
Në aktgjykimin prej 170 faqesh për lirimin e tre anëtarëve të familjes Mehmetaj për sulmin ndaj autobusit në Gllogjan, gjykata ka shqyrtuar të gjitha pretendimet e Prokurorisë për motivin e mundshëm të të akuzuarve.
Aty përmendet lidhja e viktimës Gani Gjokaj me vajzën e familjes së të akuzuarve, vendosjen e një ore në arkivolin e saj dhe pretendimin se Halil Mehmetaj kishte nxitur djemtë e tij për hakmarrje.
Në vlerësimin e gjykatës, këto rrethana nuk u mbështetën me prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e Kastriotit, Kreshnikut dhe Halil Mehmetajt.
Në vendimin e siguruar nga Klan Kosova, thuhet se në këtë çështje penale nuk është arritur të vërtetohet asnjeri nga elementet objektive të veprës penale, përkatësisht nuk ka prova qe e vërtetojnë ekzistimin e lidhjes kauzale në mes të ndonjë veprimi të të pandehurve me pasojën e shkaktuar.
Ora e vendosur në arkivolin e vajzës
Njëra nga çështjet e trajtuara në aktgjykim është pretendimi i Prokurorisë se Halil Mehmetaj, në ceremoninë e varrimit të vajzës, kishte vendosur një orë dore në arkivolin e saj si simbol të hakmarrjes. Sipas Prokurorisë, ky veprim ishte shoqëruar me një betim për hakmarrje, duke lënë të kuptohej se koha po kalonte deri në marrjen e hakut.
Halili nuk e kishte mohuar se e kishte vendosur orën në arkivol, por kishte deklaruar se nuk kishte pasur domethënie të hakmarrjes.
Imami i cili kishte marrë pjesë në varrim, kishte dëshmuar se e kishte parë Halilin duke e vendosur orën dhe kishte dëgjuar prej tij fjalët: “Këtë orë ma ke dhuru për ditëlindje dhe po ta kthej prapë”.
Sipas imamit, ai kishte qëndruar pranë Halilit gjatë gjithë kohës dhe nuk kishte dëgjuar ndonjë betim për hakmarrje.
Ndërkaq, dëshmitari B.Hamzaj kishte dhënë një interpretim tjetër të këtij veprimi. Ai kishte thënë se, sipas traditës, vendosja e orës në arkivol nënkuptonte se do të merrej hak ndaj personit që e kishte shkaktuar vdekjen, por kishte pranuar se nuk e kishte dëgjuar personalisht Halilin duke thënë diçka të tillë.
Gjykata kishte vlerësuar se dëshmia e imamit ishte më bindëse, pasi ai kishte treguar atë që kishte dëgjuar vetë, ndërsa Hamzaj kishte dhënë vetëm interpretimin e tij për simbolikën e veprimit.
Për këtë arsye, gjykata kishte konstatuar se nuk ishte vërtetuar që vendosja e orës kishte simbolizuar një betim për hakmarrje.
“… erdhi në përfundim se nuk është vërtetuar se vendosja e orës nga i pandehuri Halil është bërë për të simbolizuar betimin për hakmarrje.”
Prokuroria ishte mbështetur edhe në dëshminë e B. Hamzaj lidhur me ndryshimin e sjelljes së Halil Mehmetajt pas vetëvrasjes së vajzës dhe, veçanërisht, pas sulmit ndaj autobusit.
Hamzaj kishte deklaruar se Halili ishte tërhequr, kishte shmangur kontaktet me familjet Mustafaj dhe Hamzaj dhe kishte komunikuar më pak me ta. Ai kishte përmendur edhe faktin se Halili dhe djemtë e tij nuk kishin shkuar në spitalin e Pejës për t’u kujdesur për fëmijët e lënduar, ndonëse, sipas tij, nga secila familje e Gllogjanit kishte shkuar nga një person.
Dëshmitari e kishte interpretuar këtë sjellje si përpjekje për t’u fshehur nga përgjegjësia.
Por gjykata kishte vlerësuar se këto ishin interpretime personale të dëshmitarit për sjelljen dhe rrethanat, e jo prova që mund të dëshmonin fajësinë e të akuzuarve.
“… kemi të bëjmë më një interpretim sjelljesh dhe rrethanash të bëra nga dëshmitari B. Hamzaj, të cilat edhe pse për të mund të jenë tregues i rëndësishëm, gjykata nuk mund t’i përdor si bazë për konstatimin e fajësisë, as si të vetme e as në ndërlidhje me ndonjë rrethanë tjetër të njohur.”
“Nuk u dëshmua se Halili i nxiti djemtë për hakmarrje”
Një nga pretendimet kryesore të Prokurorisë ishte se Halil Mehmetaj kishte fajësuar Gani Gjokajn për vetëvrasjen e vajzës, në prani të djemve të tij, dhe se në këtë mënyrë i kishte nxitur ata të kryenin veprën penale.
Megjithatë, gjykata kishte konstatuar se nuk kishte prova që tregonin se kur dhe në çfarë mënyre Halili kishte ndikuar te djemtë e tij, apo se kur ua kishte formësuar bindjen për të kryer veprën penale.
“… nuk ka asnjë provë të vetme qe vërteton se në cilin rast dhe në çfarë mënyrë ka ndikuar i pandehuri Halil tek djemtë e tij për kryerjen e veprës penale, kur ka qenë koha kur ka ndikuar apo e ka formësuar bindjen të ta.”
Gjykata kishte theksuar se për të vërtetuar nxitjen nuk mjafton vetëm pretendimi se një person ka pasur motiv.
Duhet të dëshmohet veprimi konkret i personit që dyshohet se ka nxitur, qëndrimi i personit të nxitur ndaj veprës penale dhe mënyra se si është ushtruar ndikimi.
Sipas gjykatës, Prokuroria e kishte përshkruar pretendimin për nxitje në mënyrë abstrakte, pa treguar se kur dhe në çfarë forme Halili i kishte shtyrë djemtë e tij drejt kryerjes së veprës.
“… nga ana e prokurorisë është përshkruara vetëm në mënyrë abstrakte se i pandehuri Halil i ka shtyrë të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik, por nuk është treguar se kur dhe në çfarë forme, andaj për gjykatën ky pretendim i prokurorisë mbetet fakt i pavërtetuar.”
Gjykata kishte vlerësuar se, pavarësisht ekzistimit të rrethanave që mund të flisnin për një motiv të mundshëm, mungesa e provave konkrete e linte këtë pretendim në nivel supozimi.
“Pra kjo teori e prokurorisë në mungesë të provave, më gjithë ekzistimin rrethanave të tjera që flasin për një motiv të mundshëm, mbetet vetëm supozim…”
Çfarë kishte deklaruar Halil Mehmetaj?
Në deklarimin e tij, Halil Mehmetaj kishte thënë se familja ishte prekur thellë nga vdekja e të bijës, më 14 qershor 2020, por se ai nuk kishte dyshuar që ndonjë person tjetër kishte ndikuar në vetëvrasjen e saj.
Ai kishte deklaruar se kishte pasur besim te institucionet e drejtësisë dhe se nuk kishte kërkuar hakmarrje, e as nuk i kishte nxitur djemtë e tij të vepronin kundër ndokujt.
Sa i përket orës së vendosur në arkivol, Halili kishte shpjeguar se e kishte bërë këtë nga dashuria dhe lidhja e veçantë që kishte pasur me vajzën. Ai kishte treguar se ata kishin pasur të njëjtën datë të ditëlindjes dhe se H. e pëlqente atë orë. Për këtë arsye, kishte mohuar se veprimi kishte ndonjë simbolikë të lidhur me traditën shqiptare të hakmarrjes.
Halili kishte mohuar se e kishte njohur personalisht Gani Gjokajn apo se kishte pasur kontakte me të. Po ashtu, kishte mohuar që ai ose ndonjë anëtar i familjes së tij ta kishte kërcënuar Ganiun apo t’i kishte dalë përpara autobusit.
Ai kishte mohuar edhe pretendimin se e kishte udhëzuar Kastriotin të kontaktonte shoqet e vajzës për të zbuluar arsyet e vetëvrasjes së saj. Megjithatë, kishte thënë se e konsideronte të kuptueshme që familjarët të kërkonin shpjegime nga shoqet e saj për atë që kishte ndodhur.
Në përfundim, gjykata kishte vlerësuar se këto akuza nuk ishin mbështetur me prova që do të vërtetonin përgjegjësinë penale të të akuzuarve. /Klankosova.tv






