
Parlamenti italian ka miratuar përfundimisht një ligj që ndalon mbajtjen e veshjeve që mbulojnë fytyrën, përfshirë burkat dhe nikabet, në të gjitha mjediset shkollore të vendit.
Dhoma e Deputetëve në Romë e miratoi të enjten legjislacionin e propozuar nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni, me 142 vota pro dhe 112 kundër. Më herët, projektligji kishte marrë miratimin edhe të Senatit.
Ndalimi do të vlejë për të gjithë personat në ambientet shkollore dhe jo vetëm gjatë orëve të mësimit. Ata që nuk e respektojnë ligjin mund të përballen me gjoba deri në 1.000 euro.
Megjithatë, masa nuk përfshin shamitë e kokës që nuk mbulojnë fytyrën, siç është hixhabi.
Përveç ndalimit të mbulimit të fytyrës, ligji parasheh edhe kufizime të reja për përbërjen e nxënësve në shkolla.
Duke filluar nga viti shkollor 2027/2028, në klasat e para të shkollave fillore dhe të mesme, nxënësit me origjinë të huaj që nuk kanë njohuri të mjaftueshme të gjuhës italiane nuk mund të përbëjnë më shumë se 30 për qind të numrit të përgjithshëm të nxënësve.
Kjo kuotë vlen për fëmijët që nuk kanë shtetësi italiane, nuk kanë lindur në Itali dhe nuk kanë ndjekur një kopsht italian për të paktën dy vjet.
Për shkollat e mesme, kërkohet që nxënësit të dëshmojnë se kanë ndjekur shkollimin në Itali për të paktën tre vjet për t’u përjashtuar nga kjo kuotë. Gjithashtu, prindërit do të jenë të detyruar të mësojnë gjuhën italiane.
Këto masa janë pjesë e politikave të qeverisë së Giorgia Melonit, e cila ka ardhur në pushtet me premtime për një qasje më të ashpër ndaj emigracionit.
Ndalimi i mbulimit të fytyrës dhe kufizimet në shkolla pritet të jenë ndër temat e debatit politik në Itali, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme që priten vitin e ardhshëm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali