Kompanitë më të mëdha të teknologjisë po përballen me presion në rritje në SHBA, pasi kundërshtimi ndaj ndërtimit të qendrave gjigante të të dhënave është kthyer në një çështje të rëndësishme politike.
Rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit kanë shtuar shqetësimet e investitorëve, pasi demokratët fituan kontrollin e Kongresit dhe disa gara të rëndësishme për guvernatorë, duke premtuar kufizime për zgjerimin e infrastrukturës së inteligjencës artificiale.
Senatori Bernie Sanders reagoi përmes një postimi në X, duke deklaruar se amerikanët nuk duan që gjigantët e teknologjisë të dëmtojnë mjedisin, të shkatërrojnë vendet e punës dhe të rrezikojnë të ardhmen e njerëzimit.
Ai kërkoi gjithashtu një moratorium kombëtar për ndërtimin e qendrave të të dhënave.
Pas këtyre zhvillimeve, aksionet e disa prej kompanive më të mëdha të teknologjisë dhe prodhuesve të çipave pësuan rënie, pasi investitorët druhen se ndryshimet politike mund të vështirësojnë ndërtimin e qendrave të reja të të dhënave.
OpenAI nis fushatën për të fituar mbështetjen e komuniteteve
OpenAI ka nisur një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me komunitetet ku planifikon të ndërtojë infrastrukturën e saj.
Kompania publikoi një plan me propozime për zhvillimin e përgjegjshëm të infrastrukturës së Al, duke premtuar më shumë transparencë dhe përfshirje të banorëve në vendimmarrje.
OpenAI ka deklaruar se do të mbulojë kostot e energjisë elektrike dhe përmirësimeve të rrjetit në zonat e prekura nga qendrat e saj të të dhënave.
Gjithashtu, premton të bëjë publike planet e ndërtimit, studimet për zhurmën dhe të dhënat mbi përdorimin e ujit.
Kompania ka filluar t’i quajë qendrat e saj të të dhënave “kampuse kompjuterike”, duke synuar të paraqesë një qasje të re ndaj këtyre projekteve.
Meta paralajmëron vështirësi në ndërtimin e qendrave të reja
Edhe Meta është prekur nga zhvillimet në tregjet financiare, me aksionet e saj që ranë rreth 4% të enjten, më 5 nëntor.
Kompania ka zotuar rreth 1 miliard dollarë për ndërtimin e një qendre të madhe të të dhënave në Ohio dhe aktualisht zotëron objekte të tilla në 23 shtete amerikane.
Presidentja e kompanisë, Dina Powell McCormick, paralajmëroi se rezultatet zgjedhore mund ta bëjnë më të vështirë ndërtimin e qendrave të reja.
Sipas saj, industria nuk ka arritur t’u shpjegojë mjaftueshëm qytetarëve përfitimet që sjellin këto investime.
Elon Musk sheh të ardhmen e qendrave të të dhënave në hapësirë
Edhe Elon Musk është përballur me rënie të aksioneve të kompanive të tij. Pas rezultateve zgjedhore, ai shkroi në X se qendrat e të dhënave në hapësirë po duken gjithnjë e më tërheqëse.
Musk po ndërton në Memphis projektin “Colossus”, një kompleks gjigant me superkompjuterë dhe infrastrukturë të dedikuar për inteligjencën artificiale.
Gjatë kësaj jave, aksionet e SpaceX ranë me afro 4%, ndërsa ato të Tesla-s me 2%.
Prodhuesit e çipave pësojnë rënie në bursë
Pasojat janë ndier edhe në industrinë globale të gjysmëpërçuesve.
Nvidia: Aksionet ranë me 9%, ndërsa themeluesi dhe drejtori ekzekutiv Jensen Huang humbi pozicionin në dhjetëshen e njerëzve më të pasur në botë.
Infineon: Kompania gjermane regjistroi rënie prej 8%.
ASML: Gjiganti holandez, prodhuesi i vetëm i makinerive të litografisë EUV për prodhimin e çipave më të avancuar, pësoi rënie prej 6%.
TSMC: Prodhuesi tajvanez i çipave regjistroi rënie prej 10%.
Këto kompani janë thelbësore për zhvillimin e inteligjencës artificiale, pasi furnizojnë teknologjinë që përdoret në qendrat e të dhënave dhe sistemet kompjuterike të avancuara.
A do të ndryshojë politika amerikane ndaj Al?
Pavarësisht presionit politik, projektet e qendrave të të dhënave që janë tashmë në ndërtim ose kanë marrë miratimin përkatës pritet të vazhdojnë.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka kundërshtuar më parë vendosjen e kufizimeve të forta për inteligjencën artificiale, duke e cilësuar krizën e sigurisë së saj si një “mashtrim”.
Trump ka deklaruar se e vetmja gjë që i nevojitet AI-së për kontroll është një president i fortë dhe i zgjuar.
Tashmë, ligjvënësit republikanë përballen me një zgjedhje të rëndësishme: të vazhdojnë të mbështesin qasjen e Trumpit apo të bashkëpunojnë me demokratët për vendosjen e rregullave më të forta mbi sigurinë dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale.