Category: Lajme

  • Doku.Tech sjell në Kosovë Ilir Selën, themelues dhe CEO i Slice

    Doku.Tech sjell në Kosovë Ilir Selën, themelues dhe CEO i Slice

    Nga piceritë familjare në New York te ndërtimi i një prej kompanive më të suksesshme të teknologjisë në industrinë e picave në SHBA – Ilir Sela, Founder & CEO i Slice, do të jetë keynote speaker në DOKU.TECH 2026, që mbahet më 5 dhe 6 nëntor në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

    Kjo do të jetë hera e parë që Sela vjen në Kosovë, në skenën e DOKU.TECH, ku do të ndajë historinë e tij sipërmarrëse, rrugëtimin drejt krijimit të Slice dhe vizionin e tij për mënyrën se si teknologjia mund të fuqizojë bizneset lokale dhe t’i ndihmojë ato të konkurrojnë në një ekonomi gjithnjë e më digjitale.

    I lindur në një familje shqiptare nga Maqedonia e Veriut dhe i rritur në Staten Island, New York, Sela u njoh me botën e biznesit që në moshë të re, duke ndihmuar në piceritë e familjes së tij. Duke parë nga afër sfidat me të cilat përballeshin piceritë e pavarura përballë zinxhirëve të mëdhenj, ai vendosi ta përdorte teknologjinë për t’u dhënë bizneseve lokale mjetet e nevojshme për t’u rritur dhe konkurruar.

    Nga kjo ide lindi Slice, platforma teknologjike që sot lidh mijëra piceri të pavarura në të gjithë Shtetet e Bashkuara me klientët e tyre dhe u ofron pronarëve të bizneseve teknologji, mjete dhe shërbime për të zhvilluar bizneset e tyre.

    Sot, rrjeti i Slice përfshin mbi 15,000 piceri të pavarura në të 50 shtetet e SHBA-së, ndërsa platforma ka ndihmuar pronarët e picerive lokale të gjenerojnë mbi 2 miliardë dollarë të ardhura.

    Në DOKU.TECH 2026, Sela do të sjellë në skenë jo vetëm historinë e ndërtimit dhe rritjes së Slice, por edhe perspektivën e një sipërmarrësi shqiptar nga diaspora që ka transformuar një problem të njohur të bizneseve familjare në një kompani teknologjike me ndikim në nivel kombëtar në SHBA.

    Pjesëmarrja e tij vjen në kuadër të temës së këtij viti, “The Future is Calling”, përmes së cilës DOKU.TECH 2026 sjell në Prishtinë njerëz dhe ide që po formësojnë mënyrën se si teknologjia, inteligjenca artificiale, inovacioni dhe sipërmarrja po ndryshojnë të ardhmen.

    Ilir Sela është vetëm një nga emrat që do të ngjiten në skenën e DOKU.TECH 2026, ndërsa folës dhe pjesë të tjera të programit do të prezantohen në ditët në vijim.

    Regjistrohu TANI dhe bëhu pjesë e DOKU.TECH 2026: 5 dhe 6 Nëntor, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë!

  • PLD: Qeveria më në fund pranoi se miliona euro janë nxjerrë pa mëshirë nga Buxheti për vite me radhë dhe janë hedhur për shpenzime fiktive

    PLD: Qeveria më në fund pranoi se miliona euro janë nxjerrë pa mëshirë nga Buxheti për vite me radhë dhe janë hedhur për shpenzime fiktive

    Partia Liberale Demokratike (PLD) mirëpret, siç thonë ata, pranimin përfundimtar nga Qeveria se miliona euro janë nxjerrë pa mëshirë nga buxheti i shtetit për vite me radhë dhe janë hedhur për shpenzime fiktive.

    “Ajo për të cilën kemi paralajmëruar me zë të lartë gjatë gjithë kësaj kohe më në fund është konfirmuar si një e vërtetë e hidhur: kishim të drejtë atëherë, kemi të drejtë edhe tani! Njoftimi se janë zbuluar mbi 4.500 përfitues të rremë të ndihmës sociale, përfshirë të ndjerë, të dëbuar nga shtëpitë dhe persona fiktivë, duke shkaktuar dëme prej 25 milionë eurosh në vit është vetëm një pikë në oqeanin e shpërdorimit të buxhetit që po zbraz xhepat e qytetarëve të vendit.

    Imagjinoni këtë matematikë shkatërruese: nëse vetëm në një vend, në pagesat sociale, kursehen deri në 25 milionë euro çdo vit, sa dhjetëra, apo edhe mbi njëqind milionë euro para publike shpërdorohen çdo vit për pozicione fiktive, zyrtarë të panevojshëm dhe lukse partiake? Sa milionë euro kushtojnë pozicione-mirazh si ai i Fetait në Bruksel? Sa na kushton ushtria e zëvendësministrave dhe zëvendësdrejtorëve të panevojshëm që shërbejnë si kukulla pa zë, por kanë paga të larta, zyra luksoze dhe automjete zyrtare? Sa milionë shkojnë në punë fiktive në administratën publike ku njerëzit paguhen për të pirë kafe, në vend që puna të thjeshtohet dhe dixhitalizohet”, pyesin nga PLD.

    Mesazhi nga partia, siç shtojnë ata në deklaratë, për Qeverinë është i qartë: përqendrohuni tek vendi ku ju vetë po mbështesni dhe mbroni grabitjen, kjo do të jetë reformë e vërtetë. Sipas PLD-së, nuk është reformë të përqendrohesh dhe të ndalesh vetëm tek ndihma sociale./Telegrafi/

  • Inteligjenca Artificiale parashikon se ku do të përfundonin yjet e Man Cityt nëse bien nga Liga Premier

    Inteligjenca Artificiale parashikon se ku do të përfundonin yjet e Man Cityt nëse bien nga Liga Premier

    Situata kontroverse në të cilën ndodhet Manchester City dhe beteja ligjore në të cilën është zhytur, ngjallin thashetheme në Angli rreth të ardhmes së yjeve të “Qytetarëve”.

    Një komision i pavarur e shpalli Cityn fajtor për 114 nga 115 akuzat që lidhen me shkelje të rënda të rregulloreve financiare të Ligës Premier gjatë nëntë sezoneve.

    Manchester City vazhdon të mohojë akuzat dhe të mbajë pafajësinë e tij, prandaj ata paraqitën një apel.

    Nëse kjo ankesë dështon, City rrezikon të ndëshkohet me rënie nga kategoria, gjë që mund të nënkuptojë humbjen e të gjithë yjeve të saj.

    Gazeta The Sun ka përdorur inteligjencën artificiale (IA) për të parashikuar destinacionet e mundshme të yjeve të Manchester Cityt, dhe Real Madridi do të ishte përfituesi kryesor i këtij eksodi masiv.

    Sipas Inteligjencës Artificiale, Real Madridi mund të nënshkruajë deri në tetë lojtarë të Cityt, përfshirë edhe lojtarin shumë të kërkuar Erling Haaland.

    Lojtarët e Cityt që mund të shoqërojnë Haalandin te Real Madrid do të ishin edhe Enzo Fernandez, Ayyoub Bouaddi, Phil Foden, Abdukodir Khusanov, Vitor Reis, Josko Gvardiol dhe Mateo Kovacic (i cili ishte tashmë lojtar i Real Madridit nga viti 2015 deri në vitin 2019).

    Manchester United dhe Liverpool do të ishin përfituesit e tjerë të mëdhenj të një eksodi masiv hipotetik nga City.

    Përfituesi tjetër i madh do të ishte Manchester United, i cili mund të transferojë Gianluigi Donnarumma, Elliot Anderson, Matheus Nunes, Nico O’Reilly dhe Rico Leëis nga fqinjët e tyre te City.

    Inteligjenca Artificiale vendos Antoine Semenyo, Marc Guehi, Rayan Ait-Nouri dhe Ruben Dias në Liverpool, teksa Arsenali i Mikel Artetës do të kishte arsye për të aspiruar të nënshkruante me Jeremy Dokun.

    Chelsea mund të rinovojë kontratën me portierin Marcus Bettinelli, dhe Everton mund të rikthejë ish-yllin e tyre Iliman Ndiaye.

    Rayan Cherki mund të kthehet në Francë për të luajtur për PSG-në, ndërsa Geronimo Rulli mund të kthehet te Real Sociedadi. /Telegrafi/

  • Real Madridi hap derën për shitjen e Tchouamenit

    Real Madridi hap derën për shitjen e Tchouamenit

    E ardhmja e Aurelien Tchouamenit te Real Madridi nuk është e garantuar. Drejtuesit e klubit spanjoll nuk e përjashtojnë mundësinë e shitjes së mesfushorit francez, nëse në të ardhmen mbërrin një ofertë që konsiderohet e kënaqshme.

    Tchouameni, 26-vjeçar, ka kontratë me “Los Blancos” deri në qershor të vitit 2028, por kjo nuk do të thotë se qëndrimi i tij në “Santiago Bernabeu” është i sigurt.

    Sipas gazetarit Jorge Picon, i cili ndjek nga afër zhvillimet te Real Madridi, klubi do ta shqyrtonte seriozisht shitjen e francezit në rast të një oferte të mirë.

    Madje, sipas burimeve të Picon, Real Madridi do të ishte më i prirur të shiste Tchouamenin sesa bashkëkombësin e tij, Eduardo Camavingan.

    “Më insistojnë se nëse vjen një ofertë e mirë, ai do të shitet. Personi që ma ka thënë këtë beson se Reali do ta shiste Tchouamenin para Camavingas. Në një takim vitin e kaluar, kur Madridi mendonte se Rodri do të vinte, u tha se duhej t’i gjendej një zgjidhje Tchouamenit”, ka deklaruar gazetari.

    Picon ka hedhur gjithashtu dyshime mbi raportimet e fundit që flasin për një rinovim të mundshëm të kontratës së mesfushorit francez.

    “Çështja e rinovimit nuk më bind shumë. Mendoj se rinovimi ka një pjesë që lidhet me një angazhim apo me diçka tjetër që nuk është vetëm aspekti sportiv. Kjo është ndjesia që kam”, ka thënë ai.

    Për momentin, Tchouameni vazhdon të ketë besimin e plotë të trajnerit Jose Mourinho.

    Pasi francezi ka rikuperuar formën e tij fizike, portugezi nuk ka hezituar ta vendosë në qendër të mesfushës, së bashku me uruguaianin Fede Valverde.

    Megjithatë, nëse Real Madridi vendos ta shesë Tchouamenin, klubi pritet të kërkojë menjëherë një zëvendësues të nivelit të lartë për të mbuluar largimin e tij. E ardhmja e francezit mbetet kështu një çështje për t’u ndjekur nga afër. /Telegrafi/

  • A duhet ta mbështillni pasaportën me letër alumini? Ja çfarë thotë autoriteti zviceran

    A duhet ta mbështillni pasaportën me letër alumini? Ja çfarë thotë autoriteti zviceran

    Udhëtarët i mbështjellin pasaportat me letër alumini për t’i mbrojtur nga hajdutët e të dhënave. Por a është vërtet i nevojshëm ky truk? Autoriteti zviceran për Doganat dhe Sigurinë Kufitare sqaron se sa i madh është në të vërtetë rreziku.

    Kushdo që ndjek forumet e udhëtimit apo grupet në rrjetet sociale mund të hasë këshillën për ta mbështjellë pasaportën me letër alumini. Sipas këtij truku, kjo do të parandalonte kriminelët që të lexonin fshehurazi të dhënat personale gjatë udhëtimit.

    Arsyeja lidhet me vetë pasaportat moderne, të cilat përmbajnë një çip të vogël radioje, të njohur si RFID. Ky çip përmban informacione biometrike, si fotografia e pasaportës, si dhe të dhëna të tjera personale, raporton 20minuten.

    Për të parandaluar qasjen e paautorizuar në këto të dhëna, disa udhëtarë përdorin fletë alumini si një lloj mburoje. Por sipas Zyrës Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare (BAZG), kjo masë nuk është e nevojshme për pasaportat moderne.

    Leximi i pasaportës është praktikisht i pamundur pa u vënë re

    Simon Erny, përgjegjës për marrëdhëniet me median në BAZG, shpjegon se në parim një pasaportë elektronike mund të lexohet përmes ndërfaqes pa kontakt, duke përdorur një lexues të përshtatshëm.

    Megjithatë, lexuesi duhet të jetë shumë afër dokumentit të udhëtimit. Përveç kësaj, pasaportat moderne kanë disa mekanizma sigurie që mbrojnë të dhënat e ruajtura në çip nga qasja e paautorizuar.

    Një lexues duhet të ketë informacion specifik nga faqja e të dhënave të pasaportës për të qenë në gjendje të lexojë çipin, transmeton Telegrafi.

    “Leximi i thjeshtë dhe pa u vënë re i një pasaporte elektronike moderne gjatë udhëtimit të përditshëm është praktikisht i pamundur”, shpjegon Erny.

    Edhe të dhënat veçanërisht të ndjeshme, si gjurmët e gishtërinjve, nuk janë lehtësisht të arritshme për shkak të mekanizmave shtesë të sigurisë.

    Letra e aluminit mund të jetë më shumë bezdi sesa mbrojtje

    Edhe pse letra e aluminit nuk e dëmton drejtpërdrejt çipin e pasaportës, ajo nuk është veçanërisht praktike.

    Në pikat e kontrollit të sigurisë ose në kufi, pasaporta duhet të nxirret çdo herë nga mbështjellësi. Kjo kërkon kohë dhe mund ta sforcojë dokumentin.

    Gjithashtu, gjatë udhëtimit, letra e aluminit mund të përkulet ose të fërkohet me pasaportën në bagazh, duke dëmtuar zonat e ndjeshme të saj.

    Në rast se çipi dëmtohet, pasaporta mund të mos pranohet më, gjë që në skenarin më të keq mund të shkaktojë probleme gjatë hyrjes në një shtet tjetër.

    Mbështjellësit RFID si alternativë

    Për personat që duan të jenë absolutisht të sigurt, Simon Erny rekomandon përdorimin e një mbështjellësi të posaçëm bllokues RFID.

    “Kjo mund të parandalojë komunikimin radio me çipin dhe është shumë më praktike sesa fleta e aluminit kur jeni jashtë”, thotë ai.

    BAZG këshillon gjithashtu që të mos publikohen fotografi të pasaportës në internet. Sipas autoritetit zviceran, informacioni që shihet në një fotografi mund të lehtësojë leximin e paautorizuar të çipit./Telegrafi/

  • Kush do ta hetojë rastin e Adi Hilës?

    Kush do ta hetojë rastin e Adi Hilës?

    Kush do ta hetojë rastin e Adi Hilës?

    Është hedhur shorti në Prokurorinë e Tiranës për dosjen e video skandalit të kompozitorit Adi Hila.

    Sipas informacioneve të Top Channel, çështja do të hetohet nga prokurori Julian Xhengo, transmeton klankosova.tv.

    Sipas Hoxhës, në kuadër të kësaj çështjeje janë depozituar dy kallëzime në polici. Hila ka bërë kallëzim me pretendimin se është hakuar, ndërsa kallëzim ka bërë edhe këngëtarja Eli Fara, me pretendimin për shkelje të privatësisë.

    Mbi bazën e këtyre dy kallëzimeve, çështja lidhet me disa vepra penale, konkretisht hyrjen e paautorizuar kompjuterike, sipas kallëzimit të Hilës, si dhe përgjimin e paligjshëm të të dhënave kompjuterike dhe keqpërdorimin e pajisjeve kompjuterike, sipas kallëzimit të Eli Farës.

    Ditën e djeshme vetë aktorja Monika Lubonja ka bërë me dije se ka ngritur kallëzim penal ndaj Adi Hilës.

    Por, sipas informacioneve të bëra publike nga Top Channel, Prokuroria ka shtuar në hetim edhe një vepër tjetër penale, atë të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

    Kjo lidhet me një veprim të kryer gjatë hetimeve paraprake. Sipas informacionit, policia ka tentuar të këqyrë hard-diskun, por pasi e ka sekuestruar, ka konstatuar se prova ishte e dëmtuar.

    Për këtë rrethanë, Hila ka deklaruar se e kishte shkatërruar vetë hard-diskun. Sipas tij, arsyeja ishte se nuk ishte i sigurt se nga vinte ndërhyrja dhe kishte frikë se mund të ndërhynin sërish dhe të merrnin të dhëna në distancë.

    Tashmë, pas hedhjes së shortit, hetimi i çështjes do të ndiqet nga prokurori Julian Xhengo në Prokurorinë e Tiranës.

  • Themelohen dy mekanizma brenda Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, i mbikëqyrjes së punës dhe integritetit

    Themelohen dy mekanizma brenda Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, i mbikëqyrjes së punës dhe integritetit

    Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi ka marrë vendim për themelimin e dy mekanizmave brenda Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit: Mekanizmi Mbikëqyrës i Punës së Prokurorit të Shtetit dhe Mekanizmi i Mbrojtjes së Integritetit të Prokurorit të Shtetit.

    Kështu bëhet e ditur në njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

    “Mekanizmi Mbikëqyrës i Punës së Prokurorit të Shtetit ka për detyrë të analizojë cilësinë e akteve akuzuese të hedhura me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe të akteve akuzuese, të cilat kanë përfunduar me aktgjykime liruese apo refuzuese të formës së prerë në rastet me prioritet, veçanërisht të korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe të analizojë aktvendimet gjyqësore të formës së prerë lidhur me kërkesat e prokurorive për çështje procedurale, duke respektuar pavarësinë institucionale dhe funksionale të Prokurorit të Shtetit.

    Prokurorët e angazhuar në këtë mekanizëm, me rastin e analizimit dhe sipas të gjeturave të tyre të rasteve që kanë epilog të formës së prerë, japin rekomandime profesionale për rastet e trajtuara dhe ia përcjellin Kryeprokurorit të Shtetit, i cili ndërmerr veprime me qëllim të vlerësimit të ligjshmërisë dhe unifikimit të praktikave institucionale, të cilat synojnë ngritjen e cilësisë së punës dhe evitimin e lëshimeve eventuale profesionale nga prokurorët e shtetit në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa, tutje thuhet se Mekanizmi i Mbrojtjes së Integritetit të Prokurorit të Shtetit ofron mbrojtje institucionale dhe profesionale për prokurorët e shtetit, kurdo që ndaj tyre shfaqen tendenca për ndikime të brendshme apo të jashtme të paligjshme; kur cenohet integriteti dhe pavarësia profesionale; kur zhvillohen sulme, linçime apo fushata denigruese lidhur me veprimet dhe vendimet e marra gjatë ushtrimit të funksionit dhe detyrave të tyre zyrtare.

    “Krijimi i këtyre dy mekanizmave ka qenë një nga prioritetet kryesore të Kryeprokurorit të Shtetit të paraqitura në konceptdokumentin e tij.

    Gjithashtu, Kryeprokurori i Shtetit ka caktuar prokurorin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Veton Shabani, Koordinator Nacional për Zgjedhje, ndërsa prokurorin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Ersan Qavolli, Koordinator Nacional për rastet e Dhunës në Familje”. /Telegrafi/

  • Turqia shkarkon Vincenzo Montellan pas rezultateve katastrofike

    Turqia shkarkon Vincenzo Montellan pas rezultateve katastrofike

    Federata Turke e Futbollit (TFF) ka vendosur t’i japë fund para kohe bashkëpunimit me përzgjedhësin e kombëtares, Vincenzo Montella, raporton mediumi i respektuar turk Milliyet.

    Vendimi i federatës erdhi pas rezultateve të dobëta të Turqisë në Ligën e Kombeve, ku kombëtarja pësoi katër humbje radhazi.

    Në ndeshjen e fundit, turqit u mposhtën 1-3 nga Italia, rezultat që shtoi kritikat ndaj Montellas nga ekspertët dhe tifozët.

    Drejtuesit e federatës kanë vlerësuar se skuadra ka nevojë për një ndryshim të menjëhershëm dhe për një qasje të re në zhvillimin e saj.

    Në ditët në vijim pritet të përfundojnë procedurat financiare për ndërprerjen e kontratës, pas së cilës TFF do të bëjë të ditur emrin e përzgjedhësit të ri.

    Montella ishte emëruar në krye të Turqisë në shtator të vitit 2023 dhe pati një ecuri mbresëlënëse në Euro 2024, duke e udhëhequr skuadrën deri në çerekfinale të turneut në Gjermani.

    Megjithatë, rënia e zgjatur në formë dhe rezultatet e fundit kanë bërë që italiani të mos vazhdojë në krye të kombëtares turke./Telegrafi/

  • Rekord pjesëmarrjeje në Friburg, nis edicioni i 14-të i "Swiss Cheese Awards"

    Rekord pjesëmarrjeje në Friburg, nis edicioni i 14-të i “Swiss Cheese Awards”

    Në Friburg ka nisur të martën edicioni i 14-të i Swiss Cheese Awards, një nga ngjarjet më të rëndësishme kombëtare të industrisë zvicerane të djathit. Konkursi do të zgjasë gjashtë ditë dhe këtë vit ka shënuar rekord pjesëmarrjeje.

    Organizatorët bëjnë të ditur se në garë janë paraqitur 1,177 lloje djathërash, numri më i madh i regjistruar ndonjëherë në këtë kompeticion kombëtar. Produktet kanë mbërritur në Friburg rreth dhjetë ditë para nisjes së vlerësimit, për t’iu nënshtruar procesit të përzgjedhjes nga juritë, raporton Swissinfo.

    Mes produkteve që konkurrojnë janë Gruyère AOP, Emmentaler AOP, Appenzeller, Raclette, si dhe djathëra të freskët, të butë dhe kategori të tjera. Në total, 203 anëtarë të jurisë nga Zvicra dhe vende të tjera do të vlerësojnë djathërat në 32 kategori.

    Përzgjedhja e kampionëve zviceranë

    Të enjten, një super-juri do të përzgjedhë kampionët e Zvicrës në katër kategori kryesore: djathërat ekstra të fortë dhe të fortë, djathërat gjysmë të fortë, djathërat e butë dhe djathërat e freskët.

    Konkursi organizohet nga Fromarte, organizata ombrellë e artizanëve zviceranë të djathit, e cila e konsideron këtë aktivitet një mundësi të rëndësishme për promovimin e sektorit, transmeton Telegrafi.

    Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet të premten në mbrëmje, gjatë eventit “Awards Night”. Aty do të shpallen fituesit e kategorive, tre kampionët zviceranë, si dhe fituesi i konkursit për pjatën e djathit, i cili do të zhvillohet në ambientet e L’Atelier.

    Sipas drejtorit të Fromarte, Paul Meier, Swiss Cheese Awards shkon përtej një gare për të përcaktuar djathërat më të mirë zviceranë. Sipas tij, aktiviteti pasqyron në mënyrë të veçantë vlerat e industrisë së djathit në Zvicër: cilësinë, diversitetin dhe mjeshtërinë artizanale.

    Prodhuesit dhe publiku, në qendër të vëmendjes

    Krahas konkurrimit, Swiss Cheese Awards synon të krijojë një hapësirë për shkëmbim dhe bashkëpunim mes prodhuesve, ndërsa publikut i jepet mundësia të takohet drejtpërdrejt me njerëzit që qëndrojnë pas prodhimit të djathërave.

    Aktiviteti zhvillohet çdo dy vjet dhe ka rëndësi edhe përtej industrisë së djathit. Organizatorët e konsiderojnë atë një vitrinë të rëndësishme për djathërat zviceranë, si brenda vendit ashtu edhe në tregjet ndërkombëtare.

    Një vëmendje e veçantë i kushtohet gjithashtu promovimit të produkteve pjesëmarrëse, me synim rritjen e konsumit dhe njohjes së tyre nga publiku.

    Pas përfundimit të vlerësimit, djathërat e mbetur do t’u ofrohen prodhuesve pjesëmarrës si pjesë e bufesë gjatë mbrëmjes gala ose do t’u dhurohen organizatave bamirëse.

    Si qytet pritës, Friburgu ka përgatitur gjithashtu një program të gjerë aktivitetesh, në bashkëpunim me partnerë lokalë dhe rajonalë.

    Swiss Cheese Awards 2026 do të vijojë deri të dielën në Friburg./Telegrafi/

  • Kur Prishtina kishte vetëm tri restorante!

    Kur Prishtina kishte vetëm tri restorante!

    “Ishin të pakta restorantet në rininë time, por megjithatë ekzistonte një respekt shumë i madh për shoqërinë”, thotë Justina Shiroka-Pula, pedagoge në Fakultetin Ekonomik. Zonja Justinë me keqardhje përmend faktin se respekti i dikurshëm për shoqërinë tashti mungon tmerrësisht.

    Nga: Antigona Uka (Shtojca “Jeta”, rubrika “Studentët dikur e tash”, Javorja “Zëri”, 2002)

    Gjeneratat e mëhershme të studentëve, ato të viteve të gjashtëdhjeta e më vonë, argëtoheshin ndryshe nga studentët e sodit. Në argëtimin e tyre kishte diçka të pashpjegueshme e që linte mbresa të pashlyeshme. Ishte kjo dashuria dhe respekti që ushqenin ndaj njëri-tjetrit, ndaj shokut, mikut, të dashurit/ës, apo kishte diçka tjetër?! Së paku kështu mendojnë ata. Ndoshta vërtet ishin kohë më të mira, apo ata të kaluarën e shohin nën dritën roze të nostalgjisë për rininë e tyre. Megjithatë, të rinjtë e shekullit të ri duket se janë të vetëdijshëm se megjithatë u mungon diçka nga vlerat e gjeneratave të mëhershme kosovare. Se si e kalonin kohën e lirë kur ishin studentë apo si e kalojnë ata të sotmit – për “Jetën” flasin breza të ndryshëm studentorë …

    Numri i pakufishëm i lokaleve vetëm në kryeqytet, është pothuajse e vetmja mënyrë argëtimi për të rinjtë, derisa për gjeneratat e mëhershme lokalet numëroheshin në gishtat e njërës dorë, fillimisht përmenden vetëm tri të tilla e pastaj numri i tyre filloi të rritej shumë ngadalë.

    “Ishin të pakta restorantet në rininë time, por megjithatë ekzistonte një respekt shumë i madh për shoqërinë”, thotë Justina Shiroka-Pula, pedagoge në Fakultetin Ekonomik.

    Zonja Justinë me keqardhje përmend faktin se respekti i dikurshëm për shoqërinë tashti mungon tmerrësisht. “Është e pamundshme të dalësh sot në ndonjë lokal e të mos hasësh në të rinj që konsumojnë alkool, dehen e pastaj çdo gjë kalon në ekstrem”.

    Vendet ku rinia, sidomos adoleshenca i kalon ditët e sotme, janë diskotekat, të cilat i vizitojnë edhe studentët.

    Teatri – artistëve!

    Ardiana Musa, studente nga Peja, është një nga të rejat kosovare që argëtimin kryesor e gjen në diskotekën “Diabllo”. Ardiana nuk e viziton teatrin e pothuajse as kinon, me përjashtim kur ka ndonjë film shumë të mirë për medimin e saj. Ardiana, si shumë bashkëmoshatarë të saj, është viktimë e kohës në të cilën po jetojmë. As ajo s’mund të ndryshojë diçka nga rrjedha e jetës, apo të organizojë diçka individualisht.

    Organizimet brenda universitetit tonë mungojnë. Po ashtu mungon edhe respekti i shoqërisë, ngase, sipas saj, shumica e studentëve ndahen në grupe sipas regjioneve prej nga vijnë.

    Derisa gjeneratat para nesh argëtoheshin më shumë në teatër, në kino, por edhe në ballo që ata i organizonin me vetiniciativë, të rinjve të sotëm ballot u duken si shumë ‘demode’, ndërsa arsyen pse nuk e vizitojnë teatrin nuk dinë ta shpjegojnë as vetë.

    “Pse një student të mos e vizitojë teatrin?” – pyet Nuhi Kuqinja, ish-student në vitet e ‘80-ta.

    “Mendoj se njëri prej institucioneve, i cili ndikon në ngritjen e nivelit të kulturës, është teatri. Aty ne mësonim dhe merrnim mesazhe të ndryshme të cilat nuk do t`i harrojmë kurrë”, thotë ai.

    Kafiteritë monotone

    Por, disa të rinj kanë përgjigje edhe për këtë mungesë të tyre në teatër.

    “Teatri nuk është ndonjë vend i cili tërheq. Aty më tepër ka artistë në skenë sesa publik në sallë”, thotë Xhelal Çollaku, student i vitit të katërt në Fakultetin e Kimisë.

    Xhelali hamandet të japë ndonjë shpjegim për mos vizitë të teatrit, duke harruar se në karriget e sallës duhet të ulet ai me shokët e tij e jo aktorët.

    Edhe pse secili nga të rinjtë e anketuar i konsideron si monotone mbrëmjet e kaluara në kafiteritë e kryeqytetit, megjithatë asnjëri prej tyre s’mund të heqë dorë nga vizita e tyre. Ata i gjen sërish aty, ditën, natën, vikendeve, aty në njërën nga kafiteritë e preferuara.

    Mungojnë aktivitetet e lira, mungon marrja me ndonjë hobi, siç bënin më parë gjeneratat para nesh. E vetmja gjë me të cilën ata mund të krenohen para baballarëve të tyre, para gjeneratave të vjetra, është se janë më të bukur se ata, sepse raca shqiptare po përmirësohet dita-ditës?! E, me këtë konkludim të fëmijëve të tyre, prindërve s’mund t`u ndodhë gjë tjetër veçse t`i mbërthejë vaji. /Telegrafi/