
Pas dyerve të mbyllura të një shtëpie, aty ku supozohet të mbizotërojë siguria dhe dashuria, mund të fshihet një realitet krejtësisht tjetër: dhuna, frika dhe heshtja.
“Mos e merr vesh askush”, “Mendo për fëmijët”, “Çka kanë me thanë njerëzit?” – janë shprehje që mund t’i shtyjnë viktimat e dhunës në familje të heshtin përballë vuajtjeve të tyre.
Në Kosovë, presioni familjar, paragjykimet shoqërore dhe varësia ekonomike janë ndër pengesat që mund ta vështirësojnë denoncimin e dhunës, shkruan Gazeta Sinjali.
Në emër të ruajtjes së martesës, reputacionit të familjes apo nderit, viktimat mund të përballen me kërkesa për të falur, për të duruar dhe për të mos kërkuar ndihmë.
Por dhuna nuk është çështje private dhe as problem që duhet të fshihet brenda mureve të shtëpisë.
Ajo nuk manifestohet vetëm përmes goditjeve fizike. Kërcënimet, poshtërimi, kontrolli i vazhdueshëm, izolimi dhe kufizimi i pavarësisë ekonomike mund të jenë gjithashtu forma të dhunës.
Pasojat nuk kufizohen vetëm te viktima. Edhe fëmijët që rriten në një ambient të dhunshëm mund të përballen me pasoja emocionale dhe psikologjike.
Përgjegjësia për dhunën i takon personit që e ushtron atë, jo viktimës që vendos ta denoncojë.
Në vend që shoqëria ta pyesë viktimën pse u largua nga familja, duhet të shtrojë pyetjen pse ajo nuk ishte e sigurt brenda saj.
Asnjë reputacion familjar nuk vlen më shumë se jeta dhe siguria e një njeriu. Turpi nuk i takon viktimës, por atij që ushtron dhunën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali