Çka thotë dosja e Prokurorisë në rastin e Gani Gecit me Lirim Mehmetajn?

Çka thotë dosja e Prokurorisë në rastin e Gani Gecit me Lirim Mehmetajn?

Written by

in

Çka thotë dosja e Prokurorisë në rastin e Gani Gecit me Lirim Mehmetajn?

Gjykata Themelore e Prishtinë ia ka caktuar 30 ditë paraburgim ish-deputetit Gani Geci, i cili dyshohet për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.

Kjo është konfirmuar për Klankosova.tv nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Në ndërkohë, Klan Kosova ka siguruar edhe kërkesën e plotë për caktimin e masës së sigurisë ndaj Gecit, e cila u aprovua nga Gjykata.

Çka thotë dosja e Prokurorisë?

Më 12.10.2026, në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë, i dëmtuari Lirim Mehmetaj ka raportuar se më 11.10.2026, rreth orës 19:27, në zyrat e portalit “VOX Kosova”, në Prishtinë, ishte kanosur nga i pandehuri Gani Geci, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me një postim të publikuar në Facebook për deputetin Fatos Geci.

Sipas deklaratës së të dëmtuarit, gjatë takimit, pasi ai kishte refuzuar ta largonte ose ndryshonte postimin, i pandehuri Gani Geci i është drejtuar me fjalët: “Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra”, si dhe: “Pash një Zot, mos na merr në qafë, ndërro postimin se na duhet meu vra”, me ç’rast thuhet se te i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ndjenjë pasigurie për jetën dhe sigurinë e tij.

Ndërsa më datë 12.10.2016, derisa i dëmtuari ishte në emisionin “Debat Plus”, në cilësinë e panelistit, i dyshuari Gani Geci kishte shkuar në afërsi të TV Dukagjinit, ku edhe kishte postuar video në rrjetin social Tik-Tok për t’i bërë me dije të dëmtuari se ndodhej aty dhe e kishte pritur për rreth dy orë që nga studio të dilte tani i dëmtuari.

Prokuroria tha se dyshimi i bazuar mbështetet në deklaratën e të dëmtuarit, mesazhet e shkëmbyera përmes Facebook Messenger, deklarimin e të pandehurit, si dhe publikimet e tij në rrjetet sociale pas ngjarjes.

“Këto prova, të vlerësuara në ndërlidhje me njëra-tjetrën, krijojnë dyshim të bazuar se i pandehuri, në kontekstin e presionit për ndryshimin e postimit, ka përdorur shprehjet e raportuara nga i dëmtuari. Verifikimi i mëtejshëm i rrethanave dhe vlerësimi përfundimtar i besueshmërisë së deklarimeve i takojnë procedurës penale”, thuhet në dosjen e Prokurorisë, të siguruar nga Klan Kosova.

Në rastin konkret, Prokuroria vlerëson se ekziston dyshim i bazuar se “i pandehuri Gani Geci ka kryer veprën penale ‘Kanosja’, nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

“Ky dyshim mbështetet në deklaratën e të dëmtuarit Lirim Mehmetaj, komunikimet e zhvilluara paraprakisht përmes aplikacionit Facebook Messenger, rrethanat e takimit të datës 11.10.2026, rreth orës 19:27, në zyrat e portalit ‘VOX Kosova’, pastaj shkuarja e të dyshuarit te objekti i TV Dukagjinit dhe pritja e të njëjtit derisa i dëmtuari të përfundonte emisionin ku ishte i ftuar si panelist, pastaj video incizimi në CD i cili i është bashkangjitur shkresave të lëndës si dhe në deklarimin e vetë të pandehurit, i cili e pranon takimin, konfirmon pritjen e të dëmtarit që e ka bërë te TV Dukagjini gjatë transmetimit të emisionin në ketë medium, e që vërtetojnë dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë”, ka thënë Prokuroria në kërkesën e saj për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Gani Geci.

Në këtë fazë të procedurës, Prokuroria thotë se nuk kërkohet që fajësia e të pandehurit të jetë provuar përtej dyshimit të bazuar, por që të ekzistojë bazë faktike konkrete dhe e arsyeshme për dyshimin se ai e ka kryer veprën penale.

Prokuroria vlerëson se “deklarata e të dëmtuarit, e shqyrtuar në ndërlidhje me komunikimet elektronike, fotot, dokumentacioni i SMS të komunikimit dhe rrethanat e pranuara të takimit, përmbush këtë standard procedural, pa paragjykuar vlerësimin përfundimtar të provave dhe fajësinë e të pandehurit”.

Në kërkesë po ashtu potencohen edhe disa rreziqe si: Rreziku i arratisjes, rreziku i fshehjes ose falsifikimit të provave si dhe rreziku i përsëritjes së veprës.