Gadi Eisenkot, rivali kryesor i kryeministrit në detyrë të Izraelit, Benjamin Netanyahu, për postin e kreut të qeverisë, hodhi poshtë të dielën planin e Netanyahut për ndarjen e pushtetit.
Netanyahu kishte propozuar një kryeministri me rotacion, ku Eisenkot do të shërbente fillimisht si kryeministër, ndërsa Netanyahu si kryeministër alternativ.
Të dy zhvilluan bisedime të dielën për të diskutuar propozimin, por negociatat dështuan shpejt për shkak të “dallimeve të mëdha në çështje thelbësore”, sipas një burimi të informuar mbi takimin.
Eisenkot i tha Netanyahut se ai mbetet i përkushtuar ndaj të ashtuquajturit “bllok i ndryshimit”, i cili po punon për të larguar nga pushteti liderin me shërbimin më të gjatë në Izrael, shtoi burimi.
Në një deklaratë të përbashkët pas takimit, partia “Yashar” e Eisenkotit dhe partia “Likud” e Netanyahut njoftuan se diskutimi nisi me një informim mbi sigurinë dhe më pas kaloi te mundësia e krijimit të një qeverie uniteti, “ku të dyja palët u përpoqën të kapërcenin hendekun e madh ekzistues”.
Në fund, këto dallime rezultuan tepër të mëdha për t’u tejkaluar.
“U vendos që të mos vazhdohej me negociatat midis ekipeve përkatëse, për shkak të dallimeve të mëdha në çështje thelbësore”, i tha burimi CNN-it, përcjell Telegrafi.
Burimi shtoi se Eisenkot i bëri të ditur Netanyahut se partia e tij, “Likud”, mund t’i bashkohet qeverisë në një fazë të mëvonshme, me kusht që të pranojë parimet bazë – përfshirë ngritjen e një komisioni shtetëror hetimor për dështimet lidhur me ngjarjet e 7 tetorit 2023.
Burimi theksoi gjithashtu se nuk është planifikuar asnjë takim pasues.
Blloku i Netanyahut fitoi 53 vende në zgjedhjet e tetorit, ndërsa partia e Eisenkotit, së bashku me tre të tjera, siguroi 48 vende. Kjo do të thotë se asnjëra palë nuk arriti të siguronte shumicën në Knesset, i cili ka gjithsej 120 vende.
Në një deklaratë në platformën X mbrëmjen e së shtunës, Netanyahu u shpreh se “uniteti është domosdoshmëria e momentit”.
Pasi theksoi se ai duhet të udhëheqë qeverinë e unitetit – ose të jetë i pari në rotacion, duke qenë se partia e tij “Likud” është më e madhja në parlament – ai shtoi se është i gatshëm t’i “lërë mënjanë të gjitha” për t’i hapur rrugën Eisenkotit që të shërbejë si kryeministër i parë.
Netanyahu do të shërbente si kryeministër alternativ, ndonëse nuk u specifikua se sa do të zgjaste mandati fillestar i Eisenkotit.
Ai tha se priste që Likud-i dhe partia “Yashar” e Eisenkot-it të “nisnin menjëherë negociata të mirëfillta, të sinqerta dhe të përshpejtuara, në të cilat edhe pala tjetër të jetë e gatshme të bëjë kompromise dhe lëshime të ngjashme”.
Partia Likud e Netanyahu-ut doli si forca më e madhe në Knesset pas zgjedhjeve të 27 tetorit, por koalicioni i tij nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme për të qeverisur.
Tani është Eisenkot ai që mban frenat, duke iu afruar formimit të një qeverie që mund të largojë nga pushteti liderin me shërbimin më të gjatë në historinë e Izraelit.
Eisenkot-i ka afat deri më 20 dhjetor për të formuar qeverinë – nëse kërkon një shtyrje prej dy javësh – por ai është zotuar se do ta paraqesë qeverinë e re për votim në parlament që javën e ardhshme. /Telegrafi/