Cigaret elektronike dhe lënia e duhanit: provat e reja po e ndryshojnë perspektivën

Cigaret elektronike dhe lënia e duhanit: provat e reja po e ndryshojnë perspektivën

Written by

in

Cigaret elektronike dhe lënia e duhanit: provat e reja po e ndryshojnë perspektivën
Në debatin për lënien e duhanit, provat e reja shkencore sjellin qartësi të rëndësishme. Kah fundi i gushtit, Cochrane, një nga rrjetet më të njohura të pavarura për analizimin sistematik të provave mjekësore, publikoi një përditësim të ri të shqyrtimit të tij gjithëpërfshirës të provave shkencore mbi rolin e cigareve elektronike në lënien e duhanit. Shqyrtimi bashkon rezultatet nga 80 studime me rreth 30.000 duhanpirës të rritur, dhe një nga gjetjet kryesore është kjo: kur qëllimi është ndërprerja e pirjes së duhanit për një periudhë prej të paktën gjashtë muajsh, cigaret elektronike me nikotinë tregojnë rezultat më të mirë se terapia klasike zëvendësuese e nikotinës, siç janë ngjitëset (fllasterët) e nikotinës dhe çamçakëzët.
Kjo gjetje meriton vëmendje, por edhe interpretim të saktë. Ajo nuk do të thotë se cigarja elektronike është një produkt pa rrezik, as se çdo përdorues do ta lërë automatikisht duhanin. Do të thotë diçka më konkrete dhe më relevante: te duhanpirësit e rritur që përpiqen aktivisht ta lënë duhanin, njëri nga opsionet e hulumtuara arriti mesatarisht një shkallë më të lartë të ndërprerjes së duhanit sesa tjetri.
Çfarë do të thotë kjo në shifra reale?
Bazuar në 11 hulumtime me 4.114 pjesëmarrës, Cochrane vlerëson me siguri të lartë se cigaret elektronike me nikotinë mundësojnë një shkallë më të lartë të lënies së duhanit në krahasim me terapinë zëvendësuese të nikotinës. E përkthyer në shifra të kuptueshme: nga 100 duhanpirës të rritur që përdorin cigare elektronike me nikotinë për këtë qëllim, afërsisht tetë deri në dhjetë e lënë duhanin për të paktën gjashtë muaj. Te ata që përdorin ngjitëse ose çamçakëz me nikotinë, vlerësimi është rreth gjashtë në 100. Këta janë deri në katër persona shtesë në çdo 100 – një dallim i rëndësishëm në nivel të shëndetit publik, por jo garanci për çdo rezultat individual.
Shqyrtimi tregon gjithashtu një avantazh të mundshëm në krahasim me cigaret elektronike pa nikotinë. Rezultatet janë të favorshme edhe kur cigaret elektronike me nikotinë krahasohen me këshillimin pa terapi shtesë ose me mungesën e mbështetjes, megjithëse siguria e kësaj pjese të provave është më e ulët. Pikërisht për këtë arsye, krahasimet e ndryshme nuk duhen reduktuar në një përqindje të përgjithshme, e as të shndërrohen në pohim se është gjetur metoda “më e mirë” për çdo duhanpirës.
Dallimi kyç: lënia e duhanit nuk do të thotë produkt pa rrezik
Cochrane mat ndërprerjen e pirjes së cigareve, dhe jo domosdoshmërisht ndërprerjen e plotë të marrjes së nikotinës. Ky është një dallim thelbësor. Nikotina e mban varësinë dhe nuk është pa rrezik, por një pjesë e madhe e sëmundjeve të rënda të lidhura me duhanpirjen shkaktohen nga substancat toksike që krijohen gjatë djegies së duhanit dhe thithen përmes tymit. Cigarja elektronike nuk djeg duhan: ajo ngroh lëngun dhe krijon aerosol. Por as ky aerosol nuk është i padëmshëm dhe mund të përmbajë substanca të dëmshme.
Prandaj, prova se një produkt i caktuar mund të ndihmojë në lënien e cigareve nuk guxon të barazohet me provën për sigurinë e tij afatgjatë. Shqyrtimi i Cochrane i referohet kryesisht cigareve elektronike të rregulluara me nikotinë, ndërsa produktet ilegale dhe të pakontrolluara mund të kenë përbërje tjetër dhe rreziqe të tjera.
Çfarë nënkuptojnë këto prova për Maqedoninë?
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), nga ana tjetër, shtron pyetjen më të gjerë të shëndetit publik: a sjell shitja masive e cigareve elektronike si produkte konsumi një dobi të qartë për të gjithë popullatën, veçanërisht nëse me përdorimin e tyre fillojnë të rinjtë dhe joduhanpirësit? Një rezultat pozitiv klinik te njerëzit që tashmë pijnë duhan nuk është përgjigje automatike për këtë pyetje. Por pikërisht për këtë arsye, si efikasiteti klinik ashtu edhe ndikimi te popullata duhet të jenë pjesë e çdo politike serioze për shëndetin publik.
Për Maqedoninë, pyetja e vërtetë nuk është nëse një opsion duhet të idealizohet apo të përjashtohet paraprakisht. Pyetja është nëse duhanpirësi i rritur ka qasje në mbështetje të kuptueshme, të arritshme dhe të udhëhequr në mënyrë profesionale për t’i lënë plotësisht cigaret. Paralelisht, janë të domosdoshme mbrojtja e rreptë e të rinjve, informimi i qartë për dallimet midis produkteve dhe ndjekja sistematike e rezultateve. Zgjedhja më e mirë mbetet që të mos fillohet kurrë me nikotinën, ndërsa për ata që pijnë duhan – ta lënë atë plotësisht. Provat e reja nuk ofrojnë premtime pa kufizime, por hapin hapësirë për një qasje më të saktë, më të përgjegjshme dhe të bazuar në shkencë drejt arritjes së këtij qëllimi.