Nga: Lee Habeeb / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
“Është e vështirë të bësh parashikime – sidomos për të ardhmen”, tha dikur Yogi Berra, legjenda e [klubit të bejsbollit] New York Yankees. Yogi kishte të drejtë. Korridoret e historisë janë të mbushura me optimistë dhe pesimistë që bëjnë çmos për ta shitur të ardhmen. Ose të na frikësojnë që ta ngadalësojmë të ardhmen.
Në mesin e shekullit XIX, Amerika ishte në prag të katastrofës më të rëndë të shkaktuar nga njeriu në historinë tonë: Lufta Civile. Ishim gjithashtu në prag të epokës më transformuese në historinë tonë: Revolucionit Industrial. Një revolucion teknologjik që do ta shndërronte kombin tonë të ri në superfuqinë e botës brenda 50 vjetësh. Dhe, do të krijonte një ekonomi – dhe miliona vende pune – të paimagjinueshme edhe për futuristët më të guximshëm.
Historia nis me Abraham Lincolnin i cili ishte presidenti i parë që kishte një patentë. Ai ishte gjithashtu presidenti i parë i lidhur me telegraf, duke përdorur Korpusin e sapokrijuar të Telegrafit Ushtarak të ShBA-së për të shtrirë më shumë se 15 mijë milje tela telegrafikë që transmetonin ato që Lincolni i përshkruante si “mesazhe rrufe” – nga fushëbeteja te Departamenti i tij i Luftës pranë Shtëpisë së Bardhë, duke i siguruar Unionit një epërsi të madhe komunikimi ndaj rivalëve të tij të Konfederatës.
Para se të bëhej president, Lincolni ishte gjithashtu një nga avokatët më të mirë gjyqësorë në Ilinois dhe një nga gjyqet e tij do t’i hapte rrugën fillimit të Revolucionit Industrial.
Më 6 maj 1856, anija me avull “Effie Afton” u përplas me shtyllat mbështetëse të Urës së Ishullit të Gurit [Rock Island] – urës së parë hekurudhore që kalonte mbi lumin Misisipi. Nuk pati të vdekur, por anija me avull u shkatërrua dhe ura u dëmtua rëndë. Pronarët e anijes me avull ngritën padi për 930 mijë dollarë. Ata gjithashtu donin që ura të shembej, duke pretenduar se përbënte rrezik për lundrimin.
Kjo ishte më shumë se thjesht një betejë mes dy kompanive. Ishte një betejë mes dy industrive – njërës së vjetër dhe tjetrës që po shfaqej: anijet me avull kundër hekurudhave. Një humbje në gjykatë do të ndikonte në jetën ekonomike të qyteteve të mëdha amerikane. Qytetet e anijeve me avull, si Shën Luisi, kishin shumë për të humbur; qytetet hekurudhore në rritje, si Çikago, kishin shumë për të fituar.
Lincolni ndërhyri për të mbrojtur hekurudhat në gjyqin e vitit 1857, në rastin Hurd v. Railroad Bridge Company. Ai nuk kishte ndjekur kurrë fakultetin juridik, por kishte trajtuar më shumë se pesë mijë çështje gjyqësore. Lincolni i vuri në gjyq pilotët e anijes, por gjithashtu donte të dëshmonte se urat dhe anijet me avull mund të bashkëjetonin në mënyrë të sigurt. Në mendjen e Lincolnit, në gjyq ishte vlera e hekurudhave. Në gjyq ishte edhe vetë e ardhmja e Amerikës.
Në fjalën e tij përmbyllëse, Lincolni argumentoi se nuk ishte kundër anijeve me avull, por kundër lobit të fuqishëm të anijeve me avull, i vendosur me çdo kusht të kundërshtonte çdo ndërtim ure mbi Misisipi. Pohimi thelbësor i Lincolnit ishte ky: “Hekurudhat kanë po aq të drejtë të shkojnë nga Lindja në Perëndim sa anijet me avull kanë që të shkojnë nga Veriu në Jug”.
Juria u pajtua dhe, pas ankimit, po ashtu edhe Gjykata Supreme. Lincolni mori 400 dollarë për punën e tij.
Lincolni nuk e përfundoi me kaq mbështetjen e tij për hekurudhat. Ai punoi që ideja e një hekurudhe transkontinentale të përfshihej në platformën republikane të vitit 1860. Si president, ai mbështeti projektligjet e viteve 1862 dhe 1864, të cilat parashikonin subvencione për ndërtimin e saj.
Lincolni nuk jetoi aq gjatë sa ta shihte atë Gozhdë të Artë të ngulej në tokë në Promontori, në territorin e Jutës në vitin 1869 (për të përfunduar hekurudhën e parë transkontinentale të ShBA-së). Por, kjo nuk do të kishte ndodhur pa të.
U desh më shumë se legjislacioni për ta bërë realitet hekurudhën transkontinentale.
“Hekurudha kërkoi mendje, muskuj dhe djersë në sasi dhe përmasa që nuk ishin vënë kurrë më parë në një projekt të vetëm”, shkroi i ndjeri Stephen Ambrose në Asgjë e ngjashme me të në botë [Nothing Like It in the World]. “Nuk do të mund të ishte bërë pa inxhinierë të zotë dhe ambiciozë, pa punëtorë që vinin në Amerikë nga çdo kontinent i banuar, pa drurët dhe hekurin që gjendeshin në Amerikë, pa kapitalistët e gatshëm që të merrnin rrezik të madh për fitim të madh, pa burra të gatshëm të sfidonin gjithçka në çdo nivel për të fituar gjithçka”.
Amerika u transformua menjëherë.
“Para hekurudhës transkontinentale, duheshin gjashtë muaj dhe shumë para për të shkuar nga San Francisko në Nju-Jork nëpër tokë – ose lundronin deri në Panama me rrezik të madh, ose shkonin rreth e përqark Amerikës së Jugut dhe ngjiteshin përsëri lart. Dhe, duheshin muaj dhe shumë para”, shtoi Ambrose. “Një javë pas nguljes së Gozhdës së Artë, një burrë ose një grua mund të shkonte nga Nju-Jorku në San Francisko për shtatë ditë. Dhe, me një kosto jashtëzakonisht më të ulët sesa me qerre të tërhequra me qe ose kuaj, anije me vela apo anije me avull”.
Hekurudha transkontinentale transformoi gjithashtu telegrafin, duke zëvendësuar një rrjet me shumë tela me një sistem me një tel të vetëm – falë së drejtës së kalimit të krijuar nga ndërtimi i hekurudhës. Ishte një përmirësim fizik në fushën e telekomunikacionit, të tillë që Amerika nuk e kishte parë kurrë më herët – as më vonë. Dhe, u mundësoi drejtuesve të stacioneve të menaxhonin oraret dhe operacionet e trenave, duke e bërë më efikase lëvizjen e mallrave në të gjithë vendin. Dhe, më të sigurt.
Pati edhe ndryshime të mëdha kulturore.
“Para hekurudhave, askush nuk mbante orë. Askush nuk interesohej sa ishte ora”, shkroi Ambrose. “Por, nëse do të kesh trena që lëvizin në të dyja drejtimet, duhet të kesh të njëjtën orë në Shajen si në Omaha. Hekurudhat kërkuan kohë standarde dhe Kongresi e miratoi atë në vitin 1879. Dhe, ne u bëmë të obsesionuar me kohën. Dhe, ende jemi”. (Industria hekurudhore miratoi Kohën Standarde Hekurudhore në vitin 1883 dhe Kongresi miratoi Kohën Standarde në vitin 1918.)
Jo të gjithë i mirëpritën këto ndryshime. Ai që dikur kishte qenë një komb agrar me popullsi të rrallë, po shndërrohej në një fuqi industriale me popullatë më të dendur dhe më të larmishme. Për disa, këto ishin kohë emocionuese – për të tjerët, kohë të frikshme.
Kishte edhe frikë politike dhe kulturore. A do të ushtronin qendrat e mëdha urbane, si Nju-Jorku dhe Çikago, pushtet joproporcional në Amerikë? Dhe, çfarë do të ndodhte me themelet tona qytetare dhe morale? Dhe, si mund ta ndryshonte kjo pozitën e Amerikës në botë?
Një gjë e dimë: prodhimi industrial i Amerikës nuk rivalizonte atë të asnjë vendi të vetëm evropian në vitin 1865. Deri në fund të shekullit XIX, Amerika i kishte kaluar të gjitha. Burimet tona të mëdha natyrore – qymyri, hekuri, xeherorët, bakri dhe druri – ndihmuan. Edhe popullsia jonë po rritej, e mbushur me punëtorë dhe konsumatorë me para për të shpenzuar.
Por, burimi ynë më i madh natyror ishte – dhe vazhdon të jetë – kultura jonë e shpikjes dhe inovacionit. Kultura jonë e marrjes së rrezikut dhe konkurrencës.
Industria themelore që e shtynte Revolucionin Industrial ishte industria e çelikut. Në vitin 1870, Amerika prodhonte 77 mijë tonelata çeliku. Deri në vitin 1900, kjo shifër u rrit në 11.4 milionë. Një njeri, më shumë se kushdo tjetër, ishte përgjegjës për këtë: një emigrant skocez me emrin Andrew Carnegie.
Industrisë së çelikut i duheshin shuma të mëdha kapitali për t’u zgjeruar, gjë që solli një risi në ligj për t’iu përgjigjur nevojave të kohës: korporatën moderne.
“Ndryshe nga ortakëritë tradicionale, korporatat ofronin përgjegjësi të kufizuar – duke i mbrojtur investitorët që të mos ishin personalisht përgjegjës për borxhe ose padi. Kjo mbrojtje nxiti investime në shkallën e nevojshme për të financuar revolucionin industrial”, shkroi Bill McClay në Toka e shpresës [Land of Hope].
Më pas erdhi një risi në financë. Bankat lokale nuk kishin kapitalin e nevojshëm për t’i financuar këto projekte masive dhe kështu lindi banka e investimeve.
Industrializimi i shpejtë i Amerikës shkaktoi përçarje reale, duke sjellë epokën progresive të fillimit të shekullit XX – dhe reforma në fushën e punës dhe të antitrustit. Por, ai i riformësoi për të mirë shumicën e aspekteve të jetës amerikane. Deri në vitin 1950, vetëm një shekull më vonë, revolucioni kishte krijuar klasën e mesme më të madhe në botë, kishte prodhuar “Arsenalin e Demokracisë” në Luftën e Dytë Botërore që e shpëtoi botën nga tirania dhe kishte rritur jetëgjatësinë dhe begatinë në mënyra të cilat as optimistët më të mëdhenj të viteve 1850 nuk mund t’i kishin ëndërruar – duke sjellë epokën e elektricitetit, motorëve me djegie, naftës, ajrit të kondicionuar dhe udhëtimit ajror komercial.
PBB-ja e Amerikës në vitin 1850 ishte 2.6 miliardë dollarë; deri në vitin 1950 ishte 300 miliardë dollarë. PBB-ja reale për frymë e Amerikës, e përshtatur për inflacionin, u rrit nga tre mijë dollarë për person në 16 mijë dollarë. Dhe, kjo pa llogaritur atë që ndodhi me jetëgjatësinë në Amerikë. Në vitin 1850, jetëgjatësia mesatare ishte 40 vjet. Deri në vitin 1950 ishte 68.
Siç e kuptonte mirë Yogi Berra, parashikimet janë të vështira – sidomos për të ardhmen. Por, e kaluara – dhe mësimet e nxjerra nga vizionari i teknologjisë Abraham Lincoln dhe Revolucioni Industrial – mund të jenë dritarja jonë më e mirë drejt së ardhmes sonë. /Telegrafi/