Dëmet nga protestat në Tiranë kapin vlerën e 2.15 milionë eurove

Dëmet nga protestat në Tiranë kapin vlerën e 2.15 milionë eurove

Written by

in

Bilanci i dëmeve materiale në bizneset e prekura nga protestat e ditëve të fundit në Tiranë arrin në vlerën e 2.15 milionë eurove. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT), deri më tani janë identifikuar zyrtarisht 127 subjekte tregtare që kanë pësuar dëmtime gjatë trazirave.

Sistemi i dokumentimit po zhvillohet përmes dy rrugëve: përmes kontrolleve të drejtpërdrejta në terren dhe deklarimeve elektronike nga vetë sipërmarrësit. Nga bilanci i deritanishëm, 55 subjekte janë konstatuar nga grupet e verifikimit të administratës tatimore, ndërsa 72 biznese të tjera kanë përdorur portalin “e-Albania” përmes shërbimit të dedikuar “Dëmi im” për të raportuar humbjet e tyre.

Për të siguruar një pasqyrë sa më reale të dëmeve në strukturat tregtare, Administrata Tatimore ka angazhuar 10 grupe inspektimi që vijojnë punën pa ndërprerje në zonat më të prekura të kryeqytetit. Përmes një njoftimi zyrtar, DPT konfirmon se “vijon pa ndërprerje procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve të shkaktuara në biznese” dhe se po shqyrtohen paralelisht të gjitha raportimet digjitale me qëllim saktësimin e të dhënave.

Institucioni u ka bërë thirrje të gjithë bizneseve të dëmtuara që të vazhdojnë të përdorin platformën elektronike për të kontribuar në dokumentimin e plotë të pasojave ekonomike. “Procesi vijon me transparencë dhe përgjegjshmëri në mbështetje të bizneseve të prekura”, nënvizohet në deklaratën e Administratës Tatimore, ndërsa procesi i vlerësimit mbetet ende i hapur.

Dëmet e shkaktuara në biznese

127 SUBJEKTE TË DËMTUARA

55 subjekte të evidentuara nga verifikimet në terren

72 subjekte nga raportimet përmes shërbimit “Dëmi im”

VLERA E DËMEVE: 2. 15 milionë euro

Administrata Tatimore vijon procesin e evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve.

Burimi: RTKLive