the se do të largoheshe, u trishtova shumë. Isha vetëm një fëmijë dhe gjithmonë bëja llogaritje, duke krahasuar moshën tënde me timen, për të parë nëse do të kisha ndonjëherë mundësinë të luaja me ty”, shkroi fillimisht Fernandez.

    “Po mendoja se sa vite të kanë mbetur dhe sa kohë do të më duhet mua për të arritur në ligën e parë. Ëndërroja që të luanim së bashku për Argjentinën të paktën një herë”.

    Kjo ëndërr u bë realitet dhe kulmi ishte fitimi i Kupës së Botës në Katar me heroin e tij.

    Përveç sukseseve të tyre të përbashkëta, Fernandez theksoi mbështetjen dhe mentorimin e Messit që kur iu bashkua ekipit të parë.

    “Erdha me shpresën për të ndarë fushën me idhullin tim, dhe në vend të kësaj gjeta dikë që më bëri të ndihesha pjesë e ekipit që nga momenti i parë”, tha ai.

    “Gjithmonë më jepje një fjalë të mirë, një këshillë, një përqafim ose thjesht dije si të më qetësoje kur kisha nevojë. Nuk do ta harroj kurrë këtë. Faleminderit që më trajtove në këtë mënyrë, faleminderit për gjithçka që më mësove dhe që më le të jem pjesë e historisë sate”.

    Fernandez pranoi se është e vështirë për të ta imagjinojë ekipin kombëtar pa Messin në ndeshjet e ardhshme. “Sot është e vështirë për mua të imagjinoj grumbullimin e radhës pa ty. Të dal në fushë dhe të mos të shoh ty përpara meje me numrin 10”.

    “Sa me fat isha, Leo. Ai fëmijë pati shumë fat ndërsa po numëronte, dhe as nuk e dinte nëse do të arrinte ndonjëherë në kohë. Do të na mungosh shumë, Kapiten”, përfundoi letrën e tij Enzo. /Telegrafi/

  • Forcat ukrainase godasin dy objekte nafte dhe një poligon ushtarak në Rusi – Zelensky publikon pamjet

    Forcat ukrainase godasin dy objekte nafte dhe një poligon ushtarak në Rusi – Zelensky publikon pamjet

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës kanë goditur katër objektiva që ndihmojnë Rusinë të financojë dhe të zhvillojë luftën e saj, përfshirë dy objekte nafte dhe një poligon ushtarak në tri rajone ruse.

    Kreu i shtetit ukrainas e bëri të ditur këtë përmes një postimi në Facebook, përcjell Telegrafi.

    “Përgjigje të drejta të Ukrainës ndaj të gjitha sulmeve ruse kundër popullit tonë. Gjatë ditës së kaluar, luftëtarët tanë goditën katër objektiva që ndihmojnë Rusinë të financojë dhe të zhvillojë luftën e saj brutale – dy objekte nafte dhe një poligon ushtarak në rajonet Perm, Samara dhe Astrakhan. Pati gjithashtu një kundërpërgjigje në Detin e Zi”, citohet të ketë thënë ai.

    Siç është raportuar më herët, gjatë sulmit të fundit ajror, forcat ruse përdorën 70 raketa, shumë prej të cilave balistike, si dhe dronë “Shahed”, ku infrastruktura energjetike ukrainase ishte një objektiv kryesor.

    Në shënjestër të sulmeve u vunë infrastruktura në Kiev dhe në 12 rajone të tjera. /Telegrafi/

  • Arrestohet 69-vjeçari në Gostivar, policia i gjeti pushkë dhe 110 fishekë

    Arrestohet 69-vjeçari në Gostivar, policia i gjeti pushkë dhe 110 fishekë

    Një 69-vjeçar është privuar nga liria në Gostivar, pasi gjatë një kontrolli në shtëpinë e tij dhe në hapësirat ndihmëse janë gjetur armë dhe municion, njofton policia. Nga Policia bëjnë të ditur se kontrolli është kryer me urdhër gjykate.

    “Më 06.10.2026 në Gostivar, zyrtarë policorë nga OVR Gostivar e privuan nga liria U.R. (69) nga Gostivari. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij dhe në hapësirat ndihmëse, të kryer në bazë të urdhrit gjyqësor, janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike me karikator me gjashtë fishekë të kalibrit 7.65 mm, një karikator me 17 fishekë të kalibrit 7.65 mm, si dhe disa kuti me gjithsej 110 fishekë të kalibrave të ndryshëm”, thuhet në njoftimin e policisë.

    I dyshuari është mbajtur në stacion policor. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihet kallëzim përkatës.

  • Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe Konferenca e Bujanit: Përplasja për të ardhmen e tokave shqiptare

    Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe Konferenca e Bujanit: Përplasja për të ardhmen e tokave shqiptare

    Përtej kundërshtimit ideologjik, dy organizimet u përballën me çështjen e përfaqësimit, sigurisë së popullsisë dhe të ardhmes territoriale. Për elitat lokale të Sanxhakut dhe Bihorit, këto çështje merrnin peshë të veçantë pas tragjedisë së janarit 1943.

    Nga Ismet Azizi

    Përse drejtuesit partizanë e konsideronin Lidhjen e Dytë të Prizrenit një kundërshtare që duhej mposhtur?

    Përgjigjja gjendet në ndërthurjen e përplasjes antifashiste me konkurrencën për pushtet dhe me çështjen territoriale. Lidhja vepronte në kushtet e pushtimit gjerman dhe mbështetej në bashkëpunimin me autoritetet gjermane për ruajtjen e bashkimit territorial me Shqipërinë. Muhamet Shatri e vendos veprimtarinë e saj brenda kësaj marrëdhënieje, duke evidentuar mbështetjen e një pjese të forcave nacionaliste te Boshti.

    Njëkohësisht, programi i Lidhjes kërkonte bashkimin e përhershëm të krahinave shqiptare me Shqipërinë dhe ngritjen e një organizimi politik e ushtarak për mbrojtjen e tyre. Ky projekt përplasej me synimin e udhëheqjes jugosllave për ruajtjen e territoreve që ajo i konsideronte pjesë të Jugosllavisë.

    Këtë dimension territorial e shpreh qartë letra e Peko Dapçeviqit, e 26 marsit 1944, drejtuar Shtabit të Përgjithshëm të lëvizjes nacionalçlirimtare shqiptare. Sipas fragmenteve që riprodhon Qerim Lita, Dapçeviqi kundërshtonte lëshimin e territoreve jugosllave dhe i paraqiste ndryshimet e kufijve gjatë luftës si rezultat të ndërhyrjes së pushtuesve. Në të njëjtën letër, ai pohonte se Komiteti i Kosovës kishte mobilizuar popullsinë në Veri dhe Verilindje të Shqipërisë kundër forcave jugosllave. Për ta kapërcyer këtë pengesë, kërkonte bashkërendimin me njësitë partizane shqiptare dhe veprimtari politike në mesin e popullsisë.

    Dokumentet e cituara nga këta autorë tregojnë se mosbesimi lidhej edhe me përvojën e mëparshme të sundimit jugosllav. Në një letër të Fadil Hoxhës, të sjellë nga Lita, Lidhja dhe parulla e Shqipërisë Etnike paraqiteshin si faktorë mobilizimi kundër ushtrisë nacionalçlirimtare jugosllave. Por, letra përmendte edhe ndikimin e hegjemonizmit serb dhe frikën nga rikthimi i gjendjes së vjetër.

    Një dëshmi më e hershme gjendet te Fehmi Rexhepi. Duke cituar diskutimin e Emin Durakut në këshillimin e Vitomiricës, në shkurt 1942, ai vëren se masat shqiptare e perceptonin komunizmin si pansllavizëm. Ky vlerësim ndihmon të kuptohet pengesa kombëtare që haste mobilizimi komunist, megjithëse nuk mund të merret si përshkrim i qëndrimit të gjithë popullsisë.

    Kështu, kundërshtimi ndaj forcave jugosllave ushqehej edhe nga frika se ndryshimi i pushtetit do të sillte rivendosjen e një rendi të përjetuar si shtypës. Kjo përvojë i jepte mobilizimit nacionalist një bazë që shkonte përtej propagandës së kohës.

    A kishin komunistët dhe partizanët shqiptarë të njëjtat synime me udhëheqjen jugosllave?

    Pjesëmarrja në të njëjtën lëvizje nuk nënkuptonte domosdoshmërisht pajtim për të ardhmen e Kosovës. Rexhepi argumenton se shqiptarë të përfshirë në luftën antifashiste besonin se përmes saj do të realizonin vetëvendosjen dhe bashkimin kombëtar. Shatri, nga ana tjetër, përmend kërkesa të komunistëve shqiptarë për lidhje organizative me Partinë Komuniste të Shqipërisë, të cilat u kundërshtuan dhe u cilësuan nacionaliste.

    Këto të dhëna kërkojnë dallimin ndërmjet politikës së drejtuesve jugosllavë, qëndrimeve të udhëheqjes shqiptare dhe aspiratave të pjesëmarrësve në terren. Për një pjesë të shqiptarëve, lufta antifashiste përmbante edhe shpresën për zgjidhjen e çështjes kombëtare.

    Se a ishte Bujani një kundërpërgjigje politike ndaj Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Shatri e shpreh drejtpërdrejt këtë interpretim: udhëheqja jugosllave ishte përpjekur ta shfrytëzonte Konferencën e Bujanit si kundërpeshë ndaj Lidhjes. Ai e lidh propagandimin e vetëvendosjes me përpjekjet për të frenuar mobilizimin e forcave nacionaliste.

    Rexhepi sjell një gjurmë tjetër: artikullin e Fadil Hoxhës, “Qëllimet e kolonës së pestë dhe Kongresi i Prizrenit”, ku sulmoheshin drejtuesit e Lidhjes dhe paralajmërohej një konferencë alternative. Autori e interpreton këtë si paralajmërim të Bujanit. Megjithatë, datimi i artikullit në tetor 1944, pas mbajtjes së Konferencës, krijon një mospërputhje kronologjike. Për këtë arsye, kjo gjurmë nuk mund të përdoret si dëshmi e përgatitjes së Bujanit pa kontrolluar dokumentin origjinal.

    Interpretimi i Bujanit si kundërpërgjigje politike mbështetet, pra, te konkurrenca për përfaqësimin dhe mobilizimin e shqiptarëve. Përballë një organizimi që kërkonte ruajtjen e lidhjes territoriale me Shqipërinë, lëvizja antifashiste duhej t’i përgjigjej së njëjtës aspiratë kombëtare për të fituar besimin e popullsisë.

    Megjithatë, synimi për ta përdorur Konferencën si kundërpeshë ndaj Lidhjes duhet dalluar nga përmbajtja e rezolutës dhe nga bindjet e pjesëmarrësve. Një funksion politik konkurrues nuk e përjashton sinqeritetin e atyre që besonin në vetëvendosje.

    Rezoluta e Bujanit e lidhi luftën antifashiste me aspiratën për bashkim me Shqipërinë dhe me vetëvendosjen deri në shkëputje. Sipas Shatrit, ky rezultat tejkalonte kufijtë e pranueshëm për udhëheqjen jugosllave.

    Rexhepi sjell letrën e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, të 28 marsit 1944, ku kufizohej karakteri i pushtetit të Këshillit Krahinor dhe kërkohej të mos flitej për bashkim me Shqipërinë dhe për përcaktim kufijsh. Këtu shfaqet dallimi ndërmjet premtimit të vetëvendosjes si mjet mobilizimi dhe pranimit të pasojave territoriale të saj.

    Në vazhdim, Rexhepi shqyrton artikullin e Pavle Joviçeviqit mbi Kosovën dhe vendimet e AVNOJ-it, ku shqiptarëve u premtoheshin të drejtat e pakicave kombëtare. Ky formulim e zhvendoste diskutimin drejt të drejtave brenda kuadrit jugosllav. Aspirata e artikuluar në Bujan përballej kështu me një orientim politik që synonte ruajtjen e Kosovës brenda Jugosllavisë.

    E, ku mbeteshin Bihori, Sanxhaku dhe elitat lokale në këto projekte? Për Bihorin dhe Sanxhakun, përplasja ndërmjet këtyre projekteve lidhej drejtpërdrejt me sigurinë e popullsisë dhe me të ardhmen e saj politike. Masakrat çetnike të janarit 1943 në Bihorin e Poshtëm, djegia e fshatrave dhe dëbimi i banorëve kishin treguar përmasat e rrezikut. Për drejtuesit vendorë, çështja territoriale merrte kështu një kuptim konkret: me cilat qendra politike dhe me çfarë organizimi ushtarak mund të sigurohej mbrojtja e popullsisë? Tragjedia e Bihorit duhet kuptuar edhe si një faktor që i dha urgjencë kërkimit të mbështetjes përtej kufijve të krahinës.

    Në këtë kontekst duhen shqyrtuar qëndrimet e Aqif Blytës dhe Hasan Zvizdiqit në Kuvendin e Prizrenit, si dhe veprimtaria mbrojtëse e Osman Rastoderit në Bihorin e Epërm dhe e Jakup Kardoviqit në trevën e Rozhajës. Këta drejtues nuk përbënin një bllok me të njëjtin program dhe të njëjtën pozitë institucionale. Blyta dhe Zvizdiqi e artikuluan çështjen e Sanxhakut në forumet e Lidhjes, ndërsa Rastoderi dhe Kardoviqi duhen kuptuar përmes organizimit vendor, mbrojtjes së popullsisë dhe marrëdhënieve me forcat që vepronin në krahinat e tyre. Bashkëpunimi me administratat pushtuese është pjesë e kësaj historie dhe kërkon vlerësim konkret; po aq kërkon vlerësim nevoja për mbijetesë që ndikonte në zgjedhjet e tyre.

    Prandaj, konkurrenca ndërmjet Prizrenit dhe Bujanit përfshinte edhe dy mënyra për të fituar besimin e popullsisë: organizimin politik e ushtarak për ruajtjen e lidhjes me Shqipërinë dhe premtimin e vetëvendosjes përmes luftës antifashiste. Për një pjesë të elitave lokale të Sanxhakut, përvoja e dhunës dhe frika nga rikthimi i sundimit jugosllav i jepnin peshë të veçantë projektit të Prizrenit. Bujani, ndërkaq, e përfshiu aspiratën për bashkim me Shqipërinë në programin antifashist të Kosovës, duke ofruar një përgjigje konkurruese ndaj mobilizimit nacionalist. Kundërshtimi i mëvonshëm i rezolutës nga udhëheqja jugosllave nxori në pah kufijtë e këtij premtimi. Pikërisht këtu qëndron thelbi i përplasjes: kush do ta mobilizonte popullsinë gjatë luftës dhe kush do të vendoste për të ardhmen e saj pas luftës. /Telegrafi/

    (Shkrimi mbështetet në punimet e Muhamet Shatrit, Qerim Litës dhe Fehmi Rexhepit, si dhe në materialet e shqyrtuara për Lidhjen e Dytë të Prizrenit dhe elitat lokale të Sanxhakut e Bihorit)

  • Gastronomi shqiptar çon shijen e flisë në Zvicër, zviceranët mahniten nga tradita shqiptare dhe turshitë

    Gastronomi shqiptar çon shijen e flisë në Zvicër, zviceranët mahniten nga tradita shqiptare dhe turshitë

    Ëndërrat kanë kuptim vetëm atëherë kur nisin të marrin formë, kur përballojnë sfidat dhe kur realizohen, ndoshta edhe më mirë se sa mund të imagjinohet.

    Ky është shpjegimi më i mirë, i rrugëtimit dhe gërshetimit mes pasionit dhe profesionit të Agron Zeqirit, shqiptarit që la Kosovën në vitin 2008, për ta vazhduar karrierën e tij, në Zvicër.

    Por, kjo gjë nuk nënkuptonte shkëputje nga vendlindja, misioni i gastronomit ishte akoma më vizionar, dërgimi në Zvicër të një pjese të traditës, kulturës dhe identitetit shqiptar, që nuk lidhet vetëm me ushqimin, por, edhe me ndjesinë dhe ngrohtësisë familjare, që ia ofron gatimi i ushqimeve shqiptare.

    Ai atje ka formuar edhe një agjensi të organizimit të eventeve, që e quajti “RIGA Events”, e që e lidhi me emrin e vajzës së tij të vogël.

    Në një intervistë për Telegrafi Diasporë, Zeqiri shpjegoi si ishte ideja që të bënte organizime të tilla dhe t’ua dërgonte shqiptarëve atje shijen shqip, si në ushqim, ashtu edhe në formën se si shqiptarët kanë festuar gjithmonë.

    “Para rreth shtatë vitesh vendosëm që edhe këtu në Zvicër ta përfshijmë më shumë kuzhinën tradicionale shqiptare, me flinë dhe specialitete të tjera tradicionale. Kjo u prit shumë mirë si nga mërgata shqiptare, ashtu edhe nga klientët zviceranë.

    Pas gjithë kësaj përvoje lindi dëshira për të krijuar diçka timen. Kështu lindi RIGA Events. Jam baba i tri vajzave dhe vajza ime më e vogël quhet Riga. Pikërisht prej saj vjen edhe emri RIGA Events, një emër me kuptim shumë personal për mua.

    Sot merremi me catering për dasma, fejesa, festa familjare, apero, evente biznesi dhe organizime të ndryshme. Ofrojmë kuzhinë shqiptare, italiane, mesdhetare dhe ndërkombëtare, duke e përshtatur çdo ofertë sipas klientit dhe karakterit të eventit” tha ndër tjera, ai.

    Kur jemi te kuzhina shqiptare, Agron Zeqiri tregoi se edhe shumë zviceranë i ka njoftuar me shijet tradicionale, përfshirë edhe turshitë.

    “Kemi pasur shumë mundësi t’ua prezantojmë klientëve zviceranë ushqimet tradicionale shqiptare dhe reagimet kanë qenë shumë pozitive. Shumë prej tyre janë kureshtarë të dinë se çfarë janë, si përgatiten dhe nga vijnë. Një shembull është flija me saç, të cilën e përgatisim vetë, me kujdes dhe durim, ashtu siç e kanë bërë nënat tona.

    Po ashtu, turshitë tradicionale i përgatisim vetë, duke ruajtur shijen e shtëpisë dhe të vendlindjes.

    Për mua është kënaqësi kur një klient zviceran provon për herë të parë një ushqim tradicional shqiptar, i pëlqen dhe dëshiron të dijë më shumë. Në atë moment nuk po prezantojmë vetëm ushqim, por edhe një pjesë të kulturës sonë” ka shtuar ndër tjera.

    Po për shijën dhe përgatitjen e flisë, çfarë mendimi kanë zviceranët? Përgjigjen na ka dhënë vetë gastronomi, duke zbuluar edhe reagimet e kilentëve joshqiptarë.

    “Shumë zviceranë e kanë provuar flinë dhe reagimet kanë qenë shumë të mira. Flija tërheq vëmendjen edhe për shkak të mënyrës tradicionale të përgatitjes. Kur u shpjegojmë se përgatitet me saç dhe sa kohë, kujdes e durim kërkon, bëhen edhe më kureshtarë. Për mua flija nuk është vetëm ushqim. Ajo lidhet me familjen, vendlindjen, traditën dhe mënyrën si kanë gatuar nënat tona. Kur një zviceran e provon dhe e vlerëson, është kënaqësi e veçantë, sepse po prezantojmë edhe një pjesë të traditës shqiptare” theksoi Zeqiri.

    I pyetur për dallimet mes mikpritjes në Kosovë dhe në Zvicër, sa u përket klientëve, Zeqiri tha se te ne shqiptarët, ngrohtësia ndaj mikut është më e madhe dhe më familjare, kurse, te zviceranët ka mësuar më shumë për organizimin, precizitetin dhe higjenën.

    Por, qëllimi i tij është që t’i bashkojë të dyja, gjatë shërbimit ndaj klientit. Tw paktwn ky wshtw misioni i RIGA EVENTS.

    “Sot, me RIGA Events, dua ta vazhdoj këtë histori në mënyrën time: ta ruaj atë që kemi të bukur nga tradita jonë dhe njëkohësisht ta prezantoj në mënyrë moderne dhe profesionale. Fakti që biznesi mban emrin e vajzës sime më të vogël, Riga, e bën gjithë këtë rrugëtim edhe më personal për mua.

    Për mua gastronomia nuk është vetëm përgatitja e ushqimit. Është mikpritje, atmosferë, respekt ndaj klientit dhe krijimi i kujtimeve të bukura. Ky është RIGA Events për mua: përvoja ime shumëvjeçare, familja ime, tradita jonë dhe dëshira për t’i sjellë të gjitha këto së bashku në një nivel profesional në Zvicër” shtoi Zeqiri.

    Për fund, Agroni u ka bërë thirrje shqiptarëve që të mos heqin dorë nga dëshirat e tyre, pavarësisht kufijëve, pasi, asgjë nuk e ndalon një ëndrrimtar!/Telegrafi/

  • Policia suedeze qëllon dhe plagos një burrë të armatosur pranë Pallatit Mbretëror në Stokholm

    Policia suedeze qëllon dhe plagos një burrë të armatosur pranë Pallatit Mbretëror në Stokholm

    Policia suedeze ka qëlluar dhe plagosur një burrë të armatosur pranë Pallatit Mbretëror në qendër të Stokholmit.

    Ngjarja ndodhi të martën në mbrëmje, pasi policia mori një njoftim për një person që po shkaktonte shqetësim dhe që dyshohej se mbante armë.

    Forcat e policisë që mbërritën në vendngjarje hapën zjarr ndaj burrit. Ai u godit nga plumbat dhe u dërgua në spital.

    “Burri u qëllua dhe u dërgua në spital”, tha për AFP zëdhënësja e policisë së Stokholmit, Susanna Rinaldo, transmeton Telegrafi.

    Sipas saj, plagët e tij konsiderohen serioze, por jo kërcënuese për jetën.

    Fillimisht, policia nuk bëri të ditur se çfarë lloj arme kishte personi, ndërsa theksoi se operacioni policor ishte ende në zhvillim. Autoritetet thanë se nuk kishte rrezik për publikun.

    Gazeta suedeze Expressen raportoi se burri ishte afruar te rojet e pallatit i armatosur me thikë dhe u kishte kërkuar që ta qëllonin.

    Në një përditësim të mëvonshëm, policia njoftoi se kishte nisur hetim për “kërcënime të rënda ndaj një zyrtari publik” dhe për një vepër të rëndë që lidhet me përdorimin e thikës.

    Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera për motivin e ngjarjes apo identitetin e personit. /Telegrafi/

  • Vetura të parkuara mbi trotuare në Ortakoll, pengohet lëvizja e nxënësve dhe këmbësorëve

    Vetura të parkuara mbi trotuare në Ortakoll, pengohet lëvizja e nxënësve dhe këmbësorëve

    Parkimi i veturave mbi trotuare në afërsi të shkollave “Abdyl Frashëri” dhe “Hysen Rexhepi”, në lagjen “Ortakoll”, po shkakton vështirësi për lëvizjen e nxënësve dhe këmbësorëve.

    Një qytetare ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me situatën, duke thënë se veturat e parkuara në trotuare po ua pamundësojnë këmbësorëve përdorimin normal të hapësirave të dedikuara për ta.

    Sipas saj, kjo gjendje është veçanërisht problematike për nxënësit që kalojnë në këtë pjesë të lagjes për të shkuar në shkollë.

    Përveç pengimit të lëvizjes së këmbësorëve, parkimi i veturave në trotuare po shkakton edhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve në këtë zonë.

    Banorët kërkojnë që të merren masa për lirimin e trotuareve dhe sigurimin e qarkullimit të papenguar për këmbësorët, veçanërisht në afërsi të institucioneve shkollore. /Telegrafi/

  • Laura Fazliu nis me dominim Botërorin, triumfon bindshëm ndaj xhudistes gjermanes

    Laura Fazliu nis me dominim Botërorin, triumfon bindshëm ndaj xhudistes gjermanes

    Laura Fazliu e ka nisur në mënyrë bindëse aventurën e saj në Kampionatin Botëror të xhudos, që po mbahet në Baku të Azerbajxhanit.

    Xhudistja kosovare garon në kategorinë deri në 63 kilogramë, ndërsa në xhiron e parë ishte e lirë.

    Në paraqitjen e saj të parë në këtë Botëror, Fazliu u përball me gjermanen Sara-Joy Bauer, të cilën e mposhti bindshëm.

    Laura realizoi fillimisht “Yuko”, për të vazhduar më pas me një uazari dhe një tjetër “Yuko”, duke dominuar plotësisht luftën.

    Pas këtij triumfi, Fazliu ka siguruar kalimin tutje dhe tani e pret një tjetër sfidë, ku do të përballet me mongolezen Enkhriilen Lkhagvatogoo./Telegrafi/

  • Miku i Jorge Jesus zbulon prapaskenat tronditëse: U kërcënua shkaku i Ronaldos

    Miku i Jorge Jesus zbulon prapaskenat tronditëse: U kërcënua shkaku i Ronaldos

    Carlos Padrao, mik i Jorge Jesus, ka bërë një pretendim të fortë lidhur me përplasjen mes përzgjedhësit të Portugalisë dhe Cristiano Ronaldos, duke thënë se një punonjës i yllit portugez kishte kërcënuar me shkarkimin e Jesusit nëse ai nuk i kërkonte falje publikisht sulmuesit.

    Padrao e bëri këtë pretendim gjatë një diskutimi në emisionin Jogo Aberto në SIC Noticias, ku foli për situatën e krijuar mes Jesusit dhe Ronaldos.

    Sipas tij, Tiago Craveiro kishte kontaktuar një person nga rrethi i Jorge Jesusit dhe i kishte përcjellë mesazhin se përzgjedhësi do të “shkarkohej” nëse nuk kërkonte falje publike ndaj Ronaldos në fillim të konferencës për shtyp.

    Megjithatë, Padrao theksoi se kërcënimi i pretenduar nuk i ishte bërë drejtpërdrejt Jesusit, duke lënë të hapur mundësinë që mesazhi t’i ishte përcjellë avokatit të trajnerit ose një tjetër personi të rrethit të tij.

    “U përpoqën t’i shkruanin një skenar Jorge Jesusit që t’i kërkonte falje Cristiano Ronaldos”, deklaroi Padrao.

    Sipas tij, Jesus përfundimisht nuk kërkoi falje, ndonëse pranoi se kishte bërë një gabim dhe shpjegoi arsyetimin pas vendimit të tij.

    “Të pranosh një gabim është një gjë, ndërsa të kërkosh falje është tjetër gjë”, shtoi Padrao.

    Miku i përzgjedhësit portugez zbuloi gjithashtu se Jesus ishte “shumë i trishtuar” kur kishte biseduar me të të martën në mëngjes.

    Në qendër të kësaj përplasjeje është edhe Tiago Craveiro, i cili më herët ka punuar me grupet e punës të FIFA-s dhe UEFA-s, ndërsa ka shërbyer edhe si administrator i garave të klubeve të UEFA-s.

    Craveiro u largua nga Federata Portugeze e Futbollit në vitin 2022, para se të merrte role strategjike në UEFA. Në fund të vitit 2023, ai u bë konsulent strategjik i CR7 SA, kompanisë holding të Cristiano Ronaldos./Telegrafi/